KËSHILLI PËR MËSIMIN PLOTËSUES NË GJUHËN SHQIPE NË BAVARI PËRKRAH VENDIMIN E DY MINISTRAVE TË DIASPORËS

Pashtriku.org, 4 dhjetor 2017: Këshilli për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari – KMPGJSH, përshëndet takimin e dy Ministrave të Diasporës: i Republikës së Shqipërisë, z. Pandeli Majko dhe i Republikës së Kosovës, z. Dardan Gashi, takim, i cili u bë më 27 nëntor në Korçë. Ky ishte një takim tejet i rëndësishëm edhe si një shpresë e vetme për Mërgatën shqiptare, konkretisht për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Diasporë.
Për këtë KMPGJSH-ja, muaj më parë iu ka dërgua letër Dy kryeministrave, të të dy ministrive të arsimit dhe të të dy ministrive të diasporës-mërgatës dhe i ka njoftuar për projektin e Mësimin Plotësues që ka filluar ta aplikojë në Landin e Bavarisë.

Në praninë e ish-Ministrit të Arsimit të Kosovës, z. Arsim Bajramit dhe të ish- Ministrit të Diasporës, z. Valon Murati, si dhe të dy konsullatat tona shqiptare në Munih, në prill të vitit 2017, themeluam Kuvendin e KMPGJSh-së, ku kishim edhe përkrahjen e Ministres së Arsimit të Republikës së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla, gjë që nga Kuvendi e deri më tani kemi një rritje dhe interesim të dukshme për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari. Mirëpo, ne sëbashku me ju, kemi edhe shumë punë për të bërë, deri në arritjen e qëllimit.
KMPGJSH-ja përshëndet vendimin dhe përkrah fuqishëm thënien e z. Pandeli Majko se: “Jemi dy shtete që përfaqësojmë një diasporë…”, si dhe Ministrin Gashi, ku theksoi se: “Emërimi i Ministrit Majko, është një lajm jashtëzakonisht i mirë për të gjithë shqiptarët, pasi që vështirë se mund të gjendet një figurë më unifikuese kombëtare, ndër ne”.
Duke u mbështetur në qëndrimin e dy Ministrave, KMPGJSH-ja, fuqishëm përkrah këtë vendim dhe qëndron në atë se me një përkujdesje të veçantë të të dy institucioneve shqiptare do të ringjallet shpresa e mërgimtarëve dhe do të ndihemi më të fuqishëm në realizimin e projektit tonë madhor e kombëtar, për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari. Dhe, ky projekt, mendojmë se do të jetë model, jo vetëm pë Bavarinë, por do të shpërndahet dhe të zbatohet në gjithë Gjermaninë e gjetiu.
Andaj mbetemi me shpresë, që ky projekt të mos mbetet vetëm i shkruar në letër dhe utopi, por të konkretizohet dhe të marrë hov, përndryshe, gjuha shqipe dita-ditës, pa fajin e fëmijëve tanë në Diasporë, po vije duke u zbehur e harruar!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura