Durrës, 17 shtator 2017: (“GOT’N E MJALTIT ASKUSH DOT S’E PIU,/ TË PAPËRZIER ME GOTË HELMI TË HIDHËT” – Petar Drugi Petroviq Njegosh)
Më 3 shtator 2017 u përurua në Tivar Poshtë Katedralja e re e Arqipeshkvisë së Tivarit. Nuk mund të them me shifër sa njerëz qenë mbledhur, por salla, që s’është e vogël, qe mbushur plot dhe më këmbë anash mund të ishin më shumë se njëmijë vetë. Jashtë gjithashtu qëndronte një turmë mjaft e madhe.
Ish kjo pamje, e mjaftueshme për të kuptuar sa e rëndësishme ish ajo ditë për katolikët, shtetas të Republikës së Malit të Zi, që gravitojnë rreth asaj Arqipeshkvie. Kishin ardhur shestanasit që banojnë në Tivar e rrethina, shestanas që banojnë në fshatrat afër Ulqinit, klleznorë e bregasorë, malësorë të Tuzit, Hotit, Grudës e Trieshit. Kishin ardhur që nga SHBA-ja dhe shtete të Evropës Perendimore me qindra mërgimtarë.
Në rrethinë të Tivarit, psh në fshatin Zupç apo në Sutomore, ka një numër katolikësh që tradicionalisht flasin gjuhën sllave. Gjithkështu edhe në Grykat e Kotorrit shumica e banorëvet janë katolikë sllavishtfolës. Krejt natyrshëm ishin edhe ata të pranishëm midis shumicës shqiptare, pjesëtare shumëshekullore e kësaj Arqipeshkvie.
Arqipeshkvia e Tivarit është një institucion fetar katolik njëmijëvjeçar, më saktë, 928-vjeçar, i Arbërisë Veriperendimore e në vazhdim i Shqipërisë Veriperendimore. Themeluar si Arqipeshkvi që në vitin 1089 dhe martirizuar në të gjithë shekujt e ekzistencës së saj.
Unë kam shkruar e botuar, në shqip dhe sllavisht, një libër nja 300-faqeh për historinë e kësaj Arqipeshkvie, prandaj dhe nuk ka arsye të zgjatem më shumë, as në renditjen e faktevet të historisë, as në arsyetimet, pse kjo Arqipeshkvi shoqërohet me epitetin e martirizuar.
Por është e domosdoshme të ndalemi te pyetja: Pse po vazhdon edhe sot të martirizohet kjo Arqipeshkvi?!
Kur themi po martirizohet një institucion, qoftë fetar, qoftë i fushavet të tjera të kulturës, fjala është për popullin që grumbullohet rreth atij institucioni. Pra: Pse po vbazhdon të martirizohet populli, dikur arbëror e tash shqiptar, i grumbulluar rreth kësaj Arqipeshkvie këtu e një mijë vjet?!
Unë isha i ftuar në atë ceremoni me firmën e vetë arqipeshkvit Imzot Rrok Gjonlleshaj. E pata ndjerë veten të nderuar që më ish dërguar ftesa dhe udhëtova prej Durrësit një ditë para se të zhvillohej ceremonia. Ishte thënë në rrjetet socialë që mesha do të celebrohej shqip, ose të paktën e kombinuar, shqip edhe sllavisht, dhe kjo më gëzonte shumë, mbasi në kishat e Tivarit dhe në ato të rrethinës së Tivarit, ku shumica dërrmuese e besimtarëvet janë shqiptarë, ka rreth 120 vjet që mesha nuk celebrohet në gjuhën shqipe, por në gjuhën sllave. Shkak për këtë është bërë një konkordat famëkeq, një marrëveshje famëkeqe, midis Vatikanit dhe qeverisë së atëhershme princore të Malit të Zi, në fund të shekullit XIX.
Mali i Zi i sotmi, jo vetëm duhet, por e ka detyrë të zbatojë në të gjitha fushat e jetës parimin e demokracisë bashkëkohore evropiane. Ky është kusht që ky shtet të mund të pranohet si anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.
Sado që i njoh mirë marifetet që përdorin politikanët sërbë, e, nën diktatin psikologjik kishtar pravosllav të sërbëvet, edhe një pjesë e politikanëvet malazezë, prapëseprapë po shpresoja që, në politikën aktuale të Malit të Zi diçka të ketë ndryshuar. Po shpresoja që faktori shqiptar të jetë vënë në vendin që i takon në Arqipeshkvinë e Tivarit, si zot shtëpie në atë Arqipeshkvi dhe si faktor jetëdhënës i atij institucioni.
Unë jam nga Shestani. Gjuhën shqipe e kam mësuar në Shestan. E kam marrë si qumështin e nënës, në rritje e sipër. Gjyshja ime nuk ka ditur asnjë fjalë sllavisht, sado që kishim shtatëdhjetë vjet nën pushtimi malazias e jugosllav. Gjyshi im dinte vetëm dy shprehje sllavisht: Dobar dan dhe dobro veçe. (Mirëdita dhe mirëmbrëma), shprehje këto që i kish mësuar thjeshtë për mirësjellje, sepse nuk mund t’i kalosh tjetrit, qoftë edhe jabanxhi, pa e përshëndetur.
Uratat, Ati ynë, Falemi Mri, Kjothtë lumnia e Atit, Besojmë, Unë pej Zotit jam i kshtenë, Puna e penimit, m’i kanë mësuar prindët dhe famullitari ynë në Shestan.
Tani ka ardhur koha që qeveria dhe politikëbërësit e shtetit malazias ta kuptojnë se ndaj shqiptarëvet të Shestanit dhe ndaj shqiptarëvet të tjerë, shtetas të atij shteti, është bërë diskriminim në regjimet e mëparshëm dhe se, më në fund, ajo praktikë diskriminimi duhet të ndërpritet.
Një grumbull i madh klerikësh: Arqipeshkëv, ipeshkëv, meshtarë e rregulltarë, madje edhe kardinali, Hirësia e Tij Ernest Troshani, ishin të pranishëm dhe po e udhëhiqnin ceremoninë përuruese të katedrales së re. Ish kënaqësi e veçantë kur, midis asaj cermonie, dëgjoje gjuhën shipe, gjuhën e vendit, dhe reagimin, fetarisht të përkushtuar, të pjesëmarrësvet. Lutu për ne, thoshte një nga drejtuesit e ceremonisë dhe përgjigjja shqip, lutu për ne, bënte që krejt katedralja të gjëmonte me të madhe. Kjo dëshmonte që besimtarët e pranishëm në atë ceremoni ishin thuajse që të gjithë shqiptarë.
Mirëpo liturgjia shërbehej kryesisht në gjuhën sllave dhe kori i kishës i këndonte lutjet në gjuhën sllave.
Duke e ditur që shumica e klerikëvet ishin shqiptarë, unë isha i prirur të merrja me mend edhe ndrydhjen shpirtërore që e përjetonin ata klerikë. Nuk ish e mundur që ata të dëshironin për ta thënë meshën sllavisht, në një kishë shqiptare, të mbushur plot me besimtarë shqiptarë. Isha i prirur të përfytyroja edhe debatet që ata mund të kenë bërë në rrethet e tyre të mbyllur dhe presionet që, në mënyra e forma të ndryshme, janë ushtruar mbi ata klerikë dhe përfundimisht ata kanë qenë të detyruar të veprojnë ashtu si nuk dëshironin dhe si, Zoti, të cilit ata i besojnë, nuk do ta miratonte kurrë.
Televizioni shtetëror malazias do të ish aty i pranishëm. Klerikë të besimevet të tjerë do të merrnin pjesë si të ftuar. Duhej doemos të krijohej përshtypja sikur shteti i Malit ë Zi është një shtet demokratik nga më të kulluarit, të cilit duhej t’i hapeshin dykanatesh dyert e BE-së. Duhej të krijohej edhe përshtypja e shkuarjes mirë midis konfesionevet të ndryshëm, pravosllavë, myslimanë e katolikë, por, në krahun tjetër, nuk duhej lënë përshtypja që kjo Arqipeshkvi ka qenë dhe do të mbetet ekskluzivisht një institucion i besimtarëvet katolikë shqiptarë. Kjo ish shumë e rëndësishme për shovinistët malazias të kamufluar si demokratë.
Shprehja më flagrante e falsitetit të asaj ceremonie, mbuluar me petkun e “demokracisë”, ishte demonstrimi i dy veshjeve kombëtare.
Njëra veshje paraqiste kostumin malazias, në një kohë që gjithkush e di që nuk ka në botë as edhe një malazias të besimit katolik. Të gjithë malazezët janë ose pravosllavë, ose ateistë. Katolikë janë një numër shtetasish malazias, shqiptarë dhe kroatë, por katolikë me kombësi malaziase nuk ka gjëkundi. Megjithkëtë, ata u paraqitën aty si pjesëmarrës në ceremoni dhe i dorëzuan arqipeshkvit, para kameravet shumë të vëmendshme televizive, një dhuratë simbolike.
Një çift tjetër me veshje popullore ishte nga fshati Zupç. Ai fshat ka vërtet një veshje karakteristike, interesante, ashtu siç ka edhe një etnohistori disi enigmtike, por gjithsesi ishte përfaqësi e një fshati të vetëm.
Veshja e Shestanit, veçanërisht e gravet të Shestanit, e cila është ruajtur këtu si një dëshmi tepër e lashë iliro-arbro-shqiptare, nuk u paraqit asgjëkundi. Komisioni përgatitës i asaj ceremonie kish bërë kujdes që të mos dukej askund andejpari ndonjë grua apo nuse me veshje shestaneshe. Vetëm dy plaka më zuri syri midis turmës me atë veshje, por nuk e di në i ka kapur apo s’i ka kapur qoftë edhe gabimisht kamera televizive.
Edhe katolikët shqiptarë të Klleznës, edhe ata të Malit të Brinjës, Shëngjergjit e Shënkollit dhe të krejt bregut të djathtë të Bunës, i kanë veshjet e tyre karakteristike, por anjëra prej tyre s’ish parë e arsyeshme të paraqitej në atë ceremoni solemne. Veshjet e Malësisë së Madhe, Hotit, Grudës, Trieshit dhe Tuzit, ashtu si dhe veshjet e Shestanit dhe të Bregbunës, duhet të përbëjnë objekt krenarie jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për shtetin e Malit të Zi. S’ishin, pra të pranishme në atë përurim aq të rëndësishëm asnjëra nga ato veshje, sado që aty kish me shumicë edhe malësorë, të ardhur madje që nga SHBA-ja enkas për këtë ngjarje.
Askush nuk mund të thotë që kjo mungesë e veshjevet kombëtare shqiptare, në inaugurimin e një katedraleje thuajse tërësisht shqiptare, të ketë qenë e rastësishme apo pasojë e neglixhencës. Përkundrazi, është shprehje e diskriminimit të pandalshëm ndaj popullsisë autoktone shqiptare, filluar që prej vitit 1877 e këndej.
Duke përjetuar gjithë këtë ngjarje, me përzierje të dukshme të një farse mediatike, po më vinin pa pushim në mendje dy vargje të një poeti të madh malazias Petar Drugi Petroviq Njegoshit: “Çashu meda josh niko ne popi, shto je çashom zhuçi ne zatopi!” (“Got’n e mjaltit askush dot s’e piu, të papërzier me gotë helmi të hidhët!”)
Ne katolikët shqiptarë të atyre hapësirave, të ndodhur nën Malin e Zi e nën Jugosllavi qysh prej vitit 1877 e këndej, më shumë se pesë breza, pa shërbim kishtar shqip dhe pa shkolla shqipe, sidomos Tivari e Shestani, më shumë e kemi shijuar helmin se mjaltin. Dhe, me sa duket, shpërbërja jonë kombëtare e kulturore do të vazhdojë shumë e egër edhe në këto kohë aspiratash të reja. Helmi nuk do të na mungojë.
Gjokë Dabaj, Durrës 3-12 shtator 2017