Tiranë, 13 dhjetor 2017:
HAFIZ SHIRAZI, QYTETËRIMI YJOR I POETËVE
Hafiz Shirazi është një princ i poezisë botërore. Kështu e ka quajtur Gëtja. Nuk është aspak e çuditshme, ndonëse edhe sot e pabesueshme që Gëte, kjo emblemë poetike e kulturës perëndimore, u mahnit nga poetët e mëdhenj të Lindjes.
Fjala vjen nga poeti indian Kalidasa. Madje, hyrjen e kryeveprës së vet, Fausti, Gëtja e ka marrë pikërisht nga drama poetike e Kalidasës “Sakumtala”. Më pas, Gëte u njoh edhe me poezinë e lirikut të papërsëritshëm pers Hafiz Shirazi.
Gëte shkroi edhe nën shëmblltyrën e poetikës lindore një libër të rrallë, poetik “Divani perëndimoro-lindor”. Gëte, duke e vlerësuar lart hafiz Shirazin, nuk bën gjë tjetër veçse vërteton tezën e tij profetike se letërsia në esencë, është përherë një letërsi botërore, pavarësisht origjinave etnike të poetit, pavarësisht gjuhëve.
* * *
Hafiz Shirazi vdiq në vitin 1325 në moshën 64-vjeçare. Ai pranoi me metafora të epëshme, fuqindjellëse dhe delikatesëkrijuese krejt shek. XIV.
Në këtë shekull në Shqipëri, u krijua një vepër arti e pashembullt me ar dhe mëndafsh; Epitafi, i quajtur konvencionalisht (jo saktësisht) i Glavinicës, sepse u përket princërve Balshaj, duhet quajtur “Epitafi i Balshajve”. Kjo kryevepër e qëndisur, ka një skenë ikonografike të njohur dhe fatale: Zbritjen e Krishtit të vdekur pas kryqëzimit. Në këtë epitaf, që është konsideruar si i dyti në llojin e vet në Evropë, nga bizantologu i madh francez Andre Grabar, është edhe vargu mahnitës poetik: “O ti që zotëron jetën, tani je i shtrirë dhe pa frymë!”.
* * *
Hafiz Shirazi ka mbiemër emrin e qytetit të Shirazit, qytet metropol i kulturës, ashtu si piktori ynë Onufri, kryemjeshtri i ikonografisë u mbiquajt “i Neokastrës” (emri i Elbasanit) dy shekuj më vonë.
* * *
Hafiz Shirazi nuk është më kot një qënie centaur, njeri dhe qytet.
* * *
Në shek. XV qarkullonte në Shqipëri një kopje e divanit të famshëm poetik të Hafiz Shirazit ndër të rrallët në botë. mundet që edhe Gjergj Kastriot Skënderbeu të ketë dëgjuar në rininë e tij, emrin e ndritur të Hafiz Shirazit.
* * *
Lidhjet me Persinë e vjetër, dëhsmohen në Shqipëri që në epokën arkaike. Stili ornamentor, lindor i qeramikave atike dhe korentike, të shek. XVI p.e.s, të gjetur në qytetin arkeologjik të Durrësit, lidhen me ndikimin e qytetërimin pers. perandoria vigane perse, në këtë lak kohor, kishte një zhvillim të madh. qytetet polis të Greqisë ballkanike dhe ishullore, nuk kishin krijuar dot një lidhje të një stature politike të përbashkët.
Vetëm Aleksandri i Madh i Maqedonisë, duke pushtuar Greqinë, krijoi një shtet multietnik, duke bërë të mundur realizimin e një ëndrre përrallore, për të shkatërruar dhe ribërë Perandorinë Perse, për të arritur deri pranë Himalajeve, në Lindjen më të skajshme.
Dijetarët e qytetërimeve, e kanë quajtur këtë kryevepër si koinenë e parë të qytetërimeve, një matricë të globalizmit antik.
Për herë të parë, bota u pa si një e tërë, njerëzimi u pa si një planet. Në kohërat moderne, kemi një rikthim tek kjo ide, por me një formë dhe një përmbajtje tjetër, gjithashtu jo pa paradokse të tmerrshme.
* * *
Historiani antik Apiani i Aleksandrisë i shek.II e.s, ka regjistruar një legjendë të habitshme, gjenealogjike.
Për këtë legjendë, kam shkruar në librin “Panteoni ilir”. Apiani thotë se “Iliria e mori emrin nga Iliri, i cili ishte bir i Polifemit, si dhe Galateas, prej tij lindën kelti, Gali etj. Bijtë e Ilirit kanë qenë edhe Enkeleu, Autari, Dardani, Medi, Taulanti, Perrebi si dhe vajzat Partha, Dasara etj., etj. Kjo legjendë tregon se Medi ose medët, ose Partha, ose Parthët, që lidhen me etninë e persëve të vjetër, të iranianëve, janë të një familje me ilirët mdhe Ilirin.
Në të vërtetë, sado fantastike dhe e pabesueshme të duket kjo legjendë, në rrafshin tubues, familjar, gjuhësor, të pemës së gjuhëve indo-evropiane, tregon një të vërtetë. Edhe ilirishtja, edhe persishtja e vjetër, janë gjuhë indo-evropiane.
* * *
Lidhjet midis Shqipërisë dhe Persisë së vjetër, për një dijetar të kujdesshëm dhe akribik, janë të shumëkuptimta dhe të ndërrafshme: në gjuhësi, antropologji, muzikë dhe madje kostumologji etj.
Vështirësia qëndron në studimin e harkut tepër të madh kohor, për të shpjeguar “pse”-të e qëndisjes së shekujve me këto motive ndikimesh.
* * *
Hafiz Shirazi është në zanafillën e njërit prej qytetërimeve më të mëdha të botës: kulturës artistike dhe poetike perse. Vetë emri i ranit, nuk është gjë tjetër, veçse forma e emrit “Arian”.
A nuk u mbiquajtën edhe popujt indoevriopianë shpesh në antropologjinë e shek.XX-të, si popujt “arianë”?
A nuk shkruajti edhe Fidrih Niçe kryeveprën e tij filozofike “Kështu foli Zarathustra”, duke riaktualizuar emrin e Zarathustrës, që në shek. VI p.e.s., krijoi një fe botërore?
A nuk ka ndikuar edhe mithriatizmi në epokën romake në Shqipëri ku janë gjetur edhe disa monumente që i kushtohen këtij kulti?
A nuk ka ndikuar mithriatizmi në konkurrencën e tij me krishtërimin në vetë formësimin e këtij të fundit?
* * *
Në Iranin e vjetër në persi, në epokën sasanide, muzika, poezia dhe artet patën një zhvillim marramendës. Pasi ndërtoi qytetin e Xhundi Shakur, në Kuzistan, mbreti i fuqishëm Shakuri I, ngriti një universitet të madh në këtë qytet, për të gjitha shkencat e kohës, mësoheshin nga profesorë persë, romakë, grekë, indianë dhe tutorë të tjerë.
Fatkeqësisht, sot nuk ka mbetur asgjë nga kjo arkitekturë.
Pas pushtimit të Persisë lindore dhe grabitjes së Stesifanit nga arabët, kur u pyet për fatin e universitetit dhe bibliotekës që u shkatërrua, Kalifi II u përgjigj: “Libri i Shenjtë mjafton!”. Biblioteka u dogj, kishte gjysmë milionë libra.
Megjithatë, shkencëtarët kanë informacion për librin unik “Artang”, ose “Ariang”, që ishte tërësisht i ilustruar, mbi muzikantët dhe kompozitorët e asaj kohe si Nakisa dhe Barbod, instrumenta popullore dhe tonalitetet që pasqyrohen në vargje si përshëmbull të Hafiz Shirazit:
“Në lastare qiparizi,
kënga pahlave e bilbilit
Psalm mistik këndoi,
në mbrëmjen e së djeshmes”.
Kryeministri el-bujdeve, kishte 200 mijë libra. Bibliotekat familjare në Persi, ishin të zakonshme. Tradita diturake u substancializua nga Xhabir Ibn Hajami, i kohës së Imam Xhaferr Sadikut, nga Raziu, kimist dhe fizikant, që themeloi edhe parimet moderne të mjekësisë, që përdoren gjerësisht edhe sot, nga Farabiu, autori i veprës “El-Musiki Kebr” (Muzika e Madhe), që u mbiquajt edhe Mësuesi i Dytë pas Aristotelit. Poetika perse arriti kulmin në shek. X, kur një numër i madh poetësh, astronomësh, matematikanësh, historianësh, gjeografësh, filozofësh, u shfaqën në mbarë Iranin si një kostelacion i qytetërimit.
Në shek. X, u arrit një koine shpirtërore dhe etnike, në krye poeti i jashtëzakonshëm Firdusi “Shah-Nameja” (Libri i Mbretërve), i tij arriti ta kapërcente “arabizmin” e përgjithshëm dhe i mbijetoi kulturës arabe e cila i ishte imponuar vendit nga pushtuesit.
Kryevepra e Firdusit, tregon se u ringjall dhe u ruajt norma origjinale e gjuhës: në 60 mijë vargjet e bëra nga Firdusi, janë përdorur vetëm 984 fjalë arabe.
Para Firdusit, njihet si themelues i gjuhës perse, Rudaki i Samarkandës. Por kryerilindasi, ishte Firdusi. Shumë mbretër samanidë si Ez-Zar dhe El-Buid, ishin rilindas në këtë hark kohor.
Vetëm Zahib Ibn Ihadi, Avicena, Dinvariu, mjeshtri i historisë, astronomisë dhe botanikës, Biruniu, gjeograf dhe astronom, Omar Khajami, filozof, poet, matematikan i madh që përcaktoi figurën “pi”, ndër 400 figura dhe zgjidhi 11 format e ekuacionit të tretë, janë emra që janë skalitur në kulturën e njerëzimit.
Khajami, ishte edhe zbulues i teorisë së determinizmit dhe krijoi një kalendar shkencor astronomik.
Të mos harrojmë edhe Gazaliun, fizikant-jurist, si edhe Ibn Hajsanimin, filozofin dhe fizikantin e shek.XIV që llogariti shpejtësinë e dritës dhe perimetrin e Tokës.
Të gjithë këta emra, janë sivëllezërit komunitarë dhe shpirtërorë të Hafiz Shirazit.
* * *
Në vitin 2004, në Muzeun Historik Kombëtar, unë organizova diskutimin krijues të librit të Hafiz Shirazit “Kur nis të çelë tulipani” të shqipëruar nga profesori dhe miku im Dalan Shapllo.
Ky libër, u pëlqye, ishte një përpjekje e suksesshme e shqipërimit të një pjese të Divanit të Hafiz Shirazit. Ruaj nga ky tubim edhe një fotografi.
Ka disa kohë që i ndjeri Dalan Shapllo nuk është më, ka shkuar në botën e përtejme për t’u takuar ndoshta me vetë Hafiz Shirazin dhe për të shkëmbyer mendime për poezinë.U organizua në kryeqytet një simpozium shkencor me rastin e ribotimit të librit të shqipëruar të Hafiz Shirazit, nga Dalan Shapllo.
* * *
Takimi im i parë me Hafiz Shirazin, është gati i pabesueshëm, gati bizar.
Në vitin 1994, studiova ca kohë në “L’ecole francaise” në Romë. Po bëja një specializim për arkeologjinë dhe historinë e artit. Banoja në Piazza Navona, një nga sheshet më të mrekullueshme të botës. Në rrugët e gurta që ndërlidhen me këtë shesh, mbrëmjeve kishte gjallëri të pazakontë. Pikërisht në këto rrugë, nëpër qoshe, rrinin të ulur në disa karrige portative, duke mbajtur përpara qirinj të ndezur si të mbështjellë me zambakë prej qelqi fallxhoret profesionistë.
Më tërhoqi vëmendjen një burrë fisnik me flokë dhe mjekër të shkurtër, krejt të thinjur, gati si një skulpturë baroke prej argjendi, me ca duar të dobëta dhe gishtërinj tepër të gjatë që dukej sikur vallëzonin.
Ky ishte fallxhori më i famshëm, një poliglot i hatashëm, që u jepte përgjigje në të gjitha gjuhët, që dinin turistët nga Japonia, India, Ballkani, Britania, Argjentina etj.
Kurrë nuk i kam besuar fallxhorët, ndonëse kam një ndjenjë gati mitike për ta, një këndellje të brendshme, mbase dhe frikë. Pikërisht, tek ky fallxhor i cili më dukej si kryetari i një akademie gjuhëtarësh, por i shkarkuar nga detyra prej politikanësh të çmendur dhe analfabetë, unë u afrova dhe pyeta sesa kushtonte të hidhja një fall.
Përgjigja ishte 25 mijë lireta. Pranova. Ishin para falxhorëve disa sende dhe disa libra. Instiktivisht, pa e kuptuar zgjata dorën dhe preka njërin nga librat, me kapak të purpurt. Ishte libri i Divanit poetik të Hafiz Shirazit në anglisht dhe në persisht, e hapa librin në njërën nga faqet, fytyra e zymtë e fallxhorit u ndriçua nga një dritë inkadeshente si fytyra e profetit Moisi kur zbriti nga mali dhe e pa Zotin në formën e një shkurreje që digjej, por që nuk konsumohej. Nuk mbaj mend se ç’lexoi në librin e Hafiz Shirazit fallxhori për fatin tim. Pa dyshim, jo ndonjë gjë të këndshme, as ndonjë kërthnesje mahnitëse dhe magjike.
Më vonë, kur kam lexuar për qytetërimin pers, jam befasuar kur lexova se Divani i Hafiz Shirazit ishte libri kryesor për fallin në Iran. Të hedhësh fall apo të bësh parashikime nga Divani i Hafiz Shirazit, është një traditë e hershme e përdorur nga shumë njerëz që njihnin dhe kuptonin poezitë e këtij poeti, duke përfshirë jo vetëm iranianët por edhe të gjithë persisht-folësit.
Në çdo gazel të Divanit të Hafiz Shirazit, në mënyra të ndryshme interpretimi gjenden pjesë nga jeta e përditshme e atij që hedh fall.
Kjo është arsyeja që Divanin e Hafiz Shirazit, e thërrasin ndryshe edhe si “Fjala mistike”.
* * *
I paharrueshmi dhe i mrekullueshmi Fan Noli kur lexoi përkthimon në anglisht të “Rubaira”-ve të Omar Khajamit, bërë prej Fidxhearldit, ra në lakun e poezisë së madhe të Lindjes. Nuk u çlirua dot nga ky lak. Madje edhe kur u rrek të kthente në shqip “Rubairat” e Khajamit.
Thuhet se Fidxheraldi ishte krejt i panjohur në Angli. Njihte persishten dhe rastësisht e gjeti librin e Khajamit. Kur e ktheu në anglisht Khajamin, Anglia e Shekspirit u pasurua edhe me një poet tjetër, sipas shprehjes së Borgesit “Një persian që çuditërisht shkruajti në anglisht”. Borgesi nuk bëri asnjë paradoks. Tregoi një të vërtetë të ndërthurur, ose një dyzim të së vërtetës. Khajami, në formën e dytë si Fidxherald, është kështu një poet i dytë.
Mendoj që Noli e ka përkthyer Khajamin, jo prej persishtes, por prej anglishtes dhe u bë kështu një poet i tretë. Asnjëherë nuk e ka arritur kulmin e shijes dhe të estetikës poetike si tek “Rubairat” e Khajamit. Me këtë rast, Noli shkroi edhe një esse plot substancë. Është e nevojshme të citoj diçka prej kësaj esseje.
Noli thotë se Persia ka patur një Përlindje kulturore, diturie dhe letrare, që nxori një varg mendimtarësh, shkencëtarësh dhe poetësh të mëdhenj si Firdusi, Avicena, Omar Khajami, Atarin, Saadiun, Rumiu dhe Hafiz Shirazin. Kjo përlindje e shkëlqyer, buron drejtpërdrejt nga qytetërimi greko-romak, kështu lindi edhe përlindja arabe, e cila me anën e Spanjës, influencoi Evropën mesjetare që përgatiti Rilindjen e madhe italiane, nënën e qytetërimit modern. Në çdo periudhë të qytetërimit të lartë, ashtu edhe në kohën e përlindjes persiane, ka patur një luftë të gjatë midis lirisë së mendimit dhe dogmatimatizmit fetar.
Në shekuj, para lindjes së Omar Khajamit, Persia ishte sheshi i konfliktit midis feve të ndryshme si paganizmi greko-romak, zarathustrizmi dhe mithriatizmi persian, brahmanizmi dhe budizmi indian, judaizmi, kristianizmi dhe islamizmi semitik. Intrelektualët persianë në këtë përballje të hatashme, të ushqyer dhe të rritur me urtësinë klasike, kultivuan filozofinë, shkencat dhe Lirinë e Mendimit.
* * *
Esseja e Fan Nolit, një traktat i vogël estetik i vlefshëm edhe për sot, kur është shpallur “përplasja e qytetërimeve”. Në të vërtetë, nuk ka një përplasje të tillë apokaliptike, por janë interesat ekonomike dhe politiker. Qytetëerimet janë përherë enë komunikuese për të gjitha kohërat.
Të paktën Gëteja ishte shumë herë më i mençur në këtë pikë, sesa të gjithë politikanët e gjallë dhe të vdekur të kohës.
* * *
Hafiz Shirazi është princi i poezisë duke qenë njëkohësisht edhe plebeu i saj.
Qytetërimi yjor i poetëve na ndriçon vetëdijet. Është një gjë pozitive që shqipërohen lirikat mahnitëse të Hafiz Shirazit. Ndikimi i Hafiz Shirazit, duket edhe tek poetët shqiptarë të shekujve ZVII-XVIII, sidomos tek Nazim Berati dhe Sulejman Naibi. Por edhe tek Naim Frashëri.
* * *
Lirikat e Hafiz Shirazit, gazelet e tij të famshme, janë imituar edhe nga një poet i madh modern, Federico Garsia Lorka. Poetika e Hafiz Shirazit, ka një modernitet të brendshëm, gjithmonë dy vargjet e fundit të çdo gazele, janë një drejtim që vetë poeti i bën vetvetes, duket sikur e pyet vetë poeti binjakun e tij të quajtur Hafiz Shirazi.
* * *
Poetët nuk mund të vdesin, ndërsa politikat edhe vdesin. Në letërsinë botërore, poetët i kapërcejnë muret, janë të ndërmurshëm.
– FUND –
______________________________
DR.MOIKOM ZEQO: SINOPSE DHE MOTIVE HISTORIKE (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=7154
***
DR.MOIKOM ZEQO: SINOPSE DHE MOTIVE HISTORIKE (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=7155