Durrës, 30 nëntor 2017: Kolonel Dilaver Goxhaj, ish-Zv.Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, botoi para disa ditësh një shkrim me titull “Ka një mijë mënyra të tradhtosh popullin”. Thënia është marrë nga një shkrimtar amerikan, Albert Kahn, dhe është përdorur për të pasqyruar veprimtarinë mjerane të qeveritarëvet të sotëm të Republikës së Kosovës kundër disa deputetëvet të lëvizjes Vetëvendosje. Të njëjtin shkrim miku im Dilaver Goxhaj ma dërgoi edhe mua, së bashku me një reagim që i kish çuar atij nga Kalifornia Prof.Dr. Eshref Ymeri.
I lexova të dy tekstet dhe jam plotësisht i një mendimi, edhe me autorin e shkrimit, Dilaver Goxhaj, edhe me komentin që kish bërë Zoti Eshref Ymeri.
Arrestimi i Albin Kurtit dhe i dy deputetevet të VV, se gjoja ata paskan bërë një “krim” DIKUR, është sa i pamoralshëm, aq edhe antiligjor. Unë nuk jam jurist, por, me sa kam dëgjuar, ka për veprat penale, edhe për ato të mirëfilltat, një afat shfuqizimi të veprimit kundër kryerësvet të tyre. Kur kalon një kohë mbasi është kryer një shkelje, sigurisht kohë e caktuar me ligj, fuqia ligjore e ndëshkimit të kryerësit të saj bie dhe prokuroria nuk ka më të drejtë të lëshojë urdhër arresti. Sidomos për “mosparaqitje” në gjykatë, në rastet kur të akuzuarit “hetohen në gjendje të lirë”, asnjë prokurori nuk ka të drejtë të lëshojë urdhër arresti, pa i pasë konsumuar më parë të gjitha format paralajmëruese.
Kolonel Dilaver Goxhaj, ish-Zv.Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së,
Është pra krejt e qartë që urdhëri i gjykatës, si dhe mënyra si veproi policia ndaj tre deputetëvet, është një reprezalje e paskrupullt e organevet të shtetit të Kosovës ndaj qytetarëvet të vet, e krahasueshme pikë për pikë me reprezaljet që bënin Sërbia dhe Mali i Zi në kohën kur Kosova ishte e pushtuar.
Në një rast të tillë, ashtu siç shprehet në reagimin e tij edhe Zoti Eshref Ymeri, anëtarësia e lëvizjes VV dhe krejt elektorati i këtij subjekti politik, duhej të ngriheshin në protesta sa më të fuqishme.
Është e vërtetë ajo që thotë në analizën e tij Zoti Dilaver Goxhaj dhe është e drejtë edhe kërkesa që bën me këtë rast Zoti Eshref Ymeri, por unë po e shoh të nevojshme të shtoj këtu edhe diçka tjetër: Fajtorët kryesorë për të gjitha ngjarjet e kësaj natyre që po ndodhin sot në Republikën e Kosovës, por edhe në Republikën e Shqipërisë e në krejt Shqipërinë, janë SHBA-ja dhe Evropa Perendimore!
Unë nuk di ç’dreqin kanë me ne këta shtete që ne i konsiderojmë dhe i mbajmë si miqtë tanë të pazëvendësueshëm!
Sajuan një të quajtur Pako të Ahtisarit, krejt të padrejtë për shqiptarët, aq sa edhe tabelat anash rrugëvet jemi të detyruar t’i shkruajmë edhe në gjuhën sërbe. Krijuan gjykata mbas gjykatash, UNMIK, EULEKS e ku di unë çfarë procesesh me“gjueti shtrigash”, për t’i akuzuar e dënuar ata që luftuan për çlirimin e Kosovës, në një kohë kur qindra, në mos mijëra kriminelë i lënë të bredhin të lirë nëpër Beograd e në krejt Sërbinë. Themeluan në mënyrë artificiale një Sërpska Republikë përmidis Kosovës dhe nuk mjaftuan të gjitha këto, por po kërkojnë me këmbëngulje dhe me “kushte” a la BE, që t’i falet edhe një tjetër copë tokë Malit të Zi. Se pak toka shqiptare i ka falur Evropa Malit të Zi!
Të gjitha këto janë vepra të Evropës Perendimore dhe të SHBA-së!
Është krejtësisht e kuptueshme që, për ta realizuar gjithë këtë politikë antishqiptare, padronët (Jo partnerët, por padronët!), do të zgjedhin për të prurë në krye të shtetevet tanë njerëz që u interesojnë atyre. Sapo të dalë në sipërfaqe një politikan shqiptar i cili mendon për interesat e shqiptarëvet, ata, me një mijë mënyra e marifete, ose e largojnë atë njeri nga skena politike, ose e bëjnë për vete.
UÇK-ja ishte thelbi i patriotizmit shqiptar, shprehja më sublime e më konkrete e gatishmërisë për të luftuar dhe për t’u sakrifikuar në emër të Kombit e Atdheut, por edhe në emër të një ideali të përgjithshëm gjithnjerëzor. Perendimi u lidh me UÇK-në për aq sa i interesoi atij dhe fill mbasi u futën forcat e NATO-s në tokën e Kosovës, filluan bërrylat. Filluan lojërat në kurriz të luftës çlirimtare të popullit shqiptar dhe kjo u duk më së miri në Mitrovicën Veriore dhe në “Marrëveshjen e Kumanovës”.
Që të gjitha këto duken qartë. Kushdo që zotëron një gjykim normal, pra kushdo që ka një mendje të shëndoshë, i ka të gjitha këto shumë të qarta. Por unë s’kam të qartë vetëm një gjë: Perendimi (përfshirë aty edhe SHBA-në), duke vepruar në këtë mënyrë kundër shqiptarëvet, po vepron njëkohësisht edhe kundër vetëvetes. Pse po vepron Perendimi kundër vetëvetes në këtë pjesë të botës?! Këtë nuk po mund ta kuptoj.
Gjokë Dabaj, Durrës – 29 Nëntor 2017
____________________
DILAVER GOXHAJ: KA NJËMIJË MËNYRA TA TRADHËTOSH POPULLIN!
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=7083