Tiranë, 29 prill 2018: Shpesh qëllon që disa emra personalitetesh të historisë dhe kulturës shqiptare të njihen dhe të përmenden vetëm në lidhje me një aspekt të veprimtarisë së tyre intelektuale e studimore, duke lënë në harresë kontributet në lëmenj të tjerë të dijes e të shkencës. Një nga këta personalitete, dikur disi i pazëshëm në memorien publike, është dhe At Shtjefën Gjeçovi, emri i të cilit më së shumti lidhet me korpusin e normave zakonore shqiptare që ai i mblodhi me fort durim e zell dhe ua la trashëgim brezave si një nga institucionet themelore social-juridike të historisë shqiptare.
Por duhet thënë se At Shtjefni, si një nga titullarët e Rilindjes së vonë Kombëtare, ashtu siç ishte karakteristikë e vetë kësaj plejade të mendjes dhe kulturës shqiptare, është një personalitet poliedrik me kontribute komplekse në shumë fusha, sidomos të albanologjisë. Dhe një nga prioritetet e tij, që lidhej logjikshëm me misionin e marrë përsipër nga këta rilindas për të shtruar themelet e të gjitha fushave të dijes për shoqërinë shqiptare që po ngjizej në organizim kombëtar e shtetëror, është padyshim edhe arkeologjia, krahas etnografisë,gjuhësisë etj.
Natyrisht, duke e menduar jo në kriteret e sotme të arkeologjisë profesionale, por në kujdesin për ruajtjen e trashëgimisë, thesareve të çmuara të nëntokës e mbitokës shqiptare, për të ndriçuar aspekte të kulturës materiale e shpirtërore të popullit shqiptar. Kështu që ai pa mëdyshje mund të cilësohet si pionieri që ka lëvruar në zanafillat e arkeologjisë shqiptare.
Studius të njohur kanë dhënë kontribut të vyer në pasqyrimin e vlerave shumëdimensionale të veprës së Gjeçovit.
Po kush është At Shtjefën Gjeçovi? Ai lindi më 12 korrik të vitit 1874 në Janjevë të Kosovës dhe u vra nga dora serbe më 14 tetor 1929, tek po kthehej nga Prizreni për në Zym të Hasit (Kosovë).
Origjina e të parëve të tij stërgjyshërorë ishte nga Kryeziu i Pukës.
Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje dhe në vijim kreu studimet në kolegjin françeskan të Troshanit, ndërsa në vitin 1888 ndodhet në Bosnjë, ku kryen studimet në filozofi në liceun e Kuvendit të Derventes në Banja Luka, dhe më pas në Kresheva (Bosnje-Hercogovinë) për të studiuar teologjinë.
Në kohën e ndërmjetme në Kreshevë ndiqte leksionet e akademikut austro-hungarez Ludvig Thalloczy, mbi origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe.
Në tetor 1892 ndjek studimet ne Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Insbrukut dhe më pas studion për teologji në Universitetin Katolik të Lavianos në Belgjikë…(Prof.Dr. Lutfi Alia, At Shtjefën Gjeçovi, Kryeziu, “By,voal.ch” July24,2016)
Pasi mbaron studimet në vitin 1896, At Shtjefni shërben si famulltar dhe mësues nëpër famulli e kuvende të ndryshme që nga Troshani, Laç-Sebaste, Shkodër, Gomsiqe, Pejë, Vlorë, Gjakovë, e në një varg qendrash të tjera.
Në njëmbëdhjetë shkolla ku ai shërbeu si mësimdhënës, pesë prej tyre ishin hapur me nismën e tij.
Lëmi më i gjerë i veprimtarisë së tij studimore shumëplanëshe ishte ai i albanologjisë, në të cilën ai fokusohet dhe jep kontribute të vlefshme sidomos në etnologjinë dhe kodifikimin e korpusit juridik trashëgimor shqiptar, si dhe në gjetjen dhe koleksionimin e vlerave arkeologjike të tokës shqiptare, dhe me të drejtë është cilësuar si etnografi dhe arkeologu i parë shqiptar.
Ky kontribut në lëmin albanologjik në degët e sipërthëna u njoh dhe u vlerësua në kohën e tij jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në qarqet shkencore europiane, duke iu dhënë titulli i doktorit të nderit në Universitetin e Laipcigut në Gjermani.
Në mënyrë sistematike, kudo që ushtroi veprimtarinë e tij, At Shtjefni pati kujdesin të mbledhë e koleksionojë si thesare të çmuara, objekte arkeologjike që flinin prej shekujsh në nëntokën dhe mbitokën e trevave shqiptare. Kështu, koleksioni arkeologjik i At Gjeçovit përmbante gjetje të ndryshme nga Nekropoli i Komanit, Shala e Dukagjinit, Postriba, Kopliku, Mirdita, Laçi, Hasi i Kosovës, e shumë vende të tjera. Ai zbuloi turma ilire, mblodhi objekte arkeologjike si qeramikë, armë dhe stoli. Objektet i përkisnin periudhave të ndryshme kohore, që nga ato prehistorike e deri në ato të epokës së antikitetit dhe asaj mesjetare. Të tilla ishin sopatat shqiptaro-dalmate, sopatat dytehëshe prej hekuri, enë qeramike, heshta e thika prej hekuri, vazo qeramike të periudhave të ndryshme, fibula bronzi të kohës, vathë, unaza etj.
Objektet e koleksionit të At Shtjefnit që ishin mbledhur nëpër qendra të ndryshme të trevave shqiptare janë çmuar shumë dhe nga dijetarë të njohur, si Pjer Luigji Ugolini, Leon Reji, Franc Nopça, Paal Traeger, Theodor Ippen etj.
Në lidhje me këtë, është mjaft interesant tregimi i vetë At Gjeçovit për vizitën e arkeologut gjerman Paal Traeger në Laç në vitin 1900, pikërisht për të parë koleksionin e Gjeçovit. Ndërmjet të tjerash i tërheq vëmendjen sidomos “Unaza e Gjeçovit”, të cilën e kishte zbuluar në Kodër Bogëz të Laçit, por që Gjeçovi nuk ia shiti megjithë ngulmimin e tij. Kështu At Shtjefni (AQSH: Dosja 86, fl. 1-4) shkruan:
“Ishe n’Laç-Sebaste të Kurbinit, si i parë famulliet, si gjejshe t’knaqun n’kërkim të vjetërsinave – përmi t’cillat tash flas, – m’u beh në qelë Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf-it t’Berlinit.
I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burr i madh (!) xuna me ju lëvdue për do sende t’vjetra t’cillat i pata gjet mun n’atë kohë m’nji vorr në vend t’qujtun Kodër Bogëz në katund të Laçit-Sebaste.
Dr. Traeger mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njerzie ja qita përpara. E pvetshe herë për nji send herë për nji tjetër, e ky rrap-çap me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë përmbi ato vjetërsina. Ndër kto sende kishe edhe nji unazë- arit t’cillën e pata gjetë n’vorr të vendit të përmendun, dhe e pveta Dr. Traeger-in, qi t’më diftote kohën e vjetërsisës s’sajë, e ky mu përgjegj: “Kohën e vlerën s’mund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohën as çmimin e vjetërsievet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m’7 (shtatë) napolana për atë unazë”!
Të falem nderës i thaçë Dr. Traeger-it, me më dhanë 400 napolana s’e shes, por veç deshta me ditë kohën dhe çmimin e vjetërsies…”.
Më 13 korrik 1927 ministri pranë ambasadës italiane në Tiranë Ugo Sola i dhuronte disa personaliteteve shqiptare kopje të librit “Albania Antica I” të arkeologut italian Luigji M. Ugolini, i cili siç dihet ka kryesuar në vitet 1925-1936 një ekspeditë të misionit arkeologjik italian në Shqipëri. Një nga kopjet e këtij libri ia dedikonte dhe At Shtjefën Gjeçovit. Në kwtë libër një vend shumë të rendësishëm zinte dhe përshkrimi i koleksionit arkeologjik të mbledhur me shumë kujdes nga At Shtjefën Gjeçovi. Me të drejtë, Luigji Ugolini falenderon Gjeçovin që me bujari ia kishte ofruar objektet e koleksionit për studim gjatë vizitave të tij në Shqipëri në pranverë e vjeshtë të vitit 1924. Në përshkrimet me detaje të objekteve, ai thekson se, ndonëse koleksioni nuk është i shumtë në numër, ishte shumë i rëndësishëm si për cilësinë e objekteve që ruheshin, ashtu dhe për faktin se ishin shembuj unikë të llojeve që ai vetë kishte parë, dhe nënvizon se të gjitha objektet vinin nga zona që ai i quante zemra e Shqipërisë. Të tilla objekte ishin çekiç guri, sopatat e ndryshme prej hekuri, enë qeramike, lotore, monedha etj. Sipas Ugolinit, banorët e zonës së Komanit krijonin objekte speciale me simbolin më karakteristik të besimit të tyre dhe lejonin formula të veçanta si për të treguar që nuk dëshironin të trajtoheshin si paganë. Në veprën e tij Albania Antica I (Shqipëria e Lashtë I, tashmë prej pak vitesh e përkthyer dhe e botuar edhe në shqip), Ugolini i kushton një nënkapitull të librit pikërisht këtyre që përmendëm nën titullin: Pajisje që gjenden në Koleksionin e At Shtjefën Gjeçovit në Shkodër, ku i rendit dhe i trajton ato me radhë. Ai shkruan: “Edhe At Shtjefën Gjeçovi ruan pranë vehtes disa objekte që vijnë nga varret e Komanit. Unë vetë kujtoj se i kam dhënë disa të tillë, qoftë për të rritur koleksionin e tij, ashtu dhe pse nuk doja të kontribuoja në shpërhapjen e një materiali i cili ruan vlerën më të madhe të tij nëse lihet i bashkuar në afërsi të vendit të zbulimit”.
Ndër fragmentet koleksionit të At Gjeçovit veçohej një unazë e madhe ari me një gur sipër, e dekoruar dhe e ruajtur mjaft mirë. Unaza ishte gjetur në një tumë në Kodër Bogëz të Laç-Sebastes. Kishte diametër të brendshëm 17mm, lartësi 32 mm dhe datohej në shek.VII, ndërsa guri ornamental, sipas Ugolinit, dukej që ishte më i hershëm dhe datohej në periudhën romake.
Fatkeqësisht koleksioni arkeologjik i At Shtjefën Gjeçovit nuk gjendet. Sipas At Zef Pllumit (“ Rrno për me tregue”,fq. 24), në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit të Shkodrës, në fillim të dhjetorit 1944 një grup prej 7-8 vetash kishin sjellë urdhëresa të ndryshme për mbylljen e shtypshkronjës, shoqatës dhe revistave kulturore fetare. Njëkohësisht ata kishin parë dhe muzeun e At Shtjefën Gjeçovit, ku kishin marrë një unazë të kohës antike, të shek. I, prej ari, e punuar me mjeshtëri, që quhej “Unaza e Gjeçovit”, ndërsa në muajt janar-shkurt të vitit 1945, krahas grabitjes së pajisjeve të ndryshme të Kuvendit Françeskan, në Muzeun e At Shtjefën Gjeçovit u morën dhe armët antike të punueme në argjend, si dhe armën të cilën ai e kishte gdhendë me dorën e vet. Ndërsa më 14 nandor 1946 u zhduk dhe koleksioni me objekte arkeologjike i mbledhur me shumë kujdes nga At Shtjefni.
Duke e ditur peshën dhe rolin që ka arkeologjia, At Shtjefën Gjeçovi që në botimet e para bëhet burim nxitje e frymëzimi për çdo studiues të kësaj fushe.
Në artikullin: Një argëtim arkeologjik (1902), Gjeçovi shkruan: “Arkeologjia asht nji argëtim aq i këndshëm, sa s`kallxohet me gojë, e sa asht i kandshëm, aq e ma asht e i vlefshëm. Një arkeolog, në u dhashtë me zell zemre mbas këtij argëtimit, nuk do të thehet edhe pse ka me ju dasht me i u nda prej shoqnijet, kjo vetmi ska pse e trembë, se shpejt ka me ngul rrajën në zemër të tij, e ka me i tingllue në vesh zani i zemrës: i lumi unë se kjo mënyrë jetese kenka kënaqë e jo mjerim. – Jeta shoqnore asht e kandshme, porse shum herësh i del për hundësh njeriut. Përkundrazi, jeta e një arkeologu asht gjithherë e kandshme, e sa me zell të jepet mbas kësaj jetese, aq ma shumë i futet në palcë, sa që do ja mbrrij ditës kur ka me mujt me thane me filozofi: – Shoqnija e njerzve mundet me m`u mërzit, por vetmija kurr”.
Ai nuk e cilëson arkeologjinë thjesht një argëtim, pasion, por një punë shumë të vlefshme, që evidenton e nxjerr në dritë pasuritë qindrashekullore mjaft të rëndësishme për historinë dhe identitetin tonë kombëtar.“Arkeologu, – thotë Shtjefën Gjeçovi, – të lodhet prej punet, si t`i mërzitet shoqnija, të shlodhmen e kënaqësinë e vet ma të kandshme ka me gjetë kur t`u afrohet objekteve të vjetra që i ka gjetë vetë ndër varre të lashta… Një arkeolog nuk mundet me ndej në gjendje pritje, ai duhet të përlaj shatin e të shkoj me rrëmue ndonjë vend a varr të vjetër, ose do ulet në karrike për me shkrue mbi objektet e gjetuna, ose me botue ndonjë shkrim të posaçëm mbi to, kështu ai ban tre punë të mira me njiherë: duke nxjerrë në dritë visarin e kombit, që pat ndejt disa mijëra vjetësh nën dhe, duke u dhënë zemër bashkatdhetarëve që të jepen mbas këtij pasioni e tuj e shijue kënaqësinë e tij e duke e pa mundin e shpërblyem.
Plus që është një argëtim i kandshëm, arkeologjia asht dhe tepër e vlefshme. – Qëllimi i një arkeologu mund t’i barazohet qëllimit të mbledhësit të visarit gojor të kombit, tuj i krahasue objektet e gjetuna të kohnave të lashta për vlerën e historisë kombëtare, e i të dytit me ba të pasun visarin e literaturës kombtare. – Arkeologu do të përpiqe me shtue pasunin e hambarit komtar, që është Muzeumi, me objekte që gjen në gji të tokës, e letrari me shtu libertoren (bibliotekën) kombtare me shkrimet e veta. – Arkeologu do t`ia vejë mendjen shqyrtimit të objekteve tuj i matë me metra, centimetra e me milimetra, të rrasave, të tullave, të gjanësisë, të gjatësisë e të thellësisë së vorreve a gropave, e letrari do t`i masë e do t`i shqyrtojë shkrimet e veta me rregulla gramatikore e të prozës.
Arkeologu do të kallxojë vendin se ku qe gjetë gjithsecili objekt, në fushë a në mal, a në sukë a në kodër, në qytet a në katund, a në ndoi qytet të motshëm. Ashtu mbledhësi i visarit kombëtar, kur merr prej tjerësh, a në mbledhtë gja prej gojë së kombit, do të kallxojë vendin dhe krahinën, katundin a qytetin, malin a fushën ku asht mbledhë kanga, vallja a prralla e gojë-dhana, e duhet t’i shkruaj në letër ashtu si i kallxon goja e kombit, pa ndërlikim e pa mungue e pa shtua gja. Ashtu si ka randësi ajo aster e gjetun në vorr prej shkrimit që mundet të ketë përsipër, a vathi, katrama (tokza), sumbulla, unaza, heshta e të tjera prej trajtave a vizash që mund të kenë, ashtu ka randësi ajo kangë e gojë-dhanë kur t’i dihet krahina e vendi prej nga janë mbledhur”.
Duke trajtuar punën e një arkeologu, ai vë paralelizma mes tij dhe mbledhësit të visarit gojor, objektivat e tyre rrahin në një pikë të vetme: ndriçimi i historisë sonë kombëtare, ruajtja e trashëgimisë historike-kulturore, mbrojtja e saj nga tregtarët matrapazë, të cilët në çdo kohë kanë grabitur objekte të ndryshme arkeologjike me shumë vlera dhe i kanë tregtuar ato. Mesazhi tij është mjaft kuptimplotë. Për këtë thekson: “Si arkeologu, si mbledhësi i visarit gojor.Shikoni pra, se gadi asnji ndryshim s`ka ndërmjet arkeologut e mbledhësit të visarit, qëllimi i njanit e i tjetrit ka një qendër e asht e mira e kombit e e të ndriqimit të visarit kombëtar. – Sipas mendimit tim, them se, sa vlerë ka literatura për një komb aq ka edhe arkeologjia. Rreziqe të mdhaja i kërcnohen literaturës kur të lihet mbas dore gjuhsija kombëtare, kurse arkeologu i ka dhe ma të mdhaja rreziqet për të bjerr…“.
Gjeçovi revoltohet kundër të huajve që vijnë e grabisin pasuritë arkeologjike, kundër tregtarëve matrapazë që tregtojnë vlerat e kulturës sonë. Ai vë në dukje se “Përkundrazi arkeologjia sa asht e lakmueshme, aq ma shumë gjendet në rrezik me na shpëtue duarsh. Mjafton një qese e mbushun me objekte të vjetra të zbulueme në tokë tonë prej një të huaji, me na lanë në errësinë ndonji pikë të histories”. (Zani i Shna Ndout, VII, 1920, nr.4-6, Shkodër).
Përpjekjet e Shtjefën Gjeçovit për të pasqyruar rrënjët shumë të vjetra të kombit tonë shprehen dhe në artikullin: – Trashëgime thrako ilirjane, vepër e fillueme, siç thekson ai, që në vjetën 1911, nisi të botohet më parë në fletoren Populli, që në vjetë 1919 botohej në Shkodër me pseudonimin Komen Kanina, e që më vonë qe vijuar në Hylli i Dritës, ku shkruan:”…e ndër hyjni të panjehuna, po i përmendi nja disa të cilave s`ua zhgulë rraja nëne prej tokës shqypëtare… Për nder të Kronit shqyptarët ngrehen një kështiel në majë të Gurit të Kuq i cilli gjendet në fushë të Finikut ku u gjet edhe gjyteti i Kronit. Sot n`at vend asht fshati Krongji, në rrethinë të Delvinës. – Përmbi fshat Krongji gjenden gërmadhat e montueme të kohës së Pellazgëve.
Zoti (Zeusi) pra, mbas gojëdhanat epirote, nuk u lind në Dodonë në Pallat të Kronit, por në Palavli të Delvinës, ku ishin të banat (stanet) e Kronit, e prej këtu u dërgue në Butrint me lundër e në Kretë … Shumë fshatna të Kretës kanë emnat e Toskënisë: si bj.fj. Selinon, Selija e Delvinës; Svaqja, Sfaka e Gjirokastrës etj. Dhe vëren: “…Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë. Le ta marr vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët edhe latinët e vjetër i patën prej etenve t`onë Pellazgjve”.
Krahas bashkëkohësve të tjerë me të cilët ka patur letërkëmbime, si At Gjergj Fishta, Fan Noli, Aleksandër Xhuvani, Lef Nosi, Luigj Gurakuqi, Dom Nikoll Kaçorri etj., At Shtjefën Gjeçovi gëzoi një respekt të veçantë nga personaliteti i kulturës dhe i letrave shqipe Faik Konica, i cili mahnitet me kulturën e tij dhe e përshkruan Gjeçovin me nderim e simpati të thellë.
Konica vlerëson erudicionin dhe përkushtimin e At Shtjefën Gjeçovit ndaj vlerave kombëtare, sidomos atyre arkeologjike, kulturën e gjerë që zotëronte në trajtimin e historisë antike greke e romake. Në gazetën Dielli të 18 marsit 1930, nr. 5156, faqe 2, ai shkruan: “…At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë, atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t’a dëgjonte njeriu. Asì kohe At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb’udhë nga Shkodra n’Orosh.
– A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? – më pyeti një herë At Fishta, me të cilin piqesha çdo ditë në Shkodrë.
Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat’ a tet’ orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s’pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj’ a dy mile më tej, as që dukej.
Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm’e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë – qëndronte mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t’afròje e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t’ Assisit, në pastërí e në vobësí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j’a kushtonte studimit.
Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë. … Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur “lacrumatorium” lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t’i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t’ona për At Gjeçovin.
Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-ritur -dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë…”.
Koha i dha të drejtë At Shtjefën Gjeçovit. Shekulli i kaluar, veçanërisht gjysma e dytë e tij, dhe 18 vjeçari i këtij shekulli që jetojmë, ka pasuruar ndjeshëm panoramën e gërmimeve dhe studimeve shqiptare mbi prehistorinë, antikitetin dhe mesjetën shqiptare.
Një shumësi botimesh të realizuara nga arkeologët e shquar shqiptarë në revista prestigjioze të trevave shqiptare, si dhe në vendet e zhvilluara si Itali, Gjermani, Francë etj, pjesëmarrja e tyre në projekte të përbashkëta me studiues të huaj të vendeve europiane në gërmimet dhe studimet e kryera dhe që vijojnë me metoda bashkëkohore në vendbanime shumë të hershme, në nekropole tumulare, qytete ilire, kështjella antike e mesjetare të hershme, kanë mundësuar të ofrohet një material i çmuar për ndriçimin e mjaft çeshtjeve të rëndësishme që lidhen me trinomin: parailirë, ilirë dhe arbër.
Gjurmët që At Shtjefën Gjeçovi shënoi në zanafillat e arkeologjisë shqiptare si paraprijës i saj, janë të atilla që meritojnë respektin dhe mirënjohjen e brezave të mëpasëm dhe do të mbeten të pashlyera në kujtesën e arkeologëve dhe studiuesve bashkëkohorë si gurët e themelit të një ngrehine që rritet dhe zhvillohet në vijimësi.
Postime të Lidhura
DR.MOIKOM ZEQO: MATI DUDESI, POETI I PANJOHUR SHQIPTAR QË SHKRUANTE LATINISHT 4 SHEKUJ MË PARË!
Tiranë. 9 prill 2018: Një figurë e kulturës shqiptare e shekullit XVII është edhe Mati Dudesi. Për të…
DR.MOIKOM ZEQO: KAM NDJERË KRENARI TË VËRTETË DUKE E LEXUAR LIBRIN ‘ FILOZOFA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE’ TË UKSHIN HOTIT
Pashtriku.org, 12. 05. 2015 – (Në vend të parathënies) – Kam ndjerë një tronditje të madhe, të pazakontë,…
BISLIM ELSHANI: SHQIPTARËT, FEJA DHE IDENTITETI
Pashtriku.org, 15. 05. 2015 – (Parathënie e librit të Ukshin Hotit “Çështja kombëtare shqiptare – komponenti religjioz”) –…
UKSHIN HOTI: FILOZOFIA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE (IX
Pashtriku.org, 16. 05. 2018: REPUBLIKA DHE LUFTA NË KONTEKST TË EVROPËS – Nga gjysma e parë e këtij…