Pashtriku.org, 29 shtator 2017: (Botuar në revistën “Republika” nr.299/2002.)
Letër e hapur kryetarit të Qeverisë së Serbisë, z.Z.Gjingjiq
I nderuari z.Gjingjiq
Motori i zhvillimit të çdo shteti
Po ju shkruaj si Serbit i cili pati guxim trimëror, urti dhe dije politike, që keqbërësin e Serbisë, Sllobodan Millosheviqin, ta dërgojë në Gjykatën për Krime të Luftës në Hagë. Që të realizoni këtë që po ju propozoj me këtë letër, ju duhet shumë më tepër guxim, mendje e mjeshtri politike se sa në rastin e Millsheviqit. Aksionin që po ua propozoj është pjesë e politikës së domosdoshme për zhvillimin e Serbisë në përgjithësi, dhe të shkencës e teknologjisë në veçanti.
Prej vitit 1950, me punimet e mia të botuara në revista botërore dhe me letrat që ia kam dërguar Titos, shefave të republikave të ish-Jugosllavisë dhe Akademisë Serbe të Shkencave, ua kam tërhequr vëmendjen, se: fuqia motorike e zhvllimit të një shteti shprehet në përqindjen e të ardhurave kombëtare që ai shpenzon në zhvillimin e shkencës, teknologjisë, krijimin e shpikjeve dhe inovacioneve vetanake. Gjendja e këtij motori sot shihet nga shifrat në vijim: Suedia ndanë 3,8% të BPN, ShBA 2,8%, shetet e Bashkimit Evropian rreth 2,5%, ndërsa Serbia dhe Kroacia më pak se 1%. Unë ju propozoj që në riorganizimin e politikës, shkencës dhe teknologjisë të përfshini edhe shpërndarjen dhe riorganizimin e plotë të të ashtuquajturës Akademia Serbe e Shkencave, e cila nuk ka kurrëfar lidhje me shkencën, sepse gjenerata të tëra, madje edhe pas Millosheviqit, atë e udhëheqin ithtarët mendjelehtë të ideologjisë antidemokratike, të nacionalizmit dhe shovinizmit.
Zoran Đinđić (1952 – 2003)
Prej vitit 1973 merrem me studimin e mendësisë kolektive të organizimit të ndërmarrjeve e të shteteve. Në vitin 1973 kam zhvilluar një koncept, të publikuar pa emrin tim, në dokumentin publik shtetëror të Suedisë, për reformën e shërbimit informativ të ushtrisë (SOU 19,1975), se informimi, mendimi i tij kolektiv, duhet të jetë jo vetëm mbrojtja e sigurisë dhe pavarësisë së një shteti, veçse faktori kryesor i aftësisë së tij për zhvillim. Këto ditë në Kroaci jam duke mbajtur ligjërata për fuqinë e mendjes së Republikës së Dubrovnikut prej vitit 1301 deri më 1806, e të Suedisë prej vitit 1700 deri më 2002. Në Le Monde të datës 20 tetor, po shoh se Universiteti Ottawa po themelon departamentin për mendjen kolektive të organizatave, ndërmarrjeve dhe shteteve. Sipas IBM, investimi në inteligjencën e biznesit të ndërmarrjeve sot arrinë shumën 70 miliardë dollarë.
Simposiumi më i ri i AShS
Shkasi që mora për t’ju shkruar është simpoziumi më i ri dhe më i rrejshëm i AShS, për Serbinë e Madhe. Aty u shprehën, se kurrë dhe askush nuk është përpjekur për ta krijua Serbinë e Madhe, veçse kundërshtarët e saj janë shërbyer me akuza për gjoja hegjemonizmin serbomadh, për t’i realizuar qëllimet e tyre në dëm të Serbëve (po kush dhe prej nga ishin ata, nuk u tha). Esenca e simposiumeve të tilla, përkah budallallëku, është e njëjtë sikur Akademia e Hambulltit në Berlin sot të mbante simposium për të dëshmuar se në Gjermaninë e viteve 1930 e 1940 nuk ka ekzistuar nacizmi as Hitleri. Por simposiumin e AShS megjithatë e kanë udhëhequr “shkencëtarët”, si Dobrica Qosiqi, Mihajllo Markoviqi e D. Medakoviqi.
Ndikimi i Serbisë së Madhe në jetën time
Këtu do ta paraqes shkurtimisht vetëm ndikimin e Serbisë së Madhe në jetën time personale. Jam lindur në Sarajevë në qershor të vitit 1911, nga nëna dhe babai serbë. Po atë muaj, shefi i shërbimit informativ ushtarak në Beograd, koloneli Dimitrijeviq “Apis”e ka formuar organizatën terroriste “Bashkim ose vdekje”, të njohur më mirë si “Dora e zezë”, që me terror ta rrëzojë Perandorinë Austrohungareze, dhe që “nën dinastinë e Karagjorgjeviqëve, t’i bashkojë – po citoj kushtetutën e “Dorës së zezë” – “të gjitha krahinat serbe:
1) Bosnje-Hercegovinën,
2) Malin e Zi,
3) Serbinë e Vjetër dhe Maqedoninë,
4) Slloveninë dhe Sremin,
5) Vojvodinën,
6) Bregdetin (Dallmacinë)”.
Në tetor 1911 kam qenë refugjatë në parzmën e nënës sime, duke ikur për në Beograd, ngase Austria deshi ta burgoste babain tim, doktor Jevto Dedijerin, si anëtar i “Dorës së zezë”, për çfarë kam prova të shumta. Kjo shihet nga të gjitha punimet e tij (ka vdekur në moshën 37 vjeçe). Në vitin 1913, pas Luftës së Parë Ballkanike, ai ka shkruar libër për Maqedoninë “Serbia e Re”, dhe në te ka thënë: “Duke pasur luginën e Moravë-Vardarit, Serbia tash mund të dominojë mbi tërë Gadishullin Ballkanik”. Në botimin e librit të Jevto Dedijerit për Hercegovinën, të cilën e ka redaktua Vlladimir Dedijeri, është botuar letra e tij dërguar ministrit të punëve të jashtme të Serbisë në egzil, më 1916, në të cilën J.Dedijer thotë: “Afër Bitolit kam gjetur disa fshatra vëllehësh, të cilët duhet t’i kthejmë në Serbë, me proces kulturor”. Në vitin 1915, kroati Stupillo ka ardhur në Nish, ku ishte qeveria e Nikolla Pashiqit, e cila kishte ikur nga Beogradi i okupuar, për t’ia tërhequr vërejtjen Pashiqit, se Italia do ta okupojë Dallmacinë. Në pyetjen që ia bëri Pashiqi “Çka është Dallmacia”, Jevto Dedijer ka shkruar më 15 maj 1915, broshurën “Dallmacia”, dhe në faqen e pasme të broshurës shkruan: “Serbia e Madhe do të jetë 250.000 km/katrore”, do të thotë më e madhe se Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, e themeluar në Konferencën e Versajes në vitin 1918.
Aleksandar Karagjorgjeviqi dhe Nikolla Pashiqi kanë vu dikaturën mbi të gjithë popujt e vendeve jugosllave. Në nëntor të 1918-es, si fëmij shtatëvjeçar, kam dëgjuar nënën time Millica Dedijer, kur tregonte se ishte tmerruar kur kishte parë se si “policia jonë serbe” në shesh i detyronte Myslimanët të hanë mish e vjam derri. Në dhjetor 1918, pas Kuvendit të Podgoricës, filloi vrasja e Malazezëve të cilët luftonin për monarkinë e Petroviqit dhe lirinë e Malit të Zi. Në janar 1919-es gjenerali Millan Nediq, më vonë shef i qeverisë në Serbinë e okupuar, në sheshin Jellaçiq në Zagreb, ka shtënë me armë në demonstrantët të cilët kërkonin autonominë e Kroacisë. Në vitin 1922, Zhika Llaziq, ministër i punëve të brendshme, më thirri mua: “Hajde, Stevicë, ta përcjellim ushtrinë tonë serbe e cila po shkon në Kosovë për t’i shtypur Arnautët”. Në vitin 1928, nëna Millica na tha mua dhe vëllezërve të mi, Vlladimirit e Borivojit: “Fëmijë, ky është fundi i Jugosllavisë. Aleksandri i mallkuar i shtyu të vritën udhëheqësit demokrat të Kroatëve”. Kjo ishte kur Punisha Raçiq, mik personal i Aleksandrit, me të cilin një natë më përpara kishte luajtur poker, i vrau në Kuvend vëllëzërit Radiq. Në vitin 1931, sekretarja e Albert Ajnshtajnit, e cila punonte në ndërtesën e Universitetit Matematikor të Prinstonit, ku unë isha student i fizikës teorike, ma dha një (letër) protestë të Ajnshtajnit, kundër qeverisë së Aleksandrit e cila kishte shty vrasjen e shkencëtarit kroat Shuflaj. Në vitin 1936, kur u bëra anëtar i PKJ-së në Njujork, kam lexuar në (gazetën) Proleter, të cilën e redaktonte Josip Broz Tito, se “Jugosllavia është burgu i popujve”, që e ka bërë qeveria e Aleksandrit, prandaj në vitin 1941 u shkatërrua me goditjen e parë të ushtrisë fashiste. Në vitin 1941, kam lexuar në New York Times, se Aleksandar Belliq, atëherë kryetar i AShS, ka nënshkruar proklamatën në të cilën sulmonte luftën nacionalçlirimtare të Serbëve kundër nacizmit.
Siç shkruan Svetozar Pribiçeviqi në librin e tij Diktatura e Mbretit Aleksandar (1936), “Serbia e Madhe” deputetin e Kuvendit, Ante Pavelliqin, i cili në parlament angazhohej vetëm për autonomi të Kroacisë në kuadër të Jugosllavisë, kur pa se si Punisha Raçiq vrau udhëheqësit kroatë, e shndërroi në kuisling të Hitlerit e të Musolinit dhe armik të popullit serb në Kroaci.
Stevan Dedijer (1911-2004)
Prej vitit 1988 e kam vënë re politikën serbomadhe të Millosheviqit, në rend të parë kundër popullit serb. Në disa shkrime, duke filluar nga Borba në vitin 1989, jam nënshkruar si “Serbi nga fundi i tinarit”, duke sulmuar Millosheviqin, Qosiqin dhe ithtarët e Serbisë së Madhe. Sulmin e Millosheviqit kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, që e pat paralajmëruar në Kosovë më 28 qershor 1989, e kam përjetuar si tragjedinë më të keqe në jetën time të bujshme. Në tetor të 1989-es, me një letër të hapur babait tim të ndjerë, me ndihmën redaktuese të gjeneralit Peko Dapçeviq, kam shkrua një intervistë me Lluka Brajllon në Sllobodna Dallmacia, se ideja e tij për Serbinë e Madhe ka shkaktuar luftëra dhe katastrofa për popullin serb prej vitit 1914, pastaj 1941, dhe se nën Millosheviqin do të shkaktojë edhe katastrofën e tretë, për të cilën po paguan sot, më 2002. Në atë intervistë kam shfaqur shumë ide, si bie fjala – për dëmin e madh të nacionalizmit që është i pandashëm nga shovinizmi, në të cilat më ka ndihmuar miku im nga fëmijëria në Bob-klubin te “Gjashtë Plepat” në Beograd, gjenerali më i lavdishëm i Titos, Koça Popoviq. Ai përherë ma përsëriste: “Stevo, pa e zgjidhur problemin e nacionalizmit, dhe në rend të parë atë të elitës serbe, nuk kanë shpëtim, do të shkatërrohen me Millosheviqin”. Atij i interesonin idetë e mia për zhvillimin e inteligjencës së shteteve, për të cilat kemi biseduar në drekat e shumta në shtëpinë e tij të vogël në Dubrovnik. Një ngushëllim i vogël për këto më erdhi më 5 tetor 2000, kur nga Londra më thirri ish-sekretari i Partisë Laburiste të Britanisë së Madhe, Michael Fot, më falënderoi dhe më uroi për rrëzimin e Millosheviqit.
Pesë gabimet kardinale të AShS
Këtu më poshtë, po i paraqes shkurtimisht pesë marrinat kardinale të AShS
1. Përkundër dokumenteve të panumërta, duke filluar nga “Naçertania” e Garashaninit, përmes Jovan Cvijiqit, kushtetutës së “Dorës së zezë”, ideologjisë së Drazha Mihajlloviqit, S.Moleviqit dhe qeverisjes së të gjitha qeverive serbomëdha prej vitit 1918 deri më 1941, AShS mohon ekzistimin e idesë së Serbisë së Madhe.
2. Politikani serb Svetozar Pribiçeviq, në librin e tij “Diktatura e Mbretit Aleksandër” (fq.163) thotë: “Nuk ka forcë në botë që mund ta thyejë mendimin kroat; më parë do të rrokullisej Velebiti në det dhe do të thaheshin Drava e Sava, se sa kroatët do të hiqnin dorë nga përpjekjet për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të tyre. Marrina rrënjësore e udhëheqjes së AShS dhe e Millosheviqit është që nuk e kuptuan, se ajo që thoshte Pribiçeviqi për kroatët, vlenë edhe për Sllovenët, Boshnjakët, Maqedonët, Shqiptarët dhe Malazezët.
3. Serbia i fillo katër lufta, të cilat i paralajmëroi Millosheviqi në fjalimin e tij në Kosovë më 28 qershor 1989, kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës, dhe që të katra i humbi. Nuk ka një shembull tjetër në histori që një shtet t’i ketë humbur katër lufta për pesë vjet, gjë që AShS e mohon.
4. Detyrë kryesore e çdo qendre shkencore është që të kuptojë rrjedhat në botë, duke përfshirë edhe revolucionin e dhjetë të inteligjencës në historinë e njerëzimit, në të cilën sot jetojmë të gjithë. Udhëheqjes së AShS as nuk i ka shkua mendja, kur e propagonin Millosheviqin dhe Serbinë e Madhe, se bashkësia ndërkombëtare sot është e gatshme të fillojë luftën kundër një shteti sovran dhe që shefin e saj ta vejë para gjykatës për krime të luftës, gjë që për herë të parë në histori ndodhi, dhe kjo i ndodhi Serbisë.
5. Marria kryesore dhe më e keqe e udhëheqësisë së AShS është se ajo merret me gjithçka, përveç me atë me të cilën duhet të merret secila akademi: me zhvillimin e forcave krijuese të popullit, në shkencë, teknologji, shpikje dhe inovacione. Nga letra e bashkangjitur e Dobrica Qosiqit, që ma ka dërguar mua, mund të shihet se unë kam bërë urgjencë në këtë drejtim, dhe këtë jo një herë. Në shkrimin e parë të numrit të parë të “Nove misli”, të cilën e ka themeluar malazezi dhe anëtari i Politbirosë së Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Millovan Gjillasi, në vitin 1952, mund ta gjeni shkrimin tim, me të cilin e gjykoj AShS, se po ndjek politikën katastrofale të Bashkimit Sovjetik në këtë rajon.
Çka thotë ajo letër e Dobirca Qosiqit që ma ka dërgua më 25 qershor 1984? Po theksoj, se nga ideja e tij që AShS të mbajë konferencën: “Shoqëria, shkenca, e ardhmja”, nuk kishte asgjë prej saj. Sepse, filluan të merren me Memorandumin e tyre, për ta ringjallur idenë e Serbisë së Madhe. Tjetra, “populli ynë po mbetet në pyjet e Ballkanit”, ngase akademikët e tij dhe politikanët e marrë, si Koshtunica, luajnë gjithnjë akoma me idetë prapanike të nacionalizmit, shovinizmit, urrejtjes dhe marrina tjera. Këtë e dëshmon simpoziumi i tyre treditor për mosekzistimin e idesë së Serbisë së Madhe.
I nderuari z.Gjingjiq, shpresoj se në këtë letër do të gjeni argumente të mjaftueshme që ju ndihmojnë në detyrën e rëndë që ju pret, që ta veni Serbinë në rrugën e zhvillimit dinamik.
Me respekt,
Stevan Dedijer, si gjithmonë: Serb nga fundi i tinarit (2002)
(Shqipëroi: Adil FETAHU)
________________
Shënim: Stevan Dedijer (1911-2004), ishte një ekspert i fizikës teorike dhe specialist për shërbimet e inteligjencës. Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Suedisë; autor i shumë shkrimeve të botuara në mediat më të njohura botërore, dhe i letrave të dërguara personaliteteve të ndryshme. Kur e kishte thirrë Kardeli dhe i kishte propozuar të punonte për prodhimin e bombës atomike në Jugosllavi, ky i kishte thënë: “Jugosllavia s’mund të prodhojë grafit për lapsa të thjeshtë, e lere më të prodhojë bombë atomike”. E kritikon ashpër idenë e Serbisë së Madhe dhe punën e Akademisë së Shkencave të Serbisë për propagimin, dhe njëherësh mohimin e ekzistimit të kësaj ideje, për të cilën ky ofron argumente të shumta. Prandaj, në letrën e dërguar kryeministrit Zoran Gjingjiq, i propozon ta shpërbëjë Akademinë ekzistuese dhe ta riorganizojë atë, që të merret me punët e zhvillimit teknik e teknologjik, shpikje dhe inovacione, ngase fuqia e mendjes është arma më e fortë e një populli. Krahas emrit ku është nënshkruar, gjithnjë ka shtuar fjalët: “Serb nga fundi i tinarit”, prej nga thotë se lakra turshi është më e mira, por se edhe njeriu kutërbon kur e han atë. – Opinioni kosovar fare pak, ose aspak nuk e njeh këtë autor, derisa shumë ma mirë e njeh vllain e tij, Vlladimir Dedijer. Letra dërguar Gjingjiqit, është botuar në “Republika” nr.299/2002.