Tiranë, 5 dhjetor 2017: Libri “Varrezat në Anë të Malit – Ulqin” me autor Mr. Ali Bardhin*), është botim i Art Club, Ulqin, 2016.
Është padyshim një botim i rëndësishëm shkencor i kulturës mortore të shqiptarëve të Anës së Malit, Ulqin në Republikën e Malit të Zi në harkun kronologjik fillimi i shekullit XVIII dhe në gjysmën e shekullit XX.
Projekti i këtij botimi është realizimi i një projekti për hulumtimin dhe studimin e varrezave të trevave të Anës së Malit, Ulqin, që nisi në 2012 dhe përfundoi në 2015, ku kanë dhënë ndihmesë edhe disa bashkëpunëtorë shkencorë si Ermal Nurja, Nail Draga, Behid Kanaqi, Gazment Kovaçi, Ismet Kallaba, fotografi Krenar Kurti etj.
Klad Levy Strosi, antropologu i madh francez ka thënë se kultura mortore me simbolikën e saj është ciklike dhe shpesh e konvertueshme në konceptimin botëkuptimor të jetës së një populli, ku edhe akulturimet alternative nuk e zhbëjnë dhe nuk e metamorfizojnë dot vetëdijen etnike të etnogjenezës.
Pra, shkëputjet historike nuk janë në hiatus, por në një bashkëveprim dhe sintezë nocionesh dhe praktikash ceremoniale dhe përfaqësuese.
Mbasi edhe unë, me modesti, kam bërë disa hulumtime për dëshmitë arkeologjike ilire dhe arbërore në hinterlandin e Ulqinit dhe të Shasit, për kulturën urbane si një fazë më cilësore dhe me atributin e rezultantes historike, mund të them se treva koncentrike shqiptare me tiparet qendrore të Ulqinit të shekujve është një imazheri e lexueshme e kontinuitetit të sigurt dhe të pandalur.
Me të drejtë mr.Ali Bardhi e ve në dukje në studimin e tij etnogjenezën, që nga neoliti, eneoliti, epoka e bronxit dhe hekurit e prehistorisë së etnosit ilir të cilët përfaqësohen me kulturën mortore të specifikuar me arkitekturat rrethore dhe konike të tumave, të quajtura dhe magile.
Zbulimi edhe në Antikitetin e Vonë të kulturës arbërore të hershme, që si terminus ashtë quem ka shekujt IX ose XI tregon për një unitet në diversitet me kulturën pagane mortore ilire me kulturën e krishterë mortore arbërore edhe në ornamenstikë dhe simbolikë.
Ulqini është një nga qendrat më tipologjike të qytetërimit iliro-arbëroro-shqiptar deri në vitin 1571 kur u fiksua në hartën e perandorisë osmane.
Ky fakt historik, duke mos e tjetërsuar etninë e shqiptarëve anas bëri një përshtatje dhe një konvertim edhe të kulturës mortore.
– Mr.Ali Bardhi –
Nga kërkimet në terren për Anën e Malit gurvarri më i hershëm me mbishkrim i përket vitit 1707.
Në fakt mbishkrimet osmane brenda kështjellës së Ulqinit janë edhe më të hershme.
Autori Ali Bardhi ka kataloguar koleksionin prej 600 gurvarresh, duke trajtuar karakteristikat e gurit, të epigrafisë dhe të motiveve dekorative dhe simbolike. Paraprakisht ka një mungesë artefaktesh, ato të Principatës së Balshajve në shekullin XIV, të periudhës venedikase dhe të periudhës osmane, deri në shekullin XVIII.
Varret e ritit islamik janë vërejtur ndërkaq edhe në 25 fshatrat e besimit katolik të kishës së Millës, në Kllezën Nalt dhe në Fraskaniel.
Autori Ali Bardhi ka kërkuar dhe identifikuar edhe varret e Nizamëve (varre ushtarësh të rregullt osmanë, në dallim nga ushtarët rezervë), po pa epitafe.
Dy gurvarre të gjetura në varrezat e vjetra të xhamisë së Shasit, ku dokumentohet mbiemri Shasi (1199/1784 dhe 1206/1791), janë dëshmi vijimësie të gjeneratave të banorëve vendas.
Përsa i përket formës së kokës së gurvarreve tek meshkujt janë gjetur tri llojesh: çallmë, sarek, çallmë kavuk dhe fese.
Për gurvarret e femrave format janë të ndryshme.
Mbishkrimet janë në dy mënyra: gdhendje në gur, si dhe gdhendje e sipërfaqes së gurit për të nxjerrë shkronjat epitafike.
Gurvarret kanë edhe struktura dekorative me simbole të skalitura si Dielli (me gjashtë cepa) ylli apo vula (myhyri) i Sulejmanit, svastika, gjysmëhëna, ylli dhe Hëna, selvia, lule dhe simbole të tjera.
Lloji i shkrimit është shkrimi nesih dhe rrallë herë si sylys. Shëndet edhe duaja për të vdekurin.
Ja një shembull epitafik “Kunna mithlukum se-tekunune mithlena” – (“Ne ishim si ju e ju do të jeni si ne”)
Gurvarret kanë emra tradicionalë si Zogo, Syna, Hëna, Ujk, Pirro, Agush, Voca, Çik. Janë gjetur dhe emra të tjerë si Nika, Lika, Koka, Luka, Ceka, Hoti, Halli, Kurti, Gjeloshi, Kasneci, Lleshi, Demiri, Kovaci, Zoga, Pali, Ibroci, Aloja, Çapra, Dibra, Bajra, Pelinku, Elezi, Kraja, Dabi etj. Me këto gurvarre s’ka mbiemra me mbaresat sllave me iq dhe viq.
Përsa i përket datës në këto gurvarre përdoret kalendari hixhri, por ndodh që përdoret dhe kalendari julian (rumi), por edhe ai gregorian.
Por janë edhe 9 gurvarre në kalendarin miladi (me mbishkrime arabo-osmane të periudhës së vonë).
Përsa i përket simboleve është edhe motivi i gjerdanit i shpatës dhe i thikës.
Simbolet si shqiponja dhe ujku nuk i gjejmë në këto simbole mortore.
Shkronja Nun, e alfabetit arab, ka formën e gjysmëhënës dhe simbolizon ringjalljen.
Ylli gjashtëcepash (hekzagrami) është ylli i Solomonit, (Sulejmanit) por simbol i heraldikës së Balshajve deri dhe tek stema e Skënderbeut.
Hekzagrami dokumentohet, që në periudhën bizantine.
Tek gurvarret e femrave lulja është gjithashtu me gjashtë petale.
Simbol tepër i vjetër, që nga prehistoria është svastika, ose ylli në formë helike.
Simboli i shpatës është atribut mashkullor.
Selvia, ka shpesh një gjysmëhënë në majë.
Selvia në artin islam është dhe gishti tregues i Shenedetit (Dëshmisë)
Lulja e jetës, shpesh është simbol i përbërë prej rrathësh të mbivendosur.
Rregulli qëndron në simetrinë për të krijuar një formë gjeometrike të ngjashme me një lule.
Qendra e çdo rrethi përputhet me pikëprerjen e gjashtë rrathëve të tjerë, në të njëjtin perimetër.
Pozicioni i tyre krijon një strukturë gjashtëkëndore të brendashkruar në një rreth më të madh
. Lulja e jetës e gjetur në gurvarret e Trevës së Anës së Malit është në formë konvekse dhe në formë konkave (lugore dhe kodrinore).
Lulja e jetës është simbol në tempujt e Egjiptit (6000 vjeçare) në Spanjë, në Ballkan, Kinë, Japoni, Indi, si dhe në muzeumin (tyrben) e Haxhi Bektashit.
Punimi i Ali Bardhit nuk është subjekt arkeologjik, por kërkim profesional në terren, si dhe dëshmi epigrafike dhe traditës skulpturore dhe dekorative të gurvarreve.
Islami, si hebraizmi janë ikonoklastë për imazhin e njeriut.
Paraqitja e çallmave dhe feseve është më tepër dëshmi e llojit gjenetal njerëzor.
Në shekullin XVII udhëtari i njohur Evlija Çelebiu (1611-1684), biri i një argjendari në Stamboll vizitoi dy herë edhe trevat shqiptare.
Ai la dëshmi të pazëvendësueshme për monumente dhe dëshmi epigrafike në qytete kryesore si Gjirokastër, Elbasan dhe Berat.
Ai flet për një koleksion kronogramesh poetike dhe përdorimin e sistemit Etxheb.
Në shekullin XX orientalisti shqiptar Vexhi Buharaja, i nivelit europian, koleksionoi dhe transkriptoi qindra mbishkrime arabo-osmane me rëndësi kryesore.
Të mos harrojmë dhe një tjetër orientalist të shquar shqiptar nga Kosova Hasan Kaleshi.
Mr. Ali Bardhi është pasues i denjë i kësaj hullie studimore.
E uroj autorin për këtë studim të tij të vyer dhe tepër kompetent.
Dr. Moikom Zeqo
Muzeu Historik Kombëtar
14 nëntor 2017
________________
*) Ali Bardhi aktualisht është Krye Imam në Ulqin. Ka përfunduar Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, ndërsa në vitin 2006 diplomon në fakultetin e teologjisë në “Universitetin Marmara” të Stambollit. Në vitin 2009 ai ka magjistruar në Institutin e Shkencave Sociale dega Historia Islame – (periudha Osmane). Ali Bardhi ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore dhe takime në fushën e teologjisë dhe historisë. Është mësimdhënës në medresenë “Mehmet Fatih” në Tuz dhe bashkëpunon me revista dhe gazeta të ndryshme.