Francë, 24 Mars 2018: “Le Petit Parisien” ka botuar, të shtunën e 16 gushtit 1913, në faqen n°3, një shkrim mbi reagimin e fiseve të Malësisë kundër kufirit me Malin e Zi të vendosur në Konferencën e ambasadorëve në Londër.
Aurenc Bebja, nëpërmjet faqes së tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë, për publikun shqiptar, rrëfimin e plotë të gazetës franceze :
“Një kërcënim shqiptar
Vjenë, 15 gusht (1913)
Korrespondenca shqiptare shkruan se në Shkodër krerët e fiseve Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati dhe Shkreli kanë shkuar në grup pranë admiralit anglez Burney dhe i kanë thënë fjalët e mëposhtme :
“Fiset e Malësisë nuk e njohin kufirin e vendosur nga konferenca e ambasadorëve dhe nëse fuqitë e mëdha refuzojnë të dëgjojnë ankesat e paraqitura nga shqiptarët në memorandumin e tyre mbi kufirin e ri, lufta midis Malësorëve dhe Malit të Zi bëhet e pashmangshme.”
Deklarata të njëjta janë bërë në drejtim të konsujve të Austro-Hungarisë dhe Italisë.
Admirali anglez (Cecil Burney) dhe konsujt u përgjigjën se do t’i transmetonin këto deklarata qeverive të tyre.”
Aurenc Bebja, Francë – (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania).
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France