Pashtriku.org, 15. 05. 2018: Nga ana tjetër, fjala është për bashkimin e Evropës. Në të vërtetë, jo vetëm që e besonin gjermanët, por edhe shumica e analitikëve të tjerë politikë ishin të mendimit se bashkimi i Evropës ishte nus-produkt i nevojshëm dhe i domosdoshëm i ribashkimit të Gjermanisë. Një Evropë e bashkuar, në të cilën fuqia gjermane do të ishte në funksion të interesave të saj (Evropës), e jo vetëm në funksion të interesave partikulare gjermane përmes mekanizmave të krijuar dhe në ndërtim e sipër të bashkëpunimit dhe të forcimit të sigurisë, do t’a frenonte fuqinë gjermane në mënyrë që të mos kërcente shumë përtej mesatares së të tjerëve. Kjo komponentë e Evropës së bashkuar është recidiv i politikës së dikurshme britanike (që të mos lejojë forcimin e ndonjë fuqie në kontinent e cila do të shndërrohej në një rival të rrezikshëm për interesat e saj) dhe tani e shpreh kujdesin e përbashkët anglo-saxon për strategjinë e ndryshimeve në harmoni me qëllimet globale të politikës së tyre. Ky është gjithashtu çmimi që Gjermania ia paguajti Evropës për të drejtën e ribashkimit të vet.
Historikisht, trojet shqiptare (fjala është për procesin e konstituimit të shteteve në Ballkan), por edhe më gjerë, ishin vend-ndeshjeje dhe vend-thyerjeje i interesave të fuqive të Evropës. Fakti se populli shqiptar globalisht u nda në dy e më tepër shtete, por në njërin i pavarur, e në tjetrin mbeti në fillim si pakicë kombëtare, e cila në periodën midis dy luftërave botërore kontestohej, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore u njoh herë si pakicë, e herë si kombësi, këtë e dëshmon më së miri. Austro- gjermanët e përkrahën formimin e shtetit viabël shqiptar të cilin në bisedat diplomatike e kontestonin rusët, kurse në terren serbët. Pozita e tanishme shqiptare esencialisht është rezultat i thyerjes dhe i kompromisit midis këtyre dy etnikumeve (austro-gjermanëve dhe sllavëve), por edhe i presioneve të mëdha nga jashtë që e pengonin vlerësimin e drejtë dhe real të faktorit ndërkombëtar dhe bile pjekjen e faktorit shqiptar, i cili duhej ta bënte një gjë të tillë në favor të interesave shqiptare. Të tjerët, si Italia, Franca dhe Britania, më tepër mbanin qëndrim pritjeje, duke u marrë në të njëjtën kohë me negociata të ndërsjella, me qëllim të instalimit të interesave të veta. Ato, d.m.th. interesat e tyre, vinin në shprehje paralelisht me rënien e ndikimit gjerman në politikën evropiane, por themelet e vëna në Konferencën e Londrës nuk u lëkundën qenësisht, pos gjatë periodës së luftërave, kur këto troje shndërroheshin në teatër të operacioneve ushtarake, sepse esencialisht, edhe raportet e interesave të fuqive në Evropë mbeteshin të njëjta, pavarësisht nga ndryshimet që i shkaktonin luftërat. “Evropeizimi” i interesave gjermane dhe “gjermanizimi” i interesave të Evropës, duket se tani për tani akoma është mbulesë për vazhdimin edhe për një kohë të caktuar të raportit të njëjtë të interesave. Nga aspekti i raporteve strategjike, “evropeizimi” i tillë i interesave gjermane realisht e shpreh edhe kujdesin, ndoshta në rend të parë këtë, për moslejimin e interesave të shtetit Sovjetik, ose të interesave të sovjetizuara ruse. Është pak e besueshme se rusët do të lëshonin pe edhe nga ky aspekt, përveç atij ideologjik. Për këtë shkak, problemi i tanishëm i proceseve integrative të Evropës konsiston nga përgjigja korrekte që do t’i jepet pyetjes se në çfarë mënyre dhe si do të arrihet “evropeizimi” edhe i interesave të shtetit Sovjetik dhe i rusëve në te? Kjo njëherit e shpjegon edhe intransigjencën serbe, por edhe luhatjen e të tjerëve, si në raportet gjithëjugosllave, poashtu edhe në ato me shqiptarët. Serbët do të dëshironin t’i ruanin tokat e pushtuara në rrethana të tjera historike, si minimum të dhënë për integrimin e tyre në Evropë, me çmimin e provokimit të luftës në Ballkan. Kjo do të thotë se ata shprehin gadishmërinë për instrumentalizimin e vetes në funksion të mosndryshimit të politikës sovjetike ndaj gjithë situatës në Evropë dhe të ruajtjes së statusit prioritar të etnikumit sllav në politikën ndërkombëtare.
Nga ky aspekt, politika serbe natyrisht se e ka të qartë se, së paku në raport me shqiptarët, nuk është fjala për toka serbe. Argumentimi historik në këtë rast është dubioz dhe në instancën e fundit i paqëndrueshëm. Fjala është më tepër për shpresën se, sikurse në të kaluarën, komponenta religjioze e argumentimit politik do t’a luajë rolin e vet në vendimet përfundimtare të rregullimit të çështjes. Politika e Fuqive të Mëdha në Ballkan në të vërtetë u formësua duke qenë e ndikuar edhe prej kësaj komponente. Operacionet luftarake dhe konferencat diplomatike në Ballkan dhe rreth tij Fuqitë e Mëdha i arsyetonin si luftë interesash në Perandorinë Otomane dhe jo si copëtim të tokave shqiptare. Për to formimi i një shteti relativisht të fortë shqiptar me popullsi kryesisht të besimit islamik do të paraqiste, shprehur simbolikisht, një pykë aziatike në tërësinë e krishterë të Evropës. As atëherë dhe as sot komponenta religjioze nuk u konsiderua si relevante për diskutime në argumentimin politik, por kjo nuk do të thotë se ishte më pak prezente në refleksionet dhe në motivet e nxjerrjes së vendimeve politike: “Ekziston një seri kolosale e kontesteve të mundshme tradicionale në një botë, -shkruan Stanly Hoffman, -ku akoma ekziston së paku një ideologji e konflikteve të dhunshme -fundamentalizmi islamik, dhe ku zhdukja ose rënia e ideologjive sekulare e lejon nacionalizmin në pjesën më të madhe të planetit si të vetmin indikator të lojalitetit” (S.Hoffmann, vep.cit.). Me fjalë të tjera, relevanca e këtij faktori në raportet ndërkombëtare politike, për shkak të një vargu motivesh, po sidomos për shkak të burimeve të energjisë, pavarësisht nga avancimet në fusha të ndryshme të shkencës, është ngritur. Andaj, ndonëse shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me fundamentalizmin islamik, është fare lehtë, ndonëse jo korrekte, t’u mvishet ai si hipotekë. Këtë hipotekë nuk mund t’a heqim vetëm duke e theksuar areligjiozitetin e njohur shqiptar, (religjioni konsiderohet si arritje e qytetërimit), por duke u mbështetur në traditën e rrallë të tolerancës fetare, duke e kërkuar vendin e vet në pikat e afërta ose të përbashkëta kristiano-islamike dhe duke e avancuar rolin e vet në afirmimin e mentaliteteve dhe të botëkuptimeve të të dy sistemeve të mendimit religjioz dhe politik.
Në kontekst të argumenteve të theksuara, për politikën globale të fuqive, fakti se jashtë kufijve të shtetit amë ndodhen më tepër se gjysma e popullit, ndërsa në Jugosllavi jetojnë rreth 40% të popullsisë së gjithëmbarshme shqiptare, është një problem që duhet zgjidhur. Mënyrën fatlume të zgjidhjes së tij do të duhej t’a gjenin vetë shqiptarët, por duke mos e rrezikuar paqen, interesat e baraspeshës dhe orientimin global politik. Për këtë shkak përkrahja eventuale e Shqipërisë për bashkimin e tokave shqiptare vetëm nga njëra palë e multipolaritetit (e bëri Gjermania gjatë Luftës së Fundit) ose e bipolaritetit të forcave (supozohet se e bëri Stalini në funksion të anti-amerikanizmit), nga pala tjetër u konsiderua instrumentalizim i Shqipërisë në funksion të interesave globale të palës së kundërt. Në kontekst të proceseve të tanishme integrative të Evropës, bashkimi shqiptar, në mbështetje të ndonjë roli të theksuar eventual gjerman në Evropë, do të thotë bashkim via-gjerman. Ndërkaq, situata e kundërt -përkrahja eventuale e shqiptarëve në Jugosllavi që ta bashkojnë Shqipërinë, dhe jo të bashkohen me Shqipërinë, objektivisht do të thotë bashkim via-Beograd. Kjo poashtu nuk është gjë e re. Ekzistonte si projekt i mundshëm i federatës ballkanike para (vetëm teorikisht) dhe gjatë Luftës së II-të Botërore. Në qoftë se një bashkim të tillë hipotetikisht do t’a mbështesnin forcat ose regjimi properëndimor politik në Beograd, në instancën e fundit, bashkimi i tillë do të konsiderohej si cënim i interesave të sovjetizuara Ruse dhe Serbe me supozimin se një Shqipëri e tillë do t’ishte via-facti anti-Ruse e anti-serbe dhe jo vetëm anti-komuniste. Këmbëngulja serbe që në çfarëdo rrethanash Kosova të mbetet me Serbinë realisht është shprehje e frikës se një gjë e tillë mund të jetë objektivisht e mundshme.
Marrë globalisht që të dy qasjet e bëjnë minimizimin e rolit të faktorit politik shqiptar në përcaktimin dhe në realizimin e qëllimeve të veta nacionale. Për këtë shkak, ngjarjet e vitit 1981 që i karakterizoi kërkesa e theksuar fuqimisht për Republikën e Kosovës, në esencë e nxorën në sipërfaqe pikërisht rolin e këtij faktori. Republika e Kosovës, si do që të duket, mund të konsiderohet zgjidhje e pjesëshme, paliative e çështjes shqiptare. Mirëpo zgjidhjet paliative të çështjeve të mëdha mund të konsiderohen dhe janë cilësi e luftës politike dhe produkt i mençurisë së faktorit politik shqiptar në vlerësimin e tërësishëm të rrethanave, rrugës së zhvillimit të proceseve dhe synimeve përfundimtare të tyre. Objektivat politike shqiptare kanë karakter të të drejtave të natyrshme dhe demokratike dhe jo të maksimalizimit të fuqisë me qëllim të instrumentalizimit të saj në lojën e vjetër të fuqisë dhe të ligjit të xhunglës. Mundësitë tona për të kapur hapin e botës së zhvilluar në avancimet teknologjike, të bioshkencave, të megashkencës, të shkencës mbi materialet, të informatikës etj., janë të vogla por kjo nuk do të thotë se duhet hequr dorë nga përpjekjet maksimale për tejkalimin e pazhvillueshmërisë në të cilën ndodhemi dhe për krijimin e infrastrukturës së nevojshme që do t’a mundësonte akceptimin dhe aplikimin e inovacioneve nga fushat e përmendura të shkencës, pa të cilat nuk mund të paramendohet jeta në shekullin e XXI. Andaj, lufta politike për realizimin e kërkesave legjitime është e motivuar nga nevojat reale të popullsisë shqiptare për zhvillim. Ajo nuk është e orientuar në mohimin e nevojave të ngjashme të serbëve. Përkundrazi. Duke u ndodhur në nivele të ngjashme të madhësisë demografike, të shkallës së zhvillimit, të orientimit civilizues, të pozitës historike dhe gjeografike, për kah përmbajtja e brendshme thërret për përfundimin definitiv të raporteve të subordinacionit dhe të dominacionit, kërkon heqjen dorë nga instrumentalizimi i vetes në funksion të interesave të huaja, implikon vënie të raporteve kualitativisht të reja, evitim të ndikimeve negative të huaja dhe është shpërthim i energjisë së re kreative, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjitha palët e ngatërruara në krijimin e pengesave për fitorën e së resë. Republika e Kosovës, me fjalë të tjera, pavarësisht nga ajo se kush mund jetë në nivelin institucional bartës i një politike gjithëshqiptare, në rrethanat e dhëna është realizim i njërit prej interesave vitale të kombit. Si e tillë, mund të qëndrojë vetëm në funksion të bashkimit por edhe të forcimit të raporteve të reja në gjithë territorin e Ballkanit, të Mesdheut dhe të Evropës. Këtë rol mund t’a luajë me sukses në kontekst të proceseve integrative të Evropës, që do të kenë konsiderata për të gjithë pjesëmarrësit dhe për gjithë drejtimin historik të zhvillimit të proceseve pozitive. (Krushë e Madhe, 22 maj, 1991)
PJESA II – VITI ’81 DHE PROCESET E DEMOKRACISË
Kohëve të fundit në Kosovë duket se dominojnë dy parulla: ajo mbi demokracinë dhe ajo mbi Evropën. Me demokraci mendohet të arrihet në Evropë, ndërsa me Evropë mendohet të kihet demokraci (zhvillim). Duket se që moti është bërë imperativ precizimi i përmbajtjes së tyre dhe shpjegimi më i hollësishëm i raportit të tyre me ngjarjet në Kosovë dhe me synimet e saj. Për këtë shkak, në qoftë se në pjesën e parë të letrës së drejtuar redaksisë së revistës beogradase «Intervju», tentimi i argumentimit teorik, nga aspekti i vetëdijes, sado pak i ka vënë në dyshim paragjykimet mbi atë se ngjarjet dhe kërkesat e vitit 1981 inspiroheshin ekskluzivisht nga RSP e Shqipërisë; në qoftë se teksti i diskutimit nga viti 1981 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë ngjarjet e atij viti i ka vënë në kontekst të lëvizjes botërore konvulzive autonomiste, kurse vetë kërkesën kryesore për Republikë, në kontekst të synimeve natyrale për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës, atëherë duket e udhës dhe e drejtë të konstatohet se Kosova nuk mund të stoliset me një demokraci të imponuar nga jashtë; se asaj demokracia nuk i duhet për t’u stolisur (se edhe ashtu është e bukur), e as për të vallëzuar me të. Do t’i duhet, natyrisht, edhe për këto, por jo vetëm për këto, sepse atëherë vështirë që do të arrinte në Evropë. Me fjalë të tjera, Kosova nuk mund të arrijë në Evropë pa një demokraci autentike, të vetëlindur prej saj. Pikërisht për këtë shkak, kjo pjesë e analizës (pjesa e II-të), tenton të koncentrohet në çështjet që kanë të bëjnë me raportin midis ngjarjeve të këtij viti dhe proceseve të demokratizimit të jetës politike në Kosovë. Pa këtë, nocionet «demokraci» dhe «Evropë», nuk mund të kuptohen drejt, nuk mund të kenë përmbajtje adekuate. Vetëm duke i vënë në relacion me ngjarjet e vitit 1981, me tërë kontinuitetin e ndodhive të viteve ’80, mund të arrihet gjer te përcaktimi i drejtë, jo vetëm i përmbajtjes së tyre, por edhe i synimeve të mëtejshme të proceseve të tanishme e të djeshme, si edhe i lidhmërisë së tyre me ato procese të demokratizimit që e synojnë një Evropë të përbashkët për të gjithë popujt e saj (që do të jetë temë e pjesës së III-të të kësaj analize). Nga ky aspekt, duket se viti 1981 është nyja, zbërthimi i së cilës e mundëson lëvizjen e drejtë të gjërave dhe të proceseve. Natyrisht, ato mund të lëvizin edhe pa zbërthimin e kësaj nyjeje. Dhe, gjatë historisë, rëndom, vetë ajo i ka zgjidhur nyjet e ngjashme, veçse çmimi rëndom ka qenë tejet i lartë. Është paguar me lajthitje, me ngecje dhe me tragjedi, herë-herë fare të panevojshme, dhe herë-herë tepër të ekzagjeruara. Ndërkaq, ndonjëherë tërësisht e kanë ndërruar kahjen e zhvillimit të tyre, në mënyrë që pastaj historianë të zotë janë detyruar të merren me vlerësimin e asaj se ç’do të kishte qenë më mirë – të mos ishte bërë ai ndërrim i kahjes, apo më mirë që ishte bërë? Dhe historia në këtë pikë doemos do të ishte shndërruar në filozofi dhe filozofia doemos do të çonte në përsëritjen e proceseve të njëjta, me përmbajtje të ngjashme, por gjithsesi me çmimin adekuat edhe për kohën, edhe për energjinë e shpenzuar materiale dhe shpirtërore.
Dhe qëllimi i këtij shqyrtimi nuk është ta ndryshojë historinë. Po të mendohej një gjë e tillë, do të ishte një prepotencë e padëgjuar dhe e paparë. Mirëpo, megjithë modestinë e domosdoshme, nuk mund të mohohet se kjo analizë e synon kontributin e autorit në zhvillimin e mëtejshëm të proceseve. Në qoftë se ato procese pa dashjen e tij e kanë përfshirë përpara, e kanë ndrydhur dhe e kanë zhveshur nga subjektiviteti në shoqëri, tani është rendi që proceset të kenë veshë për subjektin dhe ta braktisin verbërinë e spontaneitetit. Me një fjalë, është rendi ta pranojnë edhe kritikën, edhe kontributin qëllimmirë të subjekteve qëllimmira.
Kritikë të tjerë, subjekte të tjera të ndrydhura e të pandrydhura, natyrisht do të pyesin me të drejtë – përse pikërisht viti 1981? Përse jo ndonjë vit tjetër, p.sh. viti 1968, apo dhe ndonjë vit i mëhershëm, të mos ishte nyja pa zbërthimin e së cilës nuk do të ecej përpara? Dhe përgjigja mund të duket arrogante, por në esencë e saktë: sepse vitet tjera nuk e ndryshuan historinë. Të gjitha vitet i ndihmuan zhvillimit të historisë. Do të thoshim se vitet tjera i ndihmuan akumulimit të proceseve, rritjes së kuantitetit, por kërcimin kualitativ, vetë shndërrimin e kuantitetit në kualitet, e bëri vetëm viti 1981. Jo se ishte një vit mrekullibërës, por sepse pikërisht në atë vit ishin pjekur të gjitha kushtet, ishin akumuluar të gjitha proceset, ishin arritur të gjitha nivelet për shndërrimin e kuantitetit në kualitet, dhe rastësisht i ndrydhi subjektet që nuk deshën të pajtoheshin me ndrydhjen. Po të ishin pajtuar me ndrydhjen, viti 1981 do të kalonte njësoj sikurse edhe vitet tjera.
Rreth ngjarjeve të këtij viti ekziston vlerësimi zyrtar se ato ishin tentim kontrarevolucioni dhe ekziston koha e cila tashmë e tejkaloi një vlerësim të këtillë. Mirëpo problemi qëndron pikërisht këtu: tejkalimi i një vlerësimi të tillë politik me vetë zhvillimin e ngjarjeve në kohë dhe në hapësirë nuk është njësoj me tejkalimin e tillë të vlerësimit në mbështetje të argumenteve kritike. E pra, objektivisht kjo do të thotë ngadalësim i proceseve; shpenzim i panevojshëm i energjisë materiale e shpirtërore, dhe mjegullim dhe zhdavaritje e qëllimeve për realizimin e të cilave zhvillohen proceset. E dyta e bën të kundërtën: i kristalizon qëllimet dhe i hap rrugë zhvillimit të proceseve pozitive shoqërore. Ndërkaq, lajthitja, zvarritja apo devijimi i proceseve, rëndom nuk ngjan për shkaqe spontane, ndonëse edhe kjo nuk mund të përjashtohet, por për të arritur ndonjë qëllim të caktuar, të arsyeshëm shoqëror. Dhe arsyeshmërinë e qëllimeve të këtilla e përcaktojnë subjektet vendimtare të proceseve, por legjitimitetin e tyre historik nuk e përcaktojnë ato, veçse arsyeshmëria historike e qëllimit — idealit, d.m.th. e qëllimit final që e synon tendenca historike e zhvillimit të proceseve. Çdo proces që nuk është në harmoni me këtë tendencë mund të arsyetohet në mënyra të ndryshme, mund të ketë legjitimitet afatshkurtër politik, por nuk mund të ketë legjitimitet historik, e as ta pretendojë atë. Për këtë shkak është i nevojshëm shqyrtimi i ngjarjeve të vitit 1981 në kontekst të definimit të kontrarevolucionit.
Vetë fjala «kontrarevolucion» definohet në mënyra të ndryshme, varësisht nga tema e shqyrtimit, por definicionet e ndryshme nuk mund ta injorojnë përmbajtjen e këtij nocioni, të përfshirë në «Enciklopedinë politike». Aty ajo definohet si: «aksion i organizuar politik i drejtuar kundër sistemit shoqëror të krijuar me revolucion, kundër fryteve revolucionare, kundër forcave dhe raporteve shoqërore që e synojnë transformimin revolucionar të shoqërisë. Si dukuri shoqërore e kundërt me revolucionin, kontrarevolucioni shënon ndryshimin kualitativ të një gjendjeje shoqërore ose sistemi në drejtim të restaurimit të raporteve të mëtejshme të lëkundura dhe të mënjanuara politike dhe të prodhimit», («Politiçka Enciklopedija, Savremena Administracija». BGD.1975,f.476). Shpjegimi i vlerësimit të kontrarevolucionit në Kosovë më vonë është plotësuar me botime të veçanta mbi problemin e Kosovës. Nga ana tjetër, shtypi me shkrime të vazhdueshme polemizonte njëanshëm me kërkesën dominante të ngjarjeve të vitit 1981. Esencialisht, me një gjimnastikë të veçantë mentale, provohej të argumentohej:
1. se kishte ngjarë tentim kontrarevolucioni dhe
2. se kërkesat dominante të atij viti e synonin përmbysjen e rendit shoqëror.
Për të argumentuar tezën e parë theksohej se ngjarjet e atij viti kishin qenë të organizuara. Varësisht nga këndvështrimi, por më tepër nga orientimi ideologjik i autorit, theksohej se ato i kishte inicuar Beogradi, gjegjësisht Tirana, por gjithmonë përmes forcave pro-rankoviçiste, pro-informbiroiste, pro-staliniste, pro-marksiste-leniniste etj. të Prishtinës, d.m.th., të Kosovës. Pjesëmarrja e konsiderueshme e të rinjve në ato ngjarje relativizohej qëllimisht ose edhe minimizohej, ndërsa vetë autorët e veprave të inkriminuara, në mënyra të ndryshme denigroheshin. Jepnin shënime se gjatë pjesës më të madhe të viteve ’80 ishin zbuluar nëntë (9) organizata bukur të mëdha dhe 83 grupe ilegale që kishin marrë pjesë të drejtpërdrejtë në kontrarevolucion («NIN», nr.2054, 13 Maj 1990). Spekulohej me mundësinë e shpërthimit të kryengritjes së armatosur dhe me mundësinë e ekzistimit të qendrës së kontrarevolucionit.
Në këtë tekst dhe në momentin e tanishëm nuk është e mundur të shqyrtohet as niveli organizativ e as karakteri i organizimit të organizatave dhe të grupeve të përmendura ilegale. Këtë duhet ta bëjnë ata që i kanë këto shënime dhe atëherë kur do të jetë e mundur që me to të disponojnë edhe të tjerët. Mirëpo është e mundur, madje edhe e nevojshme, që qysh tani, në mbështetje të nevojës dhe të përshtypjeve personale, të jepet mendimi se i përgjigjej apo jo karakteri i organizimit dhe niveli organizativ i tyre përmbajtjes së definuar të kontrarevolucionit?
Në qoftë se forma (organizimi), merret e ndarë nga përmbajtja (aktorët dhe qëllimi), që rëndom fillonte nga treshet (2 + 1, d.m.th. dy veta që nuk dinin për njëri-tjetrin dhe njëri që dinte për dy të tjerët), dhe kjo pastaj rritej me progresion gjeometrik në dhjetëshe (3 x 3 + 1), në qindshe (99 + 1), në mijëshe (999 + 1), atëherë është e qartë se kjo mënyrë e organizimit mund t’i përgjigjej çdo qëllimi, pra edhe revolucionit e jo vetëm kontrarevolucionit. Nga kjo rezulton se është punë e kotë të merresh me ndarjen e formës nga përmbajtja. Me fjalë të tjera, theksimi i nëntë (9) organizatave pak si më të mëdha dhe i 93 grupeve ilegale, vetvetiu nuk e argumentonte tezën mbi ekzistimin e tentimit kontrarevolucionar, e as të kontrarevolucionit. Ashtu mund të argumentohej edhe ekzistimi i të kundërtës së kontrarevolucionit, d.m.th. i revolucionit. Meqë këto dy nocione e përjashtojnë njëri-tjetrin, shihet se argumenti është i pavlerë, sepse me të njëjtën premisë nxirren dy konkludime të kundërta që e asgjësojnë njëri-tjetrin. Në qoftë se kësaj i shtohet edhe fakti se nuk u argumentua ndonjëherë ekzistimi i qendrës së kontrarevolucionit del se argumenti i theksuar nuk është kurrfarë argumenti.
Megjithatë, një kohë bukur të gjatë u aludua në qendrën për nxjerrjen e vendimeve politike në Kosovë si qendër të kontrarevolucionit. Dhe, meqë qendra e tillë në Kosovë ishte pjesë përbërëse e qendrave të tjera në vend dhe e qendrës së vendit në tërësi dhe më larg, atëherë dilte se kontrarevolucioni në Kosovë ishte pjesë përbërëse, hallkë nismëtare e një kontrarevolucioni të tërësishëm të vendit në përgjithësi, bile edhe e tërë Evropës Lindore. Pavarësisht nga ajo se në pjesën e parë të tekstit dërguar revistës «Intervju» e theksoja se nuk ma merrte mendja që mund të identifikohej qendra për nxjerrjen e vendimeve politike me qendrën e kontrarevolucionit në Kosovë dhe pavarësisht nga ajo se tani gati tërësisht jam i sigurt për këtë, jo, gjithmonë do të varet nga ajo se çfarë në të vërtetë synohej me zhvillimin e ngjarjeve: restaurimi i raporteve të mënjanuara e të likuiduara politike apo krijimi i raporteve të reja?
Duke u nisur nga pika e njëjtë, tani është e qartë se forca të ndryshme revanshiste dhe antikomuniste e presin restaurimin e raporteve të vjetra, kthimin e fuqisë së humbur gjatë luftës, shërimin e komplekseve të vjetra, dhe shfrimin e pasioneve të ndrydhura me vite. Bile për këtë «festë» të tyre të përgjakshme ato i mprehin thikat, kamat dhe jataganët. Ato e marrin si të kryer kthimin e tyre në pushtet dhe hakmarrjen e tyre të madhe. Komunizmi për to është mundur në saje të kredive dhe mendjes dinake të kapitalit të madh. Meqenëse kurrnjëherë nuk kanë qenë në gjendje të krijojnë vlera të reja, por vetëm t’i imitojnë vlerat e huaja, t’ua vjedhin kreatorëve për qëllimet e tyre të papastra, ato tani janë të gatshme t’i shërbejnë (gjithmonë dinin ta bënin vetëm këtë), qëllimeve të errëta të forcave të «kohërave të përhimta», të mezokohërave. Ato megjithatë e harrojnë një gjë të vogël por të rëndësishme: se bartësit e ngjarjeve të vitit ’81 nuk ishin kontrarevolucionarë e as të manipuluar nga ata, apo nga cilado forcë tjetër e mezokohërave. Mirëpo, te këto çështje do të kthehemi më vonë në këtë tekst dhe në tekstet e ardhshme. Tani është me rëndësi të theksohet se, meqë forma nuk mund të analizohet pavarësisht nga përmbajtja e saj, atëherë del se ngjarjet e vitit ’81 nuk mund të analizohen as pavarësisht nga subjektet e tyre e as pavarësisht nga qëllimi, ideali i tyre.
Për hir të thjeshtimit të gjërave tani do të merremi me shqyrtimin e relacionit midis qëllimit final, kërkesës kryesore të ngjarjeve dhe të bartësve të tyre për konstituimin e Kosovës në Republikë, dhe vlerësimit të saj si kontrarevolucionare. Ndonëse me të nuk synohej as shkëputja nga Jugosllavia e as përmbysja e raporteve shoqërore në Jugosllavi, prapëseprapë u theksuan këto shpjegime:
1. se Republika e tillë do ta shfrytëzonte të drejtën për vetëvendosje dhe do t’i bashkangjitej Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të cënohej integriteti territorial i Jugosllavisë;
2. se ajo e provokonte luftën qytetare dhe hipotetikisht përmbysjen e rendit shoqëror të Jugosllavisë; dhe
3. se ajo në esencë e provokonte revidimin e kufijve në Ballkan dhe më gjerë, në Evropë.
Përveç faktit se operohej me hipoteza dhe nocione hipotetike, që të tri argumentet nuk kanë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me kontrarevolucionin. Nga definicioni i theksuar i kontrarevolucionit është e qartë se kërkesa për Republikë mund të vihej në lidhje direkte me kontrarevolucionin vetëm poqese me të synohej restaurimi i raporteve të kundërta me revolucionin, të atyre raporteve të cilat dikur i kishte përmbysur akti revolucionar i forcave revolucionare të vendit në tërësi. Kontestimi i kësaj kërkese, me fjalë të tjera, nuk vihej në relacionin me karakterin e sistemit eventual që synohej (realizimi i barazisë së plotë brenda sistemit të përmirësuar, tani brenda radhëve të reja që dalin nga fryma e kohës), por vetëm në konsekuencat eventuale që mund të rezultonin nga kundërvënia e forcave të tjera. Këto forca tjera përsëri supozoheshin si revolucionare, pasi që nuk ishte e logjikshme që forcat kontrarevolucionare t’i kundërviheshin qëllimeve kontrarevolucionare. Forcat revolucionare në këtë pikë duket se e ruanin njërën nga frytet e revolucionit — rregullimin federativ të vendit dhe pozitën ekzistuese të republikave dhe të krahinave të përcaktuar me kushtetutë. Dukej, sepse rendi i vendosur kushtetues që në start nuk ishte treguar i suksesshëm: në fillim ishte nisur nga huazimi jokritik i konceptit leninist mbi nivelizimin e zhvillimit të gjithëmbarshëm të kombeve, ndërsa shqiptarët, si më pak të zhvilluar, i kishte vënë nën mbikëqyrjen e RS të Serbisë dhe brenda saj, në mënyrë që më vonë, me kushtetutën e vitit 1974, t’ua siguronte një pozitë dubioze (edhe brenda Serbisë, edhe si element konstitutiv i Federatës). Megjithë fisnikërinë e vet, Lenini nuk kishte mundur as për të gjallë të vetin, e as të tjerët më pastaj, që në federatën sovjetike të rregulluar në mbështetje të konceptit mbi nivelet e dhëna të zhvillimit të kombeve (e cila në të vërtetë i reflektonte përpjekjet e francezëve dhe të anglosaksonëve për inkorporimin e kolonive të veta në sistemet e tyre politike), ta suprimonte veprimin e ligjit mbi zhvillimin e pabarabartë ekonomik. Ndërkaq, ky i «përjetësonte» nivelet e tilla, sepse zhvillimi i kombit më pak të zhvilluar gjithmonë ngecte prapa zhvillimit të kombeve më të zhvilluara (ndonjëherë edhe për disa herë) dhe kështu, ndonëse zhvillohej edhe kombi më pak i zhvilluar, diferenca me kombet më të zhvilluara thellohej gjithnjë e më tepër. Për këtë shkak, zhvillimi i kombeve më pak të zhvilluara i përngjante zhvillimit në moszhvillim. Pasardhësit e tij nuk e panë të udhës, ose nuk mundën (gjë që është njësoj), t’ia përshtatnin rregullimin e vendit nevojave reale të rritës së kombeve. Andaj, po qe se rregullimi i vendosur federativ i sovjetikëve në fillim i ndihmoi zhvillimit të kombeve më pak të zhvilluara, më vonë duket se u shndërrua në pengesë të rritjes së tyre të mëtejshme. Në vitet ’60, këtë problem francezët dhe anglosaksonët e zgjidhën me kërcim kualitativ, duke u pajtuar me pavarësimin e kolonive të veta, por gjithashtu duke e ruajtur pozitën e vet të privilegjuar përmes raporteve neokoloniale. Zhvillimi gjithnjë e më i madh i shkencës, i teknikës dhe i teknologjisë dhe ngecja e vendeve në zhvillim e redukton gjithnjë e më tepër nevojën e përdorimit të dhunës fizike për ruajtjen e këtyre raporteve. Në këtë mënyrë, opcionet e pavarësisë politike në dukje rriten, ndonëse realisht mund të kenë edhe kahje të kundërt. Mirëpo, është me rëndësi se metropolet e dikurshme, por edhe kolonitë e tyre, e hoqën nga rendi i ditës aspektin shpirtëror të çështjes. Problemi i zhvillimit të vendeve në zhvillim u shndërrua në çështje të forcave të tyre të brendshme dhe të aftësisë së tyre vetanake për t’u gjetur në raportet e botës së jashtme. Ndërkaq, te sovjetikët ky problem ndodhet në zgjidhje e sipër, sikundër edhe te ne, por dallimi qenësor qëndron në faktin se zgjidhja e tij edhe te ne edhe te sovjetikët u inspirua me nevojën e zhvillimit të gjithëmbarshëm, pra të nevojës që të zhvilloheshin edhe vetë kombet më të zhvilluara, e jo vetëm ato në zhvillim.
Nga ky aspekt, zbërthimi i këtij problemi nuk është më rëndësi vetëm për kombet më pak të zhvilluara, por ka rëndësi të jashtëzakonshme në radhë të parë për vetë kombet më të zhvilluara brenda rregullimeve të dhëna federale. Dhe pikërisht edhe për këtë shkak, ngjarjet e vitit ’81, duke kërkuar suprimimin e dubiozitetit të pozitës së Kosovës brenda Federatës jugosllave, në të vërtetë e kërkonin suprimimin e pengesave për lirimin e hovit kreativ të forcave prodhuese. Zbërthimi i problemit në dëm të krahinave (ndryshimet kushtetuese në favor të Serbisë), nuk ka asgjë të përbashkët me lirimin e forcave kreative të Serbisë. Ato njësoj u «lidhën» edhe më tepër, pikërisht sikurse ato në Kosovë. Për këtë shkak, në qoftë se pajtohemi se zhvillimi është nevojë imperative për të dy palët; në qoftë se poashtu pajtohemi se forcat kreative të njëmendëta janë bartëse të vërteta të zhvillimit të çdo kombi veç e veç, dhe të shoqërisë në përgjithësi; dhe në qoftë se pajtohemi (e doemos duhet të pajtohemi), se pozita e gjertanishme kushtetuese e Kosovës që moti u shndërrua në pengesë të hovit të forcave kreative, jo vetëm te shqiptarëve, atëherë doemos duhet të pajtohemi se kërkesat dominante të vitit 1981 për konstituimin e Kosovës si Republikë, nuk kishin asgjë të përbashkët me kontrarevolucionin.
Ndryshimi tjetër thelbësor në zgjidhjen e problemit të zhvillimit, qoftë në raport me anglo-saksonët, qoftë me sovjetikët, ka të bëjë me nivelin historik të zhvillimit global të kombeve në fjalë. Shqiptarët dhe serbët janë kombe të cilat përafërsisht nuk kanë pasur diferenca të mëdha as në nivelin e zhvillimit të tyre global, as në numër të popullsisë (i takojnë kategorisë së kombeve relativisht të vogla); nuk kanë pasur religjion të vetin (orthodoksizmi u lind në Bizant, katolicizmi në Romë, ndërkaq islamizmin ua eksportuan otomanët). Andaj, nuk kanë pasur mundësi (pa marrë parasysh përpjekjet e vona të serbëve), që atë ta shndërrojnë në instrument të ekspanzionit sikurse kombet tjera të mëdha. Historikisht, pozita e tyre në dukje pak më e privilegjuar në raport me njëri-tjetrin, ishte gjithmonë rezultat i prezencës së interesave të huaja (otomanët, rusët, gjermanët, francezët etj.), por jo i rritës së shpejtuar autentike të njërit ndaj tjetrit. Kanë mundur t’ia huazojnë njëri-tjetrit edhe kulturën edhe religjionin, por nuk kanë mundur as ta krishterizojnë njëri-tjetrin e as ta modernizojnë, pa i marrë parasysh bindjet e Pashiqit që ia thoshte Hartwig-ut në prag të luftërave ballkanike. Për këtë shkak marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, gjegjësisht raportet midis tyre, nuk mund të jenë raporte të hierarkisë, por të barazisë së plotë; jo raporte të përbuzjes, por të respektit të plotë reciprok të identiteteve të tyre. Hapësira gjeografike të dy palëve u dikton raporte miqësie, por miqësia nuk qëndron në qoftë se nuk mbështetet në barazinë e plotë dhe në respektimin e së drejtës të secilit për t’u zhvilluar në pajtim me mundësitë e lira në bashkësinë më të gjërë. Për këtë shkak, kërkesa për t’u konstituar në Republikë historikisht do të thotë vënie e raporteve kualitativisht të reja, evitim i ndikimeve negative të huaja dhe shpërthim i energjisë së re kreative për të dy popujt. Ndërkaq kjo nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me kontrarevolucionin.
Vazhdimi i procesit që e synonte realizimin e barazisë së plotë të shqiptarëve, por edhe zhvillimi i procesit të demokratizimit në Evropë, me kohë e zhvlerësoi një vlerësim të tillë mbi ngjarjet e vitit l981 si kontrarevolucionare. Ky vlerësim tanimë as që theksohet, por kundërvënia kësaj kërkese më vonë u mbështet në kalkulimet e karakterit politik dhe strategjik mbi rrezikimin eventual të hartës politike të Evropës: «Menjëherë pas demonstratave masovike të shovinistëve dhe të separatistëve shqiptarë në vitin 1968 (të cilat, gjë që është karakteristike, nuk kanë kurrfarë lidhje as me natyrën e as me kuptimin e kontestacionit botëror dhe jugosllav nga viti ’68), e sidomos në vitin 1981 kur haptas u shpreh kërkesa «Kosova – Republikë», ishte e qartë se Serbia dhe Jugosllavia ballafaqohen me strategjinë e drejtuar në prekomponimin dhe dekomponimin e Serbisë, të Jugosllavisë dhe të Ballkanit, e me këtë edhe të Evropës. Fjala është për tentimin që të bëhet revidimi i kufijve të Evropës, gjë që bëhet edhe më evidente, po të kihet parasysh se Shqipëria nuk e ka nënshkruar dokumentin përfundimtar të Helsinkit me të cilin shtetet nënshkruese e garantojnë pandryshueshmërinë e kufijve të Evropës pas Luftës së II Botërore» («NIN», nr.2054, 13 Maj 1990).
Rasti ka dashur që si anëtar i Këshillit Universitar të Lidhjes së Studentëve të Universitetit të Zagrebit dhe si Kryetar i Komisionit Ndërkombëtar të këtij Këshilli, të ndodhesha në ballë të demonstratave masovike të studentëve dhe të qytetarëve të Zagrebit, kundër prezencës ushtarake të amerikanëve në Vietnam (viti 1968). Poashtu, rasti ka dashur që diç pas ngjarjeve të maj-qershorit të Parisit të po atij viti (1968) të ndodhesha në Bruksel, Belgjikë, në bisedime me studentët dhe të rinjtë e vendeve frankofone. «Rilindja» në Prishtinë atë vit e pati botuar një vështrim timin për kuptimin kontestues të këtyre ngjarjeve në Evropë, dhe ndonëse nuk dija asgjë për ato që në ndërkohë kishin ngjarë në Prishtinë dhe në qytetet tjera të Kosovës, prapëseprapë mendoj se të kontestohet kuptimi i kontestacionit botëror dhe jugosllav i këtyre ngjarjeve (të vitit 1968) në Prishtinë, është njësoj e pakuptimtë si edhe të kontestohet karakteri i njëjtë i ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë.
Nga ana tjetër, procesi i bashkimit të dy Gjermanive; deklarimi i republikave baltike për pavarësim nga BRSS, (tani edhe i Moldavisë), tregojnë qartë se fjala është për procese më të thella të lidhura me krijimin e një Evrope të përbashkët për të gjithë popujt e saj. Është gati evidente se përpjekjet janë duke u zhvilluar në drejtim të ruajtjes së tërësive territoriale dhe të mosndryshimeve të mëdha të hartës politike dhe strategjike të Evropës. Kërkesat e vitit 1981 në Kosovë nuk e synonin ndryshimin e hartës politike të Evropës, veçse evitimin e potencialitetit të krizave në Ballkan dhe në Evropë dhe stabilizimin e paqes në mbështetje të bazave më të forta. Andaj, argumenti mbi ndryshimin e kufijve të Evropës, ose mbi mosnënshkrimin e dokumentit përfundimtar të Helsinkit, në këtë kontekst është dubioz dhe i paqëndrueshëm.
Vlerësimi hipotetik mbi bashkangjitjen e Kosovës së konstituuar si Republikë RSP të Shqipërisë, mbështetej pikërisht mbi cilësimin e bartësve të ngjarjeve të atij viti dhe të viteve të mëvonshme si të indoktrinuar nga Shqipëria. Të dhënat e përmendura që kanë të bëjnë me zbulimin e organizatave, të grupeve ilegale dhe të individëve që janë marrë me «veprimtari armiqësore», rëndom përcilleshin me shpjegime të mëvonshme, apo të menjëherëshme, se shumica nga ato, në orientimin e tyre ideologjik e përmbanin një fundament marksist-leninist, ose edhe se shumica e të rinjve të burgosur kishin qenë të indoktrinuar nga kjo ideologji. Jepeshin të dhëna se për vepra penale ishin përgjigjur rreth 1298 veta, ndërsa ishin dënuar rreth 1019 veta. Mirëpo nuk jepeshin kurrfarë të dhënash se sa nga ata, në të vërtetë, ishin të indoktrinuar me këtë ideologji? U shpjegua më tutje se gjer në vitin 1989 e kishin përjetuar «kontaktin e afërt të llojit policor», d.m.th. se ishin trajtuar nga policia, rreth 584.373 veta, që përafërsisht do të thoshte çdo i katërti shqiptar (Blerim Reka, «Enigmë gjithnjë e pazgjidhur», «Rilindja», 13.05.1990). Një veprimtari e tillë masovike e aparatit shtetëror ndaj qytetarëve të vet në prag të shekullit XXI është vështirë të shpjegohet me reaksionin shovenist të politikës serbe, me shfrenimin e raprezalieve të aparatit shtetëror etj. Duket se është më afër mendjes, sado që nuk e kap logjika e shëndoshë, se këto u përdorën si pretekst për të mbuluar qëllimin e diagnostifikimit të disponimit politik të masave, pro apo contra bashkangjitjes me RSP të Shqipërisë? Pro apo contra fundamentit ideologjik marksist-leninist të masave?
Tani gati edhe zyrtarisht pranohet (dhe duhet të pranohet), se rrallë ndonjë i dënuar politik është deklaruar për bashkim me RSP të Shqipërisë, por se shumica nga ata kanë qëndruar pas kërkesës për konstituimin e Kosovës në Republikë brenda Jugosllavisë. Tani gjithashtu u forcua bindja se masat në Kosovë nuk ishin të orientuara drejt akceptimit të rendit shoqëror shqiptar të Shqipërisë, por edhe që rendi ekzistues i gjërave vazhdimisht do të akceleronte lëvizje të ngjashme me ato të mëparshmet. Programet e të burgosurve politikë, sipas pohimeve politike, kryesisht mbështeteshin në ideologjinë marksiste-leniniste të frymëzuar nga Shqipëria, prandaj Republika u duhej për të ndërmarrë hapin tjetër — të bashkangjitjes me Shqipërinë. Deklarimi i të burgosurve politikë në favor të opcionit jugosllav të konstituimit të Kosovës në Republikë, pa marrë parasysh metodat e vrazhda të cilat dukej se e kishin për qëllim jo aq dekurajimin e tyre për një përcaktim të tillë, sa vërtetimin e njëmendësisë së këtij deklarimi, nuk i mjaftonte politikës zyrtare. Deklarimi i Shqipërisë në favor të këtij opcioni, i përcjellë me hapa konkretë drejt demokratizimit të jetës politike, do të duhej të kishte qenë argument i mjaftueshëm, por jo aq edhe bindës për disa qarqe politike dhe shkencore. Njëmend do të dukej si i pabesueshëm dhe jo serioz këmbimi i socializmit me republikën, por duket se nivelizimi i jetës politike në të dy vendet ka një domethënie më të madhe, ndoshta nivelizimin e jetës politike në gjithë Evropën?
Kjo hapësirë, nga e cila dikur shpërthenin luftëra botërore, a ka tani shanse, apo a do të duhej të kishte shanse, që të shndërrohet në një vatër-rrezatimi të proceseve të demokratizimit në nivel kontinental? Hamendjeve të tilla natyrisht do t’u përgjigjet koha, por njerëzit së paku do të duhej ta formonin një si ndjenjë përgjegjësie për peshën që eventualisht mund ta bartin. Së paku nuk do të duhej që edhe më tutje të jetojnë me ankthin e eksperimentimeve eventuale, me të cilat tanimë janë lodhur.
Në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70, dhe pothuaj gjatë tërë kësaj dekade, Herbert Marcuse dhe mendimtarë të tjerë, me një gjallëri dhe me një entuziazëm të rrallë përpiqeshin që lëvizjen studentore ta vinin në qendër të lëvizjeve revolucionare të shoqërive të totalizuara mbi baza të zhvillimit industrial. Mirëpo kishte mbetur e pazgjidhur çështja nëse revolta studentore e Perëndimit në të vërtetë i reflektonte lëvizjet revolucionare të Botës së Tretë? Vetë këto lëvizje si duket hodhën në sipërfaqe jo vetëm udhëheqës të rinj, por edhe mendimtarë që shtronin pyetje dhe probleme të reja teorike. Një pjesë e tyre e synonin përshtatjen e teorisë marksiste ndaj kushteve autoktone të vendeve të tyre. Kësaj u kishte prirë teoria e Mao Ce Dunit mbi tri botërat dhe sidomos operacionalizimi i saj nga ana e Çu En Lajit në formë të rrethimit gradual të qendrës (vendet e zhvilluara) nga ana e periferisë (vendet në zhvillim). Teoria politike shqiptare (e Shqipërisë), në këtë kohë, ndonëse me RP të Kinës kishte marrëdhënie të mira, nuk e përqafoi mendimin teorik kinez mbi problemet e botës në zhvillim. I mbeti besnike botëkuptimit të klasikëve mbi bartësit eventualë të revolucionit dhe mbi solidaritetin e tyre në përmasa planetare. Ndërkaq, teori të afërta me establishmentin politik nga këto vende e akceptonin realitetin e ndryshuar ndërkombëtar për shkak të zhvillimit të teknikës dhe të teknologjisë ushtarake (armatimi nuklear), andaj e synonin një maturi dhe racionalizëm më të madh në koncipimin teorik të këtij realiteti. Megjithatë kishte ngjarë që udhëheqës demokratë si Kastro dhe Kwame N’Krumah, paralelisht me avancimin e lëvizjeve të tyre, të transformoheshin në mendimtarë me ndikim të proveniencës marksiste. Ndërkaq, zhvillimi i praktikës së re por esencialisht të njëjtë në relacionet ndërkombëtare, nuk kishte mbetur pa përgjigje teorike. Samir Amini nga Dakari (Senegal), e kishte bërë analizën e qarkullimit të kapitalit në përmasa botërore dhe përfundimet e tij teorike i kishte argumentuar edhe Arghiri Emmanuel me shqyrtimin e këmbimit të pabarabartë. Një plejadë e tërë teorikësh tjerë nga e tërë bota në zhvillim, nga pozita të kthimit në marksizëm (Kthim – Marksit), seriozisht i kishin rrezikuar pozitat e mendimit tradicional. Këto natyrisht që reflektoheshin edhe te rinia studentore e vendeve të zhvilluara. Ndërkaq atyre nuk u ndihmonte vetëm Marcuse. Në Francë, Louis Althusser dhe filozofë të tjerë të tubuar rreth shtëpisë botuese «Maspero» kishin konstatuar se filozofia akoma nuk kishte vdekur (për shkak të Stalinit) dhe se duhej rishqyrtuar teza mbi Feuerbachun, d.m.th., teza mbi vdekjen e filozofisë paralelisht me jetësimin e saj në realitet. Thoshte se «një vdekje pragmatike – religjioze pozitiviste e filozofisë nuk është vdekje filozofike e filozofisë». Andaj, duke e kërkuar vdekjen kritike të filozofisë, realisht e kërkonte zbatimin e saj marksist në realitetin e ndryshuar (Luj Altiser, Za Marksa, Nolit , BGD 1971). Peshë serioze problemeve të konceptimit teorik të realitetit të ndryshuar u kishte dhënë edhe shkolla e filozofëve të Frankfurtit (Habbermas), grupi i filozofëve nga Amerika Latine (Franck Gunther Franck), shkolla filozofike e Korçulës dhe grupi i filozofëve të Beogradit. Të gjithë këta, nga këndvështrime të ndryshme, me kohë e vinin në pyetje pozitën e teorive të ndryshme tradicionale mbi shoqërinë.
S’ka kurrfarë dyshimi se pozita e veçantë e Kosovës, midis mendimit dominant mbi socializmin vetëqeverisës, që mund të konsiderohet si pjesë e mendimit tradicional, pavarësisht nga inovacionet teorike të lidhura me vetëqeverisjen, dhe praktikës e teorisë shqiptare të Shqipërisë, që në suazat ndërkombëtare më tepër lidhej me teoritë që e kanosnin mendimin tradicional mbi shoqërinë, ishte me interes të veçantë për sferat e mendimit të gjithëmbarshëm teorik. Këtë e kisha vërejtur gjatë bisedimeve në tryezën e rrumbullakët me intelektualë të zgjedhur amerikanë në Mount Cisco (Maunt Kisko) të Nju—Jorkut, në tetor të vitit 1974, por kisha qenë i mendimit se Universiteti i Prishtinës ndodhej në formim e sipër, se bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës ishte në funksion të forcimit të këtij zhvillimi; se pa marrë parasysh ngecjen, po bënim hapa të sigurt në zhvillimin e gjithëmbarshëm të Kosovës, dhe se, pavarësisht nga dallimet ideologjike me Shqipërinë, ndodheshim në fillim të proceseve të zgjerimit dhe të rritës së diturive tona (shkencës), kështu që akoma nuk ishte lindur mundësia e vënies së tyre në kontekste më të gjera të ecurive të ndryshme teorike. Në kuadër të socializmit vetëqeverisës përpiqeshim t’i shquanim veçoritë e zhvillimit tonë, me qëllim të konceptimit të tyre vetanak teorik, në mënyrë që t’i kontribuonim zhvillimit të tërësishëm shoqëror. Aty nuk kishte pasur vend për ndikimin e teorive të tjera, e as të atyre nga Shqipëria. Natyrisht që akceptimi me buzëqeshje diplomatike i qëndrimeve të mia nuk do të thoshte edhe akceptim real i tyre, pa një verifikim të veçantë, me mënyra të tjera. Megjithatë ngjarjet e vitit 1981 nuk ndikuan dot në ndryshimin e këtyre qëndrimeve. Përkundrazi, ndikuan që ta pranoja sfidën e vetes me shpresë të çiltër se në kontekst të zhvillimeve të përmendura teorike, zhvillimi i proceseve demokratike në Kosovë do të jetë nismë, edhe për praktikën, po edhe për koncipimin e saj teorik në frymë të raporteve të reja të një demokracie të re e cila do të zhvillohet në përmasa të gjera, jo vetëm në Kosovë, Ballkan e Jugosllavi, por edhe në Evropë.
Edhe nga aspekti praktik-politik, ngjarjet e vitit 1981 nuk u zhvilluan tërësisht jashtë mundësive të ndikimeve të proceseve ndërkombëtare. Si kontestacion i raporteve ekzistuese, e kishin mostrën e tyre të «Solidaritetit» në Poloni, i cili i kontestonte edhe raportet e brendshme polake, por edhe teorinë e Brezhnjevit mbi sovranitetin e kufizuar të vendeve të socializmit real. Ndër të dënuarit politikë të asaj kohe kishte edhe të atillë që e pandehnin veten në rolin e Leh Valensës, ndonëse nuk ishin të njohur as me karakterin e vërtetë të atij roli, e as me natyrën e vërtetë të proceseve që zhvilloheshin atje. Megjithatë, atyre u mjaftonte që ai rol ta përmbante në vete kontestacionin e raporteve ekzistuese politike dhe shoqërore. Kontestimi i teorisë së Brezhnjevit mbi sovranitetin e kufizuar dhe të praktikës së tillë politike ndaj vendeve të real-socializmit, në Kosovë mund të reflektohej si kontestim i pozitës së saj kushtetuese që e cilësuam si dubioze (edhe autonomi brenda Serbisë edhe element konstituiv i federatës). Kontestimi i raporteve të brendshme në Poloni, i cili në fillim shprehej si kërkesë për konstituimin dhe për njohjen e sindikatës së pavarur – «Solidaritet», në Kosovë u reflektua si kontestim i deformimeve të zhvillimit të saj vetëqeverisës dhe i ngecjes në zhvillimin e gjithëmbarshëm. Natyrisht, ngjarjet në Poloni, edhe para shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, përcilleshin me vëmendje në qarqet shkencore të afërta me KQ të LKJ. Pas shpërthimit të tyre, këto qarqe e tentonin zbërthimin e paralelizmave eventualë me Kosovën, por intelektualët e Kosovës ishin të tronditur me ato që kishin ndodhur dhe nuk u lëshuan në analiza të tilla.
Kontestimi i deformimeve të zhvillimit dhe i ngecjes në zhvillim në formë të shkruar manifestohej si program jo fort i qartë ideologjik nën influencën e teorisë së marksizëm-leninizmit. Dhe jo për shkak se autorët e tyre ishin njerëz të ngritur teorikisht, por për shkak se e kishin dëgjuar terminologjinë e saj dhe u ishte dukur e përshtatshme për ta shprehur edhe kontestimin (mllefin) edhe synimin (identitetin, lirinë dhe aparatin e zhvillimit – republikën). Shkurt, kontestimi i ngecjes në zhvillim dhe mllefi ndaj deformimeve të këtij zhvillimi, e kishin gjetur në teorinë marksiste-leniniste fundamentin e tyre për t’u artikuluar me shkrim, në formë të programeve, pamfleteve, parullave e shkrimeve të tjera, por kjo nuk mund të ishte indikacion i përcaktimit të tyre të pjekur ideologjik. Megjithatë, duket se është i nevojshëm shpjegimi i mëtejshëm i rrethanave dhe një përgjigje më e thelluar lidhur me këto çështje. Kush ishin në të vërtetë bartësit e drejtpërdrejtë të ngjarjeve të vitit 1981 dhe si i shikonin gjërat?
VIJON…