FOTAQ ANDREA *): LETËR MOIKOM ZEQOS – ‘PËRSE IMAZHI YT ËSHTË ETHJA E SHPIRTIT TIM?’

Pashtriku.org, 3 dhjetor 2017:
I dashur Moikom.

Po e filloj me rrethanat kur e lexova shpejt, por 4 herë poemën tënde botuar tek MILOSAO, me titull “Epostolae in tenebris” (Letra në errësirë).
a) Fillimisht, të lëçita drejt e në origjinalin e internetit, ku gjithçka m’u duke e vorbulluar, shtjellë poetike, pa ditur ku isha unë vetë, në ndonjë tsunam oqeanor, në shtjellën ujore të dikurshme të lumit të Tapizës, ku lahesha gjatë verës me shokët e mi laprakas 10-12 vjeçar e që më ka friguar sa herë apo te shtjella e gotës së ujit, që po e përzieja atë çast fort, limon me sheqer, për ta prerë me sodë e për ta shkumëzuar, se po më ngacmonte një hop stomaku.
b) Më pas, të lexova qetas në version letër, sot që në mëngjes.
c) Hera e tretë ndodhi sërish në divan, kur të lexova, aty nga dreka, po këtë herë kisha në dhomë një mik të posaçëm e të rrallë këtu në Strasburg, vetë Z. Diell, që më nderonte me praninë e tij. Z. Diell të tablosë së Van Gogut.

d) Më në fund, të lexova së prapthi këtu në kompjuter, po, po së prapthi, se informatika ta jep këtë mundësi me miun në dorë. Çdo gjë e fillova enkas nga fundi për të të nakatosur, turbulluar e më pas për të qartësuar idetë e mia, d..t., të tuat. Dhe m’u duk sikur zbulova një mesazh, për ty, për mua, për të gjithë, për asnjë: mesazhi: “Ma destinée”. Por po të flas më pas për këtë.
Ti e di që Viktor Hygoi ka një vizatim të rrallë që përfaqëson një thjellë gjigante, e që e ka quajtur me shkrimin e tij brenda: “Ma destinée”, “Fati Im”. Ai fat që përbëhet nga “Unë dhe e Vërteta Dylëkurshe”, siç the ti. Vërtet, aty nga Letra 7, ti je në kërkim të vetvetes, me pyetjen ngulmuese: A jam unë? Kjo tingëllon gjer edhe si hingëllimë Pegasi në majë kullës “Eiffel”, pa qenë aspak kërthizë egocentrike narcistike. Dhe përgjigja, sikur vjen aty nga Letra 8: Jam unë Misteri, jam unë Njeriu, jam unë Poeti, por kur pyetjen tashmë ta bën Hiçi në mënyrën ekzistenciale: Ç’është Fati tënd? Mos vallë Fat i pakushtëzuar, gjer në papunësi, më fal, gjer në pafundësi? Kësisoj, një përgjigje e lezetshme ia vlen të veçohet: Jam unë, Zanafilla (apo Gjeneza). Dhe domosdo, tek Uni yt, është edhe Uni im, Ti je Unë, Unë jam Ti, një Unë, pra, i përgjithshëm e i papërgjithshëm: Ti, Ne, Ata, Kush, Gjithkush e Askush. Në fakt, brenda këtyre raporteve shoqërore ka ndodhur e ndodh krejt tragjikomedia njerëzore, ku aktorët janë spektatorë dhe spektatorët aktorë, nga teatri antik gjer te teatri atomik.
Pra, një Gjenezë e grishur (e grisur, thua ti), që ti e hedh poshtë me revoltë në shuka letre në kosh të Hiçësisë.
Gjenezë, pra, e shpërbërë në copëza realiteti, ku unë bëj e shpërbëj realitetin tim ti tëndin, e kështu me radhë.
Kësisoj, letrat e tua mbartin poetikisht mesazhe në raportin midis absurdit dhe realitetit dhe kjo kuptohet. Materia, hapësira, koha, gjithçka vihet në lojën e së sotmes me të djeshmen, e së nesërmes me të pasnesërmen, e së pasnesërmes me të pasi-pardjeshmen, e kështu me radhë. Bukur.
Ndien dihatjen dhe frymëmarrjen e poetit, ku e asfiksuar, ku e ekologjizuar, siç thua, të poetit në kërkim të shpëtimit të vetvetes e të njerëzimit (Arti është Shpëtim kolektiv! Siç thotë Malro), duke zbërthyer kështu një për një kode tematike, nga mitikja e epikja e gjer, më në fund, te realitetet e dubluara a tripluara (hej bel, programi automatik i drejtshkrimit të shqipes në kompjuter fjalën tripluara ma bën vetiu të trilluara, duke i dhënë kështu kuptim krejt tjetër fjalisë sime e duke më humbur kohë për t’iu kthyer mbrapsht e për ta korrigjuar, si dua unë e jo kompjuteri).
Ka tek ti ca vargje aforistike të përsosura: S’është Zoti që na urdhëron të mos i ngjajmë vetvetes; Identitetet i kemi numra celularësh; Botë e dyzuar nga unë; Ora është absurdi i kurdisur rregullisht; Hapësira na unifikon. Por koha na ndan! Jeta, ballo me maska, etj, etj.
Më pëlqen kur thua : « Engjëjt , regjisorë teatri kukullash ». Unë këtu mundohem ta shoh vërtet shenjtërinë e barkut të femrës në atë kufi të prerë midisi intimes e jo intimes, së fshehtës e jo së fshehtës, misterit e realitetit, adhuruar në kulm !
Ah, ja dhe një varg tjetër king : « B… pis të Mis Kohës » Mmmmmm !
Vërtet, ne i kemi njollosur e përdhosur tërë epokat me bëmat e zhbëmat tona ! Mirëpo sot, ka mise e yje që s’mbajnë fare b…, por vetëm geta, si e famshmja Heidi Klum që hoqi para ca ditësh në skenë para kamerave getat e saj për t’ia dhuruar animatorit Jay Lenos që bënte koleksione me dhurata yjesh, dhe tërë mediat thanë : Heidi Klum hoqi b… në skenë !
Kurse vargu tjetër « Pse imazhi yt është ethja e shpirtit tim ? » më kujton do gjëra nga zbori 6-mujor si studentë : luanim me kapat ushtarake, duke i rrotulluar në ajër mbi kokë, kush e kush të bënte sa më shumë rrotullime dhe kapa të rrasej pastaj fill e në kaptinë. E vështirë, sidomos kur streha e kapës të binte në hundë e në fytyrë dhe të vriste. Por kishte nga ata që u bënë mjeshtër, sepse ishte një nga mënyrat për të vrarë kohën, kur koha vetë, në fakt, na kish asgjësuar me kohë !
Një ushtrim tjetër absurdi shqiptar prej zbori : kush e kush të fuste në gojë e të mbllaçiste gjembaçin e gomarit, bimë e gjatë barishtore : quhej gjembaç gomari se vetëm ky miku e ha. Unë, këtu, thyeja rekordin, se kisha mjeshtëri si të mos shpohesha nga gjembat. Dhe, më në fund, më e bukura : Kush pranonte të zgjaste kohën e zborit të tij (kupto ferrit) nga një flirt njëminutësh deri në pesë minuta, ose 24 orë dashuri me Brixhid Bardonë, kur 1 minutë flirt = 1 ditë zbor dhe 1 minutë dashuri = 1 muaj zbor. Kishte nga ata që e donin Brixhid Bardonë jo 24 orë por një vit të tërë dhe ishin kështu gati të bënin tërë jetën e tyre zbor.
Dhe ky që theu kështu rekordin, nuk u martua asnjëherë, e sot e kësaj dite është beqar !
Nuk do ndalesha në vargje të tillë « Shegë e çarë – e kuqe e agimeve », se nuk e di nëse do bëhej pastaj e barasvlershme me shpellësi e errët e perëndimeve » ?!
Kur thua : « Lulëzojnë mollët », ke parasysh pemën e mollës dhe pranverën, qartë.
Po unë do kisha qejf mollën fryt, në këtë rast ; ndaj pra, nuk e di nëse do mund të shprehesha atëherë : (vjeshtë) Lulëzojnë mollët (pra fryti) ; dhe më kujtohet se në një hartim dikur 14 vjeç (rrezik të të kem kopjuar ty me Mozaikët !) kam pas shkruar : O e madhja, e paharrueshmja Vjeshtë, / Nga gjithë poetët quhesh Pranverë ! Dhe mësuesja Lili Moisiu, gruaja e Vangjel Moisiut (ndjesë paçin të dy se ishin çift Zonjë e Zotëri !) më vuri notën 4, sepse Pranvera s’mund të jetë Vjeshtë dhe Vjeshta s’mund të jetë Pranverë !
Ja një varg sintezë : « Zogjtë naivë të mendimeve të mija » Në fakt, edhe tani që po shkruaj, duhet ta kem tensionin disi të lartë, se në veshë kam njëfarë oshtime ardhur që nga tepeleku, nën të cilin, lëvrijnë, gërvëlijnë, gumëzhijnë e cicërijnë qelizat e ngarkuara me mendim (gjatë procesit të tyre kimik, doemos).
Po zogjtë e Perëndisë vallë (trumcakët e harabelat siç i quante ime më, e cila sa herë shkundte nga dritarja e katit të tretë napën me thërrime buke thoshte : të hanë dhe zogjtë e Perëndisë !), të jenë edhe ata lajmëtarë të Zotit ! Sepse, e di çfarë, një çift francezësh pedagogë në UT gjatë kohës së Enverit, në librin e tyre kanë shkruar e zezë mbi të bardhë : Shqiptarët kaq shumë vuanin nga uria në kohë të diktaturës, sa vrisnin trumcakët e i hanin !
Tani, edhe diçka tjetër : nëpërmjet marifetit kompjuter, kërkova në tekstin tënd fjalën hënë dhe rashë në këto shprehje fantastike : hënë farkëtuese, bleroj hënën, hëna – vula e djallit, hëna e Lorkës, kafkë e hënës, aortë e hënës, etj. etj.
Më doli edhe fjala kohën, por bëhej fjalë për kohën, e jo se Hëna hëngri kohën ! « Hëna është vula e djallit, njeringrënës », siç thua ti troç e poetikisht !
Mirëpo, e di çfarë ? Një njeri i imi, Gogua fantastik, që këndon shumë bukur labçe dhe improvizon në çast, një ditë, tek shkonim në Shënvasil me veturë, këndoi : Hënë, moj të puthsha në faqe, Hënë moj, faqemollaqe !
Pale shprehja jote : bleroj hënën, që tregon se Planeti Tokë po i shter mundësitë e veta të jetesës dhe duhet mbjellë hëna për mbijetesë !
Ika, s’po e zgjas, se po vazhdoj me përkthimin për ‘ONUFRIN » e Bujarit, Një verë me Prustin, jo e kollajtë për përkthim, por shkruar bukur. Titulli origjinal është « Një stinë me Prustin », ku fjala stinë ka kuptimin e autorit « Një periudhë jete », pra jo si kohë Verë, siç e kanë përkthyer rusët, por si epokë.
______________
*) Fotaq Andrea është studiues dhe përkthyes i shumë veprave. Ai ka sjellë në shqip Kamynë me esetë “Para gijotinës” dhe “Martesa, pasuruar nga vera”, si dhe me skicat letrare “E prapmja dhe e përparmja”. Ka sjellë në shqip dhe Hygonë me “Klod fukarai” apo Lehon Kahu me “Hasan jeniçeri, historia e një shqiptari në vitin 1516”, një roman historik brilant dhe i rrallë në llojin e vet. Ka përkthyer përralla arabe dhe një sërë veprash për fëmijë, ndërsa në vitin 2000, sjell për lexuesin shqiptar antologjinë “Libri i artë i prozës franceze”.

Report TV – Rreze Dielli, Fotaq Andrea për Faik Konicën

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura