VANGJUSH ZIKO: MOIKOM ZEQO, POEZIA KONCEPTUALE (NJË SHËNIM MBI STROFËN E MOIKOM ZEQOS)

Kanada, 19 nëntor 2018: “Moikomi shkruan :”Ka një rubinet të imagjinatës nga rrjedhin rrufetë në kuzhinat gotike, ku piqen bukët e poetëve,”E pranon “estravagancën e metaforës “ në funksion të një ideje të kuptueshme.
Moikomi shkruan sërish :”Poetët kur vdesin – fantazinë e tyre e lenë nën kujdestarinë e Yjeve “
Sa virtuoze është mjeshtëria e Poetit në përdorimin e shenjave dhe simboleve mitologjike dhe jetësore , kur gërsheton jetën reale me atë metafizike !
Poezia e Moikomit nuk është një poezi e thjeshtë.
Ajo synon artin e madh bashkëkohor.
Vangjush Ziko
***
Çdo shkrimtar i shquar ka raportin e vet me gjuhën, stilistikën figurative dhe me formën grafike të realizimit të veprës së vet.
Secila prej tyre ka rolin, funksionin, domethënien dhe peshën e saj.
Në këtë shënim po ndalem, kryesisht, në formën grafike të poezisë së Moikom Zeqos.
Strofa, kjo formë e paraqitjes grafike të frymëzimit poetik, është më e parapëlqyera prej tij.
Kjo nuk është një strofë e zakonshme poetike, e cila, zakonisht, është njëra nga gjymtyrët përbërëse të arkitekturës grafike të një poezie.
E shkëputur nga strofat e tjera, ajo e humb peshën dhe vlerën e saj.
Strofa e Moikomit është një njësi poetike e pavarur, e plotë dhe e mbyllur.
Ajo i merr mbi vete të gjitha atributet dhe detyrat e ligjërimit artistik dhe estetik si një krijim poetik i përfunduar.
Ka frymëmarrjen e plotë të frymëzimit.
Ajo ka një numër të pakufizuar vargjesh.
Ajo mund të jetë një varg i vetëm, ose dy, tre e gjashtë vargëshe.
Kjo është forma grafike tipike e poezisë së Moikom Zeqos.
Strofa poetike e Moikomit është e një lloji krejt të veçantë, e paparë ndonjë herë më parë në poezinë tonë, jo thjesht për formën e saj grafike, por për mënyrën e funksionimit të saj artistik dhe estetik.
Të lidhjes që kanë në mes tyre vargjet dhe të produktit artistik që përftojnë.
Në strofën tradicionale vargjet i lidh dhe i kompozon si tërësi metri, rima dhe ritmi; kurse, në poezinë me varg të lirë, kryesisht, ritmi.
Në strofën e Moikomit, vargjet lidhen ndërmjet tyre jo falë rregullit sintaksor, por kuptimit të veçantë të stilit të autorit.
Ato i lidh, në radhë të parë, sistemi i shënjave, simboleve dhe mitologemave, leximi dhe kuptimi i tyre sipas interpretimit që u bën autori.
Moikomi shkruan: “Ka një rubinet të imagjinatës, nga rrjedhin rrufetë në kuzhinat gotike, ku piqen bukët e poetëve”.
Moikomi ka “kuzhinën” e vet.
Strofa e Moikomit nuk ka as rima, as asonanca, përputhje të plotë apo të përafërt rrokjesh, sipas metrikës klasike.
Rima e strofës së Moikomit është e një natyre krejt tjetër.
Ajo është e veçantë dhe novatore.
Unë do ta quaja “konceptuale”, si edhe metaforën e tij.
Në qoftë se në poezinë metrike rima ka funksionin e kujtesës dhe të lidhjes së vargut të mëparshëm me vargun pasues, Moikomi e ka zëvendësuar atë me një “rimë” të një lloji krejt tjetër.
Funksionin tingullor dhe atë grafik, që lidh vargjet e strofës ai e ka zgjidhur në një mënyrë novatore.
Ky novacion i shkon modelit të poezisë konceptuale që parapëlqen poeti.
Kjo “rimë” lidh dhe bashkërendon konceptualisht dhe estetikisht mendimet e vargjeve, ose, më saktë, i fqinjëson ata midis tyre, duke i rimarrë dhe thelluar më tej në vargun pasardhës nëpërmjet figurave stilistike, kryesisht të shenjave simbolike me një veshje aforistike.
Nëpërmjet vargjeve të goditura me fuqi shprehëse, të cilat përmbajnë një mendim të përgjithësuar të nxjerrë nga jeta.
Edhe ritmi i kësaj poezie shkon paralel me simotrën e vet, rimën.
Ritmi i vargut pulson në vartësi të ngarkesës psikologjike që ai mbart në vetvete. Dhe aspak në vartësi të theksave tradicionalë metrikë.
Energjia artistike dhe estetike e vargut të Moikomit, nuk është aspak harmonia dhe delikatesa e shprehjes, melodiziteti i vargëzimit.
Atë e zëvendëson tensioni psikologjik i frymëzimit.
Energjia e tij është “radiaktiviteti mendor”., siç e pohon edhe vetë poeti.
Ai ngre pyetje.
Ai polemizon.
Ai profetizon.
Vargu i tij “harliset si fantazmagori e të Paarritshmes”.
Moikomi e pranon se preferon “ekstravagancën”, të jashtëzakonshmen, por jo pakuptueshmërinë.
E pranon “estravagancën e metaforës” në funksion të një ideje të kuptueshme.
Në këtë strofë një rol të caktuar luajnë edhe pauzat brenda vargut, të cilat rregullojnë frymëmarrjen e strofës dhe të vetë frymëzimit dhe shënohen me vijzë ( – ) ndërmjet çdo togfjalëshi: “Poetët e lenë – Fantazinë e tyre, pas Vdekjes, – nën Kujdestarinë e yjeve!” (Kujdestaria e yjeve”).
Por më e rëndësishme për Strofën e Moikomit, është pauza, ndalesa midis vargjeve.
Pauza midis vargjeve i ngjan një fuqie mistike që i shndërron si me magji pamjet, situatat, emocionet, deduksionet, shënjat.
U vesh atyre magjinë dhe sharmin mitologjik.
Kjo pauzë është e një natyre tjetër nga ajo e pauzës klasike.
Në poezinë dyvargshe, “Thika e Kainit”, për shembull, kemi vetëm një pauzë të tillë.
Ajo është një pauzë psikologjike, një heshtje meditative.
Vargjet e kësaj strofe ngjajnë si fraza të ndërprera të një dialogu tragjik.
Poeti, pasi ka hedhur argumentin kryesor të poezisë, (krimin biblik), i le kohë vetes dhe lexuesit ta vlerësojë atë: “E hodhi Kaini thikën e përgjakur!”.
Ndodhia biblike personalizohet dhe animizohet, vlerësohet stilitikisht: “thikës i dolën krahë dhe me vërtik nga qielli gjuan si prehë vetë njerëzimin”.
Në optikën e stlistikës së poetit, ndodhia biblike e vëllavrasjes, kjo mitologemë, rivlerësohet hiperbolikisht.
Ajo, jo vetëm evidenton emocionin.
Ajo kalon në një rrafsh tjetër, e zgjeron dhe e përgjithëson në rrafshin shoqëror dhe historik, në një kasaphanën të luftës botërore.
Në poezinë elegjiake, “Qeniet Njerëzore Gëlltitin Përjetësi” pauzat janë të natyrës thellësisht intime.
Kemi një meditim, një mall: “Brenda meje ka rrugë, ku ti ecën e vetme, e dashur!”.
Dhimbja është e vjetër, por jo e platitur.
Ajo e shtyn heroin lirik qetësisht të arsyetojë në mënyrë aforistike: “E vërteta tingëllon nga brenda, jo me dukjen e gjërave!”.
Në vargun e tretë ai i kthehet kujtesës së shpirtit të vet: “Në zgavrat e Kujtesës ka shumë pasqyra”.
Përsëri një pauzë, një psherëtimë ngushëlluese, përmbyllëse e strofës e cila me ton elegjak i jehon në shpirt.
Kitaristi gjenial.
I vdekur edhe ai.
Kthehet në simbolin e përgjithësimit dhe përjetësimit të dhimbjes tragjike të heroit lirik: “Dhe mbi kitarë Xhimi Hendriksi telin më tingëllues vuri gjarprin e Edenit!”.
Vini re!
Sa virtuoze është mjeshtëria e Poetit në përdorimin e shenjave, simboleve mitologjike dhe jetësore kur gërsheton jetën reale me atë metafizike.
Çfarë forcë emocionale merr pauza midis vargjeve!
Sa natyrshëm vjen ajo!
Edhe titulli i poezisë bëhet një varg i strofës” “qeniet njerëzore gëlltitin përjetësi”.
Pauzat e poezisë së Moikomit duhen “lexuar” me më shumë kujdes se sa fjalët e saj.
Pauzat, heshtjet e poezive të tij erudite shprehin aspiratat e ndjenjave dhe të mendimeve të thella, të cilat shpesh janë edhe të sofistikuara.
Një rol të veçantë grafik luan edhe titulli i secilës strofë.
Ai është “busulla” orientuse për shtegtimin e lexuesit nëpër labirintin e këtyre vargjeve, është “filli i arianës” për të dalë nga “shpella” e simboleve, mitologemave dhe metaforave konceptuale të Poetit.
E parë dhe e vlerësuar në këtë mënyrë, kjo lloj strofe është veshja më e përshtatshme e frymëzimit dhe e filosofisë krijuese të poetit Moikom Zeqo.
E këtij personalitet dhe krijuesi të jashtëzakonshëm.
Mirëkuptim i poezisë nuk do të thotë, thjesht, të lexosh dhe të kuptosh vetëm fjalët e saj.
Duhet të kuptosh dhe ta ndjesh thellësinë dhe delikatesën estetike bashkë me erudicionin e saj.
Dhe kjo do një kulturë, do njohuri të caktuara të artit poetik.
Poezia e Moikomit nuk është një poezi e thjeshtë.
Ajo synon artin e madh bashkëkohor.
Ajo nuk lakmon aspak numërin me shumë shifra të lexuesve.
Ajo i drejtohet lexuesit që e mirëkupton.
Dhe ky lexues nuk i ka munguar aspak Moikomit!
Ai vjen duke u shtuar çdo ditë.
Lexuesi inteligjent i ardhshëm do ta shijojë dhe vlerësojë plotësisht, talentin e tij sui generis, të jashtëzakonshëm.

____________________________________________

Report TV – Intervista me shkrimtarin Moikom Zeqo: Poezia ime u shpëtoi ligjërimeve politik

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura