UK LUSHI: NËNË TEREZA NË REPUBLIKA SRPSKA (FOTO+VIDEO)

New York, 21. 07. 2014 – “Të gjithë sa ishim të ulur në karriget e teatrit të Banja Llukës boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë brofëm në këmbë dhe filluam të duartrokasim të ngazëllyer. Sikur të kishe qenë me ne, do ta kishe provuar atmosferën e mrekullueshme vetë miku im i dashur. Një sukses i madh i Nënë Terezës!” – po më thoshte ambasadori shqiptar në Bosnjë e Hercegovinë, Flamur Gashi, përmes Viber-it; unë në New York, e, ai në Sarajevë.
Ambasadori Gashi, një diplomat yni i klasit të parë, e kishte fjalën për shfaqjen “Majka Tereza – Svetica Tame” (Nënë Tereza – Shenjtëresha e Errësirës), e cila pas një premiere të jashtëzakonshme në Teatrin Popullor të Sarajevës me 19 qershor, ishte ftuar të paraqitej edhe para publikut të kryeqytetit të Republika Srpska me 15 korrik 2014. Drama e frymëzuar nga jeta e bamirëses me famë është një produksion i Shoqërisë Kulturore “Napredak” me regji të kroatit nga Bosnja Gradimir Gojer, bazohet në tekstin e maqedonasit Venko Andonovski dhe në të interpretojnë aktorë nga Bosnja-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova. Rolin e Nënë Terezës e luan Kostadinka Velkovska, artiste e njohur e teatrit Kerempuh në Zagreb, ndërkaq ekipi realizues një rol i ka dhënë edhe aktorit shqiptar nga Prishtina Ilir Tafa. Projekti multinacional, multikonfesional dhe multikulturor prej nisjes së tij është mbështetur nga ambasadat e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë në Bosnje – Hercegovinë. Të dyja premierat, si në Sarajevë ashtu edhe në Banja Llukë, janë parë nga personalitete kulturore, diplomatike dhe intelektuale. Pritet që pjesa teatrore për fituesen shqiptare të Nobelit për Paqe do të nisë së shpejti një turne ballkanik dhe mbase do të inskenohet edhenë Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës.

Në tetor të vitit 2011 në teatrin beogradas Bitef u dha performansa postmoderne “Patriotic Hypermarket”, një pjesë teatrale e përbashkët e artistëve ballkanas nga Beogradi, Prishtina, Shkupi dhe Tirana. Brenda dhe jashtë ndërtesës ishin të pranishme forca të shumta policore të cilat u desh të siguronin trupën teatrore nga sulme të mundshme prej radikalëve nacionalistë serb. Në fakt, në dy raste me 2008, gjatë ekspozitës së veprave të artistit shqiptar Dren Maliqi, dhe me 2013, gjatë ekspozitës së dëshmive të vrasjeve të familjes Bogujevci nga paramilitarët serb “Škorpioni”në Podujevë me 1999, policia u detyrua të ndërhynte për të zbythur egërshanët dhe vandalët. Në ekspozitën e Maliqit ata shqyen një punim ku portretizohej Adem Jashari, kurse në ekspozitën që rrëfen vizualisht masakrimin e 14anëtarëve të familjes Bogujevci nga perspektiva e përjetimeve të pesë të mbijetuarve, shovinistët provuan ta digjnin godinën.
Fatmirësisht shfaqjet apo prurjet kulturore serbe apo tjera ballkanike që janë paraqitur para publikut shqiptar, (kudo në trojet tona), nuk janë pritur me kanosje dhune. Shumica e tyre kanë arritur dhe vajtur pa marrë vëmendjen e merituar dhe tek-tuk iu është hedhur ndonjë sharje nacionaliste primitive. Duke e pas përjetuar pushtimin serb dhe diskriminimin e disa popujve sllav që na kanë bërë shqiptarëve me dekada, e kuptoj shumë mirë hezitimin dhe zemëratën e bashkëkombësve tonë kur vjen puna te shkëmbimet dhe qarkullimet e vlerave me popujt joshqiptar në gadishullin tonë, e posaçërisht me serbët. Kjo u pa sidomos me rastin e paraqitjes së një muzikanti serb në një televizion të Tiranës para ca muajsh, paraqitje kjo redaktoriale e dështuar ndërsa u vendos që serbi të këndonte në një emision dedikuar melosit shqiptar, mirëpo, në anën tjetër, prezantimi i artistit serb është plotësisht i arsyetueshëm nga aspekti i njohjes kulturore të tjetrit.
Si shpesh herë, disa hamulitës shqiptarë nuk e lanë pa e shfrytëzuar precedentin dhe bile tentuan të nxisnin urrejtje duke përhapur gënjeshtra mbi gjoja dallimet e shkallës së patriotizmit midis Tiranës dhe Prishtinës. Padrejtësitë që na janë bërë shumicës dërmuese nga ne duhet të dritësohen duke ndjekur rrugët legale dhe duke kërkuar shpagim financiar për dëmet materiale dhe humbjet e dhimbshme njerëzore, ama ndërshkëmbimet me kombet tjera nuk duhet të ndalen.
Ka mjaft radikalë edhe në popullin tonë të cilët dëshirojnë dhe barabar punojnë që të mbyllemi nga marrje – dhënia me popujt tjerë. Veçimin ata e arsyetojnë zakonisht ose me argumentin e ruajtjes së “pastërtisë” së kulturës dhe civilizimit shqiptar, ose me argumentin se popujt tjerë ballkanik nuk na i duan vlerat tona sa ne të tyret dhe së këndejmi, sy për sy e dhëmb për dhëmb, edhe ne duhet t’i refuzojmë të tyret.
Kjo mënyrë e të rezonuarit është edhe e paleverdishme edhe shenjë inferioriteti pikësëpari për kombin i cili vendos ta praktikoj atë. Pjesëtaret e një kombi të ditur duhet të orvaten të jenë prodhues të sa më shumë vlerave, siç duhet të jenë kërkimtarë të jenë edhe konsumues të vlerave të veta dhe të të tjerëve.
Duke qenë edhe krijues edhe nevojtarë të vlerave, kombet e zgjuara e dinë që vlera fisnikërohet kur vihet në ballafaqim me vlerat më inferiore apo superiore të të tjerëve. Kombet moderne bashkëpunojnë me të tjerët sepse ashtu e ngritin cilësinë e vlerave të tyre ndërsa konsumojnë madje edhe vlerat, që, për arsye të përparësive krahasuese apo çfarë do qofshin arsyet, nuk i kanë apo nuk mundi krijojnë. Dikush mund të thotë, po, ja filan kombit ballkanik nuk i interesojnë vlerat tona. Mirëpo humbja është e atyre që nuk interesohen, ngase ti ja njeh avantazhet dhe disavantazhet tjetrit dhe gjithsesi do të përfitosh nga kjo njohje, kurse ai nuk i njeh tuat. Nuk duhet ndier i frikësuar e as inferior për t’u hedhur në logun e vlerave dhe dallimeve rajonale dhe globale. Secili komb ka diçka të shkëlqyeshme për të ofruar dhe secili komb ka nevojë për të marrë diçka të shkëlqyeshme nga të tjerët. Dallimi se ku gjendet një komb në rangimin e arritjes përcaktohet shumë nga pranimi i këtij ligji të pashkruar lidhur me dobinë e shkëmbimeve kulturore, shkencore, sportive…, e deri gjenetike.
Para 86 vitesh, që të kthehemi te fillimi, me 1928, një vajzë e ndruajtur 18 vjeçare e quajtur Agnes Gonxhe Bojaxhiu vendos të lëshojë Shkupin e saj, të lë prapa nënën e ve dhe të niset për Irlandë në Misionin e Motrave Loretto për të mësuar mbi jetën. Një vit më vonë ajo shkon për herë të parë për të shërbyer në Darjeeling të Indisë ku nis përkushtimin e saj të devotshëm për t’i ndihmuar të varfrit e botës dhe fillon të njihet si Nëna Tereze. Brenda 68 vitesh, bija e brishtë shqiptare e Nikollë dhe Drane Bojaxhiut shndërrohet në simbol planetar i të tashmes dhe ardhmes njerëzore. Ndonëse tërë jetën përballë errësirës, Nënë Tereza kishte hapur shpirtin dhe mendjen kundrejt njerëzve tjerë dhe duke shkëmbyer vlerat e saj me të tjerëve, ajo mbërriti t’i jepte kombit shqiptar një vlerë universale të përhershme. Prandaj, “Majka Tereza – Svetica Tame”, me 15 korrik natyrisht që do të ngriste në këmbë së bashku boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë midis Republika Srpska, ku deri para disa vitesh boshnjakët, serbët dhe kroatët priteshin e vriteshin me njëri- tjetrin thua se fati i universit varej nga lufta, e jo paqja mes tyre. Urat janë më të dobishme dhe rëndësishme se sa kufijtë dhe kudo ka njerëz mendjehapur dhe zemërgjerë është e mundshme të hiqet një copë kufi dhe të ndërtohet një urë, derisa, ndoshta, një ditë, jo fort të largët, të mos ketë kufij fare.

………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura