GJOKË DABAJ: SI ËSHTË E MUNDUR TË JEMI KAQ NAIVË!

Durrës, 15 shtator 2018: Një prononcim i zotit Ahmet Qeriqi më detyroi të shprehem edhe njëherë në lidhje me të quajurin „shkëmbim territoresh“ me Sërbinë.
Zoti Ahmet Qeriqi është një atdhetar i dëshmuar. Radio Kosova e lirë, i drejtuar prej tij, ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe në luftën për çlirimin e Kosovës. Por jo vetëm kaq. Në të gjithë periudhën mbas shpalljes së pavarësisë, ka qenë thuajse i vetmi organ që i mbronte me përkushtim parimet e një Kosove vërtet të lirë, si dhe synimin që një ditë të gjithë shqiptarët të jenë të bashkuar në një shtet të përbashkët. Botimi i dokumentevet të UÇK-së dhe jetëshkrimet e heronjvet dhe dëshmorëvet të UÇK-së ka qenë dhe është një ndër kontributet shumë të çmuar të vetë zotit Ahmet Qeriqi, si dhe të zonjës Arbana Qeriqi. Radioja „Kosova e lirë“ është mbajur E LIRË me shumë vështirësi.

Lexoni shkrimin:
Ahmet Qeriqi: Për Kosovën Lindore duhet të bashkohen të gjithë atdhetarët e vërtetë, pavarësisht dallimeve politike
https://www.radiokosovaelire.com/ahmet-qeriqi-per-kosoven-lindore-duhet-te-bashkohen-te-gjithe-atdhetaret-e-vertete-pavaresisht-dallimeve-politike/

***
Mirëpo, që të gjitha këto nuk mund të justifikojnë kurrsesi pranimin, nga ana e zotir Ahmet Qeriqi, të idesë fund e krye të mbrapshtë mbi gjoja „shkëmbimin e territorevet“ me Sërbinë.
Të gjithë e dimë që në komunat Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, evidentohen mbi 100 000 shqiptarë, duke llogaritur edhe ata që përkohësisht janë në mërgim, si dhe ata që eventualisht gjenden me punë e banim në Republikën e Kosovës. Të gjithë, krejt natyrshëm, aspirojmë që ata 100 000 shqiptarë, të privuar lirie kombëtare, një ditë, mundësisht sa më parë, duhet të çlirohen.
Por, a është e realizueshme, në kushtet e sotëm, një dëshirë e tillë e jona?!
A është e realizueshme, qoftë edhe me idenë aq të trumbetuar kohët e fundit të të quajturit „korrigjim i kufijvet“?
Duhet të jesh tepër naiv, që besosh një lojë të tillë!
Ta zëmë se Sërbia pranoi (në letër) t’i japë Republikës së Kosovës – Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën, në këmbim të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Ta zëmë se u nënshkrua marrëveshja midis Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit. Madje edhe me garancinë ndërkombëtare të BE-së ose edhe të një organi tjetër ndërkombëtar dyfish më me autoritet se zonja Frederika Mogherini!
Marrjen e pjesëvet veriore të Republikës së Kosovës, Sërbia do ta realizojë brenda disa orëvet! Sapo të jetë nënshkruar marrëveshja, në ato hapësira do të fillojë „festimi“ me të shtëna armësh, ndërsa sapo të jetë ratifikuar ajo marrëveshje nga dy kuvendet, Sërbia fut atje policinë dhe ushtrinë dhe, mbas kësaj, shqiptarët le të hidhen përpjetë sa të duan!
Po Republika e Kosovës, a është në gjendje të kryej të njëjtat veprime si Sërbia?!
Kurrë!
Kë do të dërgojë qeveria e Prishtinës në Luginë?
TMK-në?!
Trupat Mbrojtëse të Kosovës, që ende s’e kanë statusin e ushtrisë?!
Apo policinë, e cila s’është në gjendje të menaxhojë një demonstratë as një „meshë“ të sërbëvet në Gjakovë?!
Si mund të jemi kaq naivë?!
Në Luginë ka edhe banorë sërbë. Si mendon zoti Ahmet Qeriqi, a do të pranojnë sërbët e Luginës t‘i bashkohen Republikës së Kosovës, në një kohë kur bashkëkombësit e tyre „të jenë çliruar“ prej shqiptarëvet? Ata do të ngrihen që të gjithë në këmbë, do të dalin rrugëvet dhe do të bërtasin: Jetën e japim, nga Sërbia nuk ndahemi!
Të njëjtën zhurmë madje do të bëjnë edhe sërbët e Gjilanit dhe të Graçanicës. Ata do të bërtasin: Duam edhe ne me Sërbinë, si Zveçani dhe si të gjithë sërbët e tjerë! A s’po e njohim, tash kaq shekuj, kush është Sërbia?!
Në një të tillë situatë, qeveria e Beogradit do ta ketë shumë lehtë t’i vrasë 3 a 4 sërbë, apo edhe 15 (Se mos e ka për herë të parë!) dhe t’u thotë ndërkombëtarëvet: Aa! Kështu jo! Unë e nënshkrova marrëveshjen, por jo për të m’i vrarë bashkëkombësit nëpër rrugë! Qeveria e Beogradit mund të djegë në Luginë edhe ndonjë shtëpi sërbe, ashtu siç bëri me disa kisha pravosllave në vitin 2004. Të djegë shtëpi sërbësh, apo edhe kisha, dhe t’i thotë botës: A po sheh, o botë, ç’po punojnë kriminelët shqiptarë?! Si mund të jemi kaq naivë, sa të besojmë se çdo gjë do të shkojë mirë bukur me një „marrëveshje paqësore?!
Dhe, ndërsa në pjesën veriore të Republikës së Kosovës të jenë futur forcat e armatosura, tashmë legjitime, të Sërbisë, në Luginë shqiptarët nuk do t’i mbrojë dot ASNJË LIGJ. As forcat e NATO-s nuk do të mund të hyjnë në Luginë, sepse nuk do t’i lejojë Marrëveshja e Kumanovës.
Ç’do të bëhet atëherë?!
Atëherë, Veriu i Republikës së Kosovës do të bëhet de jure pjesë e Sërbisë, ndërsa Presheva, Lugina e Preshevës dhe krejt Republika e Kosovës, do të mbeten HIQ E MOS E KËPUT. Mund të kalojnë vite, mund të kalojnë dhjetëra vite, pa e njohur Sërbia shtetin e Kosovës dhe Lugina të mbetet as andej, as këndej, njëmijë herë më keq se ç’është sot!
Ndërkohë, në qoftë se BE-ja nuk do të shpërbëhet edhe vetë, mund të organizohet, siç edhe është përfolur, një konferencë ndërkombëtare, ku veriu i Republikës së Kosovës t’i njihet Sërbisë, ndërsa për Luginën, “për shkak se punët atje nuk u zhvilluan ashtu si duhej”, të sajohet një status i veçantë, me paterica. Status me paterica!
A po më dëgjoni?! As Kosovë, as Sërbi! As Luginë, as Malësi!
Si mund të jemi kaq naivë dhe të mos e shohim çfarë fshihet mbrapa të këtilla kurdisjeve?!
Në ditët kur në Luginë vepronte UÇPMB-ja, Hashim Thaçi pat dërguar atje Jakup Krasniqin për t’iu imponuar shtabit të UÇPMB-së që të NDËRPRISTE luftën për çlirimin nga Sërbia.
Interesat e kujt mbronte në atë rast Hashim Thaçi?!
Pse nuk i tha Hashim Thaçi Sërbisë, që të tërhiqej nga Kosova Lindore, por i tha Kosovës Lindore të ulte armët?!
Dhe Jakupi, atdhetar sylesh, e dëgjoi Hashimin!
U bë vegël e Hashimit!
Si mund të jemi kaq naivë, që të besojmë se Hashim Thaçi këtë herë do të na e zgjidhka problemin e Luginës, kur ai nuk e zgjidhi atë atëherë kur populli i kish armët në dorë?!
Ç’po doni ta bëni Anamoravën, zoti Ahmet Qeriqi?!
Një Lartësi Golan?!
Një Luginë Golan?!
Edhe Graçanicën, Deçanin dhe 40 manastiret e tjerë, Sërbia po kërkon t’i kthejë në Mure Lotësh!
Si s’po e shikoni një djallëzi kaq të dukshme?!
Mitrovica, ndërkaq, s’do të jetë tjetër, veçse një JERUZALEM në mes të gadishullit tonë. Përjetësisht një gërrnjë mes shqiptarëvet dhe sërbëvet!
***
Dhe në fund, si mund të jemi kaq naivë e të mos shohim se, deklaratat e disa autoriteteve perendimorë, që „Kosova e Sërbia duhet të merren vesh PAQËSISHT njëra me tjetrën“, fshehin NJË HILE TË MADHE në dëm të shqiptarëvet?!
Madje, jo vetëm këto deklarata të perendimorëvet, por edhe disa lëvizje të presidentit të Republikës së Turqisë, që ne e llogarisim si mikun tonë më të ngushtë, po fshehin HILE ndaj Kombit tonë?!
E vetmja gjë që duhet t’i kërkojë delegacioni ynë Sërbisë, është NJOHJA E PAVARËSISË së Republikës së Kosovës ME KËTA KUFIJ që i ka sot. Asgjë tjetër të mos kërkohet! Aktualisht kjo është e vetmja rrugëdalje!
Gjokë Dabaj, Durrës 14 shtator 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura