HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (4) 

RINGRITJA – LËVIZJA ILEGALE

Siç është thënë edhe në hyrjen e këtij libri, me vendimet antishqiptare, që u morën në korrikun e ’46-s në Paris, gjysma e trojeve tona mbetën nën kthetrat e shovinistëve fqinjë. Megjithatë, kombi nuk u step, prandaj atdhetarët, të cilët u përcaktuan për t’i vazhduar përpjekjet për çlirimin e trojeve të rirobëruara, e vazhduan rrugën e vetme që u kishte mbetur: konstituimin e veprimtarisë ilegale. Pak para epilogut të sapocekur, veprimtarët formuan formacionin e parë politiko-ushtarak, që në literaturë njihet me emrin “Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare. Si e tillë, kjo organizatë, me karakter çlirimtar, qe dhe mbeti themeli i Lëvizjes. Veprimtaria e saj jo që nuk u ndërpre asnjëherë nga raprezaljet e pushtuesit, përkundrazi, gjatë atij gjysmëshekulli spiralja e saj shenoj ngritje të vazhdueshme për të kulmuar me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duhet thënë se Lëvizja nuk mund t’i arrinte ato që i arriti pa zhvillimet e gjithanshme të Shqipërisë dhe të trojeve që ajo luftonte për t’i çliruar. Pra, kemi të bëjmë me një piramidë trifaqësore, maja e së cilës ka qenë gjithmonë gryka e pushkës. Prandaj, si rrugë e stolisur me akte heroike, me sakrifica të shumta në altarin e atdheut, po përpiqem që të mos i mbetëm borxh.

1. Jo vetëm veprimtarisë, por as strukturës organizative të ONDSH-së, e cila u formua në fund të LDB-së, nuk do t’i qasem, sepse është trajtuar edhe më parë.  Dhe jo vetëm aty… Nuk po zgjatem me referenca, por përpjekjet e saj për ta gjetur rrugën, përmes së cilës do të realizoheshin aspiratat kombëtare nuk mund t’i kapërcej. Një nga përpjekjet ishte edhe takimi që u mbajt në shtatorin e vitit ’44 në Prizren, “… ku u analizua programi kombëtar i veprimit të politikës shqiptare në ilegalitet, bashkë me rrethanat politike dhe ushtarake në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare”. Duke aluduar në udhëheqjen e luftës antifashiste, që zhvillohej në Kosovë, ishte thënë se: “… Me shpirt është nacionaliste, por me fjalë është internacionaliste”, për të vazhduar me akuzën “se bërthama … e këtij establishmenti politik është Rusia dhe Serbia e madhe me Jugosllavinë e vogël, për të cilën luftojnë.”  Me akuzë edhe më të ashpër etiketohet “Shqipëria Bregdetare e udhëhequr nga Partia Komuniste e Shqipërisë… e cila për filozofi kombëtare ka denacionalizimin e kombit dhe internacionalizimin e interesit. Me këtë kurthim politik ne shqiptarët si komb do të jemi asgjë në asgjë”.  Me keqardhje duhet thënë se pikëpamjet e mësipërme ishin krejtësisht anakronike, sepse shqiptarët nuk luftonin për ta shkombëtarizuar popullin e vet; se për kënd luftonin e çka synonin dëshmojnë vendimet e Konferencës së Bujanit. Megjithëse bashkëpunimi me komunistët shqiptarë për Lëvizjen ishte i papranueshëm, duke marrë qëndrim se “Njësitë e saj të armatosura nuk duhet të përplasen në asnjë mënyrë me Nacionalçlirimtaren”, dëshmon se ajo ishte kundërshtare e vendosur e vëllavrasjes. NDSH nuk donte të dëgjonte për “Lidhjen e dytë të Prizrenit”, sepse ishte marionetë e Gjermanisë Naziste, e cila tanimë e kishte marrë tatëpjetën. Prandaj alternativa më e pranueshme ishte: “… orientimi i Lëvizjes sonë nga anglo-amerikanët është rrrugë e drejtë dhe shpëtimtare për popullin shqiptar në përgjithësi.”   Por nuk mungoi shqetësimi se ofertën nuk do ta pranojë patjetër “sepse anglo-amerikanët as nuk do të na e pranojnë Konferencën e Bujanit… sepse nuk na e kanë pranuar as edhe atë të famshmen e Ymer Prizrenit…” 

Për skepticizmin e sapotheksuar mjafton vetëm pyetja: E dinte ajo pjesë e udhëheqjes së Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, që përpiqej për ta gjetur rrugën se “jo më pak se dy vjet më parë pranë Shtabit të UNÇSH-së ishin të vendosura misionet politiko-ushtarake anglo-amerikane?!”  Duke iu referuar Nacionalçlirimtares dhe Konferencës së Bujanit “binin në kundërshtim me vetveten me akuzat që ua adresonin “dy” Shqipërive – Bregdetares dhe Kontinentales… Po për ç’arsye ankoheshin se nuk do të pranohej as Lidhja e Dytë, ajo marionetë e Nazizmit të cilën edhe vetë e vlerësuan si të tillë.”

Drejtuesit e organizatave: Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Kadri Halimi dhe Ali Aliu

Më në fund, ajo pjesë e Organizatës u përcaktua për dy alternativat më të pështira: “T’i zgjatet dora Xhafer Devës – asaj mbeturine antikombëtare: jo t’i bashkangjitemi… por të na bashkangjitet… qoftë edhe të na prijë, por anglezët nuk do të pajtohen. Atëherë e vetmja shpresë për neve në Kosovë mbetet ndërhyrja e Mbretit Ahmet Zogu te anglezët, për ta kuptuar se do të jemi lojalë ndaj Lartëmadhërisë së tij.”  Me keqardhje të madhe pohoj se çdo koment për të mësipërmet është i tepërt. Në atë “konsultë” shkëmbyen mendimet Ferat Draga, Halim Spahia dhe Ymer Berisha, i cili, ndër të tjera, pat theksuar se “… çështja jonë kombëtare është vënë me fajin tonë në kurthë, në gërshërë, me vetë sjelljet tona politike… ”. Mendoj se në autokritikën e atij atdhetari është shprehur një pjesë e pakontestueshme e realitetit tonë politik nga vitet kur ai vepronte e deri në ditët tona.

Veprimtaria e NDSH-së është pjesë e pamohueshme e përpjekjeve të popullit tonë për t’i realizuar aspiratat tona kombëtare. Prandaj, jo vetëm pikëpamjet, por edhe veprimet e paqëndrueshme, disa nga të cilat u cekën më lart, i konsiderojmë edhe si fryt i rrethanave të vështira, në të cilat gjendej kombi ynë në vitet e atij udhëkryqi historik përmasash ndërkombëtare. Ndërkaq, me sakrificat sublime të anëtarëve të saj për lirinë e atdheut u shndërruan në gurrë frymëzimi për të tjerët, sepse edhe ajo luftoi, si diti e sa mundi, kundër Serbisë, prandaj meriton më shumë se ata 15 rreshta që iu kushtuan, qoftë edhe në  një vepër përgjithësuese, siç është Historia e Popullit Shqiptar, vëllimi i IV, i botuar në Tiranë në vitin 2008.

2. Se ajo u shndërrua në gurrë frymëzimi, dëshmon fakti se në vitin 1957 u formua organizata “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare” nga atdhetari i paepur Metush Krasniqi. Si për të mësipërmen, do t’i kapërcej jo vetëm formimin dhe strukturën organizative, por edhe veprimtarinë, programin po se po, sepse është shprehur përmes emrit të saj. Po i kapërcej, sepse, së pari, nuk është vendi  dhe, së dyti, janë trajtuar në veprat e dy autorëve të cekur më lart.  Pra, nuk dua të përsëris asgjë, që nuk është e arsyeshme. Por dua të theksoj se organizata, ndonëse jetëshkurtër – themeluesi dhe bashkëveprimtarët burgosen pas një viti – ishte alarm për pushtuesin e kushtrim për shqiptarët që të vazhdojnë rrugën për çlirimin e trojeve të robëruara.

3. Atij kushtrimi iu përgjigjen atdhetarët e njohur Ali Aliu dhe Kadri Halimi me të vëllanë Ramadanin, i cili njihej edhe me mbiemrin Hoxha duke vendosur që “… në majin e vitit 1960 ta themelojnë organizatën “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë.”  Për të qenë sa më konciz, po i referohem njërit nga themeluesit e saj: “Për shkak të konspiracionit, Organizata nuk kishte ndonjë statut të shkruar dhe as Programin nuk e kishte hedhur në letër. Thelbi i Programit të saj ishte çlirimi dhe bashkimi kombëtar.”  

Formimi dhe zhvillimi i veprimtarisë së kësaj Organizate pa dy dokumentet bazë, mund të thuhet se përbën një sui generis në Lëvizjen tonë Ilegale. Arsyetimi për këtë lloj veprimi ishte, sipas themeluesve, përpjekja që të mos dekonspirohen edhe me fakte, pasi thekson se “organizata nuk kishte karakter ideologjik.”  Kadri Halimi në fejtonin “Shkëndijë e lirisë” e ka pasqyruar në vija të përgjithshme veprimtarinë e organizatës bashkë me emrat dhe mbiemrat e anëtarëve të saj, pa lënë anash as datën – 25 janar 1961 – kur kishin filluar arrestimet e para. Siç po shihet, edhe kjo organizatë ishte jetëshkurtër, por veprimtarinë e pati të admirueshme.

4. Me formimin e organizatës “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” në shtatorin e vitit 1963 nga Adem Demaçi, ringritja hyri në ata binarë, nga të cilët do të dalë vetëm me armë në duart e gueriljes së UÇK – së. Në Programin e saj thuhet: “… qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes është ÇLIRIMI i krahinave shqiptare të aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimi me nanën e vet Shqipninë.”  As në këtë rast nuk po e thyej “rregullin”, pra nuk po ndalem në strukturën organizative, shtrirjen e saj anekënd Kosovës, as të veprimtarët e saj të pathyeshëm. Por, po theksoj se edhe kjo, si dy pararendëset, rezultoi  jetëshkurtër. Po, si të mos ishte e tillë, kur vetëm pak muaj pas konstituimit të saj, në Kosovë valoi Flamuri i Skënderbeut . Por “jetëshkurtrat” nga alarmi ishin shndërruar në tmerr për pushtuesin, i cili nuk ishte i sigurt se edhe pas gjashtë muajve mund t’i dëgjohej zëri ndonjë tjetre.

5. Siç dihet, Naim Frashëri e shkroi “Himnin”e trojeve kombëtare “O Malet e Shqipërisë…”, por nga korriku i trembëdhjetës gjysma e tyre sërish nën kthetrat e pushtuesve, shqiptarët kishin kujt t’i drejtoheshin: “Shqipëri oj nëna ime…”. Pra, nënë e bijë – një gjak, një gjuhë e një truall.  Poeti ia pat lënë edhe një porosi kombit: “Vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjerë”, prandaj i këndoi edhe shkollës së parë shqipe. Në poemën “Histori e Skënderbeut” poeti i këndoi edhe armës. Me këta rreshta, në cilësinë e një “preambule”, po i shfletoj dy faqet e tjera të piramidës për t’i bashkuar me të parën dhe për të vazhduar me të triat paralelisht.

Meqë udhëheqja e Kosovës mendonte se detyra e parë që duhej ta realizonte ishte ndërtimi i sistemit arsimor në gjuhën shqipe, Fadil Hoxha e Zekirja Rexha trokitën në dyert e Shqipërisë nënë. Pasi kërkesa për 200 mësues e libra u miratua sa çel e mbyll sytë, dy vëllezërit “hoxhallarë” i analizuan rrethanat politike në Kosovë, në Shqipëri e përtej tyre .  Ai kontigjent i betonoi bazat e arsimit shqip në Kosovë: “Me punën e bërë  ata sollën një frymë të re në shkollën shqipe në Kosovë, sollën frymën kombëtare në edukatë dhe në arsim, e cila u përcoll nga një gjeneratë në tjetrën.”  Siç do të shihet, ky ishte vetëm preludi i ndihmës, i mbështetjes, por edhe i mbrojtjes që nëna i bënte së bijës.

Meqë monarku i Beogradit nuk iu përkul kreut të hemisferës komuniste në rrafshin ideologjik, politik, prandaj edhe shtetëror, u shpall renegat. Edhe Shqipëria, si të tjerat, ia ktheu shpinën fqinjit, më së paku dinak. “Me mbylljen e kufirit, 700 mësuesit, që i vunë bazat e arsimit kombëtar në Kosovë, u detyruan të largohen. Pasojat qenë të mëdha: jo më pak se në 260 shkolla u ndërpre procesi arsimor.”  Megjithatë, arsimi në gjuhën shqipe në Kosovë jo vetëm që i mbijetoi vështirësitë e represionit rankoviqisto-titist, i cili në një rast e mori përgjigjen e duhur nga njëri prej udhëheqësve politikë të Kosovës, i cili pat thënë: “Shkollën shqipe nuk na e fali askush, se ne me gjak e fituam dhe po qe nevoja me gjak do ta mbrojmë.”  Ajo shënoi të arritura që dikur as që mund të imagjinoheshin. Mund të thuhet kështu, sepse më 1945 popullsia shqiptare e Kosovës ishte më tepër se 90 % analfabete, e në vitin 1960 hapet fakulteti i parë në Prishtinë…

Se ç’rreziqe shihnin shovinistët serbë-malazez nga shkolla shqipe, dëshmon një dialog midis një operativisti të UDB-së dhe një kolonisti, i cili kishte marrë përmasat e një teme të përditshme, por unë e kam dëgjuar nga babai i Zenun Gjocajt, njëri nga vëllezërit e nënës sime. Dialogun po e parafrazoj: ndonjë vit pas përfundimit të aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve, i pari i kishte thënë të dytit: Ua morëm pushkët shqiptarëve, por kolonisti, kushedi i sati ishte i vendosur në Junik dhe në fshatra të tjerë, madje edhe në vendlindjen e poetit Dinë Mehmeti, e kishte “nokautuar” bashkëbiseduesin me përgjigjen: Pushkët ua morët, por ua dhatë topat. Ç’topa u kemi dhënë- ishte pyetja e udbashit. Ua keni hapur shkollat, ishte përgjigjja e kolonistit. Daja na thoshte keni dashtë shkollë (me Zenunin sapo ishim ulur në bankat e Gjimnazit të Pejës), mësoni se përndryshe keni me met’ me sy mbyllun, e kush hajr nuk do t’ju sheh. Vatrën arsimore, që sapo e ceka, nuk mund ta kapërcej pa tre a katër rreshta. Nuk mund të thuhet se ishin të vetmit, por për ngritjen e vetëdijes kombëtare te nxënësit dalloheshin qartë Riza Bicaj – profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe Rexhep Podrimaj, profesor i historisë . Këtu nuk mund të mos theksoj se vdekja tragjike e Isës, të cilin e pata shok klase katër vjet në Gjimnaz, më tronditi thellë, ndonëse dhembjen e ndaja me shokët e burgut në Nish… Ç’është e vërteta, me lajme të kobshme ishim mësuar që nga janari i vitit 1982.

6. Tani duhet të kthehem një dekadë pas. Duke llogaritur se popujt e Jugosllavisë mund të ngrihen në kryengritje kundër udhëheqjes së vendit për qëndrimin e cekur më lart, Enver Hoxha i dërgoi një letër KQPKBS (Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik), në të cilën e sqaron se si do të sillet populli shqiptar në ato rrethana: “… Kyqi për zhvillimin me sukses të luftës në Kosovë… qëndron në bashkimin e tyre me Shqipërinë. Kurrëfarë zgjidhjeje tjetër popullsia shqiptare e Kosovës nuk dëshiron të pranojë, dhe çdo zgjidhje tjetër ajo e quan të padrejtë, të padrejtë e quajmë atë edhe ne.”  Letra mbyllet vetëm me disa rreshta para citatit, të cilit para se t’i kthehem me dy-tri fjali, i shoh të arsyeshme disa të tjera, duke filluar me faqen e parë. Sikurse  në veprat e mirëfillta historike, udhëheqësi i Shqipërisë, për padrejtësitë që iu bënë popullit shqiptar, i akuzon Fuqitë e Mëdha, respektivisht “Koncertet Evropiane”, siç i quan Arben Puto, kongrese e konferenca, duke filluar nga ai i Berlinit, ku trojet shqiptare u copëtuan e u ricopëtuan. Ndërkaq, pjesa më e madhe u kushtohet rrethanave, në të cilat u gjet kombi shqiptar gjatë LDB-së, respektivisht qëndrimet antishqiptare të PKJ-së, gjatë dhe pas luftës. Enver Hoxha i qaset edhe bisedës që e pati me Titon në Beograd për Kosovën. “…Titoja më pyeti ç’mendoja unë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Heshta një moment për t’i përmbledhur në mënyrë sa më koncize e të plotë pikëpamjet tona për këtë problem të rëndësishëm…”

 Ai dialog për të interesuarit është i njohur, prandaj nuk po zgjatem. Pra, përmes letrës njoftohej njëra nga siperfuqitë botërore të kohës se çështja shqiptare nuk është zgjidhur; se zgjidhja e vetme e pranueshme është bashkimi i kombit shqiptar në trojet e veta etnike. Ajo është edhe preludi i akuzave që Shqipëria ia adresoi Jugosllavisë njëzet vjet rresht, për padrejtësitë që arrinin në përmasat e terrorit ndaj gjysmës së kombit shqiptar, që jetonte në trojet e veta po brenda kufijve të saj.

Shkarkimi i Aleksandër Rankoviqit nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore në korrikun e ’66-s nuk mund të mos reflektohej edhe në Kosovë në kuptimin e shpresës se kalvari që e përjetoi dy dekada pas “çlirimit” nuk do të përsëritej; megjithëse hisen e vet e kishte edhe monarku, i cili, përveç të tjerave, me dorën e vet e pat nënshkruar marrëveshjen me zyrtarin turk për shpërnguljen e mijëra shqiptarëve për në Anadoll.  Nëntë muaj pas “identifikimit” të fajtorit në Brione, Tito e vizitoi Kosovën në  cilësinë e “shpëtimtarit”. Dramën në bregdetin kroat, bashkë me vizitën e regjisorit të saj,Shqipëria nuk e kapërceu në heshtje, por nuk do të ndalem rreth saj, sepse është e njohur.

7. E ’68-ta hyri në historinë e shqiptarëve si një vit kthese përmasash historike. Aty u bashkuan tri faqet e piramidës, majën e së cilës e kemi identifikuar më lart. I bashkoi Kryeheroi kombëtar në 500-vjetorin e shkuarjes së tij në amshim. Ndihma e njerëzve të papërsëritshëm është e përjetshme. Tani radhën e ka kalendari. Në manifestimet e organizuara në Shqipëri për të shënuar përvjetorin jubilar mori pjesë edhe një grup profesorësh nga Kosova. Derisa në Konferencën Shkencore, që u mbajt në Tiranë e thanë fjalën e tyre, në Krujë, ku u zhvillua edhe një pjesë e manifestimeve, vetëm dëgjuan. Kë? Udhëheqësin e Shqipërisë? Jo, udhëheqësin e të gjithë atyre që e quanin veten shqiptarë: “… jemi shumë të gëzuar që iu kemi këtu midis nesh, me rastin e Jubileut të stërgjyshit tonë të madh e të përbashkët, Skënderbeut. Ai është yni dhe juaji… ne ju përshëndesim ju si përfaqësuesit e inteligjencies kosovare dhe si bij të asaj pjese heroike të popullit shqiptar që ne e duam shumë. Ju jeni shqiptarë dhe ne jemi shqiptarë, jemi pra një popull. Qiejt mund të rrëzohen, por e vërteta që ju jeni vëllezërit tanë e që ne jemi vëllezërit tuaj, pse kemi një mëmëdhe, një atdhe nuk lëviz… nuk ka forcë në botë që ta ndalojë popullin shqiptar të rrojë i bashkuar, i lirë e sovran…”. Pasi u flet për bisedën e tij me Titon në Beograd për Kosovën, në korrikun e ’46-s, përveç të tjerave, thekson : “Ju keni kërkuar ndihma nga ne në lëmin e kulturës e të arsimit. Ne e kemi për detyrë  t’ju ndihmojmë. Shqipëria duhet të bëjë sakrifica për kosovarët dhe sa më shumë t’ju ndihmojmë, aq do të themi se është pak…”  Rreshtave të cituar mund t’u shtojë dikush diçka? Askush, as pikë, as presje… as të tjerëve, që po i kapërcej. Bisedën vëllazërore e mbylli me mendimin “Një gjë është e sigurt dhe do të ngjasë, këto që thashë unë ata do t’i përhapin në Kosovë, kjo do të jetë pozitive” Po e citoj edhe verifikimin “… Vërtet, ashtu ndodhi. Fjalët e Enver Hoxhës shkuan veshë me veshë në çdo vatër shqiptare.

7.1.  Janarit me ngrica i shkoi pas me gjelbërimin e vet prilli në ato dy ditët e tij, në të cilat i filloi dhe i përfundoi punimet Konsulta gjuhësore e Prishtinës. Në atë mbledhje, përfaqësuesit e të gjitha viseve shqiptare jashtë kufijve të shtetit amë do të përcaktoheshin për “Projektin e rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, të cilin Tirana ia kishte dërguar Prishtinës në vjeshtën e ’67-s.  Përveç profesor Idriz Ajetit, i cili, siç do të shihet më poshtë, do të jetë njëri nga zotdalësit më të përbetuar të njësimit të gjuhës letrare shqipe, kahun punimeve të Konsultës ia dhanë edhe Fehmi Agani, në cilësinë e drejtorit të Institutit Albanologjik, i cili, në fjalën e tij, ndër të tjera, theksoi: “Detyra që kemi asht  e madhe, misioni ynë asht i rëndësishëm…” dhe profesor Ali Hadri me diskutimin strumbullar i të cilit ishte motoja “Një komb-një gjuhë letrare.” Meqë Konkluzionet e Konsultës gjuhësore u hartuan në gjuhën letrare në bazë të projektit, në një nga vendimet e saj ishte rekomandimi për institucionet kulturore, arsimore e shkencore që të përgatiten për ta vënë në jetë sa më parë vendimin e saj. 

Se Konsulta ishte organizuar me pajtimin e organeve politike të Kosovës dëshmon fakti se një përfaqësues i tyre i përcolli  punimet. Ndërkaq, edhe prijësi i LNÇ-së në Kosovë dhe udhëheqësi i saj politik nëpër disa dekada u uroi punë të mbarë të gjithëve përmes delegacionit të asaj mbledhjeje përmasash historike, të cilin e pat pritur sapo ajo kishte mbyllur punimet. Konsulta me vendimet e saj ia dha dritën e gjelbër Kongresit të Drejtshkrimit , që do të organizohej në përmasa gjithëkombëtare, i cili e përuroi njësimin e gjuhës sonë letrare.

Se Konsulta ishte ngjarje e karakterit shkencor e kulturor e dëshmuan dekadat; se ishte ngjarje e karakterit politik, respektivisht kombëtar e dëshmoi ulërima antishqiptare e Serbisë, e cila nuk kishte faj, sepse ajo, si e verbuar ndaj kauzës sonë kombëtare, ende vazhdonte të shihte ëndrra se shqiptarët do të ndaheshin vetë me kufi Shkumbinin , në njërin breg të të cilit perëndonte gegërishtja e në tjetrin lindte toskërishtja. Konsulta atë ëndërr ua palosi në arkivol dhe i porositi që ta varrosin në Kalemegdan. Prandaj, klithjet e Serbisë nuk ishin kurrfarë befasie për shqiptarët.  Por, fatkeqësisht, siç do të shihet më poshtë, ëndrra e tyre nuk kishte qenë krejtësisht iluzion…

7.2. Tri javë pas Konsultës, Kosova e nderoi Kryeheroin kombëtar, jo vetëm me organizimin e Simpoziumit, por edhe me një varg aktivitetesh kulturore, në të cilat mori pjesë edhe një delegacion nga Shqipëria. Në përpjekje për t’iu organizuar pritje e përcjellje vëllazërore, përveç të tjerave, iu mundësua  që t’i vizitojnë edhe disa qytete të tjera të Kosovës. Pasi i kryem orët e mësimit, Ismail Haradinaj, të cilin e njoha para tetë muajve, kur fillova të punoj në tetëvjeçaren “Drita” në Gramaçel, më tha, po e parafrazoj: A shkojmë në Gjakovë, duke shtuar se edhe nëse nuk i shohim nga afër ia vlen. U pajtova. Ndërkaq, dyshimi i tij rezultoi i saktë. Nga afër jo se jo, por edhe nga larg vetëm pjesërisht, sepse masa nuk pyeste. Megjithatë, e vërenim atë që qytetarëve u shpërndante distinktivë… Atmosfera ishte tepër emocionuese, populli e zbrazte mallin e dekadave. Ato ditë Kosova kishte festë.

7.3. Në debatin që u zhvillua në muajin e fundit të pranverës së vitit 1968, për ndryshimet kushtetuese, shqiptarët patën kërkuar statusin e Republikës për Kosovën, por pala serbo-malazeze e kundërshtoi vendosmërisht propozimin. Marrëdhëniet ndërnacionale, ndonëse të acaruara për shkak të ngjarjeve të zhvilluara para e pas festës së një majit, u tensionuan edhe më tepër. Prandaj, baza u detyrua që lëndën t’ia dërgojë qendrës – Komitetit Krahinor të LKJ-së, e cila u barrikadua  në rrafshin nacional… Arbitri në Beograd kërkesën për Republikë e refuzoi pa kurrfarë hezitimi.

Pavarësisht se u ndalën, shqiptarët, patën thënë diçka, që e kuptonin mirë edhe Republika edhe Federata. E kuptonin se shqiptarët po e dinë që të drejtat e tyre po u nëpërkëmben. Prandaj, mendojmë se Republika, që u kërkua në rrugë institucionale, e kishte rëndësinë e vet në kornizën e marrëveshjeve politike nga të cilat rezultoi Kushtetuta e vitit 1974. Por rëndësinë e legjitimoi rinia e Kosovës, në duart e së cilës valoi flamuri i Republikës, pasi nismëtarët e patën mbështjell pas shtizës. Këtu do të kthehem prapë.

7.4. E ’68-ta hyri në historinë e Evropës me demonstratat, që u zhvilluan në disa shtete të saj, duke përfshirë edhe Jugosllavinë dhe me pushtimin e Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, po me siglën e Traktatit të Varshavës. Po i qasem segmentit të parë për të theksuar se ndonjë mendim i shprehur që “evropianet, pra, edhe jugosllavet” kanë pasur një ndikim të konsiderueshëm në shpërthimin e demonstratave në Kosovë, nuk qëndron, sepse, pavarësisht nga fakti se kërkesa e të gjithave ishte ndryshimi, po pikërisht ai ndryshim ishte i ndryshëm.  Prandaj, influenca e tyre mund të llogaritet e një përmase tejet të zbehtë. Meqë demonstratave në Kosovë do t’u kthehem më poshtë, po vazhdoj me të dytën.

Pushtimi i Çekosllovakisë shkaktoi tronditje politike dhe ushtarake edhe në Ballkanin heterogjen, në të dy aspektet. Shqetësimi se mund të ishin në shënjestrën e Kremlinit për t’i “dekoruar” si Pragën për rebelimet e tyre të veçanta, Beogradi dhe Tirana e konfirmuan publikisht ndihmën reciproke. Siç dihet, e dyta shkoi edhe një hap më tej, duke i thënë edhe de jure lamtumirë Traktatit të Varshavës se de fakto i kishte thënë në Moskë, në nëntorin e vitit 1960 me qëndrimin që mbajti në Mbledhjen e  Partive Komuniste e Punëtore për të cilën është thënë: “Në këtë rast, Enver Hoxha me të vërtetë arriti që t’i bënte vend vetes dhe Shqipërisë në hartën e botës” , dhe pas një viti kur e përcolli njëherë e përgjithmonë nga baza ushtarake e Vlorës…

Ndër studiuesit shqiptarë, të cilët e kanë trajtuar këtë çështje, është edhe Lisen Bashkurti,i cili, pasi thekson se rrethanat politike dhe ushtarake ishin të favorshme për t’u marrë vendimi, nuk ngurron të pohojë se “sipas burimeve indirekte, diplomacia shqiptare pati bisedime edhe me diplomatë të lartë amerikanë në vitin 1968. Bisedime konspirative për daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës u bënë në Turqi.”  Sipas tij, thelbi i atyre bisedimeve paska qenë garancia që shteti shqiptar e kërkonte nga Perëndimi, nëse Bashkimi Sovjetik do ta kërcënonte pas vendimit që do të merrej. Studiuesi thekson se “sipas burimeve të tërthorta, pala negociuese e kishte pranuar kërkesën e Shqipërisë.  Rreth mendimit të studiuesit nuk mund të mos ndalem pak: Së pari, se akti i Shqipërisë ishte i mirëseardhur për Perëndimin është jashtë çdo diskutimi, por nuk thuhet asgjë se a i mjaftonte Perëndimit dalja nga Traktati i Varshavës për ta dhënë garancinë. Për të mos u zgjatur, nuk përjashtohet mundësia që ato burime indirekte e  të tërthorta mund të verifikohen ose të diskualifikohen nga burime të tjera të dorës së parë. Megjithatë, mendimi i autorit të veprës për aktin është i padiskutueshëm, prandaj po e  citoj: “Dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës në gusht të vitit 1968 ishte një nga aktet më të rëndësishme që pat hedhur politika shqiptare gjatë periudhës së luftës së ftohtë…

“Dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës shënon pikën kulmore të diplomacisë së Enver Hoxhës gjatë dyzetepesë vjetëve të sundimit të tij, pikë në të cilën elementët kombëtarë i dominuan ata ideologjikë.” Por, mendimi i autorit në rreshta pas të cituarve se udhëheqësi i Shqipërisë nuk paska qenë gjithmonë konsekuent është, më së paku, i pasaktë. Se për Enver Hoxhën kauza kombëtare ka qenë alfa dhe omega e veprimtarisë politike dhe ushtarake nga vitet kur i printe LNÇ-së e deri në prillin e vitit 1985, dëshmojnë një mal faktesh të pakontestueshme, për të gjithë ata që i gjykojnë objektivisht.

7.5. Pas nënës, pjesë e ’68-s evropiane u bë edhe bija, sepse për demonstratat e organizuara në vjeshtën e atij viti shkroi shtypi i të dy blloqeve ushtarake, rreth opinionit të të cilave këtu nuk mund të ndalem. Megjithatë, po theksoj se, përveç atyre, që mund të quhen irracionale, nuk mungonin as ato për të cilat nuk mund të thuhet se u mungonte qasja objektive, megjithëse burimi i të gjithave ishte propaganda antishqiptare e Beogradit. Meqë ato ngjarje, siç është bërë zakon të quhen në këtë rast, do t’i rezymoj, por lexuesin po e orientoj edhe në aspektin referencial: Dy vëllimet e botuara deri tash (2020) me titull të përbashkët – Demonstratat e vitit 1968 – Kumtesa të lexuara në Konferencën Shkencore, me rastin e dyzetvjetorit të organizimit të tyre, Prishtinë, 2018.

Demonstratat i organizoi Lëvizja ilegale në krye të atij çerekshekulli të veprimtarisë, duke ia bërë me dije pushtuesit se nuk do të ndalet derisa populli shqiptar t’i realizojë aspiratat kombëtare. Kërkesa Kosova Republikë ishte strumbullari i të tjerave si Universitet, Kushtetutë e vetëvendosje. Flakadani i tyre u ndez më 6 tetor në Prizren, për të vazhduar nëpër qytete të tjera të Rrafshit të Dukagjinit, respektivisht anekënd Kosovës dhe për të kulmuar më 27 nëntor në Prishtinë, ku ra dëshmor nxënësi Murat Mehmeti.  Bartësit kryesorë ishin nxënës e studentë, pra të rinj e të reja, po nuk kanë munguar as pjesëtarë të shtresave të tjera shoqërore, as të moshës së pjekur. Këtu mendoj se duhet shtuar, siç e kemi thënë vazhdimisht, kësaj historie i kanë dhënë jetë organizatat ilegale, e ato patën heronjtë e vet, një nga më të paharruarit, Fazli Grejqevcin, mësuesin e heroit të madh të UÇK -së, Fehmi Lladrovcin. Ky, pra Fehmiu më pat shprehur konsideratën e tij të jashtëzakonshme për mësuesin tashmë hero, tre vjet para se të fillonte lufta, në Gjermani, ku vepronim bashkë. Nga aty, si kalorësit e historisë, u kthye për të ndjekur rrugën e mësuesit dhe për ta çuar deri në fund amanetin tij… Në dhjetor u organizuan demonstrata edhe në Tetovë e Ulqin, domethënia e të cilave ishte e qartë. Bilanci: dhjetëra të plagosur e të lënduar e më shumë të arrestuar e të dënuar…

Vjeshta e ’68-s dëshmoi se vetëdija e rinisë ishte ngritur në shkallë të lakmueshme dhe ajo ishte arritur në bankat e shkollave të mesme e të fakulteteve, institucione këto që me gjithë “kujdesin” e aparatit rankoviqist arritën që ta kryejnë detyrën ndaj atdheut. Ata që e kërkuan republikën deri te monarku u dorëzuan… Sikur ta dinin, po edhe sikur ta kishin ditur, nuk do të guxonin t’i referoheshin tezës së Leninit “Dy hapa para, një prapa”, për të cilin studiuesi Ukshin Hoti më 1991 shkroi se mendimet e tij “nuk guxuan t’ia mohonin as mendjet më të ndritura të kundërshtarëve më të mëdhenj të tij, por tani në Prishtinë ia mohojnë ca gazetarucë – fodullë duke kujtuar se koha ecën prapa e jo përpara.”

Beogradi, në radhë të parë udhëheqja e Serbisë reagoi ndaj demonstratave duke i quajtur nacionaliste, irredentiste dhe me epitete të tjera, që po i kapërcej, pa i lënë anash as institucionet e Kosovës. Ajo nuk u ndal aty -e kapërceu kufirin duke e akuzuar edhe Shqipërinë si frymëzuese, e cila ia ktheu përgjigjen flakë për flakë: ”Më kot titistët bërtasin se po ndërhyjmë ne. Jo, ky zjarr vatrën e ka brenda në vetë Kosovën. Zjarrin e ndezin patriotizmi i kosovarëve dhe kërkesat legjitime të tyre, zjarrin e nxitin shtypja dhe robëria titiste… Ata kanë luftuar, luftojnë dhe do të luftojnë për lirinë dhe të drejtat e tyre.”  Ndërkaq, Tito e ndërpreu grindjen me një fjali: “Nuk duhet të dramatizohen demonstratat në Kosovë”; sepse ai e kishte hartuar projektin, realizimi i të cilit kërkonte vite. Edhe Enver Hoxha e kishte përgatitur të vetin, prandaj marrëdhëniet vazhduan rrugën “normale”.

Vitin ’68, i cili e ndryshoi historinë e shqiptarëve në ato përmasa që para pak vitesh nuk mund të merreshin me mend, po dua ta mbyll me disa vargje:

Nga janari në dhjetor,

Nënë e bijë dorë më dorë,

Dorë më dorë nënë e bijë,

Duke shkruar histori.

Historinë e mëmëdheut,

Që nga koha e Skënderbeut,

Që nga koha e kryetrimit,

Për t’i bashkuar dy anët e Drinit.

Dy anët e Drinit për t’i bashkuar,

Sikur shqipen që e njësuan.

8. Me themelimin e Universitetit në Prishtinë filloi dekada, në të cilën nënë e bijë vazhduan rrugën e tyre për t’i realizuar aspiratat kombëtare. Bashkëpunimi në fushën e shkencës e të arsimit mori përmasa, që nuk mund të harrohen. Derisa në të ’45-ën Shqipëria ia dërgoi Kosovës 200 mësues, në vitet e asaj dekade – 1971 – 1981 në Universitetin e Prishtinës mbajtën ligjërata 250 profesorë.  Ndonjë nga emrat më poshtë, sepse po dua ta riprodhoj evokimin e një studiuesi: ”Tani JU dhe UNIVERSITETI e keni fjalën e bartni çështjen deri te synimet tuaja”. Prof. dr. Ali Hadri do të fillojë të lotojë, edhe Tahir Abdyli. Unë: “Shoku Fadil, për kë keni luftuar?” Fadili: “E kam filluar luftën e dyfishtë – kundër okupatorit nazifashist, kundër shtypjes, kolonizimit sllav dhe riokupimit të mundshëm jugosllav. Kam luftue për NANËN SHQIPNI, se për Jugosllavi një plumb nuk e kisha zbrazë”. “Na bëri të gjithëve të dënesim…”

I të njëjtave përmasa ishte edhe bashkëpunimi në fushën e kulturës.

8.1. Universiteti në Prishtinë, Akademia e Shkencave në Tiranë – nënë e bijë në vjeshtën e vitit 1972 i realizuan edhe dy maja, me të cilat krenohemi. Me Kuvendin e parë të studimeve ilire, i cili u mbajt në Tiranë nga 15-20 shtator 1972, shkenca shqiptare u bë pjesë e hartës së dijes evropiane. Para studiuesve të shquar ajo me fakte të padiskutueshme e argumentoi autoktoninë e popullit tonë në trojet ku jeton e si pasardhës i ilirëve. Me dy pararendëset e tij – Konferencën e Parë e të Dytë të studimeve albanologjike, qendra e tyre rrezatonte nga trojet shqiptare. E dyta, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe e sanksionoi njësimin e gjuhës letrare shqipe. Në atë tubim gjithëkombëtar u nderuan edhe rilindësit e ndritur, të cilët, krahas përpjekjeve për një alfabet të përbashkët, në shënjestër e kishin edhe njësimin e gjuhës.

8.2. Lexuesit i kam mbetur borxh disa rreshta për ëndrrën serbe, e cila do të mbetet gjithmonë e tillë, por nëpër këto tri dekadat e fundit, fatkeqësisht, janë shqiptarët që po ua mbajnë gjallë shpresën se ëndrrën e tyre do ta realizojmë ne. Kushtrimi u dha kur ra Muri i Berlinit: Antishqiptari, respektivisht serbofili Arshi Pipa në veprën “Politika gjuhësore në Shqipërinë socialiste”, botuar në gjuhën angleze, nuk kërkonte asgjë më pak se “… që ne të ndjekim modelin serbo-kroat, domethënë të ndahemi në dy gjuhë të veçanta, në dy kultura, rrjedhimisht edhe në dy kombe, siç u ndanë serbët dhe kroatët.”   Për atë renegat janë zero vargjet e famshme të Mjedës: “Gegë e Toskë, Malci jallia/ Janë nji komb, m’u da s’duron/ Fund e majë nji asht Shqipnia/ e nji gjuhë gjithë i bashkon.”  Për të ishte zero edhe pendimi i Fishtës, ndonëse në vitet e fundit të jetës së tij. “Poeti i Mrizit të Zanave ishte ulur në një tryezë poetësh dhe kishte pyetur për më të riun ndërmjet tyre – Po ky, kush asht? – Petro Marko, jam nga Dhermiu i Vlorës. – Mirë boll, të kam lexue… Vëreni këtu, shkruani në gjuhën e përbashkët. Mos boni gabimin që bana unë!…”

Për shkak të qëndrimeve më antikombëtare të mundshme që lexuesi i gjen në atë vepër pseudoshkencore, studiuesi i sapocekur thekson: “Jemi të detyruar të japim citime të gjata nga monografia “Politika gjuhësore …”, sepse çdo lexues ka të drejtë të revoltohet e të thotë: “Nuk është e mundur të ketë një shqiptar që të predikojë gjëra të tilla.”  Pra, lexuesi në veprën e cekur do të gjejë atë mal turpesh e gënjeshtrash, nga të cilat po e citoj vetëm një, që edhe në ditët tona “çon ujë në mullirin” e pushtuesit:  “…Nuk  kanë bërë mizori të pashembullta shovenistët serbë kundër shqiptarëve, por e kundërta.”  Nuk po zgjatem më tej se gjuhëtari Xhevat Lloshi ia pat dhënë përgjigjen që e meritonte. Ndërkaq, me gjithë vërejtjet e gjuhëtarit të respektuar rreth veprimtarisë së Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë për të cilat e fajëson prof. Kostallarin me konstatimin e tij se “Arshp Pipa dhe Androkli Kostallari janë të dy njësoj” nuk i bën nder aspak. Se nuk i bën nder aspak dëshmon dhe lexuesi do të bindet në saje të konsideratave të studiuesve të atyre 41 punimeve, në mesin e të cilave është edhe një i Xhevat Lloshit, për vendin që zë Androkli Kostallari në gjuhësinë shqiptare. Fara e hedhur nga Arshi Pipa gjatë atyre ditëve sa qëndroi në Shqipëri me “traktatin” nën sqetull dha fryte më tepër se ç’priteshin. Se përmendorja e identitetit kombëtar ishte në rrezik që të rrënohej po e ilustroj me një referencë: Porosia e Shaban Demirajt, atëherë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, për Idriz Ajetin: “Përshëndetma prof. Idriz Ajetin dhe thuaji: Në qoftë se Kosova nuk ngul këmbë që ta mbrojë gjuhën e njësuar letrare, ne ka mundësi që të bëhemi horrë dhe të kthehemi aty ku kemi qenë para 20 vjetësh”. Porosinë ia përcolla, thotë Sadri Fetiu, prof. Idrizit, i cili me bindje të plotë më tha se “kjo punë nuk bëhet kurrë…!”

Dhe, vërtet, nuk u bë, sepse edhe kësaj radhe bija e shpëtoi nënën edhe veten. Nuk u bë, sepse partizanët e rrënimit, jo të ndryshimit, proces të cilit Kongresi ia kishte lënë derën hapur, nuk sollën asnjëherë asnjë argument që mund të mbështetej shkencërisht. Nga më të bezdishmit, po e jap vetëm një: pas shkurtit të 2008-s Kosova shtet i pavarur e sovran duhet t’i kishte edhe atributet kryesore të shtetit – kombin kosovar dhe gjuhën kosovarishte. Por, nënë e bijë ua dhanë përgjigjen sikur herave të tjera me moton që e shqiptoi Ali Hadri në Konsultën Gjuhësore – “Një komb një gjuhë letrare.”

Më duhet të kthehem disa vite pas, sepse ngjarjet që u zhvilluan gjatë asaj dekade janë të ndërthurura. Në qiellin e saj nuk mungoi edhe ndonjë re; pikërisht në gjysmën e saj, një vit pasi kishte dalë nga burgu, Adem Demaçi me bashkëveprimtarë burgoset për të tretën herë. E, në anën tjetër, pikërisht në gjysmën e dekadës Titoja vizitoi Kosovën për të parë se me ç’ritem zhvillohej projekti i tij. Aq sa pa, iu duk se punët ecnin si sahati, prandaj i entuziazmoi parti e qeveri, por edhe Universitetin si strukturë teknike që puna të vazhdojë. U kthye i kënaqur në Dedinje.

Njëqindvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit korrespondon me dhjetëvjetorin e bashkëpunimit të Shqipërisë me Kosovën dhe me vise të tjera shqiptare, prandaj kremtimi i jubileut të emblemës historike nga më të ndritshme të shekullit të saj, ishte i përmasave të veçanta. Në Shqipëri, strumbullari i atij spektri manifestimesh  ishte Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në të cilën,  përveç se nga Kosova dhe nga viset të  tjera shqiptare, morën pjesë edhe studiues të shquar nga disa shtete evropiane, arbëreshët gjithashtu. Meqë këtu nuk mund t’i qasemi atij auditoriumi, po theksoj se ç’do të ndodhte me kombin shqiptar pa Lidhjen, e ka rezymuar  profesor Aleks Buda në referatin e tij: “… rrjedha e historisë mund të kishte qenë detyruar të merrte tjetër rrugë e të ç’bënte çka kishin ndërtuar vitet e shekujt… që rrezikoi ta shpinte popullin shqiptar në “pikën zero” të rrugës së tij… Trojet e tij do të ndaheshin si një “terra nullius” – një tokë e kurrkujt.”

Përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e shënoi edhe Kosova, prandaj ishte ftuar edhe një delegacion nga Shqipëria. Këshilli Organizativ i Simpoziumit, pasi i lexoi kumtesat e profesorëve të Shqipërisë, u tha se disa nga tekstet duhet të ndryshohen për shkak të përmbajtjes së tyre. Është për tu theksuar se deri në këtë konferencë kjo ngjarje historike për shqiptarët është quajtur “Lidhja e Prizrenit”. Nga kjo konferencë, merr cilësimin shqiptare, pra, Lidhja Shqiptare e Prizrenit.  

Grupi i profesorëve, jo që nuk e pranoi sugjerimin, por vendosi që të kthehej nga kishte ardhur. Prandaj, për të mësipërmet e lajmëroi udhëheqjen politike të Shqipërisë, e cila, përveç se të veprojnë ashtu siç kishin vendosur, pa ardhur në Tiranë, në Kukës t’i lexojnë kumtesat në mënyrë që populli shqiptar i Kosovës ta dëgjojë të vërtetën. Kur u njoftuan, urdhërdhënësit e Prishtinës u dorëzuan, të bindur se dëmi do të ishte shumë më i madh se sa të lexoheshin ato tekste “të diskutueshme.” 

Duke e bërë të paqenë atë ekces, nënë e bijë, së bashku shënuan përvjetorin e asaj ngjarjeje të lavdishme të së kaluarës sonë, ashtu qysh e meritonte ajo. Siç dihet, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, për brezat pas saj, ishte gurrë frymëzimi dhe jo vetëm kaq. Ajo ishte udhërrëfyesja, ishte busulla që kombin e pat quar në ditën e 28 Nëntorit të vitit 1912, po edhe në 29 Nëntorin e ’44-s. Ajo ishte gurrë frymëzimi, sidomos për gjysmën e kombit, nëpër dekadat e gjysmës së dytë të shek. 20, e përvjetori i saj jubilar ishte impulsi që populli shqiptar i Kosovës e i trojeve të tjera etnike që, më në fund, kur u poqën kushtet, t’i rrokë armët për çlirimin e vendit.

8.3. Se Adem Demaçi, pas  arrestimit të tretë, ishte shndërruar jo në gurrë frymëzimi, por në idhull për shqiptarët që jetonin në trojet e veta jashtë kufijve të shtetit amë, përveç të tjerave, më së miri e dëshmon fakti se në gjysmën e dytë të asaj dekade, në kuadrin e Lëvizjes ilegale u formuan, prandaj edhe e zhvilluan veprimtarinë e tyre edhe katër organizata: Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës, Fronti i Kuq Popullor, Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Partia Komuniste Marksiste – Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi. Si për pararendëset, as për të sapocekurat nuk do të ndalem as në strukturën organizative të tyre e aq më pak në veprimtarinë, përveç një episodi të Lëvizjes Nacional Çlirimtare… Këtu një parantezë të shkurtër e konsideroj të pashmangshme, sepse, për një lajthitje, që do ta vë në pah, jo vetëm autori i kapitullit, por edhe redaksia do të duhej të skuqeshin. Pas tablosë së veprimtarisë atdhetare të Adem Demaçit dhe Jusuf Gërvallës, e cila, më së paku mund të quhet e zbehtë, në faqen 360 të veprës Historia e Popullit Shqiptar IV, Tiranë, 2008, thuhet: “… Organizata tjetër ilegale quhet Fronti i Kuq Popullor dhe drejtohej nga një shkrimtar e gazetar i “Rilindjes” Jusuf Gërvalla, i cili veproi që nga viti 1980 në RF Gjermane.”  Pikëçuditja është e paktë: e para, Jusuf Gërvalla nuk ka qenë kurrë jo udhëheqës po as anëtar i asaj organizate. Se ishte anëtar e pastaj pjesë e udhëheqjes së Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi është e ditur dhe në fund konsiderohet edhe si udhëheqësi i saj. Se ishte anëtar i kësaj organizate është e dëshmuar: “E kam kërkuar Lëvizjen si i verbti sytë.”  Prandaj, veprimtarinë atdhetare e ka filluar në Kosovë. E, pas zbulimit të disa anëtarëve të Organizatës, siç do të shihet më poshtë, për të mos rënë në prangat e pushtuesit, në dhjetorin e vitit ’79 vendoset në Gjermani. Veprimtarinë kombëtare ia ndërpreu UDB-ja më 17 janar të vitit 1982 kur e vrau bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe njërin nga udhëheqësit e OMLK-së, Kadri Zekën.  

8.4. Në tetorin e ’79-s, Titoja, pas katër vjetësh e vizitoi Kosovën për të parë se në çfarë shkalle ishte realizuar projekti i tij. Ndryshe nga e ’75-ta kur u ngazëllye, prandaj edhe i nxiti, siç është thënë më lart, që të vazhdojnë, tani e pa se ai projekt i kishte rënë në ujë. Pas breshërisë në Prishtinë, i pezmatuar, u kthye në Beograd për të vazhduar me tjetrën në Karagjorgjevë: “… Të kujt janë ato krahina, pos të Republikës së Serbisë? Një politikë të tillë urgjentisht duhet ndërprerë.  Pra, të mos e përsëris, në Kosovë kanë importuar profesorë nga Tirana, të cilët kanë bërë thyerje historike në Prishtinë… Unë e di se kjo që po ndodh në Kosovë, nuk është vetëm veprimtari antijugosllave, por ky është edhe akt antishtetëror dhe këtë duhet ta ndalojmë me urgjencë… Po të ishte Bevc gjallë do ta kisha dërguar në Prishtinë, jo ta shuaj zjarrin, por ta shuaj stihinë e zjarrit, e cila e ka kapluar Kosovën.”  Askush s’i ka dëshmuar më mirë se vetë Titoja të  arriturat e bashkëpunimit Shqipëri – Kosovë.

LNÇKVSHJ Titon e pat pritur dhe e pat përcjellë ashtu siç e meritonte. Tagrin e pagoi: disa nga pjesëtarët e saj u arrestuan, Jusufi e ndonjë tjetër u arratisën, “hallkat” e karakterit organizativ ishin shkëputur. Prandaj, pas asaj veprimtarie gati katërvjeçare, e cila kulmoi në vjeshtën e ’79-s, mund të thuhet se ishte shpërbërë. Ndërkaq, Jusuf Gërvalla, ende pa u çlodhur  nga udhëtimi i mundimshëm në të gjitha aspektet, nuk u përmbajt pa e përjetësuar vizitën e Kralit në Kosovë. Prandaj, nuk mund ta kapërcej pa e cituar ndonjë fragment të atij punimi të papërsëritshëm. “…  Prandaj, që vinte sulltani në trojet e tyre, ata seç bluanin plane të turbullta, sikundër që ishin mësuar të mendonin edhe kur sulltani gjendej në selinë e vet të shenjtë, se ndryshe nuk dinin të mendonin kurrë. Kish ilaç sulltani edhe për këta:  litarin, burgun ose arratinë. Se ishin rebelë, dhe rebelët i kishte rëndë toka e perandorisë… Ky  rit mistik e i pashembullt u përsërit edhe në nëntorin e vitit të kaluar në Kosovë… Aha, Po! Po flitet se ke ardhur t’ua shtrëngosh edhe njëherë frerin vasalëve të tu… Pse disa shqiptarë po marrin guxim të mendojnë ndryshe, e jo si jugosllavë. Ç’të bëjnë edhe ata të shkretët, Fadili e Xhaviti’ Ata e kanë punën edhe më ngushtë:  Ti kërkon prej tyre të të binden vetë dhe t’i detyrojnë edhe të tjerët të të binden ty… Por ja që… s’po duan që s’po duan shqiptarët të mendojnë si ju… Po duan të bashkohen me vendin amë, me Nënën Shqipëri…”

Pasi ia përkujton krimet monstruoze, të cilat janë kryer mbi popullin shqiptar që jetonte në trojet e veta, por nën kthetrat e Perandorisë së tij, ia bën me dije të ardhmen e afërt me vargjet e Brehtit të famshëm: “Duke marrë parasysh se ju me siguri/ përveç gjuhës së topave tjetër nuk kuptoni, / kemi vendosur që grykat e tyre tani/ nga ju t’i drejtojmë që t’i shijoni.”  

Besoj se asnjërës nga tri faqet e piramidës, në kontekst të përmasës së punimit, s’i kam mbetur borxh. Ndërkaq, pyetjes së mundshme pse gjithë këto faqe këtu, po i përgjigjem me një konstatim të Ukshin Hotit: “Tema e serisë së artikujve, që ndodhet në duart e lexuesit, ka të bëjë me atë që nënkuptohet me “sot” dhe gjithsesi me atë që nënkuptohet “nesër”. Mirëpo as “sot” dhe as “nesër” nuk mund të kuptohen pa dje-në…”  

(VIJON)

© Pashtriku.org

____________________________

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (5) 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura