Tiranë, 6 tetor 2017: Është evidente tashmë një krizë e sistemit politik shqiptar, ku gjithmonë e më pak Qytetarë i besojnë kastës së tranzicionit. Kjo nuk shprehet vetëm në rënien graduale të pjesëmarrjes në votime, por dhe vazhdimit të hemorragjisë së emigracionit.
Nëse përgjithësisht ka një dakordësi për situatën e rëndë, kjo nuk mund të thuhet për mënyrën e daljes prej saj. Një ndër këto mënyra, me të drejtë mendohet se, është krijimi i një partie të re. (http://levizjashqipon.org/analize/pa-renien-e-partive-shtet-nuk-ka-shtet/) Në një shtet liberal-demokratik (të paktën në letër) konkurrimi i ideve organizuar në subjekte politike është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta.
Dalë prej një regjimi diktatorial, shqiptarët ishin të etur për të drejta ekonomike dhe politike duke i shfrytëzuar maksimalisht ato. Nga ana ekonomike pati një shpërthim të iniciativave private individuale, kryesisht në lokale, kioska, byrektore, parukeri etj. Por megjithë lodhjes dhe sakrificës së individëve, këto forma biznesi nuk do arrinin dot të ngrinin një ekonomi kombëtare dhe të sillnin prosperitetin në vend. (për dështimin ekonomik mund të shihni artikullin e mëposhtëm: http://levizjashqipon.org/lajme/pse-ska-pune/ )
Të njëjtën paralele mund të heqim për të drejtat politike të organizimit të qytetarëve në parti politike. Aktualisht sot në Shqipëri, janë të regjistruara 113 parti politike. Pra kush pati disa para, njohje apo fis të madh tentoi të bënte një parti politike. Mund të themi në konkluzion, se Shqipëria njohu një pluralizëm politik dhe ekonomik. Atë që nuk mund të themi dot, është se Shqipëria krijoi edhe një Demokraci apo Ekonomi zhvillimi.
Pra vetëm pluralizmi nuk mjaftoka.
Me të drejtë, populli i indinjuar (sugjestionuar nga qarku mediatik dhe propaganda e kastës) tenton të shohë problemin vetëm në terma sasiorë: <
Nga ana tjetër, analizat cilësore nga të vështira bëhen të pamundura, nëse ato pengohen nga një kler i tërë në shërbim të kastës së tranzicionit. Neni 9 i Kushtetutës kërkon që partitë të organizohen dhe funksionojnë në mënyrë demokratike. Kjo do të thotë konkurrim i ideve në një diskutim të lirë prej qytetarëve nga poshtë, që mandej zgjedhin strukturat organizative lart.
Por çfarë ndodh nëse ky vizion përmbyset?
Kur një grupim nga lart u imponohet qytetarëve poshtë?
Nëse partitë nuk prodhojnë demokraci të brendshme, si mundet vallë ta përcjellin këtë demokraci jashtë në sistem? Partia nuk është serë domatesh, (si pretendojnë neoliberistët) ku nuk ka rëndësi si organizohet drejtimi i punës brenda, por vetëm prodhimi final.
Jo!
Politika është proçes!
Nëse Qytetarët kanë kontroll mbi të, mund të pretendojnë prodhimin e të mirave publike dhe individuale. Kompromentimi i proçesit në këtë rast kompromenton dhe produktin final, ose mirëqënien dhe sigurinë e përgjithshme.
Me pak fjalë, nëse partitë organizohen në mënyrë oligarkike, ku disa “të fuqishëm” kapin partinë, këtë lloj toksine do e injektojnë edhe në sistem. Tregu politik, njësoj si ai ekonomik, nuk është më i lirë por i kapur nga oligopole politike e monopole ekonomike. Në këto kushte, kasta nuk ka nevojë të pengojë formalisht krijimin e partive të reja. Ajo zotëron të gjithë mekanizmat politikë, ekonomikë e mediatikë për ti mbajtur partitë e reja në formën e kioskave, ku u jep apo u heq “lejen” kur të dëshirojë.
<< http://levizjashqipon.org/lajme/republika-private-dr-ledian-droboniku/ >>
Nëse kemi të qartë këtë panoramë, çlirohemi prej iluzioneve se për të dalë nga kurthi mjafton një “partiçkë” e re dhe vota 1×4 vjet. Kurthi nuk është ndërtuar që të dalësh prej tij. Prandaj, ajo që duhet bërë është shkatërrimi i kurthit dhe kjo nuk bëhet me nisma individuale por mobilizim të atyre që vuajnë brenda tij.
Pra një parti e masave dhe jo kioska individuale.
Që një parti e tillë të ketë sukses, kuptohet që ajo nuk mund të iniciohet as nga njerëzit e sistemit por as të përdorë mjetet dhe metodat e sistemit. Ajo duhet të revolucionarizojë mënyrën e të menduarit duke krijuar një vetëdijësim kolektiv të atyre 99% që vuajnë nën këtë regjim.
Ajo që ka ndodhur këto dekada me dhjetëra parti, lëvizje e ojf, është replikimi i ADN-së së kastës me forma e sigla të ndryshme.
Politika tashmë konsiderohet si treg dhe aksesi në tregun politik, me anë të krijimit të një partie politike, i ngjason aksesit në një treg oligopoli si në sektorët e tjerë. Ajo kërkon investim të madh ekonomik në formën e një shoqërie aksionere. E kishte kuptuar, babai famëkeq i neoliberizmit, Hayek, kur diktonte se: “Kontrolli ekonomik nuk është thjesht kontrolli i një sektori të jetës njerëzore që mund të ndahet nga pjesa tjetër; ai është kontroll i mjeteve për të gjitha qëllimet tona. Kushdo që ka kontrollin e mjeteve përcakton dhe cilat janë qëllimet që duhen ushqyer e cilat vlera duhen përkrahur […] shkurtimisht, ajo për çfarë njerëzit duhet të besojnë dhe ajo për çfarë të luftojnë” (Rruga drejt skllavërisë, 1944).
Problemi është se terapia shock, krijoi një model ekonomik të tillë bazuar mbi monopolet e importit dhe si pasojë, jo vetëm që vendi humbi aftësinë prodhuese, por ajo pak pasuri grumbullohet në pak duar. Ky kontroll i fluksit financiar e bën të pamundur lindjen e një partie brenda kanaleve të sistemit që të rrezikojë këtë status quo.
Për të mbajtur gjallë fasadën pluraliste, kasta shpik herë pas here lëvizje dhe parti të kontrolluara prej saj, të cilat shuhen sapo përmbushin misionin: djegien e kauzave dhe shpresave të reja.
Por problemi nuk është vetëm strukturor por mbi të gjitha sovrastrukturor.
Kalimi nga esktremi i majtë në një ekstrem të djathtë, prodhoi “njeriun e ri” shqiptar i ngashëm me kafshën individualiste hobsiane. Nëse politika njësoj si çdo aktivitet tjetër (arsimi, shëndetësia, arti, kultura etj) kthehet në biznes, ajo zëvendëson dimensionin qytetar me sjelljet konsumatore. Nëse për 27 vite partitë sillen si brigada plaçkitëse, si reflektim ajo krijon bindjen tek qytetarët se politika duhet të jetë biznes, se kush merret me politikë e bën për të fituar pasuri. Prandaj kandidati dhe partia e tij duhet të harxhojë paraprakisht “ca para”, duhet të qerasë e bëjë spektakël, festa, pankarta e dhurata, ose të premtojë shpërndarjen e fitimit dhe privilegjeve të tjera. Kështu formohen armatat mercenare me militanë e aspirantë hajdutë, nga intelektualët deri tek njerëzit e rrugës në kërkim të mbijetesës.
Nën ligjet e marketingut, si për çdo fushë tjetër edhe në politikë, nuk kanë më rëndësi forca e ideve që përcillen për të formuar konsensusin popullor. Ajo që ndikon në psikën e njerëzve është se sa herë përsëriten slloganet, sa bukur paketohen e shiten për publikun e gjerë. I bombarduar përditë me sllogane, publiku i gjerë humbet aftësinë për të analizuar dhe memorizuar atë çfarë realisht po ndodh përqark tij. E kishte kuptuar Sartori (homo videns) që neuorologjia kishte dekodifikuar butonat e trurit, duke i dhënë një armë të fortë elitave për të manipuluar njerëzit. Truri kolapson falë përsëritjes së imazheve e humbet aftësinë për të lexuar realitetin në forma fiziologjike.
Kjo sjellje konsumatore përforcohet përditë, ku kasta dhe “miqtë” ndërkombëtarë e ftojnë popullin të votojë “lirisht” një nga “zgjedhjet e shumta” në fletën e votimit, si më të mirën apo më të keqen më të vogël.
Por kur supermarketi i politikës nuk ka asnjë produkt të shëndetshëm, çfarë ndodh?
Asgjë.
Konsumatorët veç presin të vijë produkti i ri që këta ta votojnë rehat e pa u lodhur. Normalisht nëse nuk ekziston në produkt jetësor, njerëzit duhet të organizohen për ta prodhuar vetë. Kjo ndodh me homo faber por jo atë consumens. Aq thellë është ngulur ky instikt konsumatori, sa dhe pas 27 vitesh zhgënjimesh, populli shpreson ende që zgjidhja do vijë nga fabrika e kastës, nga ekranet dhe paratë e saj. Të induktuar për një luftë për mbijetesë, të mjerët shohin me dyshim të ngjashmit e tyre ndërsa adhurojnë të “lartët” sipër tyre plot pushtet, para e lavdi.
Një fakt ekziston, vetëm kur shfaqet në televizion dhe gazeta. Një person bëhet autoritet dhe ia vlen të dëgjohet vetëm kur pompohet nga media e kastës. Nëse kontrollon pra këtë fluks informativ, ke kontrolluar edhe qarkullimin e ideve dhe lëvizjeve për realizimin e tyre. Ata persona dhe lëvizje që rrezikojnë status quon-n e sistemit, përjashtohen nga kanalet e komunikimit masiv. Dhe dihet larg syrit, larg zemrës dhe mendjes së miliona qytetarëve që do kishin nevojë të dëgjonin vërtet idetë për daljen nga kjo gjendje mjerimi e skllavërimi.
Ja përse lindja e një partie të re duhet të krijohet jo vetëm larg kanaleve të sistemit por dhe jashtë formave dhe metodave perverse aktuale. Kjo do të thotë të bëjë revolucion pa marrë ende pushtetin. Fjala Revolucion, nuk do të thotë dhunë, ( http://levizjashqipon.org/analize/pse-thjesht-protestat-nuk-jane-zgjidhje-ledian-droboniku/ ) por aksion energjik i njerëzve patriotë për të formuar një vetëdijësim kapilar e të përgjithshëm në popull. Vetëm pas këtij vetëdijësimi mund të lindë një lëvizje politike që të kërkojë realizimin e objektivave të mbështetur gjerësisht nga masat. Çdo tentativë tjetër për pjelljen e një partie nga sipër, nga njerëzit e sistemit, me financimin e sistemit, me mediat dhe ojf e sistemit, është e destinuar të dështojë dhe të vonojë revolucionin demokratik në Shqipëri.
Po ku konsiston ky vetëdijësim?
Në radhë të parë duke argumentuar se nuk ka zgjidhje brenda këtij sistemi, se çdo përpjekje për ta arnuar, thjesht sa zgjat agoninë e një populli të tërë. Kritika duhet bërë mbi kontradiktat e thella të këtij sistemi antidemokratik e antiekonomik. Fokusimi vetëm tek problemet sporadike apo tek fytyrat e siglat, ka si qëllim pervers ti fshehë opinonit publik tërësinë e sistemit dhe mekanizmat që e mbajnë në këmbë.
Leximi dhe shpjegimi i këtyre mekanizmave do të lejojë të nxjerrë në pah konfliktin e fshehur mes kastës dhe një populli të tërë. Nëse konflikti i vërtetë mbahet i fshehur, kasta do riprodhojë një konflikt fals “mes veti” ose një konflikt të induktuar mes të mjerëve. Vetëm kështu do arrihet një vetëdijësim se përse ndryshimi nuk mund të vijë nga brenda sistemit me fytyra të reja në parti të vjetra apo fytyra të vjetra në parti të reja.( http://levizjashqipon.org/lajme/perse-politikanet-e-tranzicionit-nuk-i-japin-dot-fund-tranzicionit/ )
Demokratizimi politik i vendit shkon ndesh me rënien e rolit të partive dhe rritjen e rolit të qytetarëve vendimmarrës. Kjo minon të gjitha raportet perverse mes politikës-ekonomisë-krimit instaluar këto 27 vite. Prandaj duhet një energji titanike që mund të lindë vetëm nga populli dhe jo sallonet e Tiranës.
Kurse Demokratizimi i ekonomisë, kërkon rikthimin e sektorëve strategjikë dhe pasurisë kombëtare në shërbim të popullit shqiptar. Kjo bie ndesh me interesat e lobeve ndërkombëtare që mbështesin kastën e tranzicionit në Shqipëri. Ja përse mbështetja ndërkombëtare mund të vijë vetëm nga miqtë e pakët në erën e globalitalizmit financiar. Kundërevoluconi neoliberist ka si objektiv final, desovranizimin e vendeve duke kontrolluar qeveritë kuklla, e bashkë me to, kapitalin dhe pasuritë kombëtare. Por pa këtë kontroll të kapitalit dhe fluksit financiar, Shqipëria nuk mund të ndërtojë dot një Ekonomi Kapitaliste zhvillimi. Ajo është e destinuar të mbetet një koloni importi me obsoleshencë teknologjike që mbjell papunësi, varfëri e emigrim.
Jo më kot, asnjë forcë politike, nuk guxon të ketë në programin e saj këto ide për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit.
Këto ide duhen shpjeguar në çdo fshat, qytet, rrugë e lagje, për të zgjuar intelektualët, studentët e qytetarët nga dogmat dhe slloganet e kastës.
Asnjë skllav dhe asnjë popull nuk ngrihet vetëm duke shpjeguar padrejtësitë. Lufta për çlirim kërkon së pari, projektimin e një të ardhme më të mirë, për të cilën ia vlen të luftohet. Ja përse nuk mjaftojnë slloganet, por duhen aftësi ekonomike, financiare, politike e juridike për ti bërë të qartë e të kuptueshme popullit, se një e ardhme e tillë prosperiteti është totalisht e mundshme me pasuritë natyrore e njerëzore të këtij vendi. Por energjitë më të mëdha anullohen nëse kanë kahe të kundërta e nuk konvergojnë drejt një qëllimi që i shërben një populli të tërë dhe jo oligarkëve me sigla e flamuj të ndryshëm.
Askush nuk mund të garantojë këtë konvergim të energjive përveçse popullit dhe kontrollit demokratik. Jo me sllogane, por instrumenta të qartë juridikë që rrisin vendimmarrjen direkte ne politikat publike dhe kontrollin e makinerisë shtetërore.
Vetëm nëse ky projekt tokëzohet në popull, si bënë rilindasit para një shekulli, mund të fuqizohet e të ngrejë Shqipërinë mes popujve të lirë e të zhvilluar.