BESIM CENGU: VALLJA E KUKËSIT – PASURI E SHPIRTIT TË NDJESHËM ARTISTIK

Tiranë, 19 mars 2018: Deri në vitin 1993 “Vallja e Kukësit” është quajtur “Suita lumjane”. Mbi këtë material muzikor e koreografik kanë punuar muzikantë me zë Zef Gruda, Hamdi Gjana, Aleksandër Lalo, Pandi Bello, Alfred Kaçinari, Binak Elezi, Arben Sinani, Arben Bilali etj., koreografët Mirsat Hoxha dhe Ali Kingji, regjisorët Bilbil Hereni e Dashnor Zyberi… Secili prej tyre ka vënë nga një gur në këtë kala artistike, duke e ngritur cilësisht atë deri në kufijtë e përsosmërisë. Që në vitet 60 është luajtur dhe arritur cilësisht në planin muzikor prej kompozitorit Zef Gruda. Sidomos pas ngritjes dhe konsolidimit të orkestrës së temperuar bazuar mbi çiftelinë si instrumenti tradicional i Shqipërisë së Veriut si dhe pipëzën, fyellin, daullen e instrumenta të tjerë tradicionalë. Janë publikuar me këtë orkestër krejtësisht specifike më shumë se 40 materiale muzikore. “Suita lumjane”, ky material muzikor kompozuar si mozaik është ndër më të arriturat. Është një renditje materialesh muzikore dhe motivesh vallesh nga më përfaqësueset luajtur në Lumë. Karakteristikë është ritmi në rritje i saj, loja prefekte dhe shkathtësia e lëvizjeve të interpretuesve. Gjithsej “Suita Lumjane” zgjat 5 minuta e 30 sekonda. Te ritmi, energjia e dinamizmi, qëndron sekreti që ky material muzikor, si pasuri shpirtërore e Krahinës së Lumës përballon me sukses shijet dhe konceptet artistike edhe aktualisht.
Në vitin 1993, Qendra e Kulturës e Kukësit u ftua në Festivalin e 33 të këngës në RTSH me një numër përshendetës. Mblodhëm Këshillin Artistik dhe menduam të paraqitemi me “Suitën Lumjane” dhe kështu bëmë. E konsultuam me udhëheqësin artistik të Festivalit në RTSH, maestro Zhani Cikon e stafin e tij dhe vendosëm së bashku kështu. Materiali muzikor u realizua nga muzikanti Arben Sinani me në qendër orkenstrën e temperuar të shoqëruar nga daullexhiu me renome kombëtare Xhemali Toçilla, Artist i Merituar dhe curlexhiu virtuoz Hisë Lapallari. Ajo ngjarje e madhe artistike kombëtare dhe loja profesionale e korrekte e orkestrës dhe valltarëve, tërhoqi vëmendjen e opinionit dhe profesionistëve. Njëherit ishte edhe arritje e vlerave artistike dhe estetike që kapërcin rrethet e mbyllura dhe synonte drejt një publiku edhe më të madh.

Para se të përfaqësoheshim në Festivalin e RTSH, paraqitjes së mirë në të gjithë komponentët i kishte paraprirë një përgaditje gati tre mujore, tetor, nëntor e dhjetor 1993 me intensitetin e plotë nga i gjithë stafi artistik e mbështetës, prej meje si drejtues institucioni, e deri te punëtori i skenës. Kompozitori i njohur Binak Elezi, kishte emigruar në Amerikë vetëm pak muaj më parë dhe punën e tij artistike e përmbushi me dinjitet muzikanti tjetër me i ri por shumë i përkushtuar, Arben Sinani. Si drejtues i Qendrës së Kulturës në Kukës, edhe sot e kësaj dite mbaj mend me ekzaktësi vijën melodike e ritmin e “Suitës lumjane” prej fillimit e deri në fund. Deri më sot nuk kam ndeshur në një material muzikor me një finale aq dinamike. Ndoshta jashtë edhe natyrës të folklorit tonë që përgjithësisht karakterizohet nga ritmi i ngadaltë. Ky material artistik ka fillim festiv e të gëzueshëm dhe fund shumë emocional e të hareshëm me një aftësi magjike për të ndryshuar gjendjen e ekzekutuesve. Këtu mendoj qëndron edhe sekreti gjithnjë e në rritje i “Suitës lumjane” që sot quhet “Vallja e Kukësit”.
Është rasti të theksojmë Vallet e Lumës, në përgjithësi shquhen për dinamizmin e tyre dhe brendinë plotkuptimore artistike. Mjafton të kujtojmë ‘Vallen e Shpatave” të pleqve të Kukësit apo “Kalloçojën” në të gjitha fazat e saj, “Vallen e Thuprës”, Vallen e Kaçakut”, “Vallen e Kosave” etj. Si rrallëkund, te vallja e Krahinës së Lumës, janë gërshtuar të gjithë zhanret e artit; loja koreografike, aktrimi, kënga. Loja valle e “Dhampirit me Lugatin” që luhet edhe sot në Rrafshen e Lumës (Shtiqën e Nangë) të sjell ndër mend aktrimin në skenat madhështore shekspirjane, ndërsa aktorët (lojëtarët e valltarët) personazhe të atij niveli.
Në vjeshtën e vitit 1994, (shtator, tetor) Ansambli i Kukësit përfaqëson Shqipërinë në një festival ndërkombëtar folklorik, që u organizua në qytetin e Soçit në Rusi në kuadrin e veprimtarive të planifikuara nga Nisma e Detit të Zi organizatë në të cilën është edhe vendi ynë. Në këtë festival folklorik merrnin pjesë 34 vende. Pas ndërprerjeve të marrëdhënieve në vitin 1960 me Bashkimin Sovjetik, ansambli ynë “çau akullin” i pari. Përpara publikut rus, përveç materialeve të tjera, “Suita lumjane”, paraqiti interes të madh, deri në kufijtë e bujës. Pas demonstrimit prefekt në skenën e teatrit të këtij qyteti, pothuajse të gjithë ansamblet pjesëmarrëse e luanin bashkë me artistët e valltarët tanë në rrugë e sheshe. Si duket u bënte përshtypje dinamizmi, që nxitej prej ritmit të shpejtë gjithnjë e në rritje. Në një farë mënyre, ato ditë në qytetin turistik bregdetar të Soçit, Vallja e Kukësit, u shndërrua në një himn për të gjithë grupet artistike pjesëmarrëse. Për ato ditë të qëndrimit atje para se të hypnin në skenë artistë të vendeve pjesëmarrëse e kërcenin një herë Vallen e Kukësit nën ritmin e ekzekutimit shpërthyes të daulles e curles së çiftit të talentuar Toçilla-Lapallari.
Kur u kthyem nga turneu i Rusisë në Shqipëri, kudo dëgjohej Vallja e Kukësit. Në bare, dasma e gëzime të ndryshme. Prej asaj kohe e deri në ditët e sotme, ka kaluar një çerek shekulli dhe mrekullia është se tingujt e Valles së Kukësit ushtojnë gjithnjë e më fort, ndërsa ekzekutimi i saj kryesisht nga të rinjtë në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan e më tej është edhe më dinamik e mbresëlënës…

Vallja e Kukesit


Albatros & Marjana – Vallja e Kukësit – Nata e nëntë – DWTS6 – Show – Vizion Plus

Total
0
Shares
1 comments
  1. Autori i ketij pseudoshkrimi z. B.cengu duhet denuar penalisht per ” shkelje autoresie ” ,, si dhe disinformim historie artistike. Normal une nuk duhet te merrem me njerez te tille ” pseodohistorian ” por ; DUHET.. Nje shkrim banal i cili mbarte ” genjeshtra ” ” shkelje autoresie ” si dhe disinformim hitorie artistike. Ky pseudohistorian ndoshta ka harruar pjesmarrjen time te gjashte ne fest rtsh per te tjetersuar autoresine!?, Ky njeri ne shkrimin e tije t’ja atriboje vehtes tije (si drejtor i pallatit kultures i asaj kohe) jeten artistike te viteve 1990-1995 ‘ por “JO”,,, Jeta artistike e asaj kohe ka qene kontributi, sakrifica e 35 artistave kukesian te asamblit ” Gjalica ” me udheheqes artistik , kompozitor, orkestrues, dirigjent si dhe instrumentist PETRIT SINAMATI.. Le te ndalemi tek ” genjeshtrat ” dhe disinformimi i ketij shkrimi ku do te veqoj disa nga vargjet e shkeputura te ketij shkrimi;,, 1-ne vitin 1993 qendra kulturore e kukesit u therrit ne fest 33 te ne RTSH,,,, ” GENJESHTER “.. PERGJIGJE ; oferta per pjesmarrje ne fest 35 te te RTSH me eshte bere mua personalisht nga pr.ZH.CIKO si numer pershendetes ne kete fest,, dhe kjo erdhi si rezultat i inqizimeve te shumta qe benim asaj kohe me asamblin ” GJALICA ” ,, Peshendetem fest me ” suiten lumjane nr2″ ku ne kete fest une konkuroja me kengen ” PLANETI FEMJEVE ” te kenduar nga A.RRAPI dhe J.MALIQI.. 2- materiali muzikor i ” suites lumjane nr 2 ” i realizuar nga Arben Sinani.. ” GENJESHTER ” ,, PERGJIGJE;,, ” SUITA LUMJANE nr 2″ per te cilen behet fjale ka per autor qe ta dish ti dhe shoket e tu ; PETRIT SINAMATI ” e kompozuar, e orkestruar, e realizuar ne vitin 1986 ne asamblin ” KUKESI I RI ” me udheheqes artistik Binak Elezin ” dhe me koreografi ” ZEK KASTRATI ” si dhe ne pjesmarrjen ne fest 35 te me koreograf FEIM DISHA,, te njejtet autor jane dhe ne ” VALLE HUMORISTIKE” .. 3– Arben Sinani, mbaj mend ne ” ekzaktesi” vijen melodike..” GENJESHTER”,, PERGJIGJE;, Arben Sinani ne asamblin ” GJALICA ” ka qene thjeshte nje orkestrant rrezerve…4– SUITA LUMJANE ” qe sot quhet ” vallja kukesit ” ,, ” MEDIOKRITET”,, ” SUITA LUMJANE NR 2 ” quhet ” SUITA LUMJANE ” dhe jo ajo valle qe paraqisni ju por ; edhe ajo qe paraqisni ju dhe qe njihet si valle e kukesit, nuk munde te quhet valle kukesit?!,,, 5– Asambli Kukesit ne ” SOQI ” ” GENJESHTER “,,, ” PERGJIGJE ” ,, Ne festivalin e Detit te Zi mori pjese asambli ” GJALICA ” i kukesit i drejtuar nga P.SINAMATI me nderhyrjen e te ndjerit pr. RAMADAN SOKOLI i cili beri te pamunderen per pjesmarrjen tone ne kete fest duke ja hequr kete mundesi te ndjerit Panajot Kanaqi… 6 te– “40 materiale ..” DISINFORMIM” .. ” PERGJIGJE “,, Nga viti 1990-1995 jane shkruar nga dora ime 58 te materiale muzikore ne te cilat sa per kulture per ju dhe shoket e tu ;,,, njezet e tre prej tyre te kompozuara, te orkestruara, te realizuara nga PETRIT SINAMATI me formacionin orkestral ” ZEF GRUDA” emer te cilin e mori nga ” ASAMBLI GJALICA ” ,,,, njezet e dy, kenge folklorike te pershtatura per formacionin orkestral ku vlen per te permendur kenga ” QOBANIT ” e kenduar nga Rexhep Kovaqi… Dumbedhjete te orkestruara, te bera gati per inqizim…. Tre materiale nga shtete te huaja si ; ” RETHINAT E MOSKES ” ,, ” MINI MINI “,,(TURKE) Dhe ” SHQIPJA E ANDEVE “,,,,,,, Duke perjashtuar 6 materiale te demostruara para viteve 90 te si; ” Potpuri lumjane”,, ” Shote Galica”,, te luajtura ne kohen e prf Zefit dhe 4 materiale te kompozuara dhe te orkestruara nga une P.Sinamati , te lujtura ne asamblin KUKESI I RI ne vitin 1986 si ” SUITA LUMJANE NR 2″ ” VALLE HUMORISTIKE ” ” ZEMRA IME TY TE DO ” e kenduar nga ” MAJLINDA MUJA” si dhe ” DY KENGE LUMJANE ” e kenduar nga ” KLEOPATRA DOKLE ” ,, ndersa pesdhjete e dy te tjerat realizuar dhe inqizuara gjate viteve 1990-1995 ne studjon e RTSH me krye redaktorin ALI AZBIA ku vlen per tu permendur,, realizimi i CD dhe videos me ” LIRI MEKEN ” dhe rapsodet e hasit me Rregjizor ” PALI KUKE ” ,,dhe kameraman ” STEFAN GAJO ” ,, pastaj rruga e materialeve te asamblit ” GJALICA ” u pasua ne asamblin e femijeve te QKF TIRANE i cili konkuroj ne shume vende te botes si ; MATA ( FRANCE) ,, TURQI ,, MAROK,, MOSKE etj nen prezencen time,,,.. Nje pyetje z.B.cengu?? Q’far beri kukesi mbas ikjes time nga kukesi?,,, dhe qfar beri QKF mbas ikjes time ne vitin 1999??,, keshtu qe ; sado disinformim dhe genjeshtea nga ana juaj dhe shokeve tuaj e verteta eshte e shkruar ne ” FONOTEKEN E ARTE SHQIPETARE

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura