ING.AGIM BREGU: NAFTA DHE GAZI NË SHQIPËRI, PRONË SHTETËRORE APO PRONË PRIVATE?!

Tiranë, 13. 04. 2016: Qeveria shqiptare le të marrë shembull nga Norvegjia, që e ka naftën pasuri shtetërore, në shërbim të mirëqënies së të gjithë popullit. Pse nuk aplikojmë në Shqipëri eksperiencën norvegjeze në naftë? Sepse modeli norvegjez i naftës nuk lejon aspak grabitjen e naftës, në bashkëpunim me të huajtë, nëpërmjet korrupsionit, gjë që është objektivi kryesor i çdo qeverie shqiptare!!! Kombi shqiptar, për naftë dhe gaz nuk ka Detin e Veriut, por ka të gjithë Shqipërinë. Fatkeqësisht, qeveria shqiptare të gjithë Shqipërinë po ua jep të huajve. Le të themelohet kompania kombëtare e naftës shqiptare, me kapital të përbashkët shqiptar (Shqipëri-Kosovë…). Vendosja në Shqipëri, e modelit norvegjez të naftës, mund ta përmbysë katastrofën ekonomike aktuale, por kjo kërkon sa më parë përmbysje politike. Zoti Rama, në raportin e Kongresit të Partisë Socialiste, foli shumë për “sukseset e qeverisë”, por për naftën dhe minierat nuk foli asnjë fjalë, sepse prekja e tyre zbulon erën e qelbur të korrupsionit dhe të grabitjes. Këtë korrupsion e tregon qartë edhe marrëveshja konçesionare për bllokun 8, e lidhur me një kompani misterioze, që u firmos nga qeveria ditët e fundit. Kush dëshiron të faktojë korrupsionin në Shqipëri, le të verifikojë marrëveshjet konçesionare të naftës. Ndaj të gjitha këtyre veprimeve keqbërëse nga ana e qeverisë, populli rri dhe bënë sehir!
***
Në vitin 2005 u mbajt në Londër konferenca mbi organizimin dhe pronësinë e industrisë së naftës së Irakut. Aty morën pjesë mbi 60 specialistë nafte nga e gjithë bota, akademikë, politikanë, administratorë korporatash etj. Pjesëmarrësit ishin të një mendimi: Kundër nxitimit për privatizimin e rezervave kryesore të naftës dhe të nxjerrjes së saj në përgjithësi (jo siç po veprohet në Shqipëri). Ata ishin kundër privatizimit, si ai i kryer në Rusi, pas rënies së komunizmit. Pse? Sepse në një shtet, ku sundimi i ligjit është i dobët, pak njerëz të korruptuar mund të mashtrojnë popullatën e gjerë (sikurse po ndodh në Shqipëri). Ata ishin kundër këtij lloji privatizimi, sepse kontrolli i pasurive faktikisht do të mbetet në duart e një grupi dhe jo të shtetit. Kjo mund të ndodhë kur ka mungesë të një sistemi të fortë gjyqësor. Pjesëmarrësit konkluduan se një kompani nafte kombëtare (shtetërore), e fortë dhe e pavarur, komercialisht e qëndrueshme, mund të jetë mjeti më i mirë për të udhëhequr zhvillimin e sektorit të naftës, dhe mund të veprojë si një lokomotivë për pjesën tjetër të ekonomisë. Ata rekomanduan që projektet e shkallës së madhe, me shumë pasoja afatgjata, më mirë të lihen për më vonë, kur elementet themelore të sundimit të ligjit të jenë vendosur në vend. Pra, jo siç po veprohet në Shqipëri, ku nuk sundon ligji. Të gjitha rezervat mbitokësore dhe nëntokësore të naftës po privatizohen me nxitim, duke u hequr perspektivën jo vetëm brezave të sotëm, por edhe brezave të ardhshëm. Ky është një krim i shëmtuar. Në Shqipëri, ky projekt i shkallës së madhe do të ketë pasoja tepër negative dhe afatgjata. Për këtë duhet menduar mirë qysh tani. Më vonë këto “privatizime” dhe konçesionet, që janë një lloj tjetër privatizimi, nuk mund të anulohen, sepse ka gjobitje të rënda. Prandaj, nëse sot nuk kemi mundësi t’i shfrytëzojmë vet, rezervat nëntokësore është më mirë t’ua lemë brezave të ardhshëm.

Harta e blloqeve të kërkimit të naftës në Shqipëri.



Nafta dhe gazi, si pronë shtetërore, në një shtet ligjor mund të qeverisen në mënyrë të tillë që të sigurojnë përdorimin e kësaj pasurie për mirëqënien e të gjithë popullit, dhe jo të mbushë xhepat e një grushti njerzish. Norvegjia shërben si model botëror, për të rritur mirëqënien e të gjithë popullit, nëpërmjet qeverisjes së mirë të naftës dhe të gazit. Në botën perëndimore roli i shtetit është në rënie pothuajse në çdo sektor të aktivitetit ekonomik, por në sektorin e naftës modeli është krejt ndryshe, sepse roli i shtetit është qendror, jo si në Shqipëri. Kompanitë e naftës, të kontrolluara nga shteti- të ashtuquajturat “kompani kombëtare të naftës”- kontrollojnë shumicën dërrmuese të vendburimeve hidrokarbure në të gjithë botën, dhe jo si në Shqipëri. Shtetet, që kanë naftë, kanë kompanitë e tyre kombëtare të naftës, kurse qeveria shqiptare kompaninë Albpetrol po e “privatizon” (domethënë po e shet dhe grabit në bashkëpunim me të huajtë!). Si shembull mund të përmenden disa prej këtyre kompanive kombëtare:
– ARAMCO (Arabia Saudite),
– NIOC (Iran),
– KPC (Kuvait),
– PDVSA (Venezuelë),
– ADNOC (Emiratet e Bashkuara Arabe),
– NNPC (Nigeria),
– PEMEX (Meksikë),
– GAZPROM dhe ROSNEFT (Rusi),
– PETROBRAS (Brazil),
– SOCAR (Azerbajxhan),
– SONANGOL (Angola),
– STATOIL (Norvegji),
– ENI (Itali),
– INA (Kroaci),
– NIS (Serbi),
– HELLENIC PETROLEUM (Greqi, pjesërisht shtetërore, dhe një kompani tjetër greke krejtësisht shtetërore për kërkimin e naftës) etj.
Këto kompani ndryshojnë dukshëm njëra nga tjetra, nga mënyra se si janë të rregulluara dhe sa të ngushta janë marrëdhëniet e tyre me qeverinë.
Nafta dhe gazi, si pronë private, pasurojnë disa persona, kurse popullin e lenë të varfër. Popujt e varfër ëndërrojnë për gjetjen e naftës, sikurse njerzit e varfër fantazojnë për fitimin e llotarisë. Por jo gjithmonë gjetja e naftës pasuron popujt. Për këtë ka plotë shembuj nga bota. Pasuritë natyrore, siç janë nafta dhe gazi etj., mund të jenë bekim ose mallkim për popujt. Ato janë mallkim kur shteti i keqpërdor. Në këto raste ka konflikte të brendëshme dhe të jashtme, grabitje të kësaj pasurie, varfëri të popullit, papunësi, ndotje të mjedisit, sikurse po ndodh në Shqipëri.
Shteti norvegjez naftën dhe gazin i ka bërë bekim për popullin e vet dhe jo mallkim. Kjo u arrit nëpërmjet qeverisjes së mirë, nga ana e shtetit ligjor, të naftës dhe të gazit të zbuluar në Detin e Veriut. Më poshtë po japim disa të dhëna për Detin e Veriut dhe Norvegjinë:
Deti i Veriut shtrihet në anë të Oqeanit Atlantik. Ai ndodhet ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Skandinavisë. Pjesa më e madhe e tij shtrihet në shelfin kontinental europian, dhe ka thellësi të vogël, mesatarisht rreth 60-90 m.
Në Detin e Veriut janë zbuluar shumë vendburime nafte dhe gazi, që u përkasin kryesisht Britanisë së Madhe dhe Norvegjisë. Nafta e Detit të Veriut është një përzierje e naftës së lëngëshme me gazin natyror. Megjithatë, krahas këtyre, ka edhe vendburime të veçanta nafte dhe gazi. Pjesa Britanike dhe ajo Norvegjeze e Detit të Veriut kanë rezervat më të mëdha të naftës dhe të gazit. Vetëm pjesa Norvegjeze e Detit të Veriut përmban 54% të rezervave të naftës dhe 45% të rezervave të gazit. Në vitin 1999, nga shelfi (cektina) kontinental i Mbretërisë së Bashkuar, u prodhuan 137 milionë tonë naftë dhe 105 miliardë m3 gaz. Pastaj prodhimi pësoi rënie. Në vitin 2014 Mbretëria e Bashkuar prodhoi 39,7 milionë tonë naftë dhe gaz, kurse Norvegjia prodhoi 92,3 milionë tonë naftë dhe shumë gaz.
Sipërfaqja tokësore e Norvegjisë, në kontinentin europian, është rreth 323 000 km2. Bashkë me ishujt Svalbard, që ndodhen në Oqeanin Arktik, sipërfaqja tokësore arrin rreth 385 000 km2. Por Norvegjia ka një sipërfaqe shumë të madhe detare (zonë ekonomike ekskluzive), që arrin rreth 2 milionë e 385 000 km2. Pra, sipërfaqja totale e Norvegjisë është 2 770 000 km2. Popullsia e Norvegjisë është 5 063 000 banorë.
Norvegjia, gjatë disa viteve rresht, renditet e para në botë për mirëqënien e popullit. Ajo është vendi i katërt në botë në të ardhurat për frymë të popullsisë (GDP).
Pagat në Norvegji, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Europian, janë 50% më të larta se mesatarja në BE. Para se të zbulohej nafta në Detin e Veriut (1969) standardi i jetesës në Norvegji ishte 30-40% më i ulët se në Suedi apo në Danimarkë. Por nafta ndryshoi gjithçka. Tani standardi i jetesës në Norvegji është shumë më i lartë se në këto dy vende. Norvegjia ka ligje dhe programe sociale, që sigurojnë fitim pothuajse të barabartë për të gjithë qytetarët. Shqipëria në këtë drejtim le të marrë shembull nga Norvegjia. Norvegjezët kanë besim të lartë tek qeveritarët e tyre të ndershëm. Pikërisht njerëz të tillë zgjedhin ata në udhëheqje, dhe jo si në Shqipëri.
Norvegjia është eksportuesi i pestë më i madh i naftës në botë. Ajo është eksportuesi i dytë më i madh i gazit natyror në botë. Norvegjia tani është eksportuesi më i madh i naftës në Europë. Të ardhurat vjetore, nga shitja e naftës dhe e gazit, arrijnë rreth 40 miliardë dollarë amerikanë. Norvegjia ka një ekonomi të gjallë dhe të larmishme, që përhap përparim gjerësisht në shoqëri. Në sondazhet e pabarazisë së të ardhurave, Norvegjia gjithmonë renditet në botë si një nga vendet me dallimet më të vogla të të ardhurave në mes të qytetarve të saj. Kjo është ajo, që e veçon Norvegjinë nga shumë vende prodhuese të naftës, sidomos në ish Bashkimin Sovjetik dhe në Lindjen e Mesme. Në këto vende nafta sjell të ardhura shumë të mëdha, të cilat i bëjnë qeveritarët jashtëzakonisht të pasur, kurse pjesa tjetër e qytetarve varet nga lëmoshat e udhëheqësve të tyre. Mënyra, se si e ka qeverisur Norvegjia pasurinë e saj të naftës, mund të jap disa mësime të vlefshme për vendet e tjera. Norvegjia shpesh shihet si një model shembullor se si të administrohen burimet natyrore, siç janë nafta dhe gazi etj., për të përfituar e gjithë shoqëria dhe jo vetëm një grusht njerzish pushtetarë, sikurse në Shqipëri.
Norvegjia burimet natyrore, siç janë nafta dhe gazi etj., i ka pasuri shtetërore, dhe qeveria norvegjeze luan rol qendror, kurse në Shqipëri ndodh krejt e kundërta. Qellimi i shtetit norvegjez është kontrolli mbi naftën. Nafta dhe gazi kontrollohen kryesisht nëpërmjet kompanisë shtetërore Statoil. Nga paret e fituara, prej shitjes së naftës dhe të gazit, qeveria norvegjeze mban vetëm 4% në buxhetin e shtetit, kurse pjesën tjetër e depoziton në Fondin e Naftës Norvegjeze. Ky fond, që rritet vazhdimisht, është për brezat e ardhshëm, kurse në Shqipëri këtyre brezave po u hiqet edhe perspektiva. Deri tani në këtë fond janë grumbulluar 890 miliardë dollarë amerikanë, domethënë 175 000 dollarë për frymë të popullsisë. Norvegjia u bë një shtet udhëheqës i mirëqënies dhe një nga shtetet më të pakta botërore, ku pothuajse nuk ka pabarazi, dhe jo si në Shqipëri.
Ky sukses shpesh konsiderohet si meritë e rracës së jashtëzakonshme të Vikingve (paraardhësve të norvegjezve), por në fakt ky sukses nuk është vetëm meritë e norvegjezve. Një pjesë e madhe e meritës i takon edhe gjeologut irakian Faruk al-Kasim, i cili kreu studimet e larta në Londër, ku u njoh edhe me bashkëshorten e tij të ardhëshme norvegjeze. Al Kasim punoi disa vite në qytetin port detar të Basras në Irakun jugor, dhe shumë shpejt u bë një nga drejtuesit më të lartë të kompanisë së naftës së Irakut, duke mbikqyrur sasitë e mëdha të naftës dhe paret e shumta të fituara nga shitja e saj. Ai vrojtoi se të ardhurat e mëdha të naftës së Irakut e linin anash popullin. Ato shkonin në xhepat e një grushti njerzish, kurse populli mbetej i varfër. Në vitin 1968, për arsye familjare, al-Kasim kaloi me banim në Norvegji. Ai dha një kontribut të shquar për zbulimin e parë të naftës në Detin e Veriut (në dhjetor, 1969) dhe parashikoj zbulime të tjera të mëdha nafte dhe gazi. Më 1971 u zbulua në det një nga vendburimet më të mëdhenj të naftës në botë. Për këto merita, qeveria norvegjeze kërkoi mendimin e al-Kasim, se si duhej qeverisur nafta dhe gazi i Norvegjisë. Ai u shpreh që nafta dhe gazi të jenë pasuri shtetërore, në shërbim të mirëqënies së të gjithë popullit, dhe jo si në Irak. Al-Kasim, dhe një koleg i tij norvegjez, kërkuan krijimin e kompanisë shtetërore kombëtare të naftës, të quajtur Statoil, që do të thotë “Nafta shtetërore”, dhe të “Drejtorisë së Naftës Norvegjeze”, të dyja të pavarura nga shteti. Ata përpiluan “10 urdhëresat” për sektorin norvegjez të naftës. Këto urdhëresa janë në përputhje me pikëpamjen e qeverisë, që të sigurohet se nafta dhe gazi shfrytëzohen për të mirën e të gjithë shoqërisë. Këto urdhëresa u miratuan në parlament më 1971. Njëra nga këto urdhëresa ishte që të themelohej një kompani kombëtare e naftës. Një urdhëresë tjetër ishte që shteti të përfshihej në të gjitha nivelet e duhura, për të koordinuar interesat norvegjeze brenda industrisë së naftës norvegjeze.
Statoil u themelua në vitin 1972, si kompani shtetërore e naftës së Norvegjisë. Ajo zhvillon ekspertizën lokale dhe siguron vende pune për norvegjezët, kurse Shqipëria i shkurton vendet e punës në naftë. Drejtoria e Naftës është një lloj arbitri, duke siguruar që projektet e naftës tu shërbejnë interesave të Norvegjisë, duke minimalizuar ndotjet mjedisore dhe duke maksimalizuar vendet e punës dhe fitimet për norvegjezët. Kështu, Norvegjia përdori naftën e saj për të krijuar vende të mira pune dhe industri të klasit botëror, pa ndotur mjedisin, kurse Shqipëria të gjithë naftën po ua jep të huajve, duke mos krijuar vende pune, dhe duke ndotur mjedisin (shih Marinzën!). Në fillim qeveria e Norvegjisë kishte vështirësi financiare, dhe prandaj u bëri thirrje qytetarve të saj për të mbuluar gjysmën e shpenzimeve për zhvillimin e vendburimeve të naftës.
Pra, ndryshe nga shumë vende prodhuese të naftës në botë, qeveria norvegjeze vuri në punë paratë e qytetarve të saj dhe, në këtë mënyrë, zgjidhi mungesat financiare dhe nuk ua dha naftën të huajve, kurse në Shqipëri po ndodh krejt e kundërta. Në fillim Norvegjia kishte nevojë për shumë gjeologë dhe inxhinierë nafte, prandaj në disa universitete u hapën fakultete për pregatitjen e tyre, kurse në Shqipëri gradualisht po mbyllet edhe i vetmi Fakultet Gjeologji-Miniera. Gjithashtu, atje u hapën shumë kurse për kualifikimin e specialistve dhe teknikve të naftës, kurse në Shqipëri u mbyllën. Kështu u arrit të zhvillohej industria e naftës. Norvegjia ka dhënë edhe disa blloqe detare me konçesione tek kompanitë e huaja, sepse ajo ka sipërfaqe shumë të madhe detare, kurse Shqipëria jonë e vogël po jepet e gjitha me konçesione tek kompanitë e huaja, me qëllimin e vetëm që të përfitojnë pushtetarët tanë, në çdo marrëveshje konçesionare, nëpërmjet korrupsionit.
Arsyetimi i qeverisë shqiptare, për dhënien e naftës me konçesione, është ky:
1-Strukturat ndodhen shumë thellë dhe zbulimi i tyre kërkon shumë para.
2- Na mungojnë fondet…
Ky arsyetim është i pabazuar, sepse tek ne ka shumë struktura të cekta. Për paratë, qeveria shqiptare le të veprojë si Norvegjia, duke vënë në punë paratë e popullit. Në marrëveshjet konçesionare me të huajtë, arritur nëpërmjet Statoil, dhe jo nëpërmjet qeverisë me korrupsione, si në Shqipëri, Norvegjia merr jo më pak se 50% të naftës dhe të gazit (përveç taksave), kurse Shqipëria nuk merr pothuajse asgjë. Naftën tonë e marrin të huajtë, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar. Më 1988 vet Norvegjia mori pjesë në 90,4% të projekteve të fushave të naftës, kurse të huajtë morën pjesë shumë pak. Statoil është kompani e bazuar në kapitalin shtetëror, dhe qysh nga viti 2001 pjesërisht në kapitalin privat (30%). Zhvillimi, funksionimi dhe marrëdhëniet e Statoil kanë qënë të lidhura ngushtë me qeverinë norvegjeze.
Qendrimi i Norvegjisë ndaj naftës ka shërbyer si burim frymëzimi dhe model i mirë imitimi për sektorin e hidrokarbureve në shumë vende të botës (për shembull, Nigeria, Meksika etj.). Duhet theksuar se qendrimi politik i Norvegjisë, qysh në fillim, ishte i përqendruar në ruajtjen e kontrollit të shtetit mbi sektorin e naftës, dhe jo si në Shqipëri. Statoil luajti një rol të rëndësishëm për të kontribuar në zhvillimin e industrisë norvegjeze, në sektorët e ndryshëm të ekonomisë. Industria e naftës hapi fronte pune dhe zhvillim jo vetëm në naftë, por edhe në sektorët e ndryshëm të ekonomisë, që lidhen me naftën (sektori mekanik, elektrik, ndërtimi, transporti, tregëtia etj.). Pra, zhvillimi i industrisë së naftës nxiti rritjen e të gjithë ekonomisë, sikurse dallgët e detit, që rrisin njëra tjetrën. Nafta shërbeu si lokomotivë e zhvillimit të gjithë ekonomisë së Norvegjisë, kurse në Shqipëri ndodhi krejt e kundërta, domethënë mbyllje të fronteve të punës në naftë dhe në sektorët e tjerë, varfëri, papunësi, emigracion…
Norvegjia ka një program për qeverisjen e mirë të burimeve të naftës, sipas përvojës së saj. Ky është programi “Nafta për zhvillim”. Ky program është një ndihmë e madhe për vendet, që kanë burime nafte dhe gazi, por nuk dinë si t’i administrojnë ato. Shumë shtete marrin pjesë në këtë program, kurse qeverisë shqiptare ky program nuk i pëlqen! Programi trajton financat/të ardhurat, kapacitetin institucional dhe organizativ, qeverisjen e bazuar dhe antikorrupsion. Menaxhimi i naftës ka nevojë për administratë të fortë dhe transparencë publike, jo errësirë, si në Shqipëri. Në errësirë bëhen krime… Programi trajton legjislacionin, institucionet mbikqyrëse dhe sistemet e monitorimit. Në program pasqyrohet se si është strukturuar aktualisht sektori shtetëror (publik) i naftës së Norvegjisë. Programi ka avantazhin e bërjes së dukëshme të të ardhurave dhe të aspektit mjedisor të sektorit të naftës. Objektivi i programit është reduktimi i varfërisë nëpërmjet administrimit të mirë të naftës nga ana ekonomike, sociale dhe ekologjike, dhe jo si në Shqipëri. Ky program ka dhënë rezultate shumë të mira në një sektor kritik nga ana ekonomike dhe politike. Programi trajton problemet e vështira, që burimet e mëdha të naftës paraqesin në politikë dhe në ekonomi në vendet në zhvillim, veçanërisht në të ashtuquajturat “shtete të brishta”, domethënë vendet e varfra me sistem të dobët të qeverisjes, sikurse është Shqipëria.
Studimet theksojnë tendencën e pushtetarve vendas për bashkëpunim me disa kompani të huaja, me qellim që sëbashku të rrëmbejnë fitimet e ardhura nga nafta. Pikërisht kjo po ndodh në Shqipëri, gjatë këtyre 25 viteve të pseudodemokracisë! Prandaj bëhen “privatizimet” dhe konçesionet në Shqipëri, që të realizohet bashkëpunimi me të huajtë për grabitje. Pra, nevoja për të vënë në qendër të vëmendjes qeverisjen e sektorit të naftës është më e madhe se kurrë. Programi lufton varfërinë. Vendeve, që tregojnë interes dhe kanë shqetësime me qeverisjen e sektorit të naftës, Norvegjia është e gatëshme që programin e saj ta verë në dispozicion të tyre, por qeveria shqiptare i largohet këtij programi, sikurse djalli i largohet temjanit, dhe arsyeja dihet! Programi kërkon që burimet natyrore (nafta, gazi etj.) të jenë pronë shtetërore (publike). Kjo kërkon përfshirjen e një sektori publik të fortë, shumë të sofistikuar:
1. Vendosjen e një ministrie për naftën;
2. Një organ i pavarur (Drejtoria e Naftës Norvegjeze), rregullator i monitorimit, respektimit dhe zhvillimit;
3. Një kompani kombëtare (shtetërore) e pavarur nafte (Statoil) e organizuar në operacionet tregtare për të maksimalizuar përfitimet publike.
Programi kërkon që kompania të ketë aftësi për të taksuar kompanitë ndërkombëtare (shumëkombëshe) të naftës, dhe jo si në Shqipëri. Ai kërkon të ketë sistem koncesionar për ndarjen e të drejtave të kërkimit dhe të prodhimit. Programi kërkon të nxitet hyrja graduale në industri e aktorve kombëtarë teknologjikë dhe financiarë. Kombi shqiptar ka plotë pasanikë, të cilët mund të investojnë tek kompania shqiptare, për zhvillimin e fushave të naftës, por atyre nuk u jepet mundësia. Të sundojë rregullimi i rreptë me ligje në sektorin e naftës. Programi trajton menaxhimin e burimeve financiare të sektorit publik. Norvegjia ka kontrolle të shumta, për të siguruar që të gjitha të ardhurat e naftës të hyjnë siç duhet në arkat publike (shtetërore), në mënyrë që të minimizohet korrupsioni, dhe jo si në Shqipëri. Programi synon të sigurohet qellimi social demokratik i të ardhurave të naftës: Krijimi i vendeve të punës, reduktimi i pabarazisë, luftimi i varfërisë, kthimi i naftës nga mallkim në bekim për popullin.
Qeveria shqiptare le të marrë shembull nga Norvegjia, që e ka naftën pasuri shtetërore, në shërbim të mirëqënies së të gjithë popullit. Pse nuk aplikojmë në Shqipëri eksperiencën norvegjeze në naftë? Sepse modeli norvegjez i naftës nuk lejon aspak grabitjen e naftës, në bashkëpunim me të huajtë, nëpërmjet korrupsionit, gjë që është objektivi kryesor i çdo qeverie shqiptare!!! Kombi shqiptar, për naftë dhe gaz nuk ka Detin e Veriut, por ka të gjithë Shqipërinë. Fatkeqësisht, qeveria shqiptare të gjithë Shqipërinë po ua jep të huajve. Le të themelohet kompania kombëtare e naftës shqiptare, me kapital të përbashkët shqiptar (Shqipëri-Kosovë…). Vendosja në Shqipëri, e modelit norvegjez të naftës, mund ta përmbysë katastrofën ekonomike aktuale, por kjo kërkon sa më parë përmbysje politike. Zoti Rama, në raportin e Kongresit të Partisë Socialiste, foli shumë për “sukseset e qeverisë”, por për naftën dhe minierat nuk foli asnjë fjalë, sepse prekja e tyre zbulon erën e qelbur të korrupsionit dhe të grabitjes.
Këtë korrupsion e tregon qartë edhe marrëveshja konçesionare për bllokun 8, e lidhur me një kompani misterioze, që u firmos nga qeveria ditët e fundit. Kush dëshiron të faktojë korrupsionin në Shqipëri, le të verifikojë marrëveshjet konçesionare të naftës. Ndaj të gjitha këtyre veprimeve keqbërëse nga ana e qeverisë, populli rri dhe bënë sehir!

_________________________
ING. AGIM BREGU: GJEOLOGJIA MUND TA ZHDUK VARFËRINË EKONOMIKE NË SHQIPËRI. TA SHPËTOJMË NAFTËN NGA KTHETRAT E GRABITQARËVE!
http://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=5164

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura