ADIL FTAHU: SI ARRITI SERBIA NË LISTËN E ZEZË PËR KRIMINALITET TË ORGANIZUAR

Prishtinë, 2 mars 2018: (* Sërbia i vetmi shtet i Europës në Listën e zezë për kriminalitet të organizuar) – Më 24 shkurt të këtij viti, Organizata ndërkombëtare për luftimin kundër pastrimit të parave, si formë e krimit të organizuar (FATF: Financial Action Task Force), e futi Serbinë në Listën e zezë të shteteve të dyshuara për financimin e terrorizmit dhe krimit të organizuar në botë. Në atë listë Serbia u fut në grup me Korenë e Veriut, Etiopinë, Irakun, Sri Lankën, Sirinë, Trinidadin e Tobagon, Tunizinë, Vanatuon dhe Jemenin. Serbia është i vetmi shtet i Europës që u fut në atë listë të zezë.
Regjimi është munduar ta fshehë lajmin, por lajmi ka rrjedhë nga opozita, konkretisht nga ish-kryetari i Serbisë, Boris Tadiq. Ndërkaq, kryetarja e Qeverisë, Ana Bërnabiq, me një qarkore dërguar (24 shkurt 2018) ministrive, ua ka ndalua të mos e komentojnë lajmin as të mos japin deklarata e komente nëpër media për këtë çështje. Kryetarja e Qeverisë ka mund ta privojë publikun e gjërë serb nga e drejta e informimit për këtë skandal të Serbisë, por nuk ka mund të privojë të gjithë njerëzit nga informimi, pasi që vendimi për këtë është i publikuar në faqen zyrtare të organizatës FATF, me seli në Paris.
Po si arriti deri këtu, që Serbia të jetë i vetmi shtet (“lider”) i Evropës në atë listë të zezë?
Ekzistojnë organizma të ndryshëm ndërkombëtar, në nivel të OKB dhe të Këshillit të Evropës të cilët merrën me kontrollin e parandalimit të krimit të organizuar, të cilat kanë përcaktuar standardet dhe kriteret e atij parandalimi. Ndër format e kriminalitetit të organizuar është edhe shpërlarja e parave dhe financimi i terrorizmit. Serbia mu për këto forma edhe është futur në listën e zezë të Komitetit ndërshtetëror për luftë kundër shpërlarjes së parave (FATF – Financial Action Task Force), me seli në Paris. Edhe Këshilli i Europs e ka një komitet të vetin për pengimin e shpërlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit (“Manival) me seli në Strasburg. Këto organizma kanë përcaktuar 40 standarde dhe kritere për vlerësimin e secilit shtet, nëse po ndërmerr masa dhe veprime të duhura dhe efektive për parandalimin e këtyre formave të terrorizmit ndërkombëtar. Ekspertët e Manival-it e kanë përcjellë gjendjen në Serbi prej vitit 2014-2016.

Pas një raporti të “Manival”-it, për dyshimet ndaj masave strategjike të Serbisë për parandalimin e këtyre formave të kriminalitetit ndërkombëtar, ekspertët e atij komiteti e kanë vizituar Serbinë prej 28 shtator deri më 9 tetor 2016, për të vlerësuar nëse ka ndërmarrë masa të duhura për parandalimin e formave të caktuara të terrorizmit ndërkombëtar, sidomos shpërlarjen e parave dhe financimin e terrorizmit. Bashkë me vlerësuesit e “Manival-it”, tërë kohën kanë qenë edhe përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë, ngase vlerësuesit kanë hulumtuar sistemin bankar.
Më 23 shkurt k.v, FATF-i ka vendosur ta fuse Serbinë në listen e zezë, si shtet që ka të meta strategjike sa i përket parandalimit të shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit ndërkombëtar. Serbia tash është i vetmi shtet Evropian në listën e zezë, pasiqë Bosnjë-Hercegovina është hequr nga ajo listë. Kështu Serbia është në të njëjtën listë me Korenë e Veriut, Etiopinë, Irakun, Srilankën, Sirinë, Trinidadi-Tobago, Tunizinë, Vanuatuon dhe Jemenin. Është interesant që në mbledhjen e FATF-it, është diskutuar për dy kandidate për t’i futur në listën e zezë: për Serbinë dhe Pakistanin, por Kina dhe Rusia kanë kundërshtuar që Pakistani të futet në atë listë, kurse për Serbinë nuk kanë kundërshtuar, edhepse Serbia i konsideron ato dy fuqi si miket më të ngushta dhe shpresën kryesore në marrëdhëniet ndërkombëtare! Duket se ato dy fuqi, mike të Serbisë, nuk kanë mund të bëjnë asgjë, pasiqë ata që e akuzojnë Serbinë, se po financon terrorizmin ndërkombëtar, kanë ofruar argumente të pamohueshme për këtë.
Duke iu shmangur të flasin për rastet dhe format tjera të terrorizmit, njohësit e situatës në Serbi theksojnë se shitja e armëve serbe shteteve, organizatave dhe grupeve terroriste, është një nga format e përhapura dhe argumentet e financimit të terrorizmit ndërkombëtar, duke përmendur shitjen e armëve shteteve të Lindes së Afërme, nga të cilat duket se po e financojnë një megaprojekt të quajtur “Beograd na vodi” (“Beogradi në ujë”), në anën e majtë të lumit Sava, në Beogradin e Ri, ku po ndërtohet një kompleks i madh i banesave e lokaleve komerciale, hotele, terene sportive, pishina, qendra sporti, shkolla, kryesisht për aktivitete në ujë, parqe, staza për biciklista, etj. Për financimin e atij projekti thuhet se janë lidhur “kontrata të mëdha” me shtetet e Lindjes së Afërme. E dihet se si është situata në atë rajon, qysh prej vitit 2012, kur shpërtheu lufta në Siri. Nga ana tjetër, sado që jepën informata “në doza të kontrolluara”, autoritetet e ushtrisë së Serbisë lavdërohen për rezultatet e arritura nga eksporti i industrisë së armatimit të tyre, me armët e të cilëve terroristët në Lindjën e Afërme çdo ditë vrasin njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe gra, fëmijë e pleqë. Nuk përjashtohet edhe mundësia e shitjes së armëve kimike nga Serbia, me qenë se kjo ka përvojë me helmimin e mijëra fëmijëve (nxënësve) shqiptarë në Kosovë, në vitin 1990.
Futja e Serbisë në listën e zezë, jo vetëm se nuk i bënë nderë, dhe se mund të pasohet me kontrollimin e rreptë të sistemit bankar, e me sanksione të ndryshme, pasi që FATF-a ka mekanizma për sanksione dhe bashkëpunon me organizmat tjera relevante. Madje kjo listë e zezë, mund t’i kushtojë Serbisë edhe me rastin e hapjss së kapitullit 24 të dokumentit për integrim në BE, pasiqë aty bëhet fjalë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Me këtë “regjistrim” në listën e zezë, Serbia e ka marrë “diplomën dhe medaljen” e merituar të shtetit terrorist, në mesin e 9 shteteve tjera të botës, ndërsa në Europë është – lidere e pa konkurencë! Zatën, për terrorizëm Serbia është e njohur qysh moti dhe ka resurse e kapacitet të mjaftueshëm edhe për terrorizëm të brendshëm, edhe terrizëm ndaj fqinjëve, edhe për terrorizëm në përmasa kontinentale.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura