BEHXHET SHALA BAJGORA: PAS ZGJEDHJEVE TË GJITHË ANALISTËT BËHEN TË MENÇUR … EDHE UNË

Prishtinë, 19 shkurt 2021: Rezultatet e pritura dhe të papritura: Kanë mbetur të numërohen vetëm edhe votat e diaspores, votat me kusht dhe ato që kanë ardhur me postë dhe të dihet rezultati përfundimtar ku VV delë të jetë fituese absolute e zgjedhjeve e që edhe pak mund të rritet me këto vota. Sa i përket fituesit të zgjedhjeve, për këtë nuk ka pasur asnjë mëdyshje, vetëm përqindja e votave të fituara ka mundur të diskutohet. Edhe partitë tjera garuese e kanë pasur shumë të qartë fituesin e zgjedhjeve ndonëse, për shkak të ngritjes së moralit të votuesve, kandidatëve dhe vet partive, thuaja të gjitha janë deklaruar si fituese. Njerëzore dhe ngushëlluese! Tash, pas bërjes publike të votave të gjithë analistët, parashikuesit dhe fallxhorët janë bërë më të mençur, në mesin e tyre edhe unë! Po pse ndodhi kjo përmbytje aq e madhe ? Të shkojmë me radhë:
1. VETËVENDOSJE! : Disa ditë para zgjedhjeve e takova njërin nga krerët e VV -ës e që ka dalur dhe mundohet të mendojë dhe sillet si kryekoka , Albin Kurti, qoftë edhe kur flenë. Realisht , emri i fillon me A por nuk është Albini mirëpo, nëse e thirrni me emrin Albin , menjëherë përgjigjet. Në bisedë e sipër, isha me gruan dhe njihemi për faktin se kemi një lidhje miqësore: “bisht pas gardhit ..” i thashë se VV mund të fitojë 44 – 45 deputetë. E pranoi më shumë si provokim duke më thënë : “ ja, po shihet se kush nuk na donë të mirën …”. Aty u binda se në kokën e VV–së , çdo shifër nën 61 deputetë është thuaja humbje. Në këtë kontekst Albin Kurti, në çdo paraqitje publike ka deklaruar se na duhen 61 vota dhe se këto zgjedhje janë referendum në kohën kur në Kosovë nuk lejohet as referendum për tredhje të qenve! Albini ka përdorur sugjestionin për t’i bindur anëtarët e VV–së, kandidatët, votuesit , opinionin sikur që ka dekurajuar partitë tjera garuese. Albin Kurti në këto gara e ka përdorur matematikën si mjet për të fituar aq shumë vota. E ka bombarduar opinionin me shifra të larta, e bëri një “shock“ list në të cilën i futi të gjitha profilet, të gjitha moshat, të gjitha profesionet, të gjitha orientimet politike dhe jopolitike, të vuajtur, të stërvuajtur, hedonista, të pastër, me aktakuza, hoxhallarë dhe enveristë të Maqellarës, ekzibicionistë dhe delikuentë seksualë, artistë dhe sportistë, proletarë, përkrahës të Tanzanisë dhe mercenarë të Shqipërisë. Rugovistëve të përbetuar ua mori Ibrahim Rugovën dhe, vazhdoi me goditje duke e marrë, thuaja krejtësisht diasporën. Hasan Prishtinën e bëri Agim Bahtir, Vjosën, Shotë Galicë virtuale dhe , në disa raste e përmendi edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si dhe Korin e Burrave të Jakovës. Me t’u kthyer nga varri i Ibrahim Rugovës, mori në thua te varri i Adem Demaçit dhe tha se: ”Adem Demaçi është Mendela i shqiptarëve… sikur që e thonë të gjithë për Bacën Adem Demaçi, sa për të larë duart, si Pont Pilati ..”. Ka qenë përtej se të thuhet fer me Vjosa Osmanin, i tha presidente dhe do ta bëjë presidente ndërkaq, ua bëri votat kandidatëve nga Lista Vjosa e që në rrethanat ekzistuese do të ishte mission i pamundur që ta kalonin pragun zgjedhor. Mënyra se si ka luftuar Kurti për të ardhur në pushtet e dëshmon thënien e Çerçillit për: “shumë djersë dhe gjak..”. Struktura organizative e VV-së është më e sofistikuar dhe më e organizuar se struktura e AKI-së kurse, bindja ndaj liderit është e barabartë me bindjen e një besimtari budist ndaj Dalaj Lamës dhe Budës , Gotamës. Mund edhe mos të pajtoheni me Albin Kurtin dhe VV–në mirëpo duhet ta respektoni votën që e kanë marrë dhe nuk duhet të pengohet me asgjë në realizimin e programeve dhe premtimeve. Albin Kurti dhe VV, nuk rrezikohen nga opozita e ardhshme mirëpo, proceset, nëse nuk menaxhohen mirë nga Albin Kurti dhe VV–ë do ta krijojn ë një opozitë të fuqishme. Varësisht prej zhvillimit të bisedimeve me Serbinë dhe rimëkëmbjes ekonomike, qeveria Kurti do ta përfundojë mandatin ose , mund të marrë në thua pas 12 muajve. Uroj që të punojë mirë dhe të përkrahet nga të gjithë. E kam përkrahur VV–në në kohët më të vështira , ka kohë që i kemi ndarë rrugët por , në asnjë mënyrë nuk do t’i gëzohem dështimit të saj. Krejt në fund, kur të studijohet mënyra se si ka ardhur në pushtet Albin Kurti dhe VV–ë , Princi – Sundimtari i Makiavellit do të mbetet literaturë për fëmijë të enteve parashkollore !
2. PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS : Në bisedë me disa miq që i kam aty , kam thënë se, nëse i fitojnë 20 deputetë , mund të llogariten se janë fitues apo në “kali të bardhë“. Më thonin se janë më mirë se në zgjedhjet e fundit dhe se do t’i fitojnë së paku 27 deputetë. PDK –në e ka shpëtuar të pësojë më shumë vetëm një angazhim i jashtëzakonshëm në terren dhe një grup deputetësh që e kanë çkyer prapanicën për të siguruar një mandat dhe, në këtë mënyrë kanë siguruar vota edhe për partinë. Arrestimi i udhëheqësve, aktualë dhe shpirtërorë të PDK–së e ka dobësuar këtë parti mirëpo, gabimin më të madh e kanë bërë kur e rrëzuan qeverinë Kurti, në kohë pandemie. Unë, në atë kohë pata reaguar në media duke kërkuar që PDK–ë mos ta votojë mocionin për rrëzim të qeverisë. Pastaj , çfarë kuptimi ka rrëzimi i qeverisë dhe ju përsëri të mbeteni në opozitë, Tutje, në emër të partneritetit me amerikanë, Grenellin dhe Trampin e rrëzuan qeverinë kurse pikërisht anerikanët i arrestuan dhe i dërguan në Hagë. PDK–ë, një kohë ua ka parë hajrin disa mujsharëve dhe banditëve kurse, më vonë ua kanë parë sherrin dhe do t’ua shohin deri sa të lirohen nga ta. Nuk ka aferë pas lufte ku nuk janë përmendur këta mujsharë dhe PDK–ë shumë mirë ka kaluar. Kadri Veseli kishte vullnet të bënte reforma brenda PDK-së, ta bëjë vetingun, ta kërkojë formimin e një Gjykate Ndërkombëtare për Krimet që i ka bërë Sebia në Kosovë por u pengua nga vet partia që e drejtonte. PDKë, si opozitë nuk duhet të hezitojë në formimin e institucioneve që kanë dalur nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, prandaj duhet ta votojë çdo propozim të pozitës dhe, pas kësaj të kalojë në opozitë.
3. LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS: As në imagjinatën më improvizuese nuk kam paramenduar se LDK-ë do të përgjysmohet në këto zgjedhje prandaj edhe u rritë aq shumë VV–ë. LDK-ë ka qenë subjekti që ka pësuar më së shumti nga ndarjet e brendshme . Në fillim ishte Daci që e përqau LDK-në duke e formuar një subjekt politik, të përafërt me LDK-ë . Pastaj , LDK-në e ka dëmtuar shumë Fatmir Sejdiu. Pas kësaj , LDK-në e dëmtoi shumë Vjosa Osmani , të cilën e rriti dhe e forcoi . Vjosa Osmani , jo që nuk formoi subjekt të vetin politik por iu bashkua partisë e cila me të gjitha mjetet ka punuar për ta dobësuar LDK-në , e ajo është VV-ë. Duke ditur se me AAK-në dhe PDK-në, nuk mund të tregojë muskuj, Albin Kurti u orientua kah LDK-ë dhe plotësisht ia arriti qëllimit. Mendoj se pa asnjë arsye sulmohen Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti sepse, Isa Mustafa arriti ta rrisë LDK-në pas ndarjes sikur që u tregua bashkëpunues me VV–në ndonëse këta e sulmuan me të gjitha mjetet e mundshme, e fyen personalisht dhe familjarisht, dhe, së fundi ia montuan një bombë shpërthyese, Vjosa Osmanin. Kur Isa Mustafa i fitonte kundërshtarët , e lavdëronin se me një këmbë po i mund kundërshtarët . Po të njëjtit tani duan ta kryqëzojnë, pa arsye. Avdullah Hoti bëri një fushatë normale dhe pati sjellje normale. Ai nuk kishte shtab zgjedhorë dhe fitohet përshtypja se i kanë vënë shumë ndërskëmca disa nga bashkëpartiakët . Jo që nuk e ndihmuan, por e sabotuan. LDK-ë as që duhet të mendojë për Vjosa Osmanin por duhet ta kujtojë si një ëndërr të keqe , si një ankth dhe si një makth që , rrinte në parti dhe ishte më shumë e VV-së se vet Albin Kurti. LDK–ë duhet ta zgjedhë një kryetar që nuk ka hipoteka nga e kaluara , që nuk ka pasur pushtet në të kaluarën por që ka njohuri politike dhe vullnet për rimëkëmbje të LDK-së. Nëse i ndërmerr këto veprime LDK-ë do të forcohet , në të kundërtën do ta pësojë si Partia e Prosperitetit Demokartik në Maqedoni. LDK–ë ka potencial, mundësi dhe dije, nëse e bënë përzgjedhjen e duhur, të bëjë reforma dhe të rikthehet. LDK–ë është e rëndësishme për Kosovën në këtë fazë dhe për proceset që e presin në të ardhmën Kosovën. Aktualisht LDK-së , Rugovën ua mori Albin Kurti dhe LDK duhet të krijojë një identitet tjetër. LDK-ë është parti me orientim djathtist dhe si e tillë i duhet Kosovës. Nuk janë fajtorë për këtë humbje as Isa Mustafa, Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe të tjerët por pushteti i gjatë i ka konsumuar dhe ndarjet e shpeshta dhe të mëdha e kanë dëmtuar shumë. Ndërkaq, VV–ë përmes Vjosa Osmanit e ka kryqëzuar në zgjedhjet e fundit. Shiheni kush e sulmon LDK-në, një delikuent seksual që ka blerë shërbime seksuale , pa e marrë kuponin fiskal, duke i ikur tatimit. Vjosa Osmanit nuk i ha palla më për LDK-ë për faktin se bëhet presidente me mandat 5 vjeçar. Vetëm nëse ka zhvillime të paparashikueshme dhe nuk i bënë numrat për presidente , Vjosa Osmani do të bëjë përpjekje t’i kthehet LDK-së , duke u liruar nga kundërshtarët politikë brenda partisë dhe duke e bërë LDK –ën , pjesë të VV-së.
4. ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS: Ka mbetur në kornizat e së pritshmes. Ka bërë llogari të gabuar se do të jetë përcaktues i formimit të institucioneve të Kosovës duke e kushtëzuar me postin e Presidentit. Këto matematika ua ka prishur Albin Kurti dhe VV–ë, me një përmbysje të madhe , thjesht të paimagjinueshme për një sistem proporcional. AAK –ë duhet t’i bashkohet opozitës dhe të ndërtojë një bllok opozitar konstruktiv . Për fillim duhet të votojë zgjedhjen e qeverisë, zgjdhjen e Presidentes dhe pastaj të luaj rolin opozitar.
5. LISTA SRPSKA : Është parti e Serbisë në Kosovë. Është kundër Kosovës dhe gjithnjë deklarohet se shteti i tyre është Serbia kurse kryetari është Aleksandar Vuçiqi. Këtë e thotë haptasi dhe nuk lë asnjë dyshim në këtë drejtim . E ka përkrahjen e ndërkombëtarëve . Para dy muajve pata shkruar se Lista Serbe do të forcojë Iniciativa në Veri të Kosovës për ta përkrahur mercenaren Adriana Hoxhiq që vazhdimisht ka qenë instrument i Listes Serbe apo qarqeve shoviniste serbe në Kosovë dhe, në Graçanicë, Gazmend Salijeviqin që ka qenë po në të njëjtat valë. LS edhe ia arriti qëllimit dhe me këta deputetë të kontarbanduar, thuaja barazohet me deputetë me LDK-në. Çfarë krimi elektoral !
Si do të shkojë formimi i institucioneve: Albin Kurti deklaroi se nuk do të bëjë asnjë koalicion me partitë shqiptare sepse paska bërë një koalicion me Vjosa Osmanin. Nuk do të bëjë as koalicion me Listen Serbe që nënkupton se do ta kemi një qeveri të pakicës, VV–ë, me disa deputetë të pakicave joserbe. Në anën tjetër kërkon votën mga opozita të cilën botërisht e poshtëron . Në një politikë inatçore, opozita do t’i përgjigjej me një injorim të plotë kurse , mendoj se opozita duhet ta bëjë të kundërtën, ta votojë propozimin për qeveri dhe për president. Ky do të ishte sinjal se opozita e ka përnjëmend vullnetin për t’u reformuar dhe do t’i ndihmonte opozitës qysh në zgjedhjet lokale. Ndërkombëtarët janë përcaktuar që institucionet të formohen nga partitë fituese, VV-ë, Lista Serbe dhe pakicat joserbe. Ashtu edhe do të bëhet dhe me këtë përcaktim të ndërkombëtarëve përjashtohen zgjedhjet e reja. Albin Kurti, për shkak të komplikimeve të mundshme kushtetuese, përkohësisht mund ta vendosë në postin e kryeministrit, klonin e tij , Arben Vitinë i cili, pastaj, në shtator, do të lëvizte prapanicen nga posti i kryeministrit, për t’ia liruar Albin Kurtit. Mirëpo, përfundimisht Vjosa Osmani , në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si person unifikues për faktin se nuk është a pavarur politikisht , është në konflikt të hapur me LDK-ë sepse ka punuar për shkatërrimin e kësaj partie dhe se ka shfaqur urrejtje të madhe dhe hakmarrëse ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së dhe PDK-së . AAK –ë e ka kandidatin për president. Vetëm një presion ndërkombëtar mund ta bëjë Vjosa Osmanin presidente apo edhe një thyerje tjetër brenda LDK-së. Vjosa Osmani nuk mund të bëhet presidente pa votat e PDK-së , LDK-së dhe AAK-së dhe, së paku 14 deputetëve të Aleksandar Vuçiqit në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, në anën tjetër, nëse duam ta forcojmë demokracinë duhet ta respektojmë vullnetin e votuesve dhe , në këtë rast 50% e votuesve kanë votuar për VV-në prandaj do të ishte krejtësisht e pamoralshme dhe kundër interesave të Kosovës që shpërfillet apo shantazhohet ky vullnet. Po këto zgjedhje kanë prodhuar dy efekte shumë pozitive, e para, mikes time Kimete Berishës i është plotësuar dëshira që Albin Kurti u bë Xhingis Kani i Kosovës e për të cilin qëllim ka luftuar me të gjithë dhe, e dyta, më në fund u krijuan mundësitë që Besnik Bislim ta bëjë një sy gjumë!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA Prishtinë, 19 shkurt 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura