ISMAIL ARSLLANI: NJË HISTORI E HESHTUR PËR TETOVARËT NË AMERIKË

Tetovë, 4 nëntor 2017: Amerika, ka qenë në të kaluarën dhe është edhe sot, një ëndërr e madhe e një numri të madh të shqiptarëve, për të mbërritur në brigjet e saj, përplot premtimesh për një jetë të begatë e pa kufizime. Ky vend i madh ka qenë prore cak ëndërrimtar edhe i tetovarëve, ndonëse në këtë shtegtim prijnë ulqinakët, dibranët e prespanët. S’mund të thuhet nëse ka statistikë për numrin e tetovarëve të emigruar gjatë dekadave në kontinentin tej oqeanik, në SHBA e Kanada, ndaj dhe nuk dihet prerazi numri i atyre që kanë zbarkuar në meridianë të tjerë, duke braktisur vendlindjen, Tetovën e bukur rrëzë Sharrit, për të shtegtuar e siguruar ardhmërinë e fëmijëve të tyre në dhe të huaj.
Po u mishëruam me fatet jetësore të mërgimtarëve tanë, pa mëdyshje se do hasim në rrëfime dramatike për fillet e kësaj rruge. Megjithatë, fatmirësisht, rastet kanë pasur një “happy end”, pikërisht në Amerikë. Ata që shtegtuan këtë rrugë të largët, s’kishin qëllime aventuriere, veç që ishin të detyruar për arratisje nga trysnia e pushtetit jopopullor dhe antishqiptar.
Njëri prej tyre që kishte këtë fat shtegtimi jetësor ishte edhe Abdylsami Xhaferi nga Tetova, kryeprotagonisti i këtij shkrimi, i emigruar në vitin 1969, pas shumë keqtrajtimeve dhe arrestimeve nga organe të sigurimit në vendlindje. Ai vendosi të marrë botën në sy, së pari në Gjermani, për të vazhduar pastaj për në Amerikën e largët, duke u vendosur në Çikago. Atje, në atë vend ku përqafohen me ndjesi edhe të huajt, familja e tij ndër vite po rritej dhe zgjerohej gjithnjë e më shumë.

Abdylsami Xhaferi me bashkëshorten Hatixhen në Çikago

Ai, me bashkëshorten Hatixhen (apo Tixhen, si e quan, nga Dibra e Madhe, e bija e Sherif Lleshit, i cili kishte studiuar Akademinë ushtarake në Itali, me gradën kapiten në Ushtrinë e mbretit Ahmet Zogu), rrisin në kushte amerikane, djalin Sabriun, si dhe vajzat Ymranen, Shqipen dhe Shpresën. Ka pranë vetes edhe motrën, Myqeremen, e cila ka lidhur bashkëshortësi me Bardhyl Shatkun nga Gostivari, me të cilin sjellin në botë të birin Gencin dhe të bijën Meriden, tashmë të martuar me Florent Dikën nga Tetova. Aty janë edhe pasardhësit e vëllait Servetit, që vazhdojnë trashëgiminë e trungut familjar: Naimi, Bekimi dhe Sharri, mbesat Nerminja, Habibja dhe Lulja, si dhe të tjerë nipër e mbesa.
Gjatë kësaj periudhe të gjatë të qëndrimit larg vendlindjes, ai ka kontaktuar me shumë tetovarë që punojnë dhe jetojnë në qytete të ndryshme të SHBA-së dhe Kanadasë, për të mësuar për fatin e tyre jetësor. Njëherësh ka shkuar disa herë edhe në vendlindje, në Tetovë, për t’u çmallur me shokë, miq e farefis, për t’i parë sërish ato pak rrugë e mëhalla, të cilat ende nuk kanë ndryshuar imazhin e vjetër, që shpesh i sheh në ëndërr dhe mbërthehet nga një ankth i pashpjegueshëm.
Në një nga takimet në Tetovë, me miq e farefis, ky shqiptaro-amerikan tjerr muhabete të vjetra, që e këndellin shpirtin e tij, ndaj dhe s’hamendet të rrëfejë me mjaft emocione, si në shirit filmi, për rrugëtimin e tij dhe të shokëve që i njeh, nëpër një ecejake përplot me gjemba, kur kishin marrë vendime nga më të rëndat në jetë për t’u larguar nga vendlindja, për të shkuar drejt tokave të premtuara, që kishin një begati më të madhe ekonomike dhe shtrirje më të gjerë demokratike. Ai nuk vë në një kandar migrimet e hershme me ato të mëvonshme, pas viteve të 80-ta të shekullit të kaluar e deri në ditët e sotme, që si vargan ende nuk po këputet, sepse tash ato bëhen në kushte dhe motive krejt të tjera, me udhëtime të rehatshme e legale, për ngritje ekonomike dhe studime të specializimit.
Abdylsamiu, në Amerikë s’mund ta qetësonte dot shpirtin, pa i parë bashkëvendësit e vet në ç’hall ishin, nëse ishin rregulluar mirë dhe nëse kishin gjetur punë për jetesë. Në ato meridianë të gjerë, ky shqiptaro-amerikan, pas shumë vitesh qëndrimi, kishte gjetur mënyrë dhe mundësi për t’u takuar apo kontaktuar me telefon me tetovarët e vet, si me Besnik Zeqirin, Mahmut Sulejmanin, Ali Fehmiun, prof. Sulejman Arifin, Mahmut Topukun, prof. Nexhmedin Hyseinin, Havziun, Shukriun, Rexhep Jazhincën, që ishte një ushtarak me gradë togeri, pastaj Aqif Korabin, xhandar në kohën e Shqipërisë etnike, për të cilin sllavët, në gjykimin e tij në Tetovë, kishin kërkuar dënimin me vdekje, si dhe me shumë të tjerë tetovarë në çdo cep të këtij vendi të madh.
Ai veçmas e përmend veprimtarin e madh dhe patriotin e shquar tetovar në Amerikë, Hafëz Jusuf Azemin, i cili me angazhimin e vet arriti deri në nivelet e Kongresit amerikan, për sensibilizimin e çështjes shqiptare dhe për mbrojtjen e interesave të tyre kombëtare në Kosovë dhe Maqedoni. Ka qenë anëtar i Komitetit qendror të Ballit Kombëtar dhe kryetar i Lidhjes kosovare që përfaqësonte trevat shqiptare në ish-Jugosllavi, në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ai ka qenë një ndër më meritorët, që Abdylsamiu me shokë të shkonin në Amerikë, pas qëndrimit të përkohshëm në Gjermani. Janë edhe shumë të tjerë që me punë e veprimtari të tjera kombëtare kanë kontribuar për çështjen shqiptare, thotë Abdylsamiu, ndaj dhe kërkon ndjesë nga të gjithë ata që nuk i ka përmendur.
Arratisje mbi shpate bjeshkësh për emigrim tejoqeanik
Samiu, si e thërrasin shkurt, thotë se është në kontakt të vazhdueshëm telefonik me mërgimtarin tetovar Besnik Zeqiri, sikundër me disa të tjerë në Amerikë. Besniku gjithnjë krenohet me babanë e tij, Mahmut Zeqiri, i cili në vitin 1941 kishte ngritur në Tetovë flamurin kombëtar. Besniku ishte student i Beogradit, kur braktisi studimet dhe vendlindjen në vitin 1966, për të shkuar në Amerikë. Ai ishte kthyer pas shumë vitesh dhe kishte krijuar familje, me punë e qëndrim në vendlindje, ku pati edhe trashëgimtarë: një vajzë dhe një djalë. Por një zë enigmatik, një instinkt, kishte mbërthyer busullën e tij jetësore për t’u kthyer sërish në Kaliforni, në qytetin Los Anxheles.

Mehmetriza Gega dhe Xhemil Daci, veprimtarë për çështje kombëtare nga Tetova, gjatë një vizite te tetovari Abdylsami Xhaferi në Çikago, i pari majtas.
Është edhe Mahmut Sulejmani nga lagjja e Eski-Xhamisë, i cili, duke qenë mësues në fshatin Nerashtë të Tetovës, hodhi sy përtej oqeaneve, për t’u stacionuar në Kenosha Viskonsin, ku jeton me bashkëshorten dhe vajzën, si dhe motrën dhe familjen e saj po në të njëjtin qytet. Mahmut Topuku, ëndërrimtari i Amerikës, i cili në moshë minore u dashurua me këtë vend, kur babai i fliste me entuziazëm për begatitë e pafundme të këtij kontinenti magjik. Samiu e njohu Mahmutin që kur erdhi në Aurora të Amerikës, ku kishte edhe tetovarë të tjerë, por ky më vonë u largua në një qytet tjetër. E kishte takuar disa herë në festat kombëtare dhe ato fetare te një Xhami në Çikago, që është edhe qendër kulturore shqiptare. Tashmë ka më se 15 vjet që është shpërngulur në Nju-Jork. Është edhe Rafiz Abdiu nga fshati Strimnicë, i cili kishte braktis shkollën e mesme në Tetovë dhe bashkë me babanë kishte zgjedhur Aurorën për punë e jetesë, ku kryen edhe studimet nga shkencat politike.
Një tetovar tjetër, Ali Fehmiu, prej mëhallës së Maxharëve, ka ikur për në SHBA në vitin 1969, duke qëndruar një kohë në Linz të Austrisë, me të birin Sherefin dhe djalin e vëllait, Osmanin, i cili një kohë punonte në Shtëpinë e mallrave në Tetovë, bashkë me të birin, Qenanin, i cili jeton në Aurora të Iliniosit.
Në vitin 1981, Abdylsamiu ka pasur fatin e mirë që ta takojë në demonstratat anti-jugosllave në Uashington, edhe prof. Sulejman Arifin, të cilin e ka pasur mësues të parë në shkollën fillore “Liria” të Tetovës, në vitin 1951. Ky mësues, vëllai i prof. Qerim Krasniqit (Arifit) dhe prof. Musa Arifit, xhaxha i kryetares së komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi, u burgos në vitin 1951 dhe vuajti dënimin deri në vitin 1956.
“Në vitin 1971 ishim në një dasmë në Miluoki të Uiskonsit, ku kam takuar një grup muzikor nga Gostivari, me z. Shaban Stafajn, me të vëllanë dhe disa anëtarë të tjerë, ku m’u bë me dije se prof. Nexhmedin Hyseini, profesor i dalluar i matematikës, gjendej në Bufalo të Nju-Jorkut, kështu që rasti i parë që m’u dha në maj të vitit 1975, me bashkëshorten dhe dy fëmijët shkuam në Bufalo për ta vizituar. Patëm një takim shumë të përzemërt, sepse prof. Nexhmedinin e kam pasur mësimdhënës dhe kemi jetuar në një mëhallë”, shpalos kujtimet Abdylsami Xhaferi.
“Një tetovar tjetër që kam takuar në Amerikë, ka qenë edhe Havzi Zeqiri, i njohur si “boksieri”, i biri i Rrahman Sellcës, i cili e kishte rrahur Lubishën në Tetovë, pasi që ky e kishte therë Emërllah Kajën 7 vjeç, duke u kthyer nga shkolla, bashkë me të vëllanë Servetin. Kjo ka ndodhur në vitin 1948 dhe, ndonëse kam qenë mjaft i vogël, më kujtohet kjo ngjarje. Të gjithë fëmijët iknin prej tij, nga frika se mos i therte. Kjo ndodhi në rrugën e quajtur “Dar-çarshi”, ku e kishim edhe shtëpinë. Në vitin 1953, në Kinemanë e hapur verore, Lubisha kishte ardhur për të parë një film. Havzi “boksieri”, si e thërritnin, nga mëhalla e Manit, sheh se si Lubisha e rreh pa kurrfarë faji një fëmijë shqiptar dhe ky pa u hamendur e kap këtë zullumqar dhe e dërmon me dajak. Ky përfundon në spital, kurse Havziu dënohet me burg. Pas dy muajve, Havziu del nga burgu, por Lubisha pas një viti vdes, ndaj dhe Havziun e arrestojnë sërish dhe e dënojnë me 5 vjet burg. Pas daljes nga burgu, ai arratiset për në Itali, prej nga shkon në Bruklin të Nju-Jorkut. Abdylsamiu e viziton Havzi boksierin në vitin 1977, sikundër që i vizitonte të gjithë tetovarët kudo që gjendeshin në Amerikë.
Aqif Korabi nga buzëvdekja gjeti shpëtim në Amerikë
Në vitin 1975, Abdylsamiu shkoi që të vizitojë një shqiptar nga Tetova në Otava të Kanadasë. Ky ishte Shukriu, i cili derisa ishte në klasën e dytë të Normales në Tetovë, një ditë prej ditësh, në vitin 1963, pa pritur, me një shokë të klasës, Xhafer Xhaferin nga fshati Gajre, arratiset për në Paris të Francës, prej nga shkon në Kanada. Shukriu jetonte në rrugën që shpinte për në Fabrikën e tekstilit në Tetovë. Ata njiheshin, sepse kishin mësuar së bashku në shkollën fillore “Liria” të Tetovës. Gjatë bisedës, Samiu ishte interesuar nëse kishte ndonjë tjetër tetovar në Kanada, dhe kishte mësuar nga Shukriu për Rexhep Jazhincën, i cili kishte ikur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Atëherë iu kujtuan Samiut rrëfimet e babait të tij për rrugën jetësore të Rexhep Jazhincës.
Rexhep Jazhinca, gjatë kohës së Shqipërisë etnike në Tetovë, kishte qenë oficer ushtarak i Ballit Kombëtar, me gradën toger, i dalë nga Akademia ushtarake. Në takimin që kishte Samiu me të, Rexhepi kishte qenë në moshë të shtyrë dhe i mallëngjyer për vendlindjen, kishte pyetur me shumë hollësi për Tetovën dhe tetovarët e tij. Disa shokë të tij për të cilët ishte interesuar, fatkeqësisht s’ishin në jetë, pas torturave të pushtetit. Ai kishte zbuluar se asokohe i kishte lutur shokët e vet që të iknin edhe ata, por kishin refuzuar me fjalët se “s’kishin bërë asgjë të keqe për të ikur”. Ky, në fillim, kishte qenë në kampin e refugjatëve në Lavrios, ku e kishte takuar tetovarin Haxhi Haki Lumën, i cili ia kishte kujtuar ditën kur në Tetovë, në vitin 1941, me disa të tjerë kishin grisur flamurin bullgar dhe e kishin ngritur flamurin shqiptar.
Mjerisht, oficeri Rexhep Jazhinca tashmë nuk është në jetë, sikundër edhe disa të tjerë, si Servet Xhaferi, Alirami Dauti, Shafi Ademi, prof. Nexhmedin Hyseini etj.
Abdylsamiu kishte takuar në Amerikë edhe Aqif Korabin, i cili gjatë kohës së Shqipërisë etnike (1941-1944) kishte qenë xhandar në Elbasan e pastaj edhe në Tetovë. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ky u dorëzohet partizanëve, duke menduar se nuk kishte bërë asgjë të keqe derisa ishte në shërbim, porse kishte qenë vetëm një zyrtar që i ka shërbyer popullit dhe i ka respektuar rregullat. Por, partizanët hakmarrës e dënojnë në një proces gjyqësor me tre vjet burg.
Pas daljes nga burgu, popullata sllave ankohet, duke kërkuar të përsëritet gjykimi, me pretekstin se kishte bërë shumë të këqija për popullatën joshqiptare. Procesi gjyqësor që zhvillohej nga një shqiptar (N.R.), mbahet në Sokolhane, pranë Gjykatës së sotme të Tetovës, ku të pranishmit në gjykim brohorisnin: “Vdekje, vdekje…!”
Në një atmosferë të tillë tejet dramatike, kishte ndërhyrë Nexhat Agolli, një nga kuadrot më të larta shqiptare nga radhët e partizanëve shqiptarë, i cili urdhëron zbrazjen e sallës së gjykimit dhe kështu anulohet procesi gjyqësor. Aqif Korabi, i cili menjëherë pas gjykimit përcillej nga një ushtar i armatosur, në rrugë për në burg, i vërsulet ushtarit dhe ia merr armatimin. Me armët e këtij ushtari arratiset drejt bjeshkëve të Sharrit, ku qëndron plot pesë vjet. Ai, gjatë qëndrimet në mal, grumbullon rreth vetes nja 150 kaçakë të tjerë, që ishin të ndjekur nga pushteti i atëhershëm i partizanëve. Ata, një kohë kanë bërë mjaft rezistencë ndaj pushtetit jopopullor dhe antishqiptar. Pas një kohe, Aqif Korabi arrin të arratiset për në Greqi, prej nga shkon në Turqi, ku dhe martohet. Prej aty emigron për në Amerikë. Ende është gjallë dhe jeton në Stamboll, ndërsa i biri i tij jeton në Çikago, përfundon rrëfimin e tij, Abdylsami Xhaferi, për fatin e mërgimtarëve tetovarë në qytetet e ndryshme amerikane.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura