Durrës, 23 janar 2018: – koha në vazhdim, indinjuese dhe revoltuese-
KU SHKUAN VARGJET E SHEKULLIT XIX, THEMELI DHE ÇATIA E RILINDJES SONË KOMBËTARE:
“Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjith‘ kund l’shon Dielli vap‘ edhe rrezë,
Asht tok‘ e jona, t’par’t na e kan‘ lanë,
Kush t’mos na e prekë, se desim t’tanë!“ ?!
Libri „Arbërit e Jonit“, vepër madhore e Pëllumb Xhufit me mbi 1400 faqe format i madh, është një minierë informacioni. Mbështetur vetëm në këtë libër, mund të hartohen dhjetëra studime me interes të jashtzakonshëm. Me këtë libër, Pëllumb Xhufi, me një angazhim titanik prej studiuesi të palodhshëm, i ka dhënë lëndë studimore, jo thjeshtë historiografisë, por edhe shkencavet të tregtisë, bujqësisë, ndërtimtarisë, detarisë, urbanistikës, politikës, diplomacisë, religjionevet, diturisë mbi luftërat, piraterisë e deri te mjekësia, gjuhësia (dega e toponimisë) apo veshjet arbërore të shekujvet XIV-XVIII.
Unë mora këtë herë të trajtoj, si më alarmantin dhe më revoltuesin, aspektin kombëtar në planin krahasues me kohën e sotme. Kur themi kombëtar, në radhë të parë kemi parasysh GJUHËN, veçanërisht GJUHËN e shkruar, por dihet që me GJUHËN lidhet një varg i gjatë dukurishë që e karakterizojnë një popull. Me GJUHËN, me ruajtjen ose mosruajtjen e GJUHËS, lidhen: Ruajtja ose mosruajtja e vetëdijes etnike e kombëtare, ruajtja ose mosruajtja e krenarisë personale dhe grupore, ruajtja ose mosruajtja e këngëvet dhe në përgjithësi e folklorit, ruajtja ose mosruajtja e traditavet në veshje, në të ushqyer, në organizimin e familjes, ruajtja ose mosruajtja e historisë familjare, krahinore dhe kombëtare, ruajtja ose mosruajtja e religjionit, ruajtja ose mosruajtja e shtetësisë dhe e çdo gjëje që një populli i siguron një shtet i tiji. Një njeri, por edhe një komb apo pjesë e kombit, që s’i ka ashtu si duhet të gjitha këto, është i mjerë, është i varfër dhe lëndë e gatshme për t’u përdorur prej të tjerëvet, siç mund të përdoret një send që gjendet në rrugë.
T’i shohim tani disa nga qytetet që na jepen në librin „Arbërit e Jonit“, siç kanë qenë dikur dhe siç janë sot në punë të GJUHËS dhe rrjedhimisht në të gjitha dukuritë që i rendita më lart. A janë të mjerë, lëndë e gatshme që e përdorin të tjerët, apo janë subjekte krenarë që ia ndërtojnë vetes historinë siç duan vetë?!
AJDONATI (PARAMITHIA)
1611. „Pjesa tjetër nga vendi i Paramithisë, që të gjithë ARBËR”. /”E parte del contado di Paramithia, tutti Albanesi.”) (f.437)
1611. “Pas shtypjes së kryengritjes ARBËRORE, …që pati për epiqendër trevën e Paramithisë.” (f.580)
1611. “Personazhet kryesorë të implikur në kryengritjen e Dionis Filozofit… ishin ARBËR. ARBËRIT përfaqësonin popullsinë kryesore në Epir e veçanërisht në ARBËRINË E POSHTME dhe jo rastësisht… para dhe pas vitit 1611, protagonistë të ngjarjevet aty rezultojnë të kenë qenë gjithnjë ARBËR… ARBËR nga Paramithia ishte sanxhakbeu i Janinës, Osman Pasha… ARBËR ishin edhe vjehri e kunati i Osman Pashës, përkatësisht emini i Bastias dhe sanxhakbeu i Delvinës… Pa dyshim ARBËR po nga Paramithia ishte edhe vetë frymëzuesi e udhëheqësi i kryengritjes, Dionis Filozofi… Në mënyrë fare eksplicite cilësohen ARBËR (Albanesi) masa e kryengritësvet, nga burimet arkivorë të Venedikut.” (f.776-777)
1626. “Sanxhakbeu Ali Pasha, (ishte) ARBËR nga Paramithia.” (f.465)
ARTA.
Dr.Pëllumb Xhufi
1360. “Despotati i dikurshëm i Artës (Epirit), që tani qeverisej nga Gjin Bua Shpata, identifikohej si Despotati i Arbërit,” (“Lu despotatu de li Albanesi.”) (f.42)
1378. “Në betejën e zhvilluar nën muret e Artës ARBËRIT u bashkun.” (f.325)
Fillimi i shekullit XV. “Kronika e Tokovet pohon se në të gjithë shtrirjen Pargë-Paramithi-Janinë dhe Janinë-Artë, banonte popullsi ARBËRORE“ („Ta Alvana“). (f.43)
1416. „Kur u nis nga Janina për t’u rrëmbyer Shpatajvet ARBËR qytetin e Artës, Karlo Totos iu desh të çajë rrugën mes për mes vendevet të ARBËRVET”. (f.44)
1583. Disa nga emrat e njerëzvet, qartësisht ARBËRORË, në brezin verior të Gjirit të Artës: “Gjin, Lekë, Gjon, Dedë, Tanush, Zguro, Çuko, Flokë, Mazarek, Lalush, Petakuq, Bardh.” (f.50)
BASTIA (SAJADHA).
1479. “Bastia, zotërim osman në bregdetin ARBËROR”. (f.281)
1480. Sulltan Mehmeti II i shkruan doxhit venecian: “Lidhur me Bastian, mua më kanë raportuar se ai është vend grabitësish dhe banorët e atyshëm janë ARBËR”. (f.176)
1498. “Bastia, kështjellë tashmë e turqvet në ARBËRINË E POSHTME“. (f.1183)
1566. „Mbi Bastian shtrihej një vendbanim me emrin Sajadhë me 30 familje ARBËRORE” (“Un casal ditto Saiata da 30 fochi habitat pure de Albanesi”.) (f. 125 dhe 178)
1570. “Në duart e ARBËRIT Mihal Kulluri, nga Bastia, mbërriti… një pako“. (f.1117)
1577. „(Jeronim) Kombi, (ARBËR, epirot), mbërriti në Bastia… ku gjeti strehë tek kapiteni ARBËR Duli.“ (f.697)
1600. „… Quhet ARBËRI e… fillon në perendim nga Ulqini e Liqeni i Shkodrës e… mbaron në lindje në Bastia”. (“…si chiama Albania,… incomiciando da Ponente, de Dolcigno e dal Lago di Scutari, finisce in levante alla Bastia…”) (f.46)
1606. “Me spiunin ARBËR Gjon Ballari (Giovanni Ballari Albanese), i cili… me të zbarkuar në Sajadhë, u pikas nga një kushëri i tiji.” (f.1085)
1611. “Në rrugën nga Bastia në Paramithi, Janinë e Selanik,… u trembej kryengritësvet ARBËR”. (f.766)
1622. F. Kluverius (Ph. Cluverius) shkruan: “ARBËRIA ndahet në të Epërme e të Poshtme, kjo e fundit dikur quhej Epir.” (“Albania distinguitur in superiorem… et inferiorem, quae olim Epirus”). “Ndokush e vendos kufirin e ARBËRISË në Bastia, por shumica i atribuon asaj si kufi Gjirin e Ambrakisë.” (“Bastia a nonullis Albaniae constituitur limes, quum vero Ambracina Diti a plerisque illi ascribatur”.) (f.28)
1639. “Një ARBËR… kishte sjellë 50 kokë bagëti të trasha në Bastia, për t’i ngarkuar për Korfuz.” (f.568)
FILATI
1432. “Regjistrimi i parë osman i Sanxhakut ARVANID, …përfshiu territoret nga Kruja në Filat.” (f.445)
FRARI (FANARI, GLYKI)
1386. “Trakti bregdetar midis Porto-Palermos e Fanarit, afërsisht 80 milje… gjeografikisht e etnikisht… quhej prej venecianëvet BREGU I ARBËRVET (riviera d’Albanesi)“ (f.23)
1479. „Lumi Fanar-Frar (Glyki) apo Gurla… emri që përdornin për të ARBËRIT, përshkonte fushën e Frarit. Edhe ata vende ishin të banuar nga popullsi ARBËRORE.” (alle rive di Fanaro per disparere vertente fra quei confinanti Albanesi“) (f.209)
1556. „Në të gjithë traktin bregdetar të ARBËRISË nga… Sazani në Frar.“ („tutto questo braccio d‘Albania dal Sasino fino al Fanari.”) (f.576)
IGUMENICA
Mbas shekullit XV. “Nga portet e Fanarit, Pargës, Igumenicës e Nistës niseshin atëherë drejt Venedikut e Raguzës sasi të mëdha gruri, që tregtarët e këtyre qyteteve blinin prej prodhuesvet, bujqvet ARBËR (Albanxi) të fshatravet e zonavet të brendshme.” (f.47)
1529. “Të 15 njerëzvet të ekuipazhit, të kapur (peng) prej ARBËRVET në rrethet e Igumenicës.” (f.453-454)
1576. Midis nxënësvet ARBËR në Kolegjin Shën Athanasi në Romë gjendet edhe një Kurtesh Tusuri nga Igumenica (Corese Tusuri da Gumenizza) (Krahaso f.1253)
1626. “Fshati Nistë (Igumenicë, Çamëri), vazhdonte të ishte i krishterë. Atë kohë përmenden prifti i fshatit, Papa Gjini (Papa Ginni) dhe vëllai i tij Gjoka (Gioca)”, (që kuptohen nga emrat se janë ARBËR. Gj.D.) (f.11545)
1634. “Sano Gushkuqi (ARBËR, Gj.D.), person problematik nga Igumenica.“ (f.943-944)
JANINA.
1370. „Despoti sërb i Janinës, Thoma Preluboviqi, u pagëzua nga bashkëkohësit si Thomai ‘Arbërvrasësi’ (Albanitoktoni), për masakrat e përbindshme që kreu mbi ARBËRIT e qytetit e rrethinavet të tija.” (f.1373)
1377. “(Despoti i Janinës, Gj.D.) Thoma (Preluboviqi, Gj.D.) lëshohej me egërsi mbi popullsinë paqësore ARBËRORE të qytetit e të rrethinavet, duke i masakruar, deri duke u prerë gjymtyrët e duke u nxjerrë sytë, të cilat i mblidhte dhe ia dërgonte si ‘dhuratë’ Gjin Bua Shpatës (despotit të Artës, Gj.D.) (f.324)
1379. “Në një përleshje të armatosur në Janinë përdorej fjala ARBËRISHTE ‘Ruaju! Ruaju!’ ”. (f.323)
1379. “Kur sulmuan kështjellën e Janinës, ARBËRIT i drejtoheshin kundërshtarit me thirrjen (kalorsiake, Gj.D.) ‚Ruaju!‘ “ (f.1287)
Shekulli XV. „Kronika e Tokovet pohon se në të gjithë shtrirjen Pargë-Paramithi-Janinë dhe Janinë-Artë, banonin popullsi ARBËRORE“. (f.43)
1411. „Këshilli i qytetit (të Janinës, Gj.D.) vendosi ta ftojë Karl Tokon të nisej prej ishujvet drejt Janinës duke përshkuar vendet e ARBËRVET“. (f.345)
1411. „Karl Tokoja zbarkoi me ushtri në portin e Pargës. Prej andej çau vendet e ARBËRVET… Nëpërmjet Mazrekut, mbërriti në Paramithi.“ (f.345-346)
1412. „Humbja e Tokos bëri që ARBËRIT përrreth Janinës të largohen prej tij e të anojnë nga Zenebishi.“ (f.347)
1513. „Sulltani u detyrua të dërgonte drejt Janinës një flamburar për të ndëshkuar ARBËRIT.” (f.630)
1611. “Do të sulmohej nga kryengritësit ARBËR edhe qyteti i Janinës.” (f.695)
1611. “Pas ngjarjevet të (atij viti) në Epirin ARBËROR, kryengritjes së Dionis Filozofit në Paramithi e Janinë,… bashkë me kryengritësit ARBËR e disa prej dinjitarëvet osmanë, qenë implikuar edhe napolitanët e venecianët.” (f.12073)
1611. “Flitej për udhëheqësit e kryengritjes, për protagonistët e saj, duke cilësuar si të tillë ARBËRIT e krishterë të Janinës e Paramithisë.“ (f.1087)
1613. „Një i krishterë ARBËR nga Janina.” (f.1080)
1613. “Nga një ARBËR i Janinës” (“da un Albanese dela Giannina”) (f.73)
1613. “ARBËRIT e Malakasit, krahinë në lindje të Janinës.“ (f.323)
1645. „Janina ishte qendra kryesore e ARBËRISË SË POSHTME.” (f.1076)
1658. “Ai kishte shkuar në dyqanin e një tregtari ARBËR nga Janina.“ (f.1074)
KONICA.
1583-1584. „Në nahijen e Konicës… mbizotërojnë emrat e tipit: Lekë, Martin, Gjin, Dedë, Gjikë etj. Ndërkohë, vetë Konica paraqet emra të pakët ARBËRORË.“ (f.51)
1988. I ashtuquajturi kolokuium shkencor në Konicë. „Theokarides flet për një ‚zbritje‘ të shqiptarëvet (në trevat e Epirit)“. „Ai e akrediton këtë ‚zbritje‘ të pretenduar si një të vërtetë historike, mbi të cilën ngre hipoteza të reja, siç është ajo e ‚SHQIPTARIZIMIT‘ të krahinavet ‚greke‘ në Epir pas pushtimit osman. „Krahinat greke“, thotë ai, „u SHQIPTARIZUAN nga frika e ‚utoktonëvet‘ prej SHQIPTARËVET myslimanë (turkoshqiptarëvet) plaçkitës“. (f.36)
KOSTURI.
1878-1894. „Sipas Konstantin Vakalopulosit (në Vorio-Maqedoni) sipër segmentit Kostur-Follorinë-Edesë, banohej nga grekë grekofonë, nga grekë sllavofonë, nga grekë shqiptarofonë dhe nga grekë vllahofonë: gjithsesi, pavarësisht gjuhës, të gjithë ishin grekë“. (f.37) („Shkencë“ e denjë për disa komedi. Gj.D.)
MARGËLLIÇI.
Shekulli XV. “Për më se një ARBËR (Ta Alvana), me qendra kryesore në Delvinë, Paramithi e Margëlliç, flet ‘Kronika e Tokovet‘. Madje, kjo e fundit, duke iu referuar konfliktit të Gjon Zenebishit e Muriq Shpatës me kontin Karlo Toko, thotë se dy krerët ARBËR kërkuan ndihmë ‘duke çuar fjalë në Myzeqe dhe në gjithë ARBËRET e dheut”. (f.18)
1500. “Venecianët veçonin kryengritjet e parreshtura të popullsivet ARBËRORE të kësaj ane të ARBËRISË SË POSHTME, të Himarë-Labërisë, Delvinës, Margëlliçit e Paramithisë.” (f.804)
1551. “Regjistri i vitit 1551 jep për fshatin Margëlliç këta emra: Duka Bruni, Spani Deda, Gjon Ilia, Qesar Dhima, Meksha Leka, Gjin Jorga, Gjin Gjoni, Gjon Jani, Andrea Qesari, Gjin Popa, Jani Nika, Gjon Shorri, Gjon Nika, Tupe Todri, Popa Brushi.” (f.48) (Për të kuptuar se janë ARBËR, mjaftojnë nyjat shquese të tyre -a dhe -i. Gj.D.)
1551 e 1583. “Margëlliçin burimet historikë e vendosin në ARBËRI (in Albania).” (f.283)
1556. “(Piratët grabitës në skelën e Margëlliçit) humbën shumë kohë dhe u mbërritën nga ARBËRIT (sopragionti da Albanesi).“ (f.957)
1558. „Turqit kishin rindërtuar kështjellat e Sopotit e të Margëlliçit, prej nga ata siguronin sundimin mbi gjithë ARBËRINË: (per li quali hanno dominati tutta l’Albania)“. (f.654-655)
1558. „Pasi osmanët ndërtuan këshjtellat e Sopotit e të Margëlliçit, njerëzit e atyre kështjellave, bashkoheshin shpesh me banorët ARBËR të rrethinavet për të sulmuar e plaçkitur anijet korfiote.“ (f.950)
1615. „Dy ARBËR myslimanë nga Margëlliçi.” (f.1062)
1691. “Mosko Gjoni (ARBËR, Gj.D.) nga fshati Vrahona midis Igumenicës dhe Margëlliçit.“ (f.927)
1749. „Burimet i quajnë me termat (tashmë, Gj.D.) SHQIPTAR (Albanesi) dhe turq (Turchi), duke nënkuptuar me ta SHQIPTARËT e krishterë dhe ata myslimanë të Agias, Margëlliçit, Paramithisë e Mazrekut.” (f. 206)
1749. “Jo vetëm në Delvinë, por edhe në vise të tjerë ku funksiononin shkolla greke, si në Himarë, Paramithi, Margëlliç, mjedisi njerëzor ishte SHQIPTAR ose kryesisht SHQIPTAR.” (f.1386)
1772. “Guvernatori i Pargës… njoftonte se ishte informuar nga SHQIPTRËT e krishterë të rrethinavet, se myslimanët po grumbulloheshin në Margëlliç.” (f.207)
MAZREKU.
Shekujt XVI-XVII. “Qendrat kryesore të Vagenetisë (Çamërisë) janë: Sajadha, Igumenica, Konispoli, Mezreku, Margëlliçi, Parga, Frari, Paramithia.“ (f.48)
1551. „Emra njerëzish në fshatin Kurtesh të Mazrekut: Lekë Pali, Lekë Deda, Dhimo Gjoni, Lush Pali, Nikë Gjini, Meksh Deda, Dedë Nika, Andrea Gjini, Gjin Deda, Pal Gjoni, Martin Tupe, Nikë Deda, Gjin Nika, Gjon Deda, Dedë Gjoni.” (f.49)
1558. “Proniari Ahmeti… ARBËR nga Mazreku, (dikur) quhej Gjin Lekë Kali. (Se lo chiamavano Gini de Leca de Cali).“ (f.73)
1693. „Një grup ARBËRISH nga Kurteshi e nga Mazreku.“ (f.187)
PARGA.
Shekujt XV-XVIII. „Burimet arkivorë venecianë i konsiderojnë ARBËRIT si popullsinë e vetme fqinje me zotërimet venecianë të Korfuzit, të Pargës apo të Butrintit. (quei confinanti Albanesi)” (f.45)
1443. “Tregtarët ARBËR të drithit iu larguan skelavet të Vilikit, Pargës, Igumenicës apo Nistës… dhe filluan të zbresin drejt skelavet të Gjirit të Artës.” (f.538)
1524. “Një rast… emblematik ishte rasti i Ibrahim Pashës (ARBËR, Gj.D.) nga Parga, bir i peshkatarit Gjon Misoga, i cili në moshë të re arriti të bëhej krahu i djathtë i Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm.” (f.452)
1532. “Mbi Pargë… banorët e disa fsharave ARBËR. (Ville de Albanesi di sopra la Parga)“ (f.644)
1532. „Fshatra ARBËR mbi Pargë. (alcune ville da Albanesi di sopra la Parga)“ (f.963)
1532. „Për sulmin e fundit që kishin kryer kundër ushtarëvet të kështjellës së Pargës ARBËR të Agias.“ (f.964)
1533. „Përfaqësuesit e qytetarëvet të Pargës (ankoheshin) se atyre u binin në qafë ARBËR të Agias, shtetas venecianë njëlloj si parganjotët.“ (f.965)
1554. „Disa banorë ARBËR të Arillës, skelë e vogël në veri të Pargës.” (958)
1565. “Guvernatorit venecian të Pargës, me origjinë ARBËRORE, Hektor Bua.” (f.1036)
1566. “Një ARBËR nga Parga.” (f.649)
1576. “Strehimi në Pargë i ARBËRVET të fshatit Agia.” (f.975)
1602. „Barinj vllehë… bashkë me barinj ARBËR, kullosnin bagëtitë nën muret e Pargës.” (f.59)
1613. “Flitet për një Dukë Gjini, ARBËR, e për shokët e tij nga Parga.“ (f.1038)
1656. „(Stefano Manjo) dërgoi në drejtim të Pargës 2 anije e disa barka. Të gjitha këto, shton ai, ishin mbushur me ARBËR të armatosur.” (f.872-873)
1657. “Luftimet rreth Pargës vazhdonin. Një ARBËR, Gjin Saciadona, u raporton autoritetevet venecianë.” (f.875)
1657. “Hollësira nga kampi i rrethuesvet (të Pargës) i përcolli në Korfuz ARBRI Dhimo Niqifori.” (f.875)
PREVEZA.
1655. “Një prift ARBËR nga fshati Binadar (ha spedito da Rignassa verso Preveza)” (f.541)
1792. “…të prijësit kryengritës ARBËR nga Preveza, Odise Andruco.” (f.1247)
SANTA MAURA.
1565. “Gjin Masmeruga, pas çdo gjase, ARBËR nga Santa Maura.” (f.1036) “Raportuar nga Gjini i Santa Maurës.” (f.1093)
VAGENETIA (ÇAMËRIA)
Shekujt IX-XV. “Një territor më i ngushë (i ARBËRISË SË POSHTME apo i Epirit), ai që përfshihet mes Delvinës dhe Prevezës dhe që nga krahu i lindjes përfshihet brenda vijës Janinë-Artë, është njohur me emrin Vageneti. Është territori që përputhet me shtrirjen e Thesprotisë së Antikitetit dhe të Çamërisë së sotme.“ (f.32-33)
1401. „Gjon Zenebishi që sundonte në një pjesë të mirë të Vagenetisë (Çamërisë), prezantohej si ‚zot në ARBËRI‘. (Jonius Genebesi, dominus in Albania)“ (f.43)
Shekujt XVI-XVII. „Në shekujt e parë të pushtimit osman situata etnike në Epir nuk ka ndryshuar. Kjo vlen në radhë të parë për Vagenetinë (Çamërinë), me qendra kryesore Sajadhën, Igumenicën, Konispolin, Mazrekun, Margëlliçin, Pargën, Fanarin (Frarin), Paramithinë.” (f.48)
1583. “Krahas një Jani Çapari (mbiemri i përket njërës prej familjeve më fisnike ARBËRORE nga Çamëria), ne gjejmë edhe një Gjon Çapari, që me siguri është i afëm i tij. Po kështu, krahas një Jorgji Akshemo, që nuk lë shkas për t’u shprehur me siguri për etninë e tij, kemi edhe një të afërm me emrin Gjin Akshemo dhe një tjetër Lekë Akshemo, të cilët me emrat e tyre tipikë ARBËRORË vërtetojnë edhe përkatësinë ARBËRORE të Jorgjit në fjalë. Shtojmë që një antroponimi të tillë e gjejmë deri në nahijet e Zagorit, Malakasit e Grebenesë, edhe pse karakteri i antroponimisë së kësaj zone me simbiozë arbro-vllahe është përgjithësisht më ndërlikuar.” (f.50)
1613. “Krerët e disa fshatrave ARBËR të Vagenetisë (Çamërisë), si Varfanji, Shuleshi etj.” (f.514)
1614. “I gjithë ky territor, rreth 40 milje i gjatë, që përkon me Çamërinë e sotme, ishte i banuar dendur dhe banorët e tij ishin ARBËR. (loco habitato piu e de Albanesi)”. (f.125)
E shkrova me shkronja të mëdha fjalën ARBËR, me qëllim që të kuptohet sa më ngulshëm për çfarë do të flitet në këtë trajtesë timen, plot me nervozizëm dhe me indinjatë. (I kërkoj ndjesë autorit Pëllumb Xhufi se, në citimet që kam bërë, fjalën SHQIPTAR, të përdorur prej tij, atje ku flitet për kohët para gjysmës së dytë të shekullit XVIII, e zëvendësova me ARBËR, gjithsesi në harmoni me titullin “Arbërit e Jonit”.)
Në shekujt XV-XVIII banorët e Artës, Bastias, Filatit, Frarit, Igumenicës, Janinës, Konicës, Kosturit, Margëlliçit, Mazrekut, Paramithisë, Pargës, Prevezës, ishin ARBËR, flisnin ARBËRISHT dhe cilësoheshin e njiheshin si ARBËR prej të gjithë popujve që i rrethonin. Njerëzit e kësaj pjese të ARBËRISË flisnin në familje ARBËRISHT dhe nëpër kuvende flitej ARBËRISHT. Në punët bujqësore, në punët me bagëtitë, në mjeshtëri të ndryshme, në endje pëlhurash, në ndërtim shtëpishë, në rrugët e qytetevet, në oborret e kishavet, në drejtimin e anijevet, në tregti, në të gjitha veprimtaritë ndërnjerëzore, me përjashtim të rastevet kur kishin biseda me të huaj, ARBËRIT E JONIT komunikonin në gjuhën e tyre ARBËRISHTE. Në valle këndohej ARBËRISHT! Nënat i përkundnin foshnjat dhe u këndonin ninulla në gjuhën e vet ARBËRISHTE. Vdiste dikush, njerëzit mblidheshin dhe ngushëllonin simbas traditës në gjuhën e ARBËRVET. Vajtojcat vajtonin ARBËRISHT.
Sot, pasardhësit e po atyre banorëve nuk quhen më ARBËR as SHQIPTARË. Në Artë, në Bastia, në Filat, në Frar, në Igumenicë, në Janinë, në Konicë, në Kostur, në Margëlliç, në Mazrek, në Paramithi, në Pargë, në Prevezë, GJUHA SHQIPE ka vdekur, është vrarë ose është në gjendje latente, as e gjallë, as e vdekur.
Pasardhësit e atyre ARBËRVE, që më vonë u quajtën SHQIPTARË, në asnjë dokument nuk cilësohen më as si ARBËR, as si SHQIPTARË. Në regjistrat e lindjes nuk quhen SHQIPTARË, në asnjë dokument identifikimi nuk figurojnë SHQIPTARË. Në shkolla, fëmijët e asaj pjese të Shqipërisë nuk mësojnë, as gjuhën, as folklorin, as historinë e të parëvet të vet. Folklorin e tyre e kanë vrarë. Këngët e dasmavet, përrallat, ninullat, përshëndetjet, sharjet shqiptarçe, urimet, që të gjitha janë zhdukur ose janë strukur në skutat intime të familjevet, të cilat e dinë se janë SHQIPTARË, por që s’ua bën zemra ta thonë. Po edhe sikur ta thonë, kujt t’ia thonë?! Qindra mijë pasardhës të atyre ARBËRVE gjëmimtarë, sot u ngjajnë bimëve rrënjëkëputura në tharje e sipër.
Historitë e zhdukjes së kombevet janë të shumta. Në botë ka pasur kombe, kombësi e etnitete pa fund. Se u zhduk edhe një pjesë e Kombit Shqiptar, do të thotë dikush, nuk bëhet kiameti. Madje edhe në u zhduktë, kështu siç e ka nisur, krejt Kombi Shqiptar, kujt do t’i bëhet vonë?!
Por mua më dhemb shpirti dhe shumë SHQIPTARËVET të tjerë si unë, u dhemb fort shpirti! Nuk duhej, as të tjetërsoheshin e shkombëtarizoheshin, as të shpërnguleshin, me dhunë apo me çfarëdo marifeti, e as të vriteshin e masakroheshin SHQIPTARËT e Artës, Bastias, Filatit, Frarit, Igumenicës, Janinës, Konicës, Kosturit, Margëlliçit, Mazrekut, Paramithisë, Pargës, Prevezës! Nuk duhej të ndodhte një asgjësim i tillë, aq më tepër kur ata kishin mbërritur deri këtu nga thellësitë e shekujvet, me një GJUHË dhe me një traditë shumë të vlefshme, të lidhur me atë GJUHË dhe me ata tipare etnie! SHQIPËRIA JONIANE, nga Filati e në Prevezë, nuk duhej asgjësuar! Ajo duhej të mbetej pjesë etnokulturore e trungut dhe e origjinës së vet!
Thonë se fajin për një të tillë shkatërim të Jugut Shqiptar e ka pangopësia greke. Po kështu thonë edhe për rrënimet e Veriut tonë për sërbët dhe po kështu thonë edhe për depërtimin e bullgarëvet nga Lindja dhe përfundimi „ngushëllues“, prej qaramani, është ky: Jemi ndodhur, për fatin tonë të keq, midis fqinjëvet grabitqarë.
Nuk është e vërtetë. Ky „konkluzion“ nuk është aspak i saktë! Asaj tufe që i ka barinjtë dhe qentë të mirë, nuk i afrohen ujqërit!
Thonë se ka qenë pozicioni gjeografik shkak që Kombi ynë është rrëzikuar gjithë jetën. Të gjithë kombet jetojnë në hapësira gjeogafike, të cilat, nga njëra anë ose nga një anë tjetër, ose nga të gjitha anët, janë të rrëzikuara. O është Greqia në pozicion gjeografik të rrëzikuar, o s’ka vend tjetër në botë. Megjithatë, grekët, jo vetëm kanë mbijetuar, por edhe kanë zhvilluar një kulturë me vlera të pashterrshme gjithnjerëzore.
Thonë se shkak i ngushtimit tonë dhe i mbetjes kaq mbrapa, ka qenë niveli i ulët i kulturës. Por ne kemi një etnokulturë që pak ndonjë popull e ka dhe ka qenë pikërisht kjo etnokulturë e trashëguar në qindra breza, ajo që na ka mundësuar të mbijetojmë! A nuk duket si një rreth vicioz: Një komb me kulturë të lashtë, sa atraktive, aq edhe të qëndrueshme dhe niveli i ulët i kulturës?! Niveli i ulët, kryesisht në fushën arsimore, u shkaktua në Kombin tonë veçanërisht nën sundimin osman dhe kjo ndodhi sepse sadrazemët tanë (U hëngërt shpirti pleh në varret ku janë kalbur!), nuk u kujtuan të kujdesen për kombin e vet!
Në këtë mënyrë , pra, shumë nga kulturologët dhe historiogafët, tanë dhe të huaj, e kanë shtruar pyetjen: Pse Kombi Shqiptar ka ardhur gjithnjë duke u ngushtuar territorialisht dhe pse është sot në një gjendje ekonomike dhe shtetorganizuese kaq të palakmueshme?! E kanë shtruar këtë pyetje, por përgjigjen e saktë, shkencërisht të parrëzueshme, askush deri më sot nuk e ka dhënë. Dhe, përderisa nuk është dhënë përgjigjja e saktë, vetëkuptohet që as rugëdalja nuk mund të gjendet. Madje, edhe kur të jepet përgjigjja, edhe kur të dihet rrugëdlja, në këtë komb kaq keq të gjymtuar, pale a do të mblidhen forcat për ta vënë në jetë atë rrugëdalje! Këtij Kombit tonë „trup e shpirt të sakatosur“ (F.N.) do t’i duhen përpjekje të jashtzakonshme për ta nxjerrë veten nga rruga fatale, lemerisht fatele e „restrikcionit“ (E.Ç.). Po përdor këtu shprehjet e forta të F. Nolit e të E.Çabejt, por gjendja është shumëfish më kritike nga ç’mund të tregohet me fjalë.
VIJON…
____________________________
GJOKË DABAJ: ARBËRIT E JONIT NË SHEKUJT XV-XVII (1)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=7201
***
GJOKË DABAJ: ARBËRIT E JONIT NË SHEKUJT XV-XVII (2)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=7202