PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: VEPRIMTARIA E SHËRBIMEVE TË HUAJA SEKRETE NDËR SHQIPTARËT!

Tetovë, 30 korrik 2018: Shumë shqiptarëve sigurisht që u ka shkuar ndërmend dhe kanë parashtruar pyetje, por nuk kanë marrë asnjëherë dhe nga askush përgjigje të duhur, pse nuk u lejohet shumicës së studiuesve shqiptarë dhe disa studiuesve të huaj që të kenë qasje në arkivat e disa shteteve, sidomos në Serbi dhe Greqi. Kjo ndalesë u bëhet për të vetmen arsye pse janë shqiptarë, ose studiues të huaj që janë dëshmuar me punën e tyre si mbrojtës dhe afirmues të çështjes shqiptare. Këta persona llogariten për armiq nga institucionet e këtyre shteteve dhe sidomos nga shërbimet e sigurimeve shtetërore të tyre, prandaj edhe u ndalohet rreptësisht të kenë qasje në arkivat e këtyre shteteve, për t’i studiuar materialet, dokumentet dhe dosjet që posedojnë ato për shumë periudha historike, sidomos ngjarjet e rëndësishme që lidhen me historinë e popullit shqiptar dhe disa personalitete të botës shqiptare.
Çfarë dinë serbët dhe grekët, e që nuk duhet ta dinë shqiptarët?
Grekët dhe serbët, së paku nga periudha e mesjetës së hershme, posedojnë akriva të mëdha me dokumente, dosje, të dhëna dhe shënime për gjendjen, situatat, ngjarjet, personalitetet, venbanimet, numrin e popullsisë, shtritjen dhe lëvizjet e tyre, fiset dhe familjet më të shquara shqiptare; për ato të cilat nuk kanë mundur t’i vendosin nën kontrollin e tyre, si dhe për ato familje dhe individë të cilët kanë arritur t’i bëjnë për vete, t’i joshin me privilegje, tituj e grada, benificione, apo thjeshtë t’i blejnë si vegla, me para, pasuri dhe pushtet.
Institucionet e specializuara për këto çështje, sidomos të Serbisë (Jugosllavisë), Greqisë, Bullgarisë (përfshirë edhe Maqedoninë) dhe Rusisë, kanë edhe të dhëna, shënime, regjistra dhe dosje familjare dhe personale nga të gjitha vendbanimet, qytetet dhe krahinat e banuara me shqiptarë, për të gjitha periudhat e sundimit nga qeveritarë vendës apo të huaj në viset shqiptare, përfshirë edhe pushtimet dhe sundimet gjtë periudhës Bizantine, Osmane, nga periudha e sundimit të Nemanjës, Car Dushanit, kraj Petrit dhe kral Aleksandrit, Pashiqit, Rankoviqit dhe Titos, në territoret shqiptare nën ish Jugosllavi, por edhe në Shqipëri, nga të gjitha periudhat, nga Qeveria e Ismail Qemalit deri në ditët e sotme. Ngjashëm është puna edhe me shqiptarët në Greqi, të cilët janë përcjellur, kontrolluar dhe ndjekur nga të gjitha regjimet e kohës, nga formimi i shtetit grek në fillim të shek. XIX deri në ditët e sotme.

Që nga vitet 1845, 1878, dhe sidomos nga viti 1913, serbët dhe grekët janë në epërsi ndaj shqiptarëve pikërisht në bazë të këtyre të dhënave, të cilat i përdorin edhe sot, të përpunuara në formë të elaborateve dhe programeve të hartuara nga shërbimet sekrete të këtyre shteteve, me ndihmën profesionale edhe të ekspertëve nga institucionet më të larta shkencore dhe arsimore, të cilat më pastaj u jepen për zbatim organeve të caktuara të pushtetit, në formë të raporteve dhe udhëzimeve që përbëjnë sekret shtetëror, prandaj edhe janë me karakter operativ dhe të kohëpaskohshëm, të calat sipas rrethanave dhe mundësive do të zbatohen në mënyrë sa më të plotë e të suksesshme.
Qëllimi kryesor i këtyre planeve me rekomandime për t’u zbatuar ndër shqiptarët është ruajtja e „interesave strategjike” dhe sidomos i rrjetit të bashkëpunëtorëve të tyre në gjendje të përhershme gatishmërie. Këtë rrjet e ripëtërijnë sipas nevojës me agjentë dhe bashkëpunëtorë të ri ndër shqiptarët, afërsisht nga të njëjtat familje të cilët ndër breza kanë qenë dorë e zgjatur e pushtuesve të huaj serbë, grekë, bullgarë dhe të tjerë. Këto rrjete vazhdojnë edhe sot të jenë aktive, duke i ndryshuar dhe përsosur vazhdimisht metodat e punës, teknikat, teknologjinë dhe fushëveprimin.
Ky përbën sekretin e madh dhe armën më të fuqishme në duart e armiqve historikë të shqiptarëve, nga veprimi i të cilave asnjëherë shqiptarët nuk kanë arritur të jenë plotësisht të lirë dhe ta qeverisin vendin e tyre në mënyrë të pavarur, jashtë ndikimit të këtyre dy shteteve, të cilat edhe zogjtë e malit e dinë se kanë pasur historikisht qëndrime armiqësore ndaj shqiptarëve, për dallim nga disa shtete të tjera fqinjë të afërt ose më të largët.
Idealet e „tradhtuara“ komuniste dhe vëllazëria e rrejshme me popujt sllavë
Kjo traditë kundër e armiqësisë kundër shqiptarëve është ruajtur edhe pas krijimit të Shqipërisë shtet i pavarur më 1912 dhe është forcuar pas Luftës së Dytë Botërore, përmes lëvizjes komuniste ndër shqiptarët, e që vazhdon deri në ditët e sotme përmes rrjetit të shërbimeve sekrete të tyre, të endur me shumë mjeshtri në institucionet e pushtetit, përfaqësitë diplomatike dhe të ashtuquajturat organizata ilegale marksiste-leniniste, radhët e të cilave kanë qenë të mbushura me agjentë të huaj dhe bashkëpunëtorë të sigurimeve shtetërore, me qendra në Atinë, Beograd, Sofje, Shkup, Ankara, madje edhe në lidhje të drejtpërdrejta me Moskën.
Sipas rrethanave janë ndryshuar metodat e punës dhe veprimeve të këtyre rrjeteve, grupeve dhe individëve të porositur e komufluar gati përherë si „atdhetarë“ e „veprimtarë të shquar“ të çështjes kombëtare, të „dëshmuar“ me vepra në aktivitete të ndryshme politike, diplomatike, kulturore, shkencore, arsimore, në sferën e informimit, biznesit dhe sidomos në veprimtarinë e klerit fetar ndër pjesëtarët e të gjitha besimeve fetare ndër shqiptarët, pa përjashtim.
Mes konspiracionit dhe realitetit tragjik
Atë që e dinë shërbimet serbe dhe greke për ne shqiptarët, nuk mund ta dimë ne as për së afërmi për veten tonë dhe të afërmit, sidomos për udhëheqësit politikë dhe fetarë, meqë këto të dhëna përbëjnë sekretin më të madh në duart e atyre që i „mbajnë nën kontroll“ dhe nën sundim të përhershëm shqiptarët. Përmes dorës së zgjatur të tyre, rrjetit të organizuar mirë nga njerëz të besueshëm, të stërvitur, të përpunuar, të ngritur në pushtet, të cilët edhe e mbajnë timonin shtetit edhe të institucioneve më të rëndësishme të pushtetit, në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe qendrat tjera të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, ku shqiptarët paraqesin „rrezik“ për daljen nga kontrolli i këtij sistemi, i cili qëndron vazhdimisht si litar i lidhur lak në qafën e çdo shqiptari dhe që prodhon fatkeqësi, përçarje, kaos, vrasje, helme e thika tradhtie mbi cilindo që mundohet ta luftojë këtë sistem vdekjeprodhues për shqiptarët.
Institucionet e shteteve shqiptare, të Shqipërisë dhe të Kosovës, janë tepër të brishta, joimune dhe të papërgatitura sa duhet për t’u përballur me këtë fatkeqësi dhe për shpëtimin e popullit shqiptar.
Sipas përvojës së derisotme, ky rrezik mund të evitohet vetëm me ndihmën e shteteve të fuqishme aleate të shqiptarëve, por jo edhe pa vullnetin, iniciativën dhe pjekurinë e duhur të një klase të re politike që duhet të ngrihet ndër shqiptarët, e cila duhet të strukturohet jashtë këtij rrjeti famëkeq dhe kontrollit nga jashtë, duke krijuar rregulla dhe kritere të rrepta të disiplinës organizative, nga individë me përgatitje të lartë profesionale, duke e ngritur në mënyrë permanente edhe vetëdijen kritike kolektive të shqiptarëve, për rizgjimin kombëtar dhe çlirimin përfundimtar nga ndikimet dhe prangat e sundimeve të huaja, nga qeverisja „nën hije“ e jetës politike e shoqërore, ekonomike e kulturore e shqiptarëve dhe shteteve shqiptare nga agjenturat e shteteve të huja përmes nëntokës kriminale dhe disa shqiptarëve mercenarë të serbëve dhe grekëve, veprimtaria e të cilave ka shtrirje të gjerë dhe vepron papenguar në të gjitha trojet shqiptare.
Cili është shpëtimi i shqiptarëve nga kjo mortajë?
Shumë atdhetarë, dijetarë dhe personalitete të shquar të botës shqiptare i kanë besuar, e kanë përqafuar dhe përhapur edhe ideologjinë komuniste, duke i besuar socializmit si rend shoqëror „më i drejtë dhe human“, sipas bindjeve të tyre. Në këtë provim kanë rënë edhe figura të shquara të popullit shqiptar, të cilëve për shkak të natyrës së shkrimit do t’ua kursejmë emrat, por që lidhen kryesisht me periudhën e viteve të 20-ta, kur Revolucioni bolshevik rus e përhapi frymën dhe shtriu ndikimin e tij edhe ndër shumë qarqe politike dhe intelektale shqiptare të asaj kohe. Por, ky nuk është thelbi i problemit. Nuk qëndron problemi as tek grupet e para komuniste, tek ideja e internacionalizmit proletar ndër shqiptarët, që i dërgoi qindra shqiptarë të luftojnë në Spanjë për idealet e proletariatit ndërkombëtar; nuk qëndron problemi as te shumë djem të ri shqiptarë të shkolluar jashtë vendit, disa prej të cilëve i besuan idesë së komunizmit, nën edealet e të cilit e qeverisën Shqipërinë më vonë përmbi 45 vjet; nuk qëndron problemi kryesor as te mënyra e qeverisjes dhe diktatura e proletariatit, as te lufta vëllavrasëse, as te lufta e klasave, hakmarrja ndaj shumë familjeve të cilat kishin qenë të lidhura më herët me pushtetin nën Mbretërinë Shqiptare; as te lufta e ashpër për pushtet mes klaneve e grupeve komuniste që do ta qeverisnin Shqipërinë pas përfundimit të luftës antifashiste; por thelbi i këtij problemi lidhet me planet e shërbimeve sekrete të shteteve fqinje, Serbisë dhe Greqisë me ndihmën e Rusisë, përkatësisht të Jugosllavisë së atëhershme, e cila i kishte në tavolinë detyrat e gatshme që duhej t’i kryente, si gjatë luftës së ashtuquajtur „Nacionalçlirimtare” edhe më vonë gjatë regjimit komunist, në Shqipëri dhe në Kosovë e viset tjera shqiptare të mbetuar nën ish Jugosllavi.
Nuk ka qenë fajtore kryesore ideologjia komuniste, as përkrahësit e verbër të saj, por planet sekrete të qendrave të pansllavizmit, të „vëllazërisë ortodokse“ dhe alaencave të fshehta politike dhe ushtarake të shteteve ballkanike sllave ortodokse të krijuara që nga viti 1912, të cilat u vunë në zbatim në prag të LDB, gjatë saj dhe më pas, në çdo situatë të përshtatshme të krijuar nga vetë ato, për t’i goditur pamëshirë shqiptarët, pa dallim të krahinës, fisit, orientimit politik, ideologjik dhe të përkatësisë fetare. Lufta vëllavrasëse mes komunistëve dhe forcave nacionaliste ka qenë vetëm një pretekst i krijuar nga këto qendra të huaja, sepse për nxitje të një konflikti vëllavrasës me përmasa kombëtare duhet të krijohen, nxiten, frymëzohe dhe përkrahen të dy taboret me bindje të ndryshme dhe nga pasues të shumtë të ideve tyre. Për arritjen e këtij qëllimi sigurisht që duhet kohë dhe punë, propagandë e fuqishme për t’ua „mbushur mendjen“ palëve që duhet të konfrontohen, mundësisht deri në shkallë të asgjësimit të tyre dhe në katastrofë kombëtare. Halli i këtyre qendrave të huaja nuk ka qenë të fitojë njëri apo tabori tjetër politik, komunistët apo nacionalsitët shqiptarë, por të pësojë sa më shumë populli shqiptar; të hasmërohet, përçahet, drobitet e dobësohet aq sa ta humbë aftësinë e mbrojtjes nga shtrirja e ndikimit serb dhe grek mbi ta, siç edhe ka qenë e planifikuar nga qendrat për zbatimin e kësaj strategjie, së paku një shekull më parë, jo aty për aty kur janë zhvilluar ngjarjet.
Për strategjinë e këtyre qendrave ka mjaftuar një shkas i vogël për të krijuar kasaphanë të madhe mes shqiptarëve. Historiografia shqiptare siç duket edhe sot nuk i trajton këto çështje në këtë frymë, sipas hulumtimeve, studimeve dhe analizave profesionale e të paanshme, paraqijen e së vërtetës në dritën e fakteve reale e dokumenteve (të cilat ende mbahen sekrete), por merren me dëshmi e korrespondenca personale, deklarata private të pjesëmarrësve dhe drejtuesve të grupimeve të atëhershme politike të shqiptarëve me bindje dhe orientime të ndryshme ideologjike, të cilat nuk kanë pasur asnjë peshë vendimtare për rrjedhën e ngjarjeve, përveç hedhjes së hirit syve të përkrahësve të taboreve të ndryshme politike të konfrontuara për pushtet, në radhët e të cilava „punët“ kryesore i kanë kryer agjentët e huaj me ndihmën edhe të bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete armiqësore ndaj shqiptarëve, sidomos të atyre sllave.
Ndryshimi i sistemit shoqëror me bashkëpunëtorë të regjimit të vjetër, mision i dështuar
Edhe pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri dhe fillimit të proceseve demokratike në Kosovë, Maqedoni dhe vise të tjera shqiptare, situata nuk u ndryshua shumë. Edhe pse në fillim të këtyre proceseve u shfaq një homogjenizim i madh dhe pajtim ndër shqiptarët, një përkrahe e madhe deri në sakrifica edhe nga shqiptarët në botën e jashtme, për ndryshime pozitive dhe hyrje në një kurs të ri politik, të cilin duhej ta ndiqnin shqiptarët në të ardhmen për t’u rreshtuar me popujt e lirë dhe demokracitë e përparuara të botës perëndimore, kjo nuk u arrit plotësisht, dhe fatkeqësisht kjo nuk u arrit edhe me ndihmën e fuqishme të aleatëve të popullit shqiptar, të cilët e përkrahën pa rezervë lëvizjen e re demokratike në Shqipëri dhe lëvizjet demokratike e çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe në viset tjera.
Pësimet nga agjenturat e huaja dhe kujtesa e fjetur e shqiptarëve
Edhe pas afër tri dekadave nga instalimi i pluralizmit dhe demokracisë ndër shqiptarët, nuk është dëshmuar me asgjë se shqiptarët dhe lëvizja politike e tyre janë në rrugë të mbarë, të përkushtuara për ndërtimin e shtetit ligjor, kryerjen e reformave shoqërore, zhvillimin e ekonomisë dhe sigurimin e progresit të popullit shqiptar, aq më pak ngritjen e fatorit shqiptar në nivel të detyrave historike që i parashtrojnë rrethanat e reja, në periudhën e transformimeve të mëdha të rajonit në aspektin gjeopolitik dhe gjeostrategjik.
Kjo që është arritur deri më sot, e që vlerësohet pozitivisht nga faktori i brendshëm dhe i jashtëm, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe viset tjera shqiptare, është arritur vetëm në saje të ndihmës nga jashtë, nga aleatët e popullit shqiptar, SHBA dhe disa shtete të Evropës Perëndimore, si dhe nga Diaspora shqiptare, me përkrahje të pak atdhetarëve shqiptarë brenda vendit, të përfshirë në proceset demokratike dhe lëvizjen politike me orientim properëndimor.
Dëshmi për konstatimin e mësipërm janë proceset e fundit që çojnë në drejtim të degradimit të vazhdueshëm edhe të këtyre pak sukseseve të arritura gjatë viteteve të 90-ta, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi dhe kudo ndër shqiptarët.
Të gjitha këto procese të kohës së fundit nuk kanë rrjedhë të mbarë dhe të dëshirueshme, sepse asnjëherë nuk kanë qenë plotësisht nën kontrollin e faktorit politik shqiptar, por janë dirigjuar dhe kontrolluar nga jashtë, sidomos nga shërbimet sekrete të shteteve fqinje, Serbisë dhe Greqisë, përmes rrjeteve të tyre të agjentëve dhe bashkëpunëtorëve shqiptarë.
Inluenca ruse, përmes satelitëve të saj tradicionalë në rajon, shtetit serb dhe atij grek, është edhe sot e fuqishme në viset shqiptare, përmes rrjeteve të fuqishme të agjentëve të përbetuar, të cilët punojnë ditë e natë për interesat e tyre, e që fatkeqësisht kanë arritur t’i mbajnë nën kontroll gati të gjitha institucionet më të rëndësishme të shteteve shqiptare, të Shqipërisë dhe Kosovës, me këtë edhe ta kontrollojnë gati plotësisht jetën politike, ekonomike, kulturore, fetare dhe gjithçka që përbën organizimin e jetës së shqiptarëve.
Grupimet e sotme të nëntokës kriminale, mafia politike, bandat e organizuara në radhët e partive politike, rrjetetet e kontabandës me drogë, rrjetet e ndërlidhura me këto grupime në sektorin joqeveritar, fondacionet e ndryshme, qendrat kulturore e fetare, qendrat informative, televizionet dhe shtypi, kompanitë e biznesit me kapital të jashtëm, aktualisht lulëzojnë si asnjëherë më parë në viset shqiptare.
Për t’i njohur në hollësi veprimet e shërbimeve sekrete të huaja, sidomos të atyre serbe dhe greke ndër shqiptarët dhe kundër tyre, për t’i luftuar ato në mënyrë të suksesshme dhe me efikasitet të duhur, duhet të bëhen studime të hollësishme dhe të gjithanshme, nga individë kompetentë dhe institucione të specializuara të shteteve shqiptare, ku do të përfshiheshin në radhë të parë, studiues, diplomatë dhe intelektualë të shquar, njerëz të dëshmuar në këtë fushë, ndërsa rezultatet, analizat dhe përfundimet e këtyre hulumtimeve do t’u shërbenin institucioneve përkatëse të sigurisë kombëtare të shteteve shqiptare, me qëllim të ndërtimit të një strategjie afatgjatë për mbrojtjen dhe sigurinë e shteteve shqiptare dhe të popullit të tyre.
Përderisa do të lejohet të veprojnë lirshëm këto rrjete të fshehta agjenturash të thurrura gjatë kohë dhe me shumë mjeshtri ndër shqiptarët, nga armiqtë e përbetuar të këtij populli, gjasat janë minimale për ngritjen e përparimin, zhvillimin dhe rritën e shëndetshme të popullit dhe të shteteve shqiptare.
A mund të fitohet beteja kundër veprimtarive subversive dhe kriminale të shërbimeve të huaja sekrete në trojet shqiptare?
Veprimtaria dhe aktiviteti armiqësor i rrjeteve të agjenturave të huaja ndër shqiptarët, deri më sot është hulumtuar vetëm nga disa individë, kontributi i çmuar i të cilëve duhet të shërbejë si udhërrëfyes për thellimin e këtyre hulumtimeve dhe analizave në bazë të së cilave do të hartohej një program i gjithanshëm për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare të shqiptarëve kudo që janë ata. Këto hulumtime, duhet të bazohen në burime të sigurta, të dhëna shkencore që duhet të përfshijnë sidomos: periudhën e sundimit të Stefan Nemanjës; veprimtarinë politike dhe kishtare të Shën Savës; të manastirit serb të Hilandarit në Malin e Shenjtë Atos, i cili mbi njëmijë vjet përgatit plane dhe ekspertë (nën veladonin e priftërinjve) për veprimtari propagandistike dhe subversive në trojet shqiptare; për periudhën e sundimit të Car Dushanit; për Marrëveshjen e Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit, Konferencën e Londrës, Marrëveshjen e Bukureshtit; veprimtarinë e Kishës Ortodokse Serbe, Kishës ruse, Kishës greke dhe Kishës bullgare, deri në ditët e sotme; marrëveshjet politike dhe ushtarake të Alenacës ballkanike sllave-ortodokse nga viti 1912 e deri më sot; veprimtarinë e Kominternit dhe të lëvizjes komuniste në Shqipëri dhe në trojet shqiptare nën ish Jugosllavi; veprimtarinë e organizatës terroriste serbe „Doza e zezë” dhe të organizatave terorriste bullgare-serbe, TMRO-VMRO në trojet shqiptare; vepromtarinë kriminale të oganizatave policore-ushtarake serbe e jugosllave „OZNA“, „UDB“, „KOS“ dhe simotrat e tyre greke e ruse; veprimtarinë e lëvizjes Çetnike në trojet shqiptare, sidomos në Kosovë, Maqedoni dhe krahinën e Sanxhakut; veprimtarinë e elementëve të huaj të infiltruar në radhët e organizatave ilegale shqiptare me orientim marksist-leninist, në organizatat tjera politike, kulturore dhe atdhetare të shqiptarëve në botën e jashtme, si dhe në partitë dhe lëvizjet politike të shqiptarëve gjatë viteve të 90-ta e deri në ditët e sotme.
Do ta përfundoj këtë pjesë të analizës në mënyrë paksa të pazakonshme, duke parafrazuar njërin nga ideologët më të shquar të nacionalizmit serb të shekulli XX, Jovan Cvijiç, i cili Programin e tij për çështjen kombëtare serbe e përfundon me porosinë që, për realizimin me sukses të këtij programi do të duhej patjetër të krijohej një ushtri e fuqishme serbe, e cila do të kujdesej për zbatimin e tij. Kjo më vonë edhe u realizua nga pasuesit e Programit dhe ideve të tij. Me këtë shpresoj të jetë kuptuar qartë porosia edhe nga shqiptarët, sidomos nga institucionet përkatëse të shtetit, se asnjë program kombëtar nuk mund të realizohet pa mekanizmat garantues dhe mbrojtës, për zbatimin e plotë dhe të sukseshëm të tij.
Fatkeqësisht, ne shqiptarëve nuk na mungojnë vetëm këto mekanizma, por na mungon edhe vetë PROGRAMI i mirëqenies, sigurisë, progresit, zhvillimit dhe përparimit, në nivel kombëtar.
Vazhdon …

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura