PROF. ASOC. DR. VANGJEL KICI: SKANDAL QEVERITAR ME KONCESIONET E NAFTËS NË SHQIPËRI!

Kanada (Toronto) 17 prill 2018: Dhënia me koncesione i heq Shqipërisë më shumë se gjysmën e rezervave të naftës dhe të gazit. Pse ta bëjmë këtë, kur të gjithë naftën dhe gazin mund t’i zhvillojmë vet? Qeveria shqiptare firmos kontrata hidrokarbure të rreme, për gjoja kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Pas 2-3 vjetësh, i rifirmos këto kontrata, dhe kjo është skandaloze. Nga frika e Vetting-ut, qeveria po riparon (rifirmos) kontratat e rreme hidrokarbure, të firmosura në vitin 2015.
Gjatë regjimit monist, sektori shtetëror i naftës në Shqipëri u zhvillua në tërësi.
Pas vitit 1990, në sektorin e naftës u bënë privatizime. Vendburimet ekzistuese të naftës dhe të gazit u dhanë me koncesione (dorëzime) tek kompanitë e huaja. E gjithë Shqipëria, toka dhe deti, u nxorën në ankand (shitje në ankand) tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Pra, gjeologve shqiptarë iu hoq mundësia për të bërë kërkime nafte dhe gazi. Kjo politikë e mbrapshtë ekonomike vazhdon edhe sot, me qeverinë “Rama”. Kështu u hiqet perspektiva e zhvillimit ekonomik jo vetëm brezave të sotëm, por edhe brezave të ardhshëm, sepse nafta dhe gazi janë e vetmja pasuri, që mund ta zhvillojë ekonominë e Shqipërisë. Prandaj, naftën ta zhvillojnë vet shqiptarët. Të ndërpritet sa më parë dhënia me koncesione, sepse nesër, rishtetëzimi i tyre do të na kushtojë shumë miliarda dollarë, për shkak të gjobave. Nesër, rishtetëzimi do të ndodhë patjetër, sikurse ka ndodhur në shumë shtete të botës. Nëpërmjet kontratave të padrejta, kompanitë e huaja po e grabisin të gjithë naftën dhe gazin e Shqipërisë. Privatizimi i naftës në Shqipëri solli vetëm grabitje, papunësi dhe varfëri. Kështu ndodhi edhe në shumë shtete të tjera të botës. Prandaj, në vitet 1960, shumë shtete i prishën kontratat koncesionare dhe e shtetëzuan naftën, por me kosto të lartë, për shkak të gjobave. Pas vitit 2012, janë shtetëzuar 73% deri 95% e të gjithë rezervave botërore të naftës dhe të gazit, kurse qeveria shqiptare vepron në kundërshtim me botën. Koncesionet dhe privatizimet e naftës dhe të gazit bëhen në Shqipëri, që të realizohet kooperimi i qeveritarve me të huajt, për grabitjen e naftës dhe të gazit në bashkëpunim. Mbi të gjitha, qeveria shqiptare firmos kontrata hidrokarbure të rreme, me kompani fantazma, për gjoja kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Pas 2-3 vjetësh i rifirmos këto kontrata, dhe kjo është skandaloze.
Me rastin e inaugurimit të shpimit të pusit Shpirag-4, dhe të nënshkrimit të kontratës hidrokarbure për Bllokun 4, më 20 shkurt 2018, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë SHELL, kryeministri Rama mbajti një fjalim në Shpirag (Berat). Për këtë ngjarje, një ditë para u njoftua media në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. Fjalimin e plotë të kryeministrit nuk e kanë botuar gazetat në trojet shqiptare, por një gazetë e largët. Atë e ka botuar Gazeta Illyria, me titull: “Firmoset marrëveshja e qeverisë për hidrokarburet me SHELL-in në Shpirag”. Gazeta Illyria është shqiptaro-amerikane e Nju Jorkut. Më poshtë po japim disa pjesë të fjalimit, dhe komentet e autorit të këtij shkrimi.
Rama: “ E tillë është dhe rezerva e jashtëzakonshme me naftë, që besohet se fsheh nëntoka e Shpiragut, një rezervë që mund ta transformojë njëherë e përgjithmonë të ardhmen, jo vetëm të kësaj zone, por të krejt Shqipërisë. Prandaj, edhe dita e sotme është një ditë e shënuar në rrugën drejt të ardhmes”.
Këto rezerva nafte të Shpiragut, edhe sikur t’i merrte të gjitha vetëm Shqipëria, nuk janë aq të mëdha, sa të transformojnë të gjithë Shqipërinë. Kjo është ngopje me lugë bosh. Për më tepër, shteti shqiptar nga Shpiragu nuk do të marrë asnjë pikë nafte, por do të marrë vetëm rentën minerare (qiranë, d.m.th. “thërrimet”!). Këtë e deklaron më poshtë vet kryeministri. Me shprehjen e mësipërme, kryeministri kërkon të rrisë kot së koti shpresat e popullit tek marrëveshjet e qeverisë me kompaninë SHELL.Kjo kompani erdhi në Shqipëri para 20 vjetësh. Ajo u largua më 1997 dhe u rikthye përsëri gjatë viteve të fundit.
Rama: “Rikthimi i kompanisë SHELL tregon qartësisht se sot, ne me të drejtë jemi të gëzuar dhe shpresëplotë për të ardhmen e sektorit të naftës dhe të gazit në vendin tonë”.

Jo, nafta si pasuri shtetërore është shpresa, gëzimi dhe e ardhmja e vendit tonë. Shpresat populli i ka tek shteti (qeveria) dhe jo tek kompanitë e huaja grabitqare. Nuk i duam ato investime të huaja, që na sjellin vetëm grabitje dhe varfëri.
Rama: “Sikundër vetë miqtë-sepse jemi bërë miq, përgjatë një negociate shumë të gjatë, më shumë se dyvjeçare të kompanisë SHELL…”.
Këtu duhet shënuar se kontrata me SHELL, për Bllokun 4, është firmosur më 07 gusht 2015. Kontrata u firmos pasi u mbyllën negociatat (bisedimet) për kushtet (termat) e kontratës. Nuk firmoset kontrata pa u mbyllur negociatat. Pra, këto negociata rreth tre vjeçare, pas firmosjes së 07 gushtit 2015, janë një mashtrim i madh, sikurse edhe kjo rifirmosje e dytë e kontratës me kompaninë SHELL. Këtë të vërtetë e di i gjithë populli shqiptar, sidomos naftëtarët tanë, por ata heshtin, për shkak të diktaturës.
Rama: “Kjo marrëveshje është e rëndësishme për qeverinë shqiptare, sepse i transmeton publikut edhe një shprehje të vendosmërisë tonë për të ndryshuar qasjen në marrëdhëniet me kompanitë, që shfrytëzojnë burimet natyrore dhe përbën një ndarje nga koha kur buxheti i shtetit përfitonte prej tyre vetëm rentën minerare. Tanimë kemi një marrëveshje, që është një garanci e qartë dhe afatgjatë për përfitim reciprok, patjetër në interes të kompanisë, por edhe të popullit shqiptar”.
Nga kjo shprehje rezulton se, pas vitit 1990, nafta dhe gazi (dhe mineralet e ngurta) janë grabitur pothuajse plotësisht nga kompanitë e huaja. Të marrësh vetëm rentën (qiranë) minerare do të thotë të marrësh vetëm “thërrimet”! Kryesore është marrja e pjesës së naftës së fituar (rreth 70-90% e saj), kurse Shqipëria nuk merr asnjë pikë nafte. Pra, kontratat konçesionare të naftës janë plotësisht grabitqare, antishqiptare. Ato duhen anuluar. Ndërsa kontrata për Shpiragun është e vjetër (e firmosur para rreth 20 vjetësh). Pra, nga Shpiragu Shqipëria nuk do të marrë asnjë pikë nafte, por do të marrë vetëm rentën minerare, sepse kontrata e re është firmosur vetëm për Bllokun 4. Kjo kontratë është firmosur për kërkim dhe për shfrytëzim nafte, kurse shtetet e tjera i kanë të ndara. Flitet për kontrata të reja, me përfitime reciproke, afatgjata (25 vjeçare, me mundësi shtese). Pse kaq afatgjata? Që të grabitet e gjithë nafta? Gjeologu i famshëm irakian, Faruk Al Kasim, mendon se vendburimet e naftës shterojnë pas 30 vjetësh, kurse ato të gazit pas 50 vjetësh. Me metodat e sotme, SHELL gjatë 25-30 vjetve e thith të gjithë naftën tonë. Unë jam gjeolog, dhe e njoh situatën gjeologjike të Bllokut 4. Grupi im i gjeologve, në këtë Bllok, njeh prej kohësh një strukturë shumë të madhe dhe të cekët (gjatësi mbi 60 km), me shumë perspektivë për naftë dhe gaz. Për këtë kemi njoftuar ish kryeministrin Berisha (2011) dhe më vonë kryeministrin Rama (2014), por ata nuk treguan asnjë interes. Grupi kërkoi që këtë strukturë ta merrte vet shteti, sepse zbulimi dhe shfrytëzimi i naftës në këtë strukturë do të ishte me kosto të ulët. Për këtë shteti i kishte dhe i ka të gjitha mundësitë. Qeveria “Berisha”, dhe qeveria “Rama”, nuk e pranuan kërkesën tonë, sepse ato janë antishqiptare. Qysh nga vitet 2011- 2014, nafta në këtë strukturë do të ishte zbuluar dhe vendburimi do të ishte vënë në shfrytëzim. Shteti do të kishte të ardhura të mëdha, sepse 1 barrel naftë (~159 litra) sot (14 prill 2018) kushton 67.33 dollarë! Mirëqënia e popullit do të ishte përmirësuar. Do të hapeshin shumë fronte të reja pune…. Tani qeveria “Rama” ua dha të huajve (dhe vetes!) si dhuratë të madhe këtë strukturë gjigante naftë-gazmbajtëse. Nga ky zbulim, me kosto të ulët, nafta do të ishte e gjitha e jona, kurse tani, me “përfitime reciproke”, në rastin më të mirë ne do të marrim rreth gjysmën e sasisë së naftës. Ku është përfitimi këtu? Kjo është humbje kolosale!
Rama: “Tërësia e projektit vlerësohet të ketë një impakt (ndikim) me një rëndësi të jashtëzakonshme në ekonominë shqiptare”.
Këtu duhet shënuar se asnjë vend në botë, ku naftën e shfrytëzojnë vetëm kompanitë e huaja, nuk ka zhvillim ekonomik.
Rama: “Në fakt, siç mund ta dëshmojnë edhe miqtë tanë të SHELL-it, Shqipëria, sot, në raport me të shkuarën jo të largët, garanton qartësi, transparence dhe drejtësi mes qeverisë dhe investitorve të huaj”.
Po, garanton qartësi, transparencë dhe drejtësi vetëm mes qeverisë dhe investitorve të huaj (kompanisë), por jo ndaj popullit, sepse marrëveshja është bërë në errësirë të plotë, pas shpinës së popullit. Kushtet (termat), sa naftë do të marrë shteti dhe sa do të marrë kompania SHELL janë tepër sekret ndaj popullit. Qeveria, dhe kompania SHELL e përzgjedhur (e seleksionuar) prej saj, dihet që kanë transparencë me pazare të fëlliqura ndërmjet tyre! Kryeministri, me këtë rast, u bënë thirrje kompanive të huaja të vijnë dhe të investojnë për naftën në Shqipëri. Këtë e bëri edhe në Kongresin Botëror të Naftës në Stamboll (korrik, 2017), edhe në selinë e BERZH në Londër (shkurt, 2018) etj. Këtu duhet shënuar se, në një shtet si Shqipëria, ku nuk sundon aspak ligji, dhe me një qeveri të korruptuar fund e krye, si kjo e jona, nuk mund të bëhen marrëveshje të rregullta dhe të ndershme koncesionare. Dhënia me koncesione i heq Shqipërisë më shumë se gjysmën e rezervave të naftës dhe të gazit. Pse ta bëjmë këtë, kur të gjithë
naftën mund ta zhvillojmë vet, dhe ta kemi të gjithë të tonën, për zhvillimin e të gjithë Shqipërisë? Mosshtetëzimi tregon se qeveria kukull, e vendosur nga të huajt, u shërben vetëm të huajve dhe vetes, por jo popullit.
Rama: ”….edhe vet sektorin e naftës, ku, siç e nënvizoi ministri, ka ende shumë për të eksploruar dhe ka ende shumë për të zbuluar….”.
Ministrit dhe kryeministrit i themi, se kërkimet dhe zbulimet e naftës dhe të gazit mund t’i bëjnë vet shqiptarët për Shqipërinë, dhe jo të huajtë në bashkëpunim me qeverinë e korruptuar.
Rama: “…qoftë edhe në formën e domosdoshmërisë për të reformuar Albpetrol-in.”
Këtu duhet shënuar se Rama, me domosdoshmëri për reformë të Albpetrol-it, nënkupton privatizimin e tij, d.m.th. shitjen dhe grabitjen e fushave të naftës të Albpetrol-it, në bashkëpunim me të huajt. Ai do ta realizojë këtë ëndërr të tij, në qoftë se populli ynë do të jetë gjithmonë në gjumë, por shpresoj se populli do të zgjohet.
Rama: “Historia e përpjekjes për të zbuluar naftë është 100 vjeçare, por, pa diskutim, kjo pasuri e jashtëzakonshme nuk e ka pasur ende impaktin që duhet dhe mund të kishte dhe duhet e mund të ketë në jetën e popullit tonë”.
Gjatë regjimit të kaluar, gjeologët shqiptarë zbuluan shumë vendburime nafte dhe gazi. Zbulimi i vendburimit të naftës në Marinëz bëri të mundur heqjen e sistemit të triskëtimit. Zbulimet e tjera të naftës bën të mundur ndërtimin e industrisë dhe bujqësisë, sistemin arsimor dhe shëndetësor falas etj. Këto ishin impakte (ndikime) shumë të rëndësishme në jetën e popullit tonë. Do të përmirësohej më tej jeta e popullit, por pas vitit 1990, Qeveria Socialiste dhe Qeveria Demokratike e shkatërruan naftën. Nuk presim përmirësime nga grabitësit e huaj.
Rama: “Ky është qëllimi ynë madhor, që t’i hapim rrugë këtij impakti. Kjo është dhe substanca e Marrëveshjes, që ne nëshkruajmë sot me SHELL-in”.
Këtu duhet shënuar se qëllimi i qeverisë nuk është për të ndikuar aspak për mirë në jetën e popullit. Po të ketë qëllim të mirë, ajo e shtetëzon naftën. Duke bërë këto marrëveshje me kompanitë e huaja, ajo u jep atyre më shumë se gjysmën e rezervave të naftës dhe të gazit të gjithë Shqipërisë. Kjo për Shqipërinë është katastrofë. Qellimi i kësaj qeverie kukull është t’u shërbejë vetëm të huajve dhe vetes, por jo popullit. Pas vitit 1990, kështu kanë vepruar të gjitha qeveritë kukulla të Shqipërisë.

Nënshkruhet marreveshja me Shell për naftën në Shpirag

Firmoset marrëveshja e qeverisë për hidrokarburet me SHELL-in në Shpirag
Fjala e Kryeministrit Edi Rama
http://illyriapress.com/firmoset-marreveshja-e-qeverise-per-hidrokarburet-me-shell-in-ne-shpirag/

***
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë: “Blloku 4 është i vetmi ndër 13, që ishin në total, për të cilin po finalizohet një marrëveshje. Qeveria, gjatë vitit 2014 dhe 2015 nxori disa herë për shprehje interesi blloqet e lira të naftës, por në shumë pak raste pati interes, duke bërë që rishpallja të bëhej një praktikë normale. Situata nuk u favorizua as nga çmimet e ulëta të naftës në bursë, ku shumë prej kompanive u detyruan në atë kohë që të ulnin planet e tyre të investimit, si dhe zgjerimin e aktivitetit në zona të reja” (Gazeta Shqip, 20 shkurt 2018, artikulli me titull: “SHELL, marrëveshje të re me qeverinë Rama! Hapen me qindar vende pune”).
Fatkeqësisht, të gjitha këto njoftime të Ministrisë së lartpërmendur janë mashtrime. Ja si është e vërteta: Gjatë viteve 2014 dhe 2015, qeveria “Rama-Meta” shpalli tender (ofertë) për dhënien e blloqeve të lira me koncesione për kërkime nafte dhe gazi. U shpallën 4 kompani fituese. U zhvilluan negociatat (bisedimet) për kushtet (termat) e kontratës, dhe pastaj u firmosën kontratat hidrokarbure si vijon:
1. Kompania SHELL mori Bllokun 4. Kontrata u firmos më 07 gusht 2015.
2. Kompania Navitas Petroleum Ltd. mori Bllokun Dumrea. Kontrata u firmos më
07 gusht 2015.
3. Kompania Pennine Petroleum Corporation mori Bllokun Velça. Kontrata u
firmos më 07 dhjetor 2015.
4. Kompania Albanides Energy mori Bllokun 8. Kontrata u firmos më 15 korrik
2015 (doli në Fletoren Zyrtare më 16 prill 2016!).

Me sa duket, nga fundi i vitit 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka urdhëruar që dokumentat e këtyre kontratave të zhduken. Ato janë hequr nga njoftimet e mëparshme në internet. Këto kompani, qysh nga viti 2015 dhe deri tani (prill 2018) nuk kanë kryer asnjë punim kërkimi në terren, në blloqet përkatëse. Në letra ato kanë regjistruar punime gjoja të kryera. “Vetëm gjatë një viti kompanitë, të cilat kanë kontrata me shtetin për të kërkuar naftë në Shqipëri, kanë raportuar 500 milionë dollarë shpenzime fiktive” (të sajuara)! (AKBN faqja zyrtare: “Energy Expo e Forum 2017). Le të kërkohet nga AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore), se cilat janë këto kompani? Pa dyshim, janë 4 kompanitë e shënuara më lartë. Dhënia e këtyre licensave (lejeve) në vitin 2015, për gjoja kërkime nafte dhe gazi, ishte një mashtrim i madh. Këto leje u dhanë nga qeveria për qellime korrupsioni (pastrimi i parave të pista të drogës etj.). Me këto licensa, në sektorin e naftës dhe të minierave, le të merret Vetting-u në Shqipëri. Në qoftë se Vetting-u kërkon fakte për korrupsionin qeveritar, në sektorin e naftës dhe të minierave i gjen me shumicë. Atje fshehet korrupsioni i madh. Këto veprime të qeverisë janë shkelje brutale e Ligjit të Naftës në Shqipëri. Për këtë arsye, kompanive të lartpërmendura u duheshin hequr licensat (lejet). Përkundrazi, qeveria del me një njoftim të habitshëm dhe të papritur, një ditë para rifirmosjes së kontratës hidrokarbure me ndarje prodhimi për Bllokun 4! Ky njoftim, një ditë para rifirmosjes, është bërë me qellim që të mos kishte debate nga publiku, por të bëhej fakt i kryer! Më 24 Nëndor 2017, në heshtje të plotë dhe në mënyrë tinzare, është rifirmosur edhe kontrata tjetër me kompanin Pennine Petroleum Corporation për Bllokun Velça. Me sa duket, edhe këtu Shqipëria nuk do të marrë asnjë pikë nafte, por vetëm rentën (qiranë). Nga frika e Vetting-ut, qeveritarët po riparojnë (rifirmosin) kontratat e rreme hidrokarbure, të firmosura në vitin 2015! Pra, kontrata e tanishme për Bllokun 4, dhe ajo për Bllokun Velça, janë bërë me shkelje brutale të Ligjit të Naftës në Shqipëri. Prandaj, ato janë të jashtëligjshme dhe nuk duhet të lejohen dhe as të pranohen nga populli. Mjerë Shqipëria në dorë të kujt ka rënë!
Ky problem ka vetëm një zgjidhje: Populli dhe naftëtarët, pa dallime partiake, të organizohen me guxim në protesta të fuqishme paqësore antiqeveritare, në çdo rreth, sipas shembullit të shkëlqyer të kuksianve trima (si u organizuan kuksianët? Pa mbështetjen e sindikatave të korruptuara, pa mbështetje financiare, pa mbështetjen e partive politike…). Të kërkohet me këmbëngulje dorëheqjen e kësaj qeverie fund e krye të korruptuar dhe antishqiptare. Të kërkohet anulimi i të gjitha marrëveshjeve korruptive dhe grabitçare të naftës dhe të minierave. Të krijohet qeveri teknike, e zgjedhur nga populli, pa pjesëmarrjen e partive politike (PS, PD, LSI etj.), sepse qeveritë e korruptuara të këtyre partive, qeveri hajdutësh, e shkatërruan ekonominë e Shqipërisë.
(Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici, gjeolog/Toronto)
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura