Pashtriku.org, 12 shkurt 2018: (“Udhëheqësit e vërtetë të popujve janë traditat e tyre” – Gustav Le Bon, 1841 – 1931)
***
Shtëpia Botuese “Fan Noli” në Tiranë ka botuar librin “Psikologjia e popujve dhe e turmave” të autorit Gustav Le Bon. Gustav Le Bon (7 maj 1841 – 13 dhjetor 1931) ishte psikolog, sociolog, shpikës dhe fizikant i shquar francez. Është autor i disa librave në të cilat studion shpirtin e racave, turmave dhe popujve, si dhe besimet e tyre ndër shekuj.
***
“Qytetërimi i çdo populli mbështetet mbi një numër të vogël ideshë themelore. Nga këto ide rrjedhin institucionet, literatura dhe artet e tij. Dhe këto ide ashtu siç krijohen shumë ngadalë, ashtu dhe humbasin ngadalë.” – kështu shkruan Gusta Le Bon në fillim të librit “Psikologjia e popujve dhe e turmave”. Nëse është e vështirë të futësh një ide të re, është jo më pak e vështirë të asgjësosh një ide të vjetër. Njerëzimi kapet përherë me dëshpërim pas ideve të vjetra dhe zotave të vdekur. (G.L.Bon, fq.4)
Jeta e një populli, institucionet e tij, besimet dhe arti i tij, nuk janë veçse indi i dukshëm i shpirtit të tij të padukshëm. (Po aty, fq.6)
Psikologjia na tregon se pas institucioneve, arteve, besimeve dhe përmbysjeve politike të çdo populli, gjenden disa tipare morale e intelektuale, prej të cilave rrjedhin evolucioni i tyre dhe janë tërësia e këtyre tipareve që formojnë atë që mund të quhet shpirti i racës. Ҫdo racë posedon një konstitucion mendor, po aq të qëndrueshëm sa edhe konstitucioni i saj anatomik…. Tiparet morale dhe intelektuale, shoqërizimi i të cilave formon shpirtin e një populli, përfaqësojnë sintezën e së kaluarës së tij, trashëgiminë e stërgjyshërve të tij, motivet e sjelljes së tij… (Po aty, fq. 9-10)
Edhe tiparet psikologjike riprodhohen prej trashëgimisë, me rregullësi dhe përhershmëri.
Ky bllok elementësh psikologjik që vërehet tek të gjithë individët e një race, përbën atë që quhet me të drejtë karakter Kombëtar… (Po aty, fq.10)
Kur ne vizitojmë një popull të huaj, tiparet e vetme që do të na bien në sy, ngaqë janë të vetmet që përsëriten vazhdimisht, janë pikërisht tiparet e përbashkëta për të gjithë banorët e vendit të vizituar… (Po aty, fq.10) dhe prandaj me shikimin e parë ne jemi në gjendje të dallojmë një anglez, një italian, një spanjoll, një kinez etj.
Ҫdo individ nuk është veç prodhim i prindërve të tij të drejtëpërdrejtë, por njëherit edhe i racës së tij, domethënë i të gjithë vargut të pasardhësve të tij… Pra, ne jemi njëherit, bij të prindërve tanë dhe të racës sonë. Se nuk është vetëm ndjenja, por edhe psikologjia dhe trashëgimia, që na e kthejnë atdheun në një nënë të dytë. (Po aty, fq.11)
Ndikimet të cilave u nënshtrohet individi dhe që e udhëheqin sjelljen e tij janë tri llojëshe:
I pari është ndikimi i stërgjyshërve;
I dyti është ndikimi i prindërve; dhe
I treti është veprimi i mjedisit (Po aty, fq.11)
Njeriu është gjithmonë dhe para së gjithash, përfaqësues i racës së vet. Tërësia e ideve, ndjenjave që të gjithë individët e një vendi i marrin që në lindje, formojnë shpirtin e racës. I padukshëm në thelbin e vet, ky shpirt është krejtësisht i dukshëm në pasojat e veta, sapo ai udhëheq në realitet të gjithë evolucionin e një populli. (Po aty, fq.11)
Një racë mund ta krahasosh me një bashkësi qelizash që përbëjnë një qenie të gjallë. Këto miliarda qelizash kanë një jetë shumë të shkurtër, ndërkohë që jetëgjatësia e qenies së formuar prej bashkimit të tyre, është relativisht shumë e madhe. Ato kanë, pra, njëherit një jetë vetiake, atë të tyre, dhe një jetë kolektive, atë të qenies, së cilës i përbëjnë substancën. (Po aty, fq.11)
Ҫdo individ i një race, ka edhe ai, një jetë vetiake krejt të shkurtër, dhe një jetë kolektive tepër të gjatë. Kjo e fundit është ajo e racës ku ai ka lindur, që ai ndihmon ta përjetësojë, dhe nga e cila ai varet gjithmonë. (Po aty, fq.12)
Raca, pra, duhet të mbahet si një qenie e përhershme, e çliruar nga koha. Kjo qenie e përhershme, është e përbërë jo vetëm prej individëve të gjallë që e përbëjnë në një kohë të caktuar, por edhe prej vargut të gjatë të të vdekurve, të stërgjyshërve të saj…. Brezat e shuar nuk na imponojnë ne vetëm konstitucionin fizik të tyre, ata na imponojnë edhe mendimet e tyre. Të vdekurit janë zotërit e padiskutueshëm të të gjallëve. Ne mbajmë peshën e gabimeve të tyre, ne marrim shpërblimin e virtyteve të tyre. (Po aty, fq.12)
***
“Udhëheqësit e vërtetë të popujve janë traditat e tyre”- ka thënë Le Bon.
Një tërësi ndjenjash, idesh, besimesh dhe interesash, e krijuar prej akumulimeve të ngadalta trashëgimore, i jep konstitucionit mendor të një populli, një identitet dhe një qëndrueshmëri të madhe. (Kur identiteti zhduket, popujt shpërbëhen).
Ky rrjet ndjenjash, idesh, traditash dhe besimesh trashëgimore, që krijojnë shpirtin e një bashkësie njerëzish, ka ekzistuar pak a shumë përherë tek të gjithë popujt dhe në të gjitha kohërat, por shtrirja e tij progresive është realizuar me një mënyrë shumë të ngadaltë. I kufizuar fillimisht në familje, dhe i përhapur më pas gradualisht në fshat, qytet apo krahinë, – shpirti kolektiv është shtrirë mbi të gjithë banorët e një vendi, veç në një epokë shumë më të re. Veç atëhere u krijua nocioni i ATDHEUT, ashtu siç e kuptojmë ne sot. Kjo është e mundur vetëm kur është krijuar shpirti KOMBËTAR. (Po aty, fq.13)
Sot nuk ka raca natyrale, përvec se tek të egrit. Vetëm tek ata mund të gjenden sot popuj të pastër e të papërzierë. Shumica e racave të qytetëruara nuk janë më sot, veçse raca historike, ndërsa ka mbetur vetëm karakteri i tyre, që kanë ndenjur me shekuj në të njejtat kushte ekzistenciale dhe të akumuluara prej trashëgimisë, prej të cilave është përcaktuar edhe tipi i çdo populli. (Po aty, fq.14)
Psychologie der Massen – von Gustave Le Bon [Kaiser’s Klassiker]