(Durrës, 29.10.2012) – Përfundimisht, i do dhënë njëherë e mirë përgjigje kësaj pyetjete: Përse Perendimi nuk e përkrahu asnjëherë Enver Hoxhën? Perendimi nuk e përkrahu Enver Hoxhën, sepse ai, pra Perendimi, nuk e kish në agjendën e vet fuqizimin e Kombit Shqiptar. Perendimi nuk ka pasë kurrfarë programi (dhe, kam frikë, as nuk ka), për ta përparuar këtë Komb, Kombin Shqiptar, qoftë edhe thjeshtë për interesa të vet. Të 2 shtetet fashisto-nazistë e patën proklamuar “bashkimin e Shqipërisë” thjeshtë për taktikë: “T’u themi kështu shqiptarëvet, sepse do të na besojnë dhe nuk do t’i kemi ferrë nëpër këmbë.” Zaten, të 2 shtetet fashisto-nazistë, as që e kishin në programin e vet çlirimin e ndonjë kombi. Ata kishin në program vetëm pushtime.
Në Evropë, rrjedhimisht edhe në Amerikë, çështja e çlirimit të Kombit Shqiptar prej çfarëdo pushtuesi, nuk është shtruar asnjëherë. Të kujtojmë shekullin XIX e këndej, (Xh.G.Bajroni, V.Hygoi etj). E gjithë Europa thërriste: “Të çlirohet Greqia nga zgjedha turke!” Krejt opinioni i atyre popujve zhurmonte pa pushim: “Të çlirohen popujt e krishterë, Sërbia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia!” Shqipërinë as që e përmendte dikush. Vetëm disa zëra arbëreshësh e shqiptarësh, J.De Rada, Dora D’Istria, Pashko Vasa etj, si dhe ndonjë përkrahës i vetmuar, psh z.Edith Durham, ngriheshin në mbrojtje të këtij Kombi. Por ata ishin të pafuqishëm dhe asnjëherë nuk u bënë ZOTËRUES të opinionit perendimor.
As opinioni i Europës, as ai i Amerikës, nuk tha, as në fund të sh XIX, as në fillim të sh XX, që Greqia, Sërbia, Mali i Zi, Bullgaria, E PUSHTUAN Shqipërinë. Asnjëherë në Botën Perendimore nuk u bë IDEAL I OPINIONIT çlirimi i Shqipërisë prej pushtuesvet. Rrjedhimisht, askujt nuk i shkoi ndërmend që, për këtë Komb, për Kombin Shqiptar, DUHET INVESTUAR. “Duhet investuar, që ta kemi avangardë.”
……………………………………………………………
Enver Hoxha, si dukur Gjergj Kastrioti Arbërinë, desh ta fuqizojë Shqipërinë. Perëndimi, duke qenë tepër rutinor e burokratik, nuk ish në gjendje ta kuptonte që kjo tendencë, tendenca e fuqizimit ekonomik, kulturor etj, të Rep. së Shqipërisë, REALISHT shkonte në të mirë të Perendimit, sado që Enveri i merrte ndihmat nga Lindja. I merrte ndihmat nga Lindja, se s’i merrte dot nga Perendimi, se Perendimi s’i jepte asgjë. Perendimi u jepte kredira pa masë Jugosllavisë dhe Greqisë. Perendimi nuk e kuptoi dot kurrë që veprimtaria e një Enver Hoxhe këtu, në këtë copë Shqipëri, të ngushtuar e të sakatuar, ish në të mirë të vetë Perendimit. Nuk ish në gjendje ta kuptonte dhe pyeste veten habitshëm: “Ç’ne tani?! Nga na doli kjo Shqipëri?!”
Francezët kanë De Golin, gjermanët kanë Adenauerin, ne shqiptarët kemi Enver Hoxhën. Dëshira apo pikëpamja e njërit apo tjetrit mund të jetë që ne të kishim dikën tjetër, por kjo nuk varet prej dëshiravet të atyre që vijnë më vonë. Për ne shqiptarët Ai është më i madhi, që dha më shumë për Kombin dhe për Atdheun tonë. Më i madhi, jo vetëm për këtë periudhë gjysmëshekullore, por për të gjithë shekujt, që nga sh XV, kur vdiq Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e këndej.
Ka shqiptarë që duan të vënë Ahmet Zogun në krye të më të merituarvet. Por ai nuk e ka forcën e nevojshme, nuk dha dot aq sa duhej të jepte për Kombin e vet në disa momente kyç të historisë sonë. Për Enverin, me qëllim për ta ulur, analistët e, nganjëherë, kuazianalistët, janë munduar “të nxjerrin në dritë” disa momente zhvleftësues. Mirëpo, sado që edhe për Të, si për cilindo njeri, mund dhe duhet të flitet për të meta, gabime dhe faje, prapëseprapë, çfarëdo analizash qofshin, ato nuk e zbresin dot figurën e Tij deri në shkallën për të mos e pranuar si lider të përmasavet madhore.
Është thënë psh që Enveri, në Kohën e Luftës, bënte ç’i thoshin jugosllavët, varej prej Dushan Mugoshës dhe, ashtu, disa veprime të Tij klasifikohen madje edhe si tradhti kombëtare. Mirëpo, një analizë objektive bën që shumica e të tillë vlerësimeve për Enver Hoxhën nuk qëndrojnë. Në kohën kur D.Mugosha ishte pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNSH-së, aty gjendeshin edhe misionet e SHBA-së dhe të Anglisë. Në atë kohë D.Mugosha ende nuk përfaqësonte një shtet. Ç’forcë ndikuese mund të kishte ai, nëse misionet e 2 shtetevet më të fuqishëm të Botës do të kishin luajtur rolin që u takonte?! Veç kësaj, nuk duhet harruar që pikërisht këta 2 shtete, në periudhën nga 1949-a deri më 1955, BASHKËPUNUAN me D.Mugoshën kundër Enver Hoxhës. Ata, SHBA-ja dhe Anglia, lidheshin pikërisht me D.Mugoshën, funksionar i atëhershëm i UDB-së në Prishtinë, për të hedhur diversantë, me qëllim rrëzimin e Enver Hoxhës.
Pikërisht këto janë arsyet që ne shqiptarët duhet të kërkojmë prej politikanëvet të sotëm perendimorë për ta rishikuar qëndrimin e tyre ndaj Enver Hoxhës. Për ta rishikuar, sepse në atë mënyrë bëhet i mundur rishikimi i krejt pozicionit të atyre vendeve ndaj shqiptarëvet.
Është thënë që shqiptarët janë myslimanë, prandaj nuk përkrahen. Kjo nuk është e vërtetë. Myslimanë janë edhe turqit, myslimanë janë edhe indonezianët, myslimanë janë edhe pakistanezët. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar Perendimorët që të interesohen për ata popuj dhe të ndërtojnë aleanca të rëndësishme me ta.
Është thënë që Enver Hoxha ishte komunist, prandaj e luftoi Perendimi. Nuk është e vërtetë. Komunistë ka pasur gjithandej: Komunist, siç kemi thënë, ishte Titoja dhe Perendimi e gjeti mënyrën për t’u lidhur me të. Komunist ishte N.Çaushesku, por Perendimi, sidomos Franca, nuk pati ndaj tij të njëjtin qëndrim si ndaj Enverit. Komunistë ishin udhëheqësit kinezë, por Perendimi prapë i gjeti e po i gjen mënyrat për të komunikuar.
Është thënë që Enveri ishte ateist. Sa ateistë ka Perendimi?! A mund t’i numërojë dikush?! Sa ishin e janë të deklaruar si ateistë, psh Joshka Fisheri, dhe askush nuk i ka penguar e nuk i pengon në punën e tyre, deri në shkallët më të larta të pushtetit?!
E vetmja e vërtetë, e cila qëndron mbi të gjitha, është se Perendimi kurrë nuk e pati në agjendën e vet njohjen reale të Kombit Shqiptar dhe pëkrahjen e tij. Kjo është kthyer tashmë dhe do të kthehet edhe më shumë në bumerang për vetë Perendimin, deri sa politikanët dhe opinioni i atjeshëm ta kuptojnë që këtu në Ballkan jeton një komb, i cili duhet përkrahur me të gjitha format dhe me të gjithë mjetet. Nuk u duhen Rep. së Shqipërisë dhe Rep. së Kosovës kredira me nga disa milionë euro. Rep. së Shqipërisë dhe Rep. së Kosovës u duhen kredira me nga 10 miliardë euro përnjëheresh.
Por shihni si ndodhi, përkundër kësaj që pot hemi, me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës! Kush tha në Perendim: “KOSOVA U ÇLIRUA NGA PUSHTIMI SËRB”?! Cila gazetë perendimore shkroi: “Kosova ka qenë një territor shqiptar I PUSHTUAR prej Sërbisë në vitin kaq e kaq.” Shfletoni Njujork Tajmsin, shfletoni Lë Mondin dhe cilën të doni gazetë perendimore! A është shkruar ndonjëherë një e tillë fjali në faqet e atyre gazetave?!
…………………………………………..
Perendimi nuk e tha asnjëherë: “Përveç pjesës shqiptare që u shpall shtet i pavarur e që mori emrin Rep. e Kosovës, kanë mbetur nën Sërbinë dhe nën Malin e Zi këto e këto pjesë të Shqipërisë.” Kështu, në mënyrë krejt të panatyrshme, artificiale, shtrembëruese, poshtëruese, në BISEDIMET midis Rep. së Kosovës dhe Rep. së Sërbisë, askujt nuk i shkon ndër mend ta përfshijë në ata bisedime çështjen e Anamoravës, në një kohë kur s’pushojnë së përmenduri Mitrovicën e Veriut, të cilën as që duhej ta përmendte kush. Askush në Perendim nuk thotë: “Mitrovica e Veriut është tokë shqiptare, e pushtuar prej sërbëvet në vitin kaq e kaq.” Dhe askush nuk thotë: “Anamorava, e cila sot ndodhet nën Sërbi, është tokë shqiptare.”
Askush në Perendim nuk e thotë dhe as që ka ndërmend ta thotë që Greqia, në vitet kaq e kaq i ka pushtuar këto e këto toka të Shqipërisë dhe që tash po synon të pushtojë edhe toka të tjera. Askund, në të quajturën Marrëveshje e Ohrit nuk është thënë që shqiptarët, në këtë shtet (të cilit ende s’ia dimë emrin), janë një popull autokton dhe pikërisht si të tillë ata duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i gëzojnë popujt autoktonë.
Është pra krejt e qartë, pse nuk duhet të çuditemi që Perendimi, në gjysmën II të sh XX nuk e përkrahu dhe nuk e ndihmoi Enver Hoxhën. Nuk duhet të çuditemi, pse askujt në Botën Perendimore nuk i shkon në mendje të pyesë: “Përse në bisedimet Kosovë-Sërbi nuk po përfshihet edhe çështja e DËMSHPËRBLIMEVET të shqiptarëvet nga ana e Sërbisë?”
Shikoni, më në fund, si po shkon fushata e zgjedhjevet për president në SHBA! Të gjithë pyesin: “Çfarë qëndrimi do të mbajë ky apo ai kandidat NDAJ IZRAELIT?” Ndërsa askush nuk ka pyetur deri më sot: “Çfarë qëndrimi do të mbajë ky apo ai kandidat ndaj shqiptarëvet e NDAJ SHQIPËRISË, e cila është e copëzuar në 6 shtete?”
Dhe unë po dua të sjell këtu një pyetje që s’është as për t’u hedhur poshtë, as për t’u harruar: A e dinë SHBA-ja dhe BE-ja që 2 SHTYLLAT KRYESORE, natyrshëm PROPERENDIMORE, në këtë anë të Botës, janë SHQIPTARËT dhe IZRAELITËT?! Dhe pyetjen tjetër: Nëse në krye të Izraelit do të ishte gjendur një Enver Hoxhë, pikë për pikë Enver Hoxhë, pa as edhe 1 dallim, Bota Perendimore a do të ish sjellë ndaj tij ashtu siç u suall ndaj Enverit të shqiptarëvet?!
FUND