ISUF KURTAJ: PSE DUHET NJË FRONT ANTI-PDK NË PRIZREN?!

Tiranë, 28 tetor 2017: Partitë politike në Prizren: LDK, LV, NISMA dhe AAK për një dekadë kanë qenë oponentë të PDK-së. Në balotazhin e 19 nëntorit LDK-NISMA dhe AAK duhet të bashkohen në një front të përbashkët me LVV-në, për të qëruar nga pushteti konjukturën e PDK-së, që për 10 vjet ka prodhuar me postet publike pambarimisht skandale.  Duhet të bashkohen në një front për të ndëshkuar PDK-në, që gjatë qeverisjes së saj dyndi arsimin me arsimtarë të paaftë, të punësuar me tesera partie.
Rrjedhimisht pse duhet fronti?
Që t’i vërë fre daljes mbi ujë të skandaleve që ka prodhuar shëndetësia në Prizren nën menaxhimin e saj. Mjafton të bësh një vizitë në ndonjë prej qendrave shëndetësore dhe do të shohësh se aty mungojnë shiringa… të kërkosh më shumë është luks, mision i pamundur…
Duhet një front kundër PDK-së për të ndalur arbitraritetin mbi pjesën historike të qytetit, që sipërmarrës të etur në bashkëpunim me drejtorët e Mujës shndërruan pamëshirshëm shtëpitë muzeale në bujtina shumëkatëshe.
Duhet një front për shkak se qytetarët nën drejtimin e makutëve të PDK-së u zhytën me shpejtësi skëterre në varfëri ekstreme.
Një front që të mos lejojë PDK-në që dhe më tej të shndërrojnë varfërinë në një “normalitet”, ndërsa skamjen t’ia çojë pa trokitur familjeve në Prizren.
Një front që të ndalojë grupin e njerëzve të pushtetit, që edhe më tej të mbajnë në kthetrat e mafies së tyre pronat publike.
Një front që të pastrojë institucionet nga kriminelët dhe mafiozët.
Një front që të ndalojë horrorin e instaluar nga PDK me punonjësit e administratës, të cilët në prag të çdo procesi zgjedhor janë të detyruar të mbajnë hambarin, duke gjetur vota për partinë.
Një front që t’i dorëzojë fatin e Prizrenit qytetarëve të përgjegjshëm.
Le të vetëdijësohen të gjithë për dëmin e madh dhe të vazhdueshëm që PDK i ka bërë Prizrenit dhe jo vetëm.
Është momenti që me anë të votës të ndëshkohen ata që varfërinë dhe keqqeverisjen e kanë kthyer në rutinë; ata që ju vështirësojnë përditshmërinë. PDK-së i janë dhënë shumë raste dhe ka dështuar në mënyrë të suksesshme te të gjitha!
Prandaj le të bashkohen të gjithë – për ta mundur të keqen!

– Autori është gazetar i “Shekulli-t”

Isuf Kurtaj, gazetar i “Shekulli-t”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura