Prishtinë, 19 nëntor 2018: Identiteti është forca e vendosmërisë për ta bërë dhe shfaqur Veten në bazë të nevojave dhe prirjeve autentike zhvillimore. Identiteti si term dhe si koncept, problematizohet kur në procesin e zhvillimit e emancipimit, individët, shoqëritë, kombet apo shtetet përballen me krizat që sjellin përplasjet midis dimensionit të “një përfundimi” dhe dimensionit të “problemit” të një fillimi të ri. Problemi se “kah të shkojmë?”, imponon nevojën e njohjes dhe rinjohjes se “kush jemi?”.
***
LIRIA dhe siguria janë dy vlerat themelore, të cilat duke qenë reciprokisht të ndërvarura, i kanë dhënë orientim ndërgjegjes sime në procesin e bërjes dhe të zhvillimit të karakterit tim si studiues e krijues. Veprimi në procesin e bërjes së karakterit krijues s’është gjë tjetër pos shfaqje e lirisë në akt; siguria është mirëmbajtje morale e veprimit në proces. Nuk mund të ketë zhvillim të asnjë veprimtarie njerëzore, e aq më pak mund të flitet për zhvillim personaliteti pa pasur parasysh karakterin të realizuar në përmasën e dinjitetit dhe të lirisë. Vetëm një deontologji e detyrës ndaj lirisë njerëzore e profesionale mund të jetë garantuese për mirëqenien dhe ruajtjen e vazhdimësisë së llojit njerëzor, në përgjithësi.
PUNA është bërë gjeneratori i vetëm i ekzistencës së njeriut që kur Zoti e privoi atë nga “parajsa nënshtruese” e modusit të ekzistencës konsumuese, duke e “dënuar” me lirinë e modusit të ekzistencës prodhuese. Puna është produkt i ndërgjegjes së strukturuar dhe, njëkohësisht, strukturuesja e të gjitha aftësive të njeriut për ruajtjen e ekzistencës dhe zhvillimin e qenies së tij në botë. Mungesa e aftësive organizuese vepruese për bërjen e Vetes (kolektive) është pasojë e mungesës së marrëdhënies jo të shëndetshme (të deformuar nga robëria e gjatë) që ne si komb kemi me idenë e punës, e kjo domethënë me mungesën e idesë së qartë për Veten dhe nevojat e vërteta të saj.
IDENTITETI është forca e vendosmërisë për ta bërë dhe shfaqur Veten në bazë të nevojave dhe prirjeve autentike zhvillimore. Identiteti si term dhe si koncept, problematizohet kur në procesin e zhvillimit e emancipimit, individët, shoqëritë, kombet apo shtetet përballen me krizat që sjellin përplasjet midis dimensionit të “një përfundimi” dhe dimensionit të “problemit” të një fillimi të ri. Problemi se “kah të shkojmë?”, imponon nevojën e njohjes dhe rinjohjes se “kush jemi?”. Përkundër debateve të zhvilluara për identitetin në kulturat me kapacitete të mëdha reflektimi, debatet tona për dhe rreth identitetit, nuk janë nxitur nga zgjidhja e problemit zhvillimor se “kush jemi dhe kah duhet të shkojmë?”, por nga nevoja për legjitimimin e asaj “ku dhe si jemi, tash dhe këtu”. Debatet për identitetin provojnë se kombi ynë, i tëhuajësuar nga ideja e punës dhe rolit që ajo ka për bërjen dhe shfaqjen e Vetes, nuk ka arritur ta bëjë kapërcimin e nevojshëm prej gjendjes mentale të fazës së adoleshencës në gjendjen mentale të fazës së pjekurisë burrërore.
NJOHJA që sjell veprimtaria artistike është e pandarë nga liria, puna dhe identiteti. Ne njohim për aq sa veprojmë për të qenë të lirë dhe jemi të lirë për aq sa veprojmë në njohje. Arti nuk është një aktivitet i izoluar dëfryes. Jo! Të pretendosh ta mbulosh përmbajtjen e natyrës dhe funksionin e artit me konceptin e “dëfrimit” do të thotë t’ia ulësh statusin artit. Për ndryshim nga shkenca dhe filozofia, vlera e të cilave matet me kriterin epistemologjik të vërtetësisë së gjykimit logjik që ato sjellin, njohja që sjell arti, epistemologjikisht dhe kognitivisht është e parëndësishme, por megjithatë përmban shkallë të lartë besueshmërie. Aktualiteti përbën fushën vepruese të njohjes propozicionale (si bazament i ekzistencës së shkencës), e cila interesohet për të vërtetën e fakteve empirike, pa përfillur kontekstin ku ato janë, ndërsa potencialiteti përbën fushën vepruese të njohjes modale (si bazament i ekzistencës së artit), e cila në qendër të interesimit të vet e ka burimin, “të mundshmen e ekzistencës së qenieve”. Në njohjen propozicionale aktualiteti konsumohet, sepse merret me sendet e ndryshueshme dhe me të ndryshueshmet e sendeve, ndërkaq në njohjen modale potencialiteti mbetet përherë aktualitet, sepse duke i vënë në pah shfaqjet e ndryshimeve të sendeve në kontekstin e tyre, ajo zbulon burimin e ekzistencës së tyre të pandryshueshme. Kjo është edhe arsyeja se pse më shumë sesa përmes veprave të letërsisë shqipe, hermeneutikën e realitetit të qenies politike, morale, ideologjike, sociale e ekzistenciale shqiptare, ne sot mund ta lexojmë shumë më qartë nën dritën e zbulimeve që shkrimtarët e mëdhenj (Eskili, Shekspiri, Servantesi, Gëte, Balzaku, Dostojevski etj.) i kanë bërë dimensionit të potencialitetit të gjendjes njerëzore në kohën e tyre.
TËRËSIA është forca gravituese e epistemologjisë dhe metodologjisë. Aristoteli, në veprën e vet “Metafizika” tërësinë e koncepton si lidhje të pjesëve në një strukturë unike funksionale. Ndërkaq, në veprën “Poetika”, duke e bërë dallimin në mes të Historisë dhe Poezisë, Aristoteli thotë se Historia tregon gjëra të veçanta, ndërsa poezia tregon gjëra më të përgjithshme. E përgjithshmja në art arrihet përmes të veçantës. E gjithë qenia e artit, si trajtë e njohjes modale, është kontestimi më radikal i konceptit për tërësinë që e hasim në veprën “Metafizika” të Aristotelit. Pjesa është Tërësia. “Pjesa” në art, me natyrën vetëmultiplifikuese, është trajektorja që përshkon mundësi të palimituara të të kuptuarit të trajtave të pafundme të shfaqjes së ekzistencës dhe të lirisë njerëzore.
OPERA, si art, është prova ku e gjen legjitimitetin e duhur koncepti i Niçes se vullneti është forca totalizuese që e drejton arsyen, kundrejt konceptit të Kantit, i cili mendon se fakulteti i arsyes është ai që e drejton vullnetin. Në aktin e perceptimit të veprave operistike epike-dramatike, si: “Il Travatore” apo “La forza del destino” të Xhuzepe Verdit; “Toska” apo “Turandot” të Xhakomo Puçinit, e kam përjetuar forcën tronditëse që shkakton shkrirja e tërë qenies në vullnet. Përjetimi ekzaltues i forcës kolonizuese të vullnetit përligjet kur veprat e mëdha operistike, si ajo e “Poliuto”-s e Dinoxetit, interpretohen nga emra të papërsëritshëm në artin e këndimit, siç janë: Maria Kallas – soprano; Franko Korelli – tenor dramatik dhe Etore Bastianini – bariton. Arti operistik është art që i ka dhënë jetë e forcë veprimi synimeve dhe koncepteve, mbi të cilat është ndërtuar profili im si studiues.
PËRGJEGJËSIA ndaj Tjetrës, si jashtësi e vetes sonë, është instrumenti më i mirë moral për kuptimin në mënyrë etike të nevojave të vetes. Shtyllën konstituive të tragjedisë në letërsinë antike greke e përbën “faji tragjik”, i cili në fakt përbën substancën e përgjegjësisë që individi duhet të ketë ndaj rendit njerëzor e kozmik. Arti i mirëfilltë është thirrje e përgjegjësisë ndaj fatit të njeriut në botë. Demokracia e antikitetit grek e mbështeste artin që e nxiste përgjegjësinë. Sot, klasa politike shqiptare, e cila është bërë gjenerator i shtrirjes së modusit zhvatës në jetën shqiptare, e shpërfill deri në mohim artin e mirëfilltë, sepse ka frikë nga përgjegjësia për të cilën ai e fton. Kultura jonë artistike dhe kultura jonë politike, në mënyrë përplotësuese ndaj njëra tjetrës, gjithnjë e më shumë po bëhen narcisoide. E zbrazur nga “faji”, kultura narcisoide është e predispozuar t’i përgjigjet nevojave të egos dhe ta refuzojë ndjenjën e përgjegjësisë për Tjetrin. Ndjenja e turpit, për shkak se është e zbrazur nga substanca e vet – “faji”, në kulturën narcisoide bëhet jofunksionale. Pushtetarët e akulturuar, në bashkërendim me njerëzit e zakonshëm materializues të ekzistencës së modusit zhvatës, e luftojnë artin me qëllim që ta pamundësojnë turpin. Në turrin për zhvatje, ata duan të jenë të lirë nga frika e turpit!
____________________
KUSH ËSHTË ARBEN HOXHA
Arben Hoxha është lindur në Gjakovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka kryer në vendlindje, ndërsa studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Ka magjistruar dhe doktoruar në Prishtinë. Që nga viti 1996 punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës, fillimisht si praktikant stazhier, ndërsa tani si bashkëpunëtor i lartë shkencor. Në kahe të kundërt me kërkesat për trajtime formaliste në studimet letrare shqipe, Arben Hoxha në qendër të strukturës së metodologjisë së kërkimit të vet shkencor do ta vendosë kategorinë e intencionalitetit, me ç’rast ai do t’i japë përmbajtje më të gjerë dhe rol më të madh operacionalizues konceptit të natyrës dhe funksionit të letërsisë.
Është autor i këtyre veprave:
1) Kësulë prej letre (poezi), Rozafa, Prishtinë, 2004;
2) Poetika e prozës së Ernest Koliqit (studim monografik), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 2005;
3) Kuptueshmëria e domethënieve (përmbledhje studimesh), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2008;
4) Letërsia si vizion: studime nga filozofia e letërsisë (përmbledhje studimesh), Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2011;
5) Mendimi kritik letrar shqiptar: konceptet dhe modelet epistemologjike (studim monografik), Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2017.