Pashtriku.org, 19 tetor 2018: Pas demonstratës së parë të organizuar në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren (më 6 tetor 1968), dhe demonstratës së dytë që u organizua në Therandë – ish’Suharekë (më 8 tetor), demonstrata e tretë u mbajtë më 19 tetor 1968 në qytetin e Pejës.
***
Atë ditë tetori në Pejë ishte ditë tregu dhe prania eqytetarëve ishte më e madhe se ditëve të tjera.
Organizatorë të demonstratës ishin:
1. Isa Demaj,
2. Zymer Neziri,
3. Sylë Kuçi,
4. Ramadan Blakaj,
5. Xhemail Gashi etj.
Për të qenë pjesmarrja sa më masovike në demonstratë organizatorët shkruan dhe shpërndanë një thirrje drejtuar popullit. Ditën e caktuar, në orën 14 (pasdite) nxënësit dhe studentët e Shkollës së Lartë ekonomike-Komerciale në Pejë, u grumbulluan në oborrin e shkollës Normale ”Ali Kelmendi” në Vitomiricë, afër Pejës, e cila ishte buzë rrugës Pejë – Mitrovicë. Fillimisht pjesëmarrës ishin nxënësit e Shkollës Normale dhe të Shkollës Bujqësore, si dhe disa arsimtarë. Nisja u bë me flamur kombëtar përpara kolonës në krye, në drejtim të qytetit. Bartësit e flamurit ndërroheshin me radhë. Bartës i parë ishte Demë Mulliqi, normalist. Në pika të rrezikshme bartës ishin edhe Ramadan Blakaj, Zymer Neziri dhe Xhemajl Gashi.
– Peja –
Gjatë rrugëtimit, demonstruesit u përpoq t´i ndalonte Kryetari i Komitetit të Lidhjes së Rinisë së Pejës, Lekë Vuksani, por nuk pati sukses. Një pjesë e demonstruesve, ndërkohë shkuan në tregun e qytetit dhe ju bënë thirrje tregëtarëve që t´i bashkohen demonstratës. Me këtë rast tregu u boshatis dhe të gjithë u solidarizuan me studentët dhe nxënësit. Në ato momente numri i demonstruesve arriti në mijëra veta.
Kjo masë demonstruesish në orën 15 u grumbullua në sheshin e qytetit, përpara Kuvendit të Komunës dhe aty mbi çoshkun e “Borbës dhe Rilindjes” (që ishte përskaj ndërtesës së Komunës) përreth 20 minuta e mbajti një fjalim S.Kuçi që e kishte përgatitur paraprakisht Zymer Neziri. Më pastaj edhe 2-3 të rinjë tjerë hipën përmbi çoshk dhe brohoritën parulla për: flamurin, për Kushtetutën, për Republikën, për universitetin etj., dhe masa e tubuar me ovacione të vazhdueshme i përsëriste këto parulla dhe këndonin këngët:
“Kur u hap kushtrimi n`Kosovë”,
“Lidhja e Prizrenit”,
“Oj Kosovë, mos thuaj mbarova”,
“Këngë për Skënderbeun”,
“Mori Shkodër, moj mizore”,
“Këngë për Ali Pashë Tepelenën”, etj.
Që nga fillimi i kolonës së demonstruesve, policia, disa herë, u përpoq ta rrëmbente flamurin nga duart e çelikta të rinisë. Herën e parë u përpoq ta largonte nga kulmi i shkollës “Ali Kelmendi”, por kjo u pengua nga nxënësit. Po ashtu, edhe disa herë gjatë marshimit të kolonës, policia u përpoq ta merrte flamurin, por pa sukses.
Pas afër katër orësh demonstrimi nëpër qytetin e Pejës, me flamurin kombëtar në ballë, si dhe duke i brohoritur Kosovës, Republikës së Kosovës, Kushtetutës së Kosovës, dhe duke kënduar këngë atdhetare, përfundoi kjo demonstratë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, që ishte manifestimi më i rëndësishëm në Pejë pas Luftës së Dytë Botërore.
***
Pas përfundimit të demonstratës, flamuri kombëtar përsëri u vendos mbi kulmin e shkollës normale “Ali Kelmendi”. Pas demonstratës në Pejë, filloi ndjekja e organizatorëve nga UDB’a dhe Komiteti. Fillimisht u larguan nga puna në arsim: Ramadan Blakaj, Xhemajl Gashi dhe të Zymer Neziri, ndërsa më pastaj u burgosën dhe me këtë rast: Ramadan Blakaj u dënua me 15 ditë burg, Xhemajl Gashi me 30 ditë dhe Zymer Neziri po ashtu me 30 ditë burg. Organizatorët e demonstratës regjimi dënoi me kundërvajtje, me qëllim që ta minimizojë efektin kombëtar të demonstratës!
***
Me demonstratën e Pejës u përmbyllë cikli i parë i demonstratave shqiptare, ndërsa demonstratat e tjera do të organizohen në fund të nëntorit 1968!
____________
Shkëputur nga studimi im:
SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /I/
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2141
***
SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /II/
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2142
***
SHERADIN BERISHA: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE (TETOR – DHJETOR 1968) /III/
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2143