UK LUSHI: SI NORMALIZOHEN MARRËDHENIET KOSOVË – SERBI?

(New York, 29. 10. 2012) – Me 19 tetor 2012, në një mbledhje të aranzhuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, në Bruksel, ndodhi takimi i parë publik i një kryeministri të Kosovës dhe një kryeministri të Serbisë që prej përfundimit të luftës me 1999. Hashim Thaçi dhe Ivica Dačić shtërnguan duart dhe u shtruan për një bisedim rreth dy orësh.
Nuk ka dyshim që çdo nismë për pajtim ndërnjerëzor është e lavdërueshme, por takimi Thaçi-Dačić ishte i imponuar dhe simbolik, ndërsa paqja nuk mund të vendoset as me imponime e as me simbolikë. Serbia ka bërë krime në Kosovë, së këndejmi takime si ai i Brukselit, pa asnjë kusht dhe pa u bërë drejtësia së pari, janë të gabuara. Absurditeti i takimeve simbolike bëhet edhe më banal kur ata që qëndrojnë pas tyre e dinë që Serbia përmes strukturave të saj inteligjente dhe të sigurisë e mban nën gjysmëokupim rreth 25 përqind të territorit të Kosovës.
Praktikat dhe ligjet ndërkombëtare për rastet kur një shtet kryen krime kundër një populli janë shumë të qarta dhe ndërkombëtarët në Kosovë, Bruksel, Washington DC, e kudo në qendrat tjera të vendosjes, i dinë ato shumë mirë. Ndërkaq nëse kryeministri Thaçi nuk i njeh ato në hollësi, do të duhej t’i pyesë këshilltarët e tij izraelitë se si ka vijuar procesi i normalizimit të marrëdhënieve midis hebrenjëve dhe gjermanëve. Aktorët e përfshirë në Kosovë nuk kanë nevojë të zbulojnë ujin e nxehtë: të njëjtat parime dhe procedura universale që janë përdorur për ndëshkimin e autorëve të krimeve naziste në Gjermaninë e Hitlerit do të duhej të zbatohen edhe për krimet e regjimit të Miloševićit.

Pamje nga takimi Thaçi - Daçiq, me ndërmjetësimin e Ashtonit. Fotoja është publikuar rreth 24 orë pas takimit

Me 19 tetor 2012, në një mbledhje të aranzhuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, në Bruksel, ndodhi takimi i parë publik i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Dačić.

…………………………………………………….

Nuk ka model më të suksesshëm të vendosjes së paqes së drejtë mes dy popujve apo shteteve që kanë kaluar nëpër llahtarin e gjenocidit dhe krimeve, se sa ai i normalizimit dhe pajtimit mes hebrenjve dhe gjermanëve. Për të ilustruar aplikueshmërinë dhe paralelizmin e këtij modeli me rastin e normalizimit dhe pajtimit Kosovë-Serbi duhet një kthim prapa në kohë, saktësisht me 14 mars 1960, kur në katin e 35-të të hotelit “Waldorf Astoria” në New York, u takuan për herë të parë kryeministri i Izraelit David Ben Gurion dhe kancelari i Gjermanisë Federale Konrad Adenauer. Dy kryeministrat atëbotë biseduan për rreth dy orë, sikur kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë me 19 tetor 2012. Për dallim nga Thaçi dhe Dačići, Gurioni dhe Adenaueri menjëherë pas takimit dolën para fotografëve dhe gazetarëve. Kancelari Adenauer u shpreh që ishte “admirues” i Gurionit dhe shtoi që “bashkëpunimi dhe ndihma për Izraelin do të prodhonin fruta edhe në të ardhmen”. Lideri izraelit e falënderoi kancelarin për ofertën, vlerësoi se “Gjermania e sotme nuk është Gjermania e djeshme”, dhe në fund i uroi homologut të tij “shumë sukses në përpjekjet e tij ta drejtonte Gjermaninë në rrugën e demokracisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”.
Asnjëra palë nuk foli për plane të mëdha. Por, pas takimit të New Yorkut, nuk mori shumë kohë dhe veprat filluan të flasin vetvetiu. Gjermania, brenda dy vitesh, do t’i ipte Izraelit një kredi të butë dhjetëvjeçare prej 2 miliardë marka për investime, një me kamatë minimale prej 500 milionë dollarësh për zhvillimin e shkretëtirës Negev, dhe, poashtu, përmes projektit “Frank/Kol”, do ta ndihmonte ushtrinë izraelite me rreth 250 milionë dollarë me furnizime në armatim dhe teknikë ushtarake.

New York, në hotelin “Waldorf Astoria” 14 mars 1960: Kryeministri i Izraelit David Ben Gurion dhe kancelari i Gjermanisë Federale Konrad Adenauer.

………………………………………….

Ben-Gurion and Adenauer Meet 1960.

………………………………………..

Këto ndihma të Gjermanisë për hebrenjtë dhe shtetin e tyre do të ishin vetëm maja e ajsbergut. Autoritetet izraelite me 1951 u ishin drejtuar katër fuqive që kontrollonin territorin e Gjermanisë pashitleriane që shteti gjerman të bënte zhdëmtimin dhe pagesën prej 1.5 miliardë dollarësh (përafërsisht 13.4 miliardë në dollarë të sotëm) për 500 000 hebrenjë të shpëtuar nga Holokausti dhe 6 miliardë dollarë (rreth 50 miliardë dollarë të sotëm) për pasurinë që ishte plaçkitur nga nazistët prej viktimave hebrenje. Me 10 shtator 1952 Gjermania dhe Izraeli nënshkruan Marrëveshjen për Reparacione. Kjo marrëveshje obligonte Gjermaninë Përëndimore t’i paguante Izraelit për persekutimin e hebrenjve, punën e tyre në kampet e përqendrimit si dhe për pasurinë e shkatërruar dhe vjedhur nga regjimi nazist. Për katërmbëdhjetë vitet e ardhme Gjermania do t’i paguajë Izraelit 3 miliardë marka (rreth 25 miliardë euro të sotme). Paratë gjermane u investuan në infrastrukturën e vendit dhe lozën një rol të rëndësishëm në krijimin e ekonomisë së shtetit të ri të Izraelit. Për vite të tëra reparacionet ishin pjesë substanciale e të hyrave kombëtare dhe p.sh. në vitin 1956 ato përbënin 87.5 për qind e të ardhurave bruto. Gjermania deri më tash shtetit të Izraelit i ka paguar 70 miliardë dollarë si dhe 15 miliardë dollarë tjera të mbijetuarve të Holokaustit, të cilët, të gjithë që janë ose do të jenë gjallë, do të vazhdojnë të kompenzohen deri me 2015.Sidoqoftë, përkundër këtij kompenzimi të madh monetar, qeveria dhe kryeministrat izraelitë dhe hebrenjtë në mbarë botën nuk u ndalën vetëm me dëmshpërblimet materiale; por ata ndoqën, zbuluan dhe dënuan, (ose me burg ose edhe me likuidim), qindra gjermanë nazistë në të katër qoshet e botës. Duke vepruar kështu, hebrenjtë vendosën standard të ri për drejtësinë ndërkombëtare dhe – në të njëjtën kohë – u dërguan mesazh të qartë të gjitha regjimeve që vrasin dhe përdhunojnë, se kur drejtësia të fillon hakmarrjen e saj, të gjitha do të përfundojnë keq dhe duke paguar për secilën ndërmarrje kriminale.
Izraeli dhe hebrenjtë si viktima të çmendurisë naziste nuk lejuan kompromise me drejtësinë. Kurse në rastin Kosovë – Serbi nën trysni vihen ish-viktimat: Kosova dhe shqiptarët. Presioni ndaj Kosovës bëhet edhe më i pavend sidomos kur merret parasysh që, prej përfundimit të luftrave në ish-Jugosllavi, asnjë popull ballkanik nuk ka treguar tolerancë dhe kompromis sa shqiptarët.
Popullsia shumicë e Kosovës është pajtuar pa asnjë ngurrim që bashkështetasit e tyre serbë të kenë të drejta më të mëdha se çdo pakicë kombëtare në Europë. Të drejtat afirmative për serbët që jetojnë në Kosovë janë dëshmi e përparimit dhe emancipimit të vetë shqiptarëve. Megjithatë, Serbia, asnjë herë të vetme, nuk ka treguar reciprocitet të sjelljes së mirë. Përkundrazi, trashëgimtarët e Miloševićit vazhdojnë t’i mbajnë librat kadastralë, artefaktet historike, 1800 trupa të të zhdukurve dhe qindra miliona dollarë të plaçkitura nga fondet pensionale dhe të kursimeve të qytetarëve të Kosovës, si dhe, ende më palejueshëm, nuk lënë ditë pa u sjellë armiqësisht ndaj Kosovës, si brenda ashtu edhe në arenën dhe forumet ndërkombëtare.
SHBA-ja, BE-ja dhe lojtarët tjerë me ndikim, në qoftë se janë aq të fiksuar prapa simbolizimit, sa orkestrojnë takime Thaçi- Dačić, do të bënin më mirë t’i sjellin ndërmend shtetit serb gjunjëzimin e ish-kancelarit gjerman Willy Brandt para Memorialit të Holokaustit në geton e Varshavës me 1970. Ndërkaq nëse Serbia do të tregojë që nuk është Serbia e djeshme, e ka fare lehtë: lidershipi i saj mund të shkojë te varri i Adem Jasharit që nesër dhe të përunjet duke kërkuar falje para tij dhe 52 shqiptarëve tjerë që u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.
Pra, nëse faktorët ndërkombëtarë, që shtrëngojnë Kosovën të pikëpjeket me Serbinë në Bruksel apo kudo tjetër, qeveritarët në Kosovë dhe Serbi, dhe kushdo tjetër, vërtetë dëshirojnë normalizim dhe pajtim të përhershëm shqiptaro-serb, Serbia duhet të detyrohet t’i kompenzojë Kosovën dhe qytetarët e saj për vuajtjet, humbjet e jetëve dhe pasurisë sikur që bëri Gjermania me Izraelin dhe hebrenjtë. Paqja pa drejtësinë dhe të vërtetën nuk është paqe; kurse paqja me drejtësi është zgjidhja e vetme e problemit të normalizimit dhe pajtimit të vërtetë dhe të përhershëm – edhe mes Kosovës dhe Serbisë.
*) Autori është aktivist shqiptaro-amerikan në New York të SHBA-së.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura