Kanada / Toronto, 17 maj 2018: 100 vjet më parë, në 6 mujorin e dytë të vitit 1918, në Drashovicë të Vlorës u zbulua për herë të parë nafta në Shqipëri. Me këtë rast, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po zhvillon një seri aktivitetesh, të cilat do të vazhdojnë deri në 6 mujorin e dytë të vitit 2018. Një festim i thjeshtë do të ishte normal, por jo me bujë, siç po bëhet. Qëllimi është që vëmendja të jetë tek daullet, që bien për 100 vjetorin e zbulimit të naftës shqiptare, dhe jo tek daullet, që bien për grabitjen e naftës. Kësaj i thonë: Fshati digjet, kurva lahet dhe krihet! Janë aktivizuar: Bashkia Patos, Bashkia Kuçovë, Albpetrol-i, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) etj. Albpetrol-i përgatiti dhe botoi librin me titull: “Intelektualë të spikatur” (autor Ing. Daut Vela, kushtuar intelektualve të naftës). Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë organizoi në Kuçovë një konferencë, më 10 prill 2018, kushtuar 100 vjetorit të zbulimit të naftës shqiptare. Në këtë konferencë mori pjesë Ministri Damian Gjiknuri, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, përfaqësuesi i kompanisë SHELL në Shqipëri etj. Atje u mbajtën disa referate. Media i bëri jehonë kësaj konference. Ministri Gjiknuri mbajti fjalën e rastit.
Ndërmjet të tjerave, ai tha:
“Jam i bindur, besoj dhe shpresoj që operacioni i SHELL të dalë me shumë sukses dhe patjetër Shqipëria do të rrisë prodhimin e saj dhe do të zgjojë interesin edhe të kompanive të tjera ndërkombëtare, një interes që tashmë është zgjuar. Ka një interes të shtuar edhe për fusha të tjera, për mundësi të tjera të eksplorimit (zbulimit), qoftë në tokë, qoftë në det nga kompani shumë të mëdha ndërkombëtare. Kjo është një shënjë e mirë, që ne duhet ta përqafojmë dhe të bëjmë çmos, që ato t’i kemi këtu.”
Theksoj se me këto fraza ministri mashtron, sepse të gjithë naftën e Shpiragut do ta marrë vetëm kompania SHELL (qeveritarët kanë pjesën e tyre!). Shqipëria nuk do të marrë asnjë pikë nafte nga Shpiragu, por vetëm qiranë minerare (“thërrimet”), sepse kontrata është e vjetër. Këtë e ka deklaruar vet kryeministri Rama, më 20 shkurt 2018, me rastin e nënshkrimit të kontratës hidrokarbure me kompaninë SHELL, për Bllokun 4.
Pse nuk kërkojnë autorët, që kushtet e kontratave, sa merr shteti dhe sa marrin të huajt, të bëhen publike?
Mbajtja e tyre sekret e fsheh grabitjen kolosale! Shqipëria nuk do të rrisë aspak prodhimin e naftës. Ai prodhim i përket kompanisë SHELL, dhe jo Shqipërisë. Interes për grabitje kanë të gjitha kompanitë e huaja, qoftë në tokë, qoftë në det. Sa më të mëdha të jenë kompanitë e huaja, aq më e madhe do të jetë grabitja. Këtë shënjë “të mirë” le ta përqafoj vet ministri i korruptuar, por jo populli. Ministri do të bëjë çmos, që kompanitë e huaja të vijnë në Shqipëri. Kështu ai do të realizojë bashkëpunimin e qeveritarve tanë të korruptuar me të huajt, për grabitjen e naftës në bashkëpunim, siç kanë bërë deri tani. Kështu do të plotësohet edhe kërkesa e të huajve, për marrjen e naftës shqiptare. Qeveria do të rrijë në pushtet me ndihmën e këtyre të huajve. Njëra dorë lanë tjetrën!
Kryereferatin e mbajti Prof. Dr. Alfred Frashëri. Ai titullohej: “Zhvillimi i industrisë së naftës dhe gazit në Shqipëri, një histori suksesi në shfrytëzimin e pasurive natyrore kombëtare”. Ky referat u përgatit nga Prof. Dr. Alfred Frashëri, Ing. Haki Rokaj, Prof. As. Dr. Stavri Dhima dhe Prof. As. Dr. Shaqir Nazaj. Ky referat i bënë një analizë të thellë dhe të drejtë zhvillimit të naftës dhe të gazit në Shqipëri. Për periudhën pas vitit 1990, referati ka shumë dobësi. Në referat nuk shkruhet asgjë për dy vendimet antishqiptare të qeverisë së mëparshme “Rama-Meta”, që janë në fuqi edhe në qeverinë e tanishme të Edi Ramës. Këto vendime janë:
1- Të privatizohet Shoqëria (kompania) shtetërore e naftës Albpetrol sh. a.
2- E gjithë Shqipëria (toka dhe deti) të nxirret në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi.
Vendimi i parë synon shitjen dhe grabitjen e fushave të naftës të Albpetrol-it, nga qeveritarët tanë, në bashkëpunim me të huajt. Vendimi i dytë plotëson kërkesën e të huajve, që naftën shqiptare ta marrin ata, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar. Ky vendim u jep të huajve, nëpërmjet kontratave hidrokarbure, më shumë se gjysmën e rezervave të naftës dhe të gazit të gjithë Shqipërisë. Ky vendim e mbyll plotësisht mundësinë e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, nëpërmjet naftës dhe gazit. Ky vendim e mbyll plotësisht mundësinë e kërkimit dhe të shfrytëzimit të naftës nga vet shqiptarët. Ky vendim e mbyll edhe Fakultetin Gjeologji-Miniera. Sot, të dy këto vendime armiqësore dhe antishqiptare, janë në fuqi. Në referatin e lartpërmendur këto vendime nuk pasqyrohen fare. Ato lihen qëllimisht në harresë.
Për periudhën pas vitit 1990 autorët shkruajnë: “ Për fat të keq, ashtu si edhe e gjithë industria shqiptare në vitet nëntëdhjetë e më pas, gjatë tranzicionit (kalimit) u rrënua edhe industria e naftës dhe e gazit.”
Zotërinj profesora! Industrinë e naftës dhe të gazit nuk e rrënoi tranzicioni, por qeveritë e njëpasnjëshme antishqiptare. Ato kanë emra dhe mbiemra. Pse nuk i kritikoni fajtorët?
Më tej shkruhet: “Pas këtij viti (2005-V.K.), në kuadrin e veprimtarive të kompanive të huaja koncesionare, filloi një rritje graduale e nxjerrjes së naftës, duke arritur në 1.368 000 ton në vitin 2014. Por, fatkeqësisht, nuk ka asnjë të dhënë se sa ka përfituar shteti shqiptar nga kjo rritje, ku vajti gjaku i ekonomisë shqiptare.”
Autorët kanë nxjerr dokumente të shkruara 100 vjet më parë, të mykura në arshiva. Dhe shumë mirë kanë bërë. Pse nuk kanë nxjerr të dhëna të kohve të fundit, sa fitoi shteti shqiptar nga kjo rritje prodhimi? Pse nuk e dënojnë këtë mbajtje sekret, që fsheh grabitjen kolosale nga të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar?
Më tej autorët shkruajnë: “Në kushtet e zhvillimeve aktuale ekonomike dhe sociale globale, në këtë fillim të shekullit 21, ne na duhet të zgjidhim problemin se si duhet të bashkëpunojmë me shtetet e Bashkimit Europian dhe më gjerë, por kurdoherë pa i lënë pasuritë natyrore të atdheut në duart e huaja, siç kemi bërë këto 25 vjet, ato të mbeten pasuri e popullit shqiptar, burim për ekonominë e vendit, siguri për pavarësinë e Atdheut. Kërkimi duhet të jetë një punë e përbashkët e specialistve të kompanive të huaja dhe atyre shqiptarve.”
Ç’janë këto kushte aktuale ekonomike dhe sociale globale? Qeveria duhet të mendojë dhe të punojë për Shqipërinë, dhe jo për globin. Bashkëpunimi me shtetet e Bashkimit Europian dhe më gjerë nuk do të thotë që tu japim atyre pasuritë tona. Këtë bashkëpunim e ka zgjidhur prej kohësh bota, dhe nuk ka nevojë ta zgjidhim ne.
Më sipër autorët theksojnë: “…., por kurdoherë pa lënë pasuritë natyrore të atdheut në duart e huaja, siç kemi bërë këto 25 vjet, ato të mbeten pasuri e popullit…Kërkimi duhet të jetë një punë e përbashkët e specialistve të kompanive të huaja dhe atyre shqiptarve”.
Kjo frazë e fundit e hedh poshtë mendimin e autorve, për moslënien e pasurive në duart e të huajve. Me këtë frazë, autorët mendojnë që të vazhdojnë kompanitë e huaja të naftës në Shqipëri, megjithse nafta e vendburimeve ekzistuese është grabitur plotësisht prej tyre, dhe megjithse gjatë 25 vjetve të fundit nuk është zbuluar nga kompanitë e huaja asnjë vendburim i ri nafte dhe gazi. Kompanitë e huaja, nëpërmjet koncesioneve, le të marrin më shumë se gjysmën e rezervave të naftës dhe të gazit të gjithë Shqipërisë. Pra, Shqipëria le të jetë një koloni. Hajde profesora, hajde! Bashkëpunim me çdo pushtet: Dje me Enverin. Sot me Ramën. Nesër edhe me djallin, po të vijë në pushtet! Pse kështu? Vetëm që të përfitojnë diçka për vete, nga pushtetarët. Populli le të vazhdojë të grabitet. Ai le të varfërohet dhe të shkojë në greminë. Mjer populli, që pret nga ky lloj intelektualësh. Prandaj lulëzojnë qeveritë e hajdutve në Shqipëri, sepse kanë mbështetjen e intelektualve pseudopatriotë. Në referat nuk shprehet asnjë mendim, që nafta të shpëtojë nga grabitja, duke u rikthyer si pasuri shtetërore, në shërbim të mirëqenies së të gjithë popullit, siç e kanë shumë shtete të Europës dhe të botës.
Postime të Lidhura
ILJASA SALIHU: PËRURIM LIBRASH APO PARTIAKËSH?!
Kumanovë, 28. 10. 2016: Në një tubim partiak nuk është e hijshme që në rreshtat e parë të…
NJË PARALAJMËRIM I “MESISË” NË “SKUPIN E SIGURISË”!
NJË PARALAJMËRIM I “MESISË” NË “SKUPIN E SIGURISË”! Nga Sheradin Berisha, Facebook 20 shkurt 2022 Mynih, 19 shkurt…
RASIM BEDO: VETËM NACIONALIZMI E SHPËTON KOMBIN SHQIPTAR
Adisson, Çikago – 27. 08. 2015: Sot nacionalizmi është domosdoshmёri për shqiptarёt dhe është koha e fundit që…
ABDULLA MEHMETI: ALTERNATIVA PËR SHPËTIMIN E SHQIPTARËVE TË MAQEDONISË NGA SUNDIMI DHE TIRANIA
Tetovë, 27. 07. 2016: (Shënim hyrës: Ky shkrim është shkruar para gati tre muajve, më 2 maj të…