SADRI RAMABAJA: SINJALET E ACARIT DHE SHPËRFAQJA E DEFEKTEVE POLITIKE

(Prishtinë, 8 shkurt 2012) – Vala e të ftohtit dëshmoi se kryeqendra jonë, pavarësisht se në krye ka dy të profesor ekonomie (shih kontrastin surrealist!), ka kolapsuar keq. Dhe kjo ngjet meqë kryetari i komunës, i ngritur me kohë në kuadër akademik nga politika, kaherë është shndërruar në robë të neoliberalizmit dhe dorëzimin e të mirave publike oligarkisë e ka arsyetuar dhe e arsyeton me teoritë kuazi konceptuale mbi tregun e lirë. Shih për këtë, mundësia e përsëritjes së tragjedisë polake, ku një dyzinë qytetarësh vdiqën nga dioksidi i karbonit që lëshoi sistemi i stërvjetëruar dhe me shumë defekte i ngrohjes, mbetet e hapur edhe në Prishtinë, sidomos në Dardani dhe Ulpianë.
Bora shpërfaqi mjerimin ekonomik!
Për plot tri javë kontinentin e vjetër, ku më shumë e ku më pak, e ka kapluar acari siberian. Kosova, për shkak edhe të pozitës së saj gjeografike – si rrafshlartë, përveç acarit po përjeton edhe përballjen me borën e madhe. Por, nëse në një pjesë të Evropës, si në Zvicër, Gjermani, shtetet skandinave etj., shumë qytetarë borës edhe i gëzohen, meqë ju sjell natyrshëm gëzimin që ju ofrojnë sportet dimërore, të tjerë për shkak se industria e turizmit dimëror gëlon, në Evropën Lindore shumë nga të pastrehët vdiqën e janë buzë vdekjes. Në Ukrainë vetëm deri të martën u regjistruan 135 të vdekur nga acari. Në Poloni 68 veta, kështu pësuan shumë qytetarë edhe në Rumani, po edhe në gjithë hapësirën e Ballkanit, pa përjashtuar edhe Shqipërinë. Në Kosovë, për fat të mirë, deri tashti nuk është regjistruar ndonjë i vdekur, por nëse moti vazhdon me ngrica dhe politika mbetet largë përgegjësisë morale e sociale, nuk përjashtohen gjasat që të kemi të vdekurit e parë shumë shpejt. Poqëse ky dimër vazhdon t`i marr hua ditë nga arbaini, legjenda e gurëzimit të plakës me çka ka, mund të riinkarnohet dhe t`na e shpërfaq vdekjen e kristaltë.
Shkaqet reale të kësaj përballjeje me vdekjen për një pjesë të qytetarëve nuk duhet kërkuar thjeshtë tek kushtet klimatike dhe ftohti i madh, tek temperaturat tejet të ulta deri në minus 30 gradë celsius. Acari dhe bora që kaploi Kosovën këtë dimër na bëri që të shohim më qartë se sa keq ka kapluar varfëria një shtresë të qytetarëve tanë, e bashkë me këtë e shpërfaqi mjerimin ekonomik në të cilin jeton një kategori e shtetasve tanë, bashkë me këtë edhe mjerimin tonë politik, paaftësinë për menaxhim krizash çfardoqofshin ato. Këta janë indikator të mjaftueshëm se përse ky vend duhet t`i nënshtrohet ndryshimeve të thella morale, shoqërore, ekonomike e politike.
Shembull ekzemplar i këtij realiteti të hidhur u bë Prishtina. Kryeqendra u dëshmua gjatë këtij acari se gjindet në duar të mafias ekonomike që bashkëjeton në harmoni me mafian politike dhe tok kanë krijuar të ashtuquajturën klasë oligarkësh, që koketojnë mirë me atë të nivelit qendror. Kjo oligarki që prej viteve `70-të, në kolaborim fillimisht me pushtetin serb dhe pas luftës me strukturat e UNMIK-ut dhe të nëntokës ekonomike e politike të të gjitha ngjyrave, kanë etabluar oligarkin e ripërtrirë që po e ngulfatë kryeqendrën. Kjo oligarki tashti nuk çanë kokën që lenë në kulm të acarit spitalin pa ngrohje, rrugë e trotuare në akull, qytetarët të mbyllur, të uritur e të mërdhirë.
Defekti moral dhe ai politik
Vala e të ftohtit dëshmoi se kryeqendra jonë, pavarësisht se në krye ka dy të profesor ekonomie (shih kontrastin surrealist!), ka kolapsuar keq. Dhe kjo ngjet meqë kryetari i komunës, i ngritur me kohë në kuadër akademik nga politika, kaherë është shndërruar në robë të neoliberalizmit dhe dorëzimin e të mirave publike oligarkisë e ka arsyetuar dhe e arsyeton me teoritë kuazi konceptuale mbi tregun e lirë. Shih për këtë, mundësia e përsëritjes së tragjedisë polake, ku një dyzinë qytetarësh vdiqën nga dioksidi i karbonit që lëshoi sistemi i stërvjetëruar dhe me shumë defekte i ngrohjes, mbetet e hapur edhe në Prishtinë, sidomos në Dardani dhe Ulpianë. Ndërkaq fshehja prapa slloganeve banale të fetishizimit me petk religjioz se “ne nuk e kemi porositur borën”, nuk mbulon dot defektin moral dhe atë politik. Përkundrazi, pikërisht kjo gjendje shpërfaq më qartë defektin moral dhe politik të këtij segmenti të oligarkisë sonë. Në Kosovë numri i të papunëve tashmë ka kaluar 50%. Vetëm në kryeqytet në krahasim më vitin paraprak janë 11% më shumë se sa në vitin 2010. Në mesin e të papunëve tashmë janë diku mbi 4000 me diploma të arsimit të lartë. Ekspertët nuk shohin farë rrugëdalje nga kjo gjendje përderisa politika vazhdon të mbetet peng e oligarkisë neoliberale. Kjo gjendje po godet rënd sidomos brezin e ri, meqë edhe nëse punon ai i nënshtrohet trysnisë së kontrastave pa mbulesë sociale e pensionale. Ndërkaq për të papunët përspektiva mbetet tejet e zymtë.
Sinjalet për Brukselin
Për thellimin e kësaj gjendje përgjegjësia morale dhe politike nuk është vetëm e oligarkisë sonë, këtij produkti bastard vendor. Ndryshimi i këtij trendi negativ është i ndërlidhur fort me fuqitë ekonomike të Evropës, para së gjithash Gjermaninë dhe Francën. Por, në Bruksel, Berlin e Paris kjo oligarki çuditërisht vazhdon të gëzoj mbështetje. Disi ngjashëm siç pati ngjarë me oligarkitë e Ukrainës, Hungarisë, Polonisë etj. Thellimi i këtij kursi politik do të ishte tmerrësisht i rrezikshëm për përspektivën tonë evropiane. Ndërkaq përmasat e greminës ku mund t`na shpjerë oligarkia jonë, po vazhdoi të gëzoj përkrahje nga Berlini e Parisi, janë të paparashikueshme. Po ngjau kjo, e për aq sa po shihet gjasat janë, atëherë simbolet e poshtrimit do t`na shtohen, tej atij që pamë të shkruar në asfaltin e Prishtinës nga një ushtarë i devotshëm i lirisë tek po gdhinte agsholi i ditës në kryeqytetin tonë të lirë, i zhgënjyer tej mase me rezultatin e pas zgjedhjeve të para, demokratike e të lira të pasluftës. Ndërkaq zhgënjimi i të indinjuarve sot, në prag të përvjetorit të katërt të pavarësisë së Republikës, mund të jetë disi i ngjashëm me atë simbolin e poshtrimit që përjetuan qytetarët e Mumbait, (qytet i simbolit dhe shpresës në Indi). Zhgënjimi i luftëtarit të lirisë me reflektimin e dobët politik të qytetarëve të Prishtinës atëbotë, dhe ky aktuali i të indinjuarve gjithnjë në rritje me oligarkinë, na reflekton se janë produkt i shpërputhjes së pritshmërisë që kanë qytetarët nga liria me realitetin që ofron oligarkia dhe avokatët e saj korporativist. Shih për këtë Berlinit dhe Parisit jo rrallë i duken qëndrimet e ndonjë force politike që shpërfaq autenticitet dhe dinjitet politik, përpjekje për të dalur disi nga ky rreth vicioz jo vetëm nga simbolika poshtruese, produkt i “kopështit politik të fëmijëve”.
Në Ukrainë presidenti Viktor Janukoviq pat provuar që t`i vë përballë njëri tjetrit deri në në lajthitje Rusinë dhe Perëndimin, duke bërë përllogaritjet për mbetje në pushtet. Por, ai tashmë ka mbetur tutje i mënjanuar. Prandaj bllokimi i procesit përafrues të Ukrainës me UE-në nuk duket se është vetëm për shkak të arrestimit të udhëheqëses së opozitës, Julia Timoshenko. Përpjekjet për ta rikthyer në pushtet ndonjë pinjoll të shkollës titiste, ose tek e fundit insistimi për një bashkëqeverisje nga përfaqësuesit e kësaj shkolle me oligarkët e të gjitha ngjyrave, dëshmon se leksioni politik i Hungarisë, Ukrainës, Polonisë etj., duhet ripërsëritur.
Në Poloni tashti së fundi qytetarët, që dikur na ishin entuziastët më të mëdhenjë pro Unionit Evropian, kanë filluar të shtrojnë gjithnjë e më zëshëm pyetjen se çfarë të mirash konkrete po ju sjell atyre të qenunit pjesë e UE-së. Ndërkaq aderimin në zonën e euros e kanë refuzuar pothuajse dy të tretat e pjesëmarrësve në anketa. Në Hungari po ndodhë një fenomen tjetër: krijesa politike ekstreme, produkt i gërshetimit të politikave nacionaliste dhe ekgocentriste me populizmin tipik të së djathtës evropiane, Viktor Orban, po kërkon ta flakë tej UE-në! Në sy të një pjese të mirë të popullit ai shihet si hero, meqë për hungarezët pikërisht Brukseli po rezulton përgjegjës për mjerimin e tyre ekonomik, pasi pat mbështetur reformat ekonomike që sollën vendin në kolaps e mjerim. Shih për këtë tashti nuk shihet si farë sakrilegji politik, por as edhe si diçka e pamundur, çfardo strategjie politike që do të kërkonte largimin e Hungarisë nga UE.
Mbrojtja e Republikës (në dialogun e imponueshëm me Serbinë agresore) dhe insistimi për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës (nga oligarkia vendore), nuk paraqesin asgjë që asocion me simulimin e “kopështit politik të fëmijëve”. Përkundrazi, si objektiva politike të shndërruara në strategji afatgjatë, ato e përafrojnë Kosovën me BE, duke e bërë partner real të Brukselit.
Këto sinjale që po përcjell acari nga Lindja dhe Juglindja e Evropës, përfshirë edhe Kosovën, drejt Brukselit, nuk janë shpërfaqje e simulimit të “kopështit politik të fëmijëve”, por e formimit politik dhe ndërgjegjes së zgjuar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura