GJENERAL RRUSTEM BERISHA: ‘BARDHËSITË E ATDHEUT’- VEPRA MONUMENTALE E HISTORISË SONË KOMBËTARE

Prishtinë, 6 prill 2018: Shumë të nderuara Familje të Dëshmorëve, Invalidë dhe veteranë të luftës,
I nderuari Myfti i Kosovës, z. Tërnava,
Të nderuar staf akademik, profesorë, teologë, shkrimtarë dhe lexues,
Të nderuar dashamirës të librit Kolegë panelistë.
Më lejoni që në emrin e tij dhe timin ta përshëndesim këtë ngjararje promovomi dhe të shprehim gjithë konsideratën për librin, autorin dhe organizatiorin.
Kjo vepër që po e promovojmë ne sot është produkt i kronisti të luftës z. Afrim Mustafa, i cili me mund të madh ka arritur që 2225 dëshmorë të kombit t’i përjetësojë në një vepër kaq të madhe. Enciklopedia Kombëtare e autorit Afrim Mustafa është një vepër që bënë fjalë për dëshmorët e Kombit, e që pikërisht këta dëshmorë edhe Allahu në Kuranin famëlartë i ka përmendur, prandaj ky libër i tejkalon kufijtë e një libri të thjeshtë.

Zonja dhe zotërinj!
Sot kur në hapësirat shqiptare shënohet 5 Maji, i njohur si Dita e Dëshmorëve të Kombit dhe të Atdheut, edhe ne këtu jemi mbledhur ta përurojmë një nga veprat më të më dha të shkruara ndonjë herë nga penda shqipe, kushtuar pikërisht atyre bijave dhe bijve të Ushtrive Çlirimtare, që për ne flijuan jetët e tyre, u bënë fanar ndriçues në altarin e lirisë dhe përjetësisht u ngjitën majave të Bardhësisë së Atdheut, janë këto mijëra faqe të mbushura me dhembje dhe krenarisë ishin dikur mijëra kilometra rrugë lirie, në atë botë të mallkuar robërie.
Tani, brenda kësaj vepre të madhe, jo vetëm në peshë fizike ashtu të madhe, por në përmasa të përmbajtjes kombëtare, është pikërisht kjo vepër, që me të drejtë edhe nga të tjerë kritikë dhe lexues, por edhe nga vetë autori, është cilësuar si një Enciklopedi Gjithëkombëtare. Si e tillë, është një vepër që në vete ka renditur së murosuri kalanë e lirisë me mijëra jetë martirësh e dëshmorësh të ujitura me mijëra litra gjaku, pa të cilët liria sot, nuk dot mund të paramendohej.

 

Memorizimi i kujtesës për dalëzotësit e atdheut e kemi thënë edhe herë tjetër në ngjarje përkujtimesh dëshmorësh, por edhe në këtë ngjarje kushtuar kësaj vepre kaq ambicioze, në botimet në gjuhën shqipe, të bën të kuptosh një dimension të një bote krejtësisht tjetër, nga ku ata DËSHMORËT lundrojnë së jetuari në pavdekësi, duke qenë të gjallë dhe të pavdekur në përjetësi e të lartësuar e skalitur në piedestal dhe kujdestar të përhershëm të lirisë sonë.
Në kryeveprën e të gjitha veprave, e gjejmë formulimin universal – Kur’anor, ku i Lartësuari, Krijuesi ynë na përkufizon qartësisht liribërësit, përkatësisht flet për përmasat e ndërlidhura të dalëzotëse, për ngjizjen e lidhjes mes Atdheut dhe Zotit të tyre, duke na treguar, citoj: “Mos i mendoni të vdekur ata (Dëshmorët) që luftuan në rrugën e Zotit të tyre, ata janë të gjallë, por ju nuk e kuptoni gjallërinë e tyre.”
Në aspektin luftarak, lufta jonë çlirimtare për liri si një nga ngjarjet më sublime të historisë sonë, flet qartazi për përkushtimin dhe idealin e madh të dëshmorëve për liri. Ata, dëshmorët, ushtarë lirie, i shndritnin rreshtat dhe marshet tona drejt lirisë, atëherë çlirimtarë dhe sot dëshmues të gjurmëve të tyre, sikur shkëlqimi i diellit drejt tokës së vdekur nga dimri. Sot dhe nesër, ne të gjallët e vuajtjeve të panumërta, jetojmë vetëm mbi flijimin e tyre, nga ku ne po ndërtojmë të ardhmen tonë në liri, ose thënë ndryshe, pa luftën tonë të drejtë dhe të domosdoshme, dhe pa sakrificën dhe gjakun e tyre, ne akoma sot do të ishim të robëruar.
Përjetësimi i dëshmorëve në vepra të tilla kulmore të shkruara, siç është kjo e llojit të veçantë; “Bardhësitë e Atdheut”, e autorit Afrim Mustafa, dëshmon edhe një herë maksimën e popullit, citoj: “Kombi që nuk i harron bijtë e tij të rënë në luftë nuk ka vdekje kurrë “ , ndërsa“Kombi që i harron bijtë e tij të rënë në luftë nuk ka lindje kurrë”, ndryshe thënë, në kuptimin ekzistencial të substancës kombëtare, mund të konstatojmë se, nuk ekziston popull i lirë, i cili jeton në paqe pa heronjtë e tij…
Miq të librit dhe leximit të veçantë!
Materia në përmbledhje kaq voluminoze, tregon saktësisht seriozitetin mbi 12 vjeçar të punës së autorit Mustafa për të treguar peshën dhe vlerën e patjetërsueshme që kanë lënë dëshmorët e lirisë për historinë tonë të shumëpërvuajtur, por të lavdishme.
Në aspektin akademik, metodologjia e veprimit, në disa mijëra vizita të familjeve të dëshmorëve, biseda individuale, rrëfimet, intervistat, fotografitë, shkrimet publicistike, arkivat, grumbullimi, sistemimi, dhe në fund shkrimi autentik i kësaj kryevepre në kohëzgjatje hulumtuese shumëvjeçarë, me aplikimin e shumë metodave të grumbullimit të të dhënave kualitative, përbën një nga veprat më serioze të kësaj natyre të shkruara deri më tani në hapësirat mbarshqiptare.

Pasqyrimi real i kësaj materie, me tematikë martirësh e dëshmorësh, me një kronologji në të tri periudhat për çlirim, në këtë përmbledhje të jashtëzakonshme për shumësinë e masakrave dhe dëshmorët e tri Ushtrive Çlirimtare, pashkëputur të krijon imazhin e plotë të përmasave të lirisë, të një vepre tipike serioze shkencore, në aspektin e dokumentimit faktik të sublimimit historik të kombit, mbi të kuptuarit e të qenurit,i flijuar dhe flijimtarë për atdhe.
Zakonisht të tilla vepra të mëdha, siç është kjo“Bardhësitë e Atdheut”, që po e përurojmë sot, u dedikohen vetëm përkushtueseve të atdheut, dëshmorëve. Prandaj, ata dëshmorët pa asnjë dilemë janë pronarët e vetëm të lirisë, janë baballarët tanë dhe të vërtetit e luftës sonë të drejtë.
Audiencë e nderuar, Zonja dhe zotërinj!
Bardhësitë e Atdheut nuk u flijuan për veten e tyre, që ne vetëm t’u thurim, tekste këngësh, poezi, emra sheshesh, rrugë e shkolla, dhe vargje të bukura nga poetët dhe shfaqje aktorësh: Ata me vetëdije u flijuan për secilin prej nesh, për lirinë tonë, për dinjitetin tonë, kulturën tonë, dhe ne tani shumë më shumë se kurrë, na duhet t’i kujtojmë…
Lavdi e përjetshme gjakut të derdhur për liri
Lavdi të gjithë dëshmorëve të lirisë,
Faënderime dhe Respekt i thellë Autorit të Enciklopedisë Gjithkombëtare, “Bardhësitë e Atdheut” z. Afrim Mustafa !

________________________

P.SH. Ky vlerësim, shkruar nga gjenerali i UÇK-së, Rrustem Berisha është prezantuar para 350 pjesëmarrësve në Akademinë Promovuese të Enciklopedisë GjithKombëtare, “Bardhësitë e Atdheut”, organizuar dhe realizuar nga Bashkësia Islame e Republ;ikës së Kosovës dhe Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë. Solemniteti është mbajtur më date 5 Maj në sallën e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, ndërsa përveç gjeneralit Rrustem Berisha, për “ Bardhësitë e Atdheut”, referuan edhe: Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, mr. Naim Tërrnava, dr. Fahrush Rexhepi, dekan i Fakultetit të Stduimeve Islame dhe prof.dr. Agim Zogaj, historian dhe ligjërues universitar dhe mr. Bahri Gashi, publicist dhe veteran i UÇK-së.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura