DR.MOIKOM ZEQO: FJALORI I GJEPURAVE DHE GJYKIMEVE TË GABUARA!

Tiranë 17 korrik 2018: Ky është një fjalor i hartuar për 14 vjet me radhë, duke lexuar 20 libra në ditë, nga 2 autorë francezë: G. Beshtel dhe Zh. K. Karier.

 

 

 

Prej 6000 teksteve të nxjerra në fjalor u futën vetëm 2500 thënie të gabuara, të cilat, sikundër mendojnë autorët e Fjalorit, japin diçka nga shijet e kohëve dhe shekujve të kaluar.
Po japim disa nga thëniet që kanë të bëjnë me letërsinë dhe artin.
Mbi Bodlerin
Ç’shoqëri është ajo dhe ç’literaturë është ajo që e quan Sharl Bodlerin si poetin e vet?
• de Ponmartin “Revista e dy botëve”, gusht 1861).
Një poet shumë i neveritshëm, që ka lënë pas një kritikë të mrekullueshme.
(Moris Leblon, “Revista e amatorëve të natyrës”, maj 1900)
Mbi A. de Vinji
Nga ky Vinji nuk do të mbesë gjë tjetër, veçse gjepurat me të cilat do të tallen pasardhësit.
(Zhan-Pol Vjenë, “Ditar”, 1829)
Mbi Volterin
Ajo që më çudit më shumë nuk janë librat e tij, por fakti që ato gjejnë lexues dhe bile admirues nga radhët e njerëzve që pretendojnë se janë të zgjuar.
(Abati Gijon, 1759)
Mbi Gëten e Shilerin
Gëteja dhe Shileri janë poetë të mëdhenj, por si shumë janë ngritur në qiell. Sa brilant falsë dhe sa plumb ka në kapakun e tyre të artë?!
(Kamil Sent-Saens, „Eko e Parisit“, shtator 1914)
Mbi Bajronin
Gjeniu i Bajronit, të them të drejtën, më duket thjesht budalla.
(Lui Veji, “Mendimtarë të lirë”, 1848)
Mbi Berliozin
Zoti Berlioz, jo vetëm që nuk ka kurrfarë mendimesh muzikore, por edhe kur rastësisht i vjen ndonjë mendim i tillë në mendje, ai nuk di të përfitojë.
(Pol Skudo, « Kritika muzikore dhe letërsia», 1850)
Mbi Bethovenin
Në Simfoninë e Nëntë të Bethovenit unë shoh një dëshmi të qartë të faktit, se Bethovenit i mungon krejtësisht përfytyrimi estetik dhe ndjenja e së bukurës.
(Lui Spor, 1861)
Bethoveni për mua ka qenë gjithmonë njëlloj si një thes me gozhdë, të cilin herë pa here e qëllojnë me një çekan të rëndë.
(Xhon Raskin, „Korrespondenca“, 6 shkurt 1881)
Mbi Venerën e Milos
Sikundër Venera e Milos, ajo ngriti dorën e saj të bardhë e të ndritshme, si të prerë prej mermeri karar.
(Zhyl de Kastin, „Shtypi“, 7 tetor 1888)
Mbi gjeniun
Të gjithë njerëzve gjenialë u pëlqen të kenë nga një tipar zbavitës. Homerit i pëlqente të quhej i verbër, kurse Çezarit – perëndi.
(M. Meri, 1860)
Mbi Molierin
Molieri duhet të mos përdorë zhargone dhe barbarizma e të shkruajë në gjuhën e rregullt franceze.
(Zhian de Labrye, 1689)
Mbi Mopasanin
Ky njeri fatkeq, i goditur para kohe nga një paralizë e përgjithshme, meriton të zihet në gojë jo për talentin e tij shumë të pakët e të trashë, por për atë popullaritet të pazakontë, që mundi të fitojë duke iu nënshtruar krejtësisht shijeve të ulëta të publikut.
(Leon Dode, “Budallai i shek. 19”, 1922)
Mbi A. de Mysenë
Burrëria – ja ç’i mungon këtij njeriu dhe artisti.
(Ogyst Vakeri, “Profile grimasa”, 1866)
Mbi darvinizmin
Domethënë Napoleoni, Aleksandri, Çezari, Aristoteli, Arkimedi, Njutoni, Shekspiri, Homeri, Zolai, Demosteni, Ciceroni – s’janë gjë tjetër veçse majmunë me rrobë tjetër?
(Filadelf Gosilla, “Njeriu e ndërgjegjja”, 1893)
Darvini duke gjykuar për njeriun vetëm sipas anglezëve, nuk vuri re ndryshimin midis njeriut dhe majmunit.
(Lui Martini, 1895)
Mbi impresionistët
Kur macja fillon të shëtisë mbi tastet e pianos dhe kur majmuni armatoset me palitër e bojëra – rezultati është impresionizmi.
(Albert Volf, “Figaro”, 25 mars 1875)

Mbi Hygoin
Unë jam ndër ata lexues, numri i të cilëve rritet pa ndërprerje dhe që e quajnë famën e jashtëzakonshme të zotit Hygo si një mistifikim të jashtëzakonshëm.
(Lui Vejo, “Gjithësia”, 2.2.1842)
Me rastin e “Të mjerëve” “Shpesh ai që e bëri ndër mend dhe e përgatit krimin është më shumë fajtor se ai që e kryen. Me librin e tij “Të mjerët” Viktor Hygoi i ka bërë shoqërisë një dëm më të madh se sa vetë të mjerëve, që u ngritën kundër saj…”
• de Lamot, “Mendime” 1877)
Viktor Hygoit: “Ju mund të hiqni dorë nga gjuha frënge, ajo nuk do të fyhet, sepse ju keni kohë që e shpërdoroni. Shkruajeni librin tuaj të ardhshëm në gjuhën gjermane”.
(Zh. B. d’Orevili, “Figaro”, prill 1872)
Mbi Zolanë
Ç’pornograf ky Zolai…
(Zhibjo, “Revista e përjavshme”, 15 maj 1809)
Ç’mund të gjesh në librat e Zolait veç gjuhës së neveritshme dhe detajeve të turpshme?
(Antuan Laport, “Zola kundër Zolait”, 1896)
Mbi Lamartinin
Lamartini nuk ka të drejtë të ankohet. Ai mbolli snobizmin dhe rriti përbuzjen.
(Gustav Plansh, „Revista e dy botëve“, korrik 1836)
Mbi Lafontenin
Lafonteni mbetet prapa Fedrit vetëm me budallallëkun e vet.
(L. de Roshfor, „Kujtime…“ 1825)
Mbi romanin
Vetëm damat me sjellje të lehtë pranojnë të jenë konsumatore të librave të tillë.
(Gystav Klosher, “Kujtimet e mia” 1840-1871)
Mbi Zhorzh Sandin
Ah, madam! Një herë e një kohë ishit vajzë e rregullt. Mos shkruani më, që të keni mundësi të bëheni edhe grua e rregullt!
(P. Zh. Prudon, „Mbi drejtësinë në revolucion dhe në kishë“, 1858)
Kjo Zhorzh Sand e përbindshme – tip e përkthyer i një qenieje disharmonike, e cila njëherazi është edhe burrë edhe grua, sikundër centauri – edhe njeri, edhe kalë.
(Zhorzh Pelladan, „Shkenca mbi dashurinë“, 1911)
Mbi Danten
Gjithçka të mirë kjo vepër e çuditshme („Komedia Hyjnore“) ia detyron kristianizmit, kurse gjithçka të keqe – shekullit dhe shijes së keqe të autorit.
(Fransua – Rene de Shatobrian, „Gjeniu i kristianizmit“, 1802)
Mbi stilin e gazetarit
Dje, në orën dy të mesditës, autobusi pati fatkeqësinë të shtypë një fëmijë.
(Konstitusjonel” 15 korrik 1859)
Mbi Malarmenë
Malarme, i papërkthyeshëm as në gjuhën frënge.
(Zhyl Renar, “Ditari”, 1 mars 1898)
Mbi Floberin
Autori i “Salambos” ishte bir i doktorit të famshëm Bovari.
(Lapsus d’Emil Fage – në “Revista universale Larussit”, 1903)
Unë do të jepja gjithë Floberin për dy qindarka.
(Leon Dode, i cituar nga Zhyl Renari në “Ditar”, 29.1.1895)
Mbi Shekspirin
Shekspiri nuk është aspak i arsyeshëm.
(Xhon Drajzer, 1631-1700)
Në tragjedinë e Shekspirit me emrin “Othello”, vetë Otellua negër, e puth dy herë gruan e vet para se ta mbysë. Njerëzve të moralshëm kjo u duket e neveritshme. Por përkrahësit e Shekspirit mendojnë se kjo është një natyrë e mrekullueshme, aq më tepër se është negër.
(Volter, “Fjalori filozofik”)
Mbi realizmin
Klasicistët shkruanin për të bukurën, romantikët alternonin të bukurën me të shëmtuarën, kurse realistët përshkruajnë vetëm të shëmtuarën.
(Pol Deshanel, “Deputeti”, 1889)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura