GJOKË DABAJ: ANGLEZËT DHE AMERIKANËT DUHET TË NDËRROJNË QËNDRIM NDAJ ENVER HOXHËS

Durrës, 16 tetor 2018: (Botohet me rastin e 16 Tetorit, ditëlindjes së 110’të të Enver Hoxhës, udhëheqës i madh i krejt Kombit Shqiptar) – Në të vërtetë, anglezët dhe amerikanët, para se të ndërrojnë qëndrim ndaj Enver Hoxhës, duhet të ndërrojnë qëndrim ndaj SHQIPTARËVET. Enver Hoxha, si komunist, nuk është dalluar aq shumë prej komunistëvet të tjerë. Ka pasur dallime, të cilët mund të analizohen, por jo të atillë që të mund të përbënin arsye për ta veçuar prej të gjithë komunistëvet të tjerë dhe për ta luftuar, sikur në botë s’kish komunistë të tjerë. Edhe në Bullgari udhëhiqnin komunistët, edhe në Rumani, edhe në Hungari, edhe në Poloni, por politikanët perendimorë ndaj asnjërit prej atyre komunistëve nuk u sollën si ndaj Enver Hoxhës. Madje Titon, qysh në vitet e Luftës së Dytë anglezët e konsideruan mik dhe e BËNË mik. Në qoftë se Enver Hoxha do të ish ndodhur, për shembull, në krye të Çekosllovakisë, perendimorët do t’i kishin gjetur mënyrat për ta bërë për vete. Por Enver Hoxha ishte udhëheqës i shqiptarëvet dhe perendimorët (e kam fjalën për politikanët) asnjëherë nuk i kanë trajturar shqiptarët si kombet e tjerë të kësaj pjese të botës.
Në 30 faqet e para të librit “Rrëziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, Enver Hoxha shkruante pikërisht për qëndrimin e sundimtarëvet perendimorë ndaj Shqipërisë shumë kohë para se këtu të vinte komunizmi. Kjo është një dëshmi e pakundërshtueshme që, as anglezët, as amerikanët, në instancat e tyre shtetërore, nuk e kishin “inatin” me Enver Hoxhën, por e kishin “inatin” me Kombin Shqiptar. Pse ekzistonte në Perendim një e këtillë fobi ndaj Kombit Shqiptar, u takon sociologëvet, historianëvet dhe politologëvet, edhe të atyre vendeve, për ta sqaruar.
Në f.5-6 të librit që kemi në dorë, Enveri shkruan: “Korrentet e ndryshëm politikë (të Britanisë)… gjithmonë e kanë parë Shqipërinë si plaçkë tregu.” “Banorët e këtij vendi janë konsideruar si një popull i egër, barbar, pa kulturë, në një kohë kur ky (popull)… ka qenë… jo më pak i kulturuar se populli i Skocisë dhe ai i Kromuellit.” (f.6)
Unë mendoj që politologët dhe politikanët e sotëm të Mbretërisë së Bashkuar do të duhej ta lexonin këtë libër të Enver Hoxhës, jo thjesht për të ndërruar qëndrim ndaj Kombit Shqiptar, por edhe për interesat e vetë shtetasvet të asaj Mbretërie. Dikujt mund t’i duket e çuditshme kjo që po them, por unë kam bindjen që, nga ndërrimi i qëndrimit ndaj shqiptarëvet varet shumë e ardhshmja edhe e vetë britanikëvet.
“Kur dukët ishin kredhur në flori dhe dukeshat angleze i kishin mbushur gjokset, kokën e duart me xhevahire, merret me mend se ç’rëndësi mund të kishte për ta Shqipëria.” (f.9)
Lexojmë këta rreshta dhe vetëvetiu na shkon mendja: Ky Enver Hoxha a ka vetëm hallin e popullit të vet apo ka edhe një vizion më të gjërë që lidhet me të ardhshmen e vetë anglezëvet dhe të mbarë njerëzimit?! Ku po shkon njerëzimi me këtë lloj egoizmi kaq të palogjikshëm dhe me këtë lloj polarizimi?!
Në këtë mënyrë, ndërrimi i qëndrimit ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëvet, simbolikisht do të përfaqësonte një shikim krejt tjetër ndaj të gjithë problemevet që ka sot bota.
“Disa të paktë publicistë, ndonjë studiues amator, apo ndonjë poet i madh i epokës romantike, siç ishte Bajroni, (do t’i) hidhnin një dritë të vogël popullit anglez për Shqipërinë dhe shqiptarët.” (f.6)
Por e gjithë kjo përpjekje e elementit racional dhe progresist të atij shteti ish tepër e pamjaftueshme. „Në çdo moment kyç të historisë sonë dhe veçanërisht kur populli shqiptar luftonte heroikisht me armë në dorë kundër Perandorisë Otomane, Anglia mbante kurdoherë anën e (Perandorisë Otomane).“ (f.10)

„Kryeministri i Anglisë… lordi Bikonsfild (Dizraeli), kur u kthye në Londër nga Berlini, deklaroi me pompozitet se kishte sjellë ‚paqe me nder‘.“ (f.10) Kongresi i Berlinit, pjesë shumë të mëdha të Shqipërisë ua kish dhuruar fqinjëvet, ndërsa pjesën tjetër, edhe më të madhe, e kish lënë sërish nën sundimin e Turqisë! Dhe, këtë realitet kaq të hidhur për Kombin Shqiptar, kryeministri i atëhershëm i Anglisë, e quante „paqe me nder“!
A s’është e udhës ta rilexojë dhe ta kritikojë Anglia e sotme atë qëndrim të atij kryeministri të atëhershëm, aq të papërgjegjshëm?!
„Në ata momente të vështirë… Bizmarku dhe Dizraeli u thanë gjyshërvet tanë të lavdishëm : ‚Nuk interesohemi për disa kasolle shqiptare‘.“ (f.10)
Por, kur në Shqipëri, në atë copë të Shqipërisë që, falë përpjekjevet të mëdha të bijvet më të mirë të këtij Kombi, ia kish dalë të jetë shtet më vete dhe kur në krye të këtij shteti kish ardhur njëri ndër demokratët më të mëdhenj botërorë, Theofan St. Noli, ja se çfarë bën Anglia e atëhershme: (Citoj Enver Hoxhën) „Inteligjencë Servisi… bëri çmos të dobësonte Qeverinë Demokratike të Fan Nolit më 1924 dhe të siguronte prej saj koncesionin e naftës në Patos, Ardenicë e gjetkë.“ (f.11)
Pyetja që shtroj unë tani, është kjo: Si nuk e kuptonin ata politikanë të atij shteti aq të fuqishëm, që i kish në dispozicion dhjetëra fusha naftëmbajtëse, se ish më mirë për ta të kishin në këto hapësira NJË SHTET MIK, të konsoliduar, se sa krejt naftën e këtij vendi?!
Ndërkaq, shkruan Enver Hoxha, „Ahmet Zogu… luajti politikën e portës së hapur“ (f.11) dhe ky doemos u pëlqeu, edhe qeveritarëvet anglezë, edhe qeveritarëvet amerikanë. Por përkohësisht, sepse më vonë Ahmet Zogu do të trajtohej prej të dyvet si një kartë e djegur.
Nuk kemi pse zgjatemi më tutje. Libri i Enver Hoxhës „Rrëziku anglo-amerikan për Shqipërinë“ i ka 430 faqe. Unë mendoj që ky libër duhet të mbahet parasysh prej politikanëvet anglezë dhe amerikanë, në radhë të parë, sepse aty NUK KA GJËRA TË PAVËRTETA dhe, në radhë të dytë, se, prej atyre TË VËRTETAVE, qoftë Anglia, qoftë SHBA-ja, duhet të nxjerrin konkluzione dhe të korrigjojnë politikën e tyre ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëvet.
Ata, pra politikanët anglezë dhe amerikanë, duhet ta kenë kuptuar tashmë, sa gabim ka bërë Evropa e gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe e fillimit të shekullit XX që e ka copëtuar ashtu Shqipërinë dhe që, duke e copëtuar ashtu Shqipërinë, ka lënë hapur mundësinë e shpërthimit të konfliktevet me pasoja lehtësisht të parashikueshme edhe për vetë fatet e Londrës e të Vashingtonit.
Është bërë gabim që është vepruar në dëm të Kombit Shqiptar, në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, është bërë gabim që, në vitin 1913, Fuqitë e Mëdha kanë marrë vendim për ta copëtuar edhe më keq Shqipërinë, është bërë gabim që nuk është përkrahur PA REZERVA lufta e Kombit Shqiptar kundër pushtuesvet fashisto-nazistë e udhëhequr nga Enver Hoxha dhe është bër gabim që Anglia dhe SHBA-ja nuk e përkrahën PA REZERVA qeverinë e Enver Hoxhës në periudhën nga viti 1944 deri në vitin 1945. Dhe, më në fund, SHBA-ja dhe Anglia kanë bërë gabim që nuk e kanë ngritur zërin ME FORCË kundër shkatërrimit të ekonomisë shqiptare dhe të fuqisë mbrojtëse shqiptare në procesin e restaurimit të kapitalizmit në këtë vend.
Unë po sjell këtu një pasqyrë fare të shkurtër të zhvillimit ekonomik të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në të quajturën Kohë e Enver Hoxhës, ekonomi të cilën SHBA-ja, bashkë me Mbretërinë e Bashkuar dhe shtetet e tjerë të Evropës Perendimore, nuk duhej të kishin lejuar që të shkatërrohej.
Korça e kish një fabrikë lëkurësh dhe këpucësh. E mirë, e keqe, mund të ish pak bezdisëse se ndjehej era e lëkurëvet që regjeshin, por aty punësohej një numër punëtorësh dhe prodhimet e asaj fabrike i plotësonin nevojat e popullit. E vura këtë fakt që në fillim, thjesht për të përdorur shprehjen e mirë, e keqe.
Korça kish një uzinë instrumentesh, një uzinë të mekanikës bujqësore, një kombinat të trikotazhevet, një ndërmarrje qilimash, kish një minierë qymyrguri në Mborje-Drenovë dhe kish një ndërmarrje të madhe bujqësore në hapësirat rurale të Plasës. Rrjet tregrie, ndërmarrje ndërtimi, ekonomi bujqësore, që quheshin koopertiva, gjithandej rretherrotull dhe njeriu mund të gjendte ndër njerëz dëshira të shumta, aspirata të shumta, ëndrra për gjëra të mëdha dhe ambicje të paplotësuara, por arsye reale për të ikur nga sytë këmbët nuk kishte dhe Korça ish plot me njerëz, fshatrat rreth Korçës gëlonin nga gjallëria, rrugët e qytetit plot me fëmijë dhe s’të zinte syri asnjë lypës, jo vetëm në Korçë, por në asnjë qytet të Republikës. Po sot, o Korçë e dashur, pa më thuaj si je?! Ku i ke dhe si i ke fabrikat, uzinat, kombinatet, minierat, plantacionet e mollëvet dhe ç’po bëhet me prodhimet aq të bukur të tokës tënde?!
Maliqi kish një kombinat të sheqerit. S’ish punishte sheqeri. S’ish një ëmbëltore e zakonshme bonbonash e karamelesh. Ish kombinat me qindra e ndoshta më shumë se qindra punonjës të punësuar. Maliqi kish një ndërmarrje të madhe bujqësore dhe kjo, bashkë me shumë prodhues të tjerë të panxharit, i jepte jetë kombinatit të sheqerit. Maliqi kish një strukturë të atillë bonifikimi, e cila nuk lejonte kurrsesi që të rikthehej këneta e dikurshme.
Pogradeci kish një minierë të hekur-nikelit në Gur të Kuq, që ish pronë e jona, prone e vendësvet, ashtu siç ishin pronë e jona “miniera” e turizmit dhe “miniera” e kulturës lasgushiane dhe kuteliane.
Në Përrenjas kishim një minierë tjetër të hekurnikelit dhe një garniturë të plotë organizmash furnizues e shërbyes me të gjitha gjërat që u duheshin banorëvet të atyshëm, për të jetuar aty ME DËSHIRË dhe për të mos e mbajtur mendjen as te Tirana, jo më te një Greqi a Itali.
Në Elbasan kish një kombinat të madh metalurgjik që quhej “Çeliku i Partisë”. Mbas restaurimit të kapitalizmit, ai kombinat mund të mos quhej më, zyrtarisht, “Çeliku i Partisë“, mund t’i ndërrohej emri, por të mbetej pronë e shqiptarëvet, jo të bëhej pronë e dikujt tjetër, i cili të na i shkrinte aty edhe KAPAKËT E PUSETAVET. Në Elbasan kish edhe një uzinë mekanike pranë kombinatit të metalurgjisë. Po them UZINË MEKANIKE, s’po them OFIÇINË! Elbasani kish edhe një kombinat të madh të drurit. Kish bujqësi të mirë që e furnizonte qytetin me çdo gjë që i duhej, kish artizanat, kish një rrjet tregtie për t’u pasur zili dhe s’kish as banda të strukturuara kriminale dhe as shëmtim ambienti nga duar të zgjatura lypësash.
Edhe Gjirokastra kish një uzinë mekanike prodhimesh nga më cilësorët. Kish fabrikë këpucësh, kish fabrikë cigaresh dhe kish pasuri shpirtërore për të furnizuar gjithë Kombin me krenari kombëtare.
Në Lukovë të Sarandës kish një ndërmarrje bujqësore të lakmueshme jo vetëm për prodhimet, por edhe për bukuritë e rralla. Krejt RPSSH-ja ishte e bukur dhe po bëhej gjithnjë e më e bukur! Në Dhrovjan kish një minierë të kripës së gurit.
Në Memaliaj kishim minierën e qymyrgurit dhe ish ndërtuar aty një qytet i ri që i ofronte një pjese të mirë të Toskërisë dhe Labërisë kushte për jetesë të mirë dhe të denjë. Rretherrotul një blegtori e bujqësi të kënaqshme dhe një tregti krejt normale, për t’u shërbyer, si atyre që punonin nën tokë, ashtu edhe atyre të mbitokës. Në mbrëmje s’ish nevoja të shkoje në koncerte: gëlonte kënga labe e kënga toske, rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi.
Në Vlorë ish fabrika e çimentos „V.I.Lenin“. Mbas rikthimit të sistemit kapitalist, ajo fabrikë mund edhe të mos e mbante, zyrtarisht, emrin e Leninit, por prodhimin s’kish përse as ta pakësonte, as ta ndalonte dhe s’kish përse Vlora të blinte çimento të huaj. Në Vlorë kish një uzinë të llampavet elektrike, kish një uzinë të sodës dhe të prodhimevet të quajur PVC, kish minierën e serës në Selenicë, të njohur në botë. S’po dua të kujtoj me çfarë u njoh tani Selenica në gjithë botën. Dhe ec e mos bërtit: Ooo-oh!
Në Fier kishim një uzinë prodhimesh të azotuar. Në ballsh qe realizuar përpunimi i thellë i naftës. Në Patos ishte uzina mekanike për makineritë që i duheshin industries së naftës. Në rrethin e Lushnjës ekzistonte një ndërmarrje e madhe bujqësore me emrin “29 Nëntori” dhe një uzinë moderne e lëndëvet plastike.
Berati kish kombinatin e tekstilevet në të cilin punonin 20 mijë njerëz, kryesisht femra, dhe shqiptarët s’kishin arsye as t’u shkonte mendja se do të vinte dikur dita për të blerë te “Gabi” rroba për kalamajtë. Në shërbim të kombinatit, po në Berat, funksiononte edhe uzina e pjesëvet të ndërrimit për industrinë tekstile. Ndërsa në Kuçovë, që atëherë i thoshim “Qyteti Stalin”, ekzistonte një uzinë mekanike e naftës.
Durrësi kish fabrikën e hershme të cigarevet, tashmë të modernizuar, me emrin “Telat Noga”. Kish fabrikën e gomës me emrin “Kozma Nushi”, kish uzinën e radiotelevizorëvet URT dhe pikërisht atëherë kur duhej të zgjerohej simbas kërkesavet të kohës, ajo u shua dhe u zhduk përfundimisht. Durrësi kish edhe një ndërmarrje të industrisë kimike dhe, mbi të gjitha, kish Portin dhe një park të madh kamionësh të eksport-importit. Në Durrës kish një uzinë të mekanikës bujqësore, në Sukth një ndërmarrje të madhe bujqësore e blegtorale, që furnizonte Durrësin dhe Tiranën me prodhime të bollshëm dhe aspak të rremë.
Kavaja shquhej me fabrikën e saj të qelqit dhe xhamavet dhe me uzinën e gozhdë-bullonavet.
Në Tiranë u zhvillua në ata vite një industri mbresëlënëse, e cila nuk do të mund të emërtohej ndryshe, veçse Industria e Kohës së Enver Hoxhës. Uzina mekanike “Dinamo”, uzina tjetër me merin me emrin “Enver”, uzina mekanike gjeologjike, uzina elektromjekësore, uzina e prodhimevet të enëvet të kuzhinës “Partizani”, Kombinati i Autotraktorëvet “Enver Hoxha”, Kombinati Materialevet të Ndërtimit “Josif Pashko”, kombinati i përpunimit të mishit e të qumështit, të cilit nuk i duheshin reklamat, sepse vetë prodhimi e bënte reklamën, Kombinati i Drurit “Misto Mame”, Kombinati i Tekstilevet “J.V.Stalin”, kombinati i prodhimit të tullavet, Kombinati Ushqimor “Ali Këlmendi”, miniera e qymyegurit në Kërrabë, miniera e qymyrdurit në Valias, Ndërmarrja Bujqësore “Ylli i Kuq” në Kamëz, Ndërmarrja Bujqësore “Gjergj Dimitrov”, Ndërmarrja e Ndërtimit “21 Dhjetori”, Ndërmarrja e Prodhimevet Artistikë “Migjeni”, Ndërmarrja e Prodhimevet Farmaceutikë “Profarma”, ndërmarrja e përhapjes së librit, të cilin e botonin Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” dhe “8 Nëntori”, ndëmarrja e ndërtimit të hidrocentralevet, ndërmarrja e ndërtimit të linjavet të tensionit të lartë. Pastaj: fabrika e këpucëvet, fabrika e instrumentavet abrazivë, fabrika e postëtelekomunikacionevet. E gjithë kjo industri vërtet nuk shërbente për të pasuruar një pakicë individësh, por shërbente për të përmirësuar jetën e një shumice individësh, shumicë e cila në gjuhën e atëhershme quhej POPULL dhe së cilës, në gjuhën e sotme nuk i thonë POPULL, por PUBLIK. Se cili është dallimi midis popullit dhe publikut u takon sociologëvet për ta sqaruar.
Në Laç ish ngritur një kombinat i madh kimiko-metalurgjik, në kuadrin e të cilit ishin përfshirë edhe uzina e superfosfatit dhe fabrika e acidit sulfurik. Në Rubik funksiononin: miniera e bakrit dhe uzina e bakrit. Edhe në Gjegjan të Kukësit kish një minierë bakri, ashtu siç kish edhe atje një uzinë bakri, së cilës mund t’i shihen gërmadhat, sa herë të udhëtosh nëpër Rrugën e Kombit, ende të papërfunduar.
Ndërsa në Burrel qe ndërtuar Uzina e Ferrokromit. Sa mirë do të ishte që, të gjitha këto, që i permenda deri tani, të kishin mbetur GJALLË dhe të vazhdonin punën, siç po e vazhdon punën Uzina e Ferrokromit e Burrelit!
Në Lezhë kish një fabrikë letre, kurse në Shkodër e bënin jetën e shkodranëvet normalisht të jetueshme një varg objektesh të industrisë, sa moderne, aq edhe me perspektivë për t’u modernizuar. Fabrika e pëlhuravet, kombinati i përpunimit të drurit dhe letrës, uzina mekanike bujqësore, fabrika e industrisë ushqimore, fabrika e këpucëvet dhe e lëkurëvet, uzina e fermentimit të duhanit, Uzina Mekanike „Drini“, uzina e telavet dhe e kabllovet elektrikë, e cila prodhimet e vet i eksportonte, midis tjerash, edhe në Gjermani.
Ku është sot ajo ekonomi?! S’e di a e kam përmendur dhjetë për qind të asaj ekonomie që lulëzoi këtu, në Kohën e Enver Hoxhës. Le të bëhen krahasime! Le të shkojnë gazetarët me kamera dhe le t’i filmojnë objektet që, sado shkurt, i përmenda, dhe le të bëhen krahasime TË PAANSHËM, jo subjektivë dhe jo me frymë e psikologji tifozësh!
Unë nuk them që atë ekonomi të shqiptarëvet e shkatërruan anglezët apo amerikanët. Por jam mijë për qind i bindur që shërbimet informativë të këtyre dy shteteve, CIA, Inteligjenc Servisi dhe FBI-ja, i kanë shënimet dhe i dinë një për një emrat e atyre që e kanë asfiksuar me qëllim dhe pastaj shkatërruar atë ekonomi shqiptare, e pakta nga viti 1985 e këndej, me një intensifikim drastik në vitet 1990.
CIA. Inteligjenc Servisi dhe FBI-ja, i dinë të gjithë emrat e organizuesvet, të brendshëm e të jashtëm, dhe emrat e kryehuliganëvet zbatues të atij krimi të paparë në historinë e Kombit Shqiptar, të paktën për nga mënyra e organizimit. Dhe, nëse miqtë tanë perendimorë dëshirojnë vërtet që, këtu, në Republikën e Shqipërisë, të kryhet një VETING I MIRËFILLTË, ata duhet ta fillojnë VETINGUN pikërisht prej atyre që e shkatërruan që nga themelet ekonominë e këtij vendi. Ta fillojnë e ndoshta edhe ta mbyllin aty, sepse, po të vazhdohet me vetingje, ka rrëzik që Shqipëra të mos shohë kurrë ditë të bardha.
Nuk ka asnjë logjikë që ne shqiptarët të kemi qenë ndonjëherë kundër Evropës, pjesë e së cilës jemi qysh prej se janë konfiguruar GJEOLOGJIKISHT këto hapësira. As Enver Hoxha nuk mund të ketë qenë organikisht kundër Perendimit. Ka qenë Perendimi i kurdisur, kushedi pse, kundër shqiptarëvet dhe prandaj Enver Hoxha, në përpjekje për të mbrojtur interesat e Kombit të vet, është DETYRUAR të kundërveprojë. Dhe duhet të përmendim këtu, që Enver Hoxha asnjëherë nuk ka folur keq kundër asnjë populli e rrjedhimisht as kundër popujvet të Perendimit. Prandaj dhe po them që është pikërisht kjo arsyeja që Perendimi duhet ta bëjë një KATARSIS, madje rrënjësor në qëndrimin ndaj shqiptarëvet, duke e filluar atë KATARSIS në radhë të parë te rivlerësimi nga ana e tyre e figurës së pamortshme të Enver Hoxhës.
Në fund të shekullit XX SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar bënë, më në fund, një veprim përkrahës ndaj shqiptarëvet dhe kjo sakaq u pasqyrua në shpirtin e këtij Kombi me një mirënjohje që është vështirë të haset në një tjetër komb. I bombarduan forcat ushtarake sërbe dhe në bashkëveprim me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, bënë që forcat sërbe të tërhiqen nga territori i kësaj pjese të Shqipërisë. Në atë luftë për dëbimin e forcavet ushtarake sërbe nga kjo pjesë e Shqipërisë, rolin kryesor, të jashtëm, e luaji SHBA-ja, e udhëhequr nga Z.Bill Klinton, por duhet përmendur me spikamë të veçantë edhe Z.Toni Bler. Të dy këta udhëheqës, vetë mrekullia e kish sajuar që të ndodhen në krye të dy fuqive fatvendosëse, pikërisht atëherë kur po shkruhej një faqe e re e historisë së shqiptarëvet. Ata dy personalitete, për ne shqiptarët, nga më të mëdhenjtë që ka prurë ndonjëherë në krye të vet Perendimi, bënë që ky Komb të mos mbetet gjithë jetën duke shprehur pakënaqësi ndaj Perendimit.
Por, a po vazhdon vepra e tyre shqiptarpërkrahëse, e cila kish shekuj që duhej të ndodhte?! Është fakt i hidhur që, për shembull, Greqisë i jepen miliarda euro mbështetje për të dalë nga krizat, dhe Sërbisë i jepen gjithashtu miliarda (madje nga të dy krahët, Perendim edhe Lindje), ndërsa të dy shtetet shqiptarë janë lënë në pikë të hallit, edhe ekonomikisht, edhe politikisht, edhe kulturalisht, edhe ushtarakisht.
E kishim një ekonomi, na u shkatërrua, e kishim një politikë kombëtare, na u përça, e kishim një kulturë të konsoliduar, na u çorientua, dhe e kishim një ushtri të aftë për t’i mbrojtur interesat tanë, interesa pambarimisht të rrëzikuar, por edhe ajo na u asgjësua.
Por ka edhe më shumë se kaq.
Kur u nënshkrua anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në NATO dhe kur forcat e NATO-s apo përfaqësuesit ushtarakë të NATO-s hynë në territorin e Republikës së Shqiprisë, a është folur e shkruar në dokumentet e atij anëtarësimi lidhur me ruajtjen apo mosruajtjen e objektevet ushtarakë ekzistues në Republikën e Shqipërisë?! Midis tjerash, a ka ndonjë klauzolë në atë marrëveshje anëtarësimi, në të cilën të shkruhet për mosruajtjen apo ruajtjen e qindra mijë qendravet të zjarrit, ndërtuar në këtë vend në Kohën e Enver Hoxhës? Në Bullgari, Rumani, Çeki e Poloni, a janë ruajtur apo janë asgjësuar objektet ushtarakë të atyre viteve?! Edhe në Gjermaninë Lindore ka pasur objekte ushtarakë të ndërtuar në kohën e komunizmit. A janë asgjësuar apo ruajtur ata objekte, me qëllim që Gjermania e Bashkuar t’i përdorë për mbrojtjen e vetëvetes, nëse një ditë do t’i duheshin? Apo mos ndoshta Republika e Shqipërisë është PUSHTUAR (disi heshturazi) prej forcavet ushtarake perendimore dhe atëherë mund të përligjet krejt ai shkatërrim që u bë?! Gjithsesi, shqiptarët e sotëm duhet ta njohin të vërtetën.
Mbas mbarimit të veprimevet luftarakë në territorin e Republikës së Kosovës, NATO-ja e ÇARMATOSI dhe e ZHBËRI Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Armatimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e mblodhi dhe e asgjësoi demonstrativisht nëpër sheshet e qytetevet. A ka ndodhur edhe ndonjëherë tjetër në historinë e luftëravet, kudo nëpër botë, që një ushtri aleate të çarmatosë aleaten e vet? Ju lutem, më informoni: A ka edhe një rast tjetër në historinë botërore që një ushtri aleate, shoqe lufte, të çarmatosë aleaten e vet, bashkëluftëtaren e vet, përveç rastevet kur njëra prej tyre e ka tradhtuar tjetrën?! Kur ushtritë anglo-amerikane e çliruan Francën, e i çarmatosën formacionet luftarakë që komandoheshin nga Sharl De Goli?! Nëse De Golit do ta kish pranuar një çarmatim të tillë, ai do të konsiderohej sot tradhtar i kombit francez!
Në Republikën e Kosovës kanë ndodhur dhe po ndodhin edhe shumë ngjarje të tjera që nuk ngjajnë sikur ai vend është tashmë vërtet i lirë. Për shembull, na u imponua një flamur që s’është aspak i yni. A mos edhe Republika e Kosovës është një vend I PUSHTUAR e ne „s’e dimë“?!
Në Ohër na u imponua një marrëveshje ANEMIKE, firmosur jo prej atyre që bënë luftën, por prej atyre që nuk luftuan. Marrëveshje, e cila bashkështetasvet sllavë do të duhej t’u kish thënë të paktën kaq: Në Shkup dhe në Manastir ju sllavët jeni ardhës të kohëvet të fundit. Ne shqiptarët nuk do të kërkojmë që ju të largoheni prej andej, por është e domosdoshme ta dini se jeni imigrantë. Tani ç’po ndodh, si rezultat i asaj marrëveshje anemike? Po ndodh që po na i rrahin e vrasin djemtë, nëpër rrugët e Shkupit!
Nëse të gjitha këto janë dëshmi të pakundërshtueshme PUSHTIMI, atëherë mbeten vetëm dy rrugë: Ose SHBA-ja dhe BE-ja të dëshmojnë ME PUNË TË QARTA kthesën e tyre, ose Kombi Shqiptar do të nisë një lëvizje çlirimtare, ndoshta TË HESHTUR, ashtu siç është bërë edhe PUSHTIMI.
Ç’duhet të bëjnë politikanët amerikanë dhe politikanët europerendimorë, në këto rrethana kur, edhe Amerika, edhe Evropa Perendimore, nëse nuk bëjnë kthesë rrënjësore, po rrëzikojnë ta humbin një bastion të tyre në këto hapësira?! Një bastion të atillë, pa të cilin sllavoortodoksët dalin shumë shpejt në Mesdhe dhe mbërrijnë edhe më shpejt në Gjibraltar?! E kam menduar, jo si një shqiptar, por si një amerikan dhe si një evropian i Perendimit. Si do t’i bëhej më mirë Perendimit: Ta lejojë kështu situatën, deri sa këtu në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës dhe në krejt Shqipërinë, të mbeten VETËM PLEQ, PLAKA DHE SAKATË, apo të gjejë një mënyrë për ta aftësuar këtë Komb që t’i dalë zot vetes?!
Në pjesën e parë të vitevet 1950 në gadishullin e Koresë qe zhvilluar një luftë e ashpër e armatosur midis forcavet të atëhershme komuniste botërore dhe forcavet kapitaliste, edhe ato botërore, pa marrë parasysh se cilët shtete morën pjesë drejtpërsëdrejti në atë konflikt. Koreja qe ndarë më dysh dhe Perendimi e ndihmoi fuqimisht Korenë e Jugut, me qëllim që aty të bëhej sa më e prekshme mirëqenia që sjell një sistem shoqëror kapitalist. Koreja e Jugut u forcua aq shumë ushtarakisht, sa krijohej përshtypja që atij shteti s’kish ç’t’i bënte një koalicion shtetesh komunistë. Edhe sot në Korenë e Jugut është i detyrueshëm shërbimi ushtarak. Por nuk do harruar edhe një e vërtetë tjetër: Në Seul pothuaj çdo javë nuk pushonin demonstratat antiamerikane. Mos duhet që edhe në Tiranë e Prishtinë të ketë të tilla demonstrata, që Vashingtoni dhe Brukseli t’i zgjidhin qeset edhe për ne shqiptarët?!
Tani lind kjo pyetje: Pse nuk po ndihmohen, ekonomikisht dhe ushtarakisht, të dy shtetet shqiptarë, në 25 vitet postkomunistë, ashtu siç u ndihmua Koreja e Jugut në disa dhjetëvjeçarë postkomunistë?! Themi postkomunistë, sepse pa ndërhyrjen e amerikanëvet, krejt Koreja do të ish bërë komuniste. A po mendojnë politikanët e sotëm perendimorë se këtu nuk rrëzikohen interesat e tyre, siç rrëzikoheshin në vitet 1950 në Lindjen e Largët?! Në mos asgjë tjetër, të pakën ushtarakisht të mos na kishin lënë të dobësoheshim kaq shumë. Në të gjithë historinë e Kombit tonë, që nga ilirët e deri te partizanët e vitevet 1940 dhe luftëtarët e UÇK-së, iliro-arbro-shqiptarët kanë qenë ushtarakë nga më të zotët që ka njohur planeti ynë. Si mund të lejohet që rinia e sotme shqiptare të mos dijë, as ta përdorë armën, as si ta përdorë armën dhe as në ç’rrethana i lejohet përdorimi i armës? Vrasjet makabre që po na ndodhin, si në Mat, ku prapë na u vranë 3 vetë pa pikën e logjikës dhe arsyes, janë edhe pasojë e mungesës së edukimit ushtarak të këtij brezi rinie. A mund të ndodhnin këso mynxyrash në Kohën e Enver Hoxhës, kur pjesa më e madhe e shqiptarëvet i mbanin armët në shtëpi?!
Në shpirtin e shqiptarit të thjeshtë, të atij që është patriot i vërtetë, në të katër, a pesë, a gjashtë anët e kufirit, njëri ndër idhujt kombëtarë, krahas Gjergj Kastriotit, krahas rilindësvet dhe krahas Ismail Qemalit, ka mbetur, është dhe do të mbetet edhe Enver Hoxha. Budallenjtë dhe dallkaukët, ata të cilëvet u duket vetja të mençur, ish të cënuarit e të dënuarit prej pushtetit të Enver Hoxhës e ndonjë tjetër, menduan se vetëm duke e denigruar atë udhëheqës të madh të Kombit, do të mund të hakmerreshin dhe njëkohësisht të rrëmbenin ç’mund të rrëmbehej. Por ata nuk bënë, nuk punuan, që Shqipëria të shihte ditë më të mira, prandaj populli, vetëvetiu, i ktheu sytë te koha kur këtë Komb e udhëhiqte Enver Hoxha.
Në të vëretë, kjo është situata në një pjesë të madhe të botës. Dimitrovin e bullgarëvet po e mbajnë bullgarët dhe s’u thotë asnjeri: Pse po e mbani? Çausheskun po e mbajnë rumunët. Stalinin po e mbajnë gjeorgjianët. Titon po e mbajnë sllavët e Jugut. Mao Ce Dunin po e mbajnë kinezët madje edhe në monedha.
Pse të mos dalin në Londër e në Vashington disa shkrime, ku të tuhet që Enver Hoxha paska pasur të drejtë kur e ka shkruar librin „Rrëziku anglo-amerikan për Shqipërinë“ dhe se tani e tutje SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar nuk do të sillen më ndaj shqiptarëvet si në të shumtën e kohëvet të shkuara?! Kur Z.Donald Tramp merr rugën dhe shkon deri në fund të Azisë për të takuar komunistin Kim Jong, s’ka pse t’u duket e çuditshme asnjërit prej pushtetarëve perendimorë kur të shohin, në Tiranë, në Prishtinë, në Ferizaj e në Shkodër, përmendoret e Enver Hoxhës, të ruajtura me pushkë! Po perendon tashmë koha kur shqiptarëvet ua pat lëbyrur sytë euforia e të festuarit me lugë në brez.
Enver Hoxha ishte një liberator i madh i shekullit, në të cilin jetoi. Udhëhoqi çlirimin e vendit të vet, udhëhoqi rindërtimin, që ish po aq i vështirë sa edhe lufta, udhëhoqi zhvillimin e kulturës, udhëhoqi ekonominë, bujqësinë, tregtinë, industrinë, dhe vdiq me një pjatë trahanaje ndër duar. Nuk mbajti asgjë për vete! Të gjitha energjitë ua kushtoi Kombit dhe Atdheut të vet dhe nuk dëmtoi asnjë komb tjetër!
Gjokë Dabaj, Durrës 16 tetor 2018.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura