ELIFE PODVORICA – JASHARI: NË GËRMI …

Prishtinë, 25 nëntor 2018: U bëra gati me vrull dhe u nisa tërë gëzim rrugës gjarpërore të malit të Gërmisë! Sot ishte një nga ato ditët që nuk ngjajnë njëra me tjetrën …
– Më prite gjatë – , ishte pyetja e parë e Sadetes, e cila tërë shend e verë më përqafonte me mallin e disa muajëve që nuk ishim parë! Ajo kishte ardhur në vizitë te prindërit e saj nga Mynihu dhe më kishte lajmëruar që nga dje. Takimin e lam në Gërmi! Aty në këtë periudhë të ditës është më qetë dhe mali i dendur që e rrethon, disi të jep atë kënaqësinë romantike dhe të krijon një ambient aq të ngrohtë për të kapur fillin e bisedës që herën e kaluar e kishim lënë përgjysmë, opusi i së cilës i ishte gogja voluminoz! Kur në jetën e tij, njeriu gjen një miqësi të vërtetë, që të plotëson aty ku ti ndihesh i zbrazët, që të jep mbështetje, aty ku ndjehesh i pafuqishëm dhe që të ndihmon e të jep kurajo aty ku mungon vetbesimi, mendoj që është dhurata më e çmuar që ajo të afron!
Në ndërkohë i mora një libër Jetës-vajzës së saj të madhe me rastin e ditëlindjes që do të festonte edhe pak ditë! Mendova ti blija një libër nga Osho, ose Coelho, apo një autori tjetër! Mundohesha që nga titujt e librave, ta gjeja temën me të cilën ajo do të kënaqej gjatë leximit! Sadetja më doli në ndihmë duke më propozuar se libri të ishte diçka interesante lidhur me shqiptarët, sepse autorët që unë shiqoja, Jeta e kishte mundësinë e leximit të tyre në gjuhën gjermane! Atëherë të dyja njëkohësisht e gjetëm një libër me figurën e Anton Çetës në kopertinën e saj dhe të dyjat njëkohësisht klithëm: ’’ja ky mund të jetë libri i duhur për Jetën”! Eh! Mirë shumë! Vazhduam të pinim çajin! Kësaj here ajo porositi një Jack Daniel dhe fillova t’i shpalosja faqet e librit, të cilat lëshonin atë aromën e këndshme të librit të sapo botuar! Sa shumë e kam dashur këtë aromë! Isha në gjendje që kahdo që vërdallisesha si fëmijë, bëja – ç’bëja dhe e hapja librin e u merrja erë faqeve të tij! Nëpër shfletimin e librit, rrëshqitnin edhe pamje e ngjarje nga më të ndryshmet në periudhën e pajtimit të gjaqeve dhe figurës së Anton Çetës! Sa herë më dilte një foto përpara, isha e sigurtë se kjo duhej të ishte me Sadeten në te…lypa e lypa deri në fund të librit! Por, jo! Në asnjërën nga ato, nuk u gjind as edhe një foto e saj! Syve të mi tejet të habitur, u erdhi në ndihmë një buzëqeshje që varej në cepat e buzëve të saj, si një hap qetësimi në emocionet e mia vërshuese plot pezm…

– Sadete Zhitia dhe Jeta Zhitia –

– Jeta Zhitia –

– Mos u shqetëso- u mundua të më qetësonte! Nuk e kam bërë që të më vënin foto nëpër libra – ma tha ajo me gjakftohësinë më të madhe që ia kishte veshur sytë e saj të zinjë si dy kokrra ulliri, shikimi i të cilëve sikur kishte humbur në vitet për të cilat bëhej fjalë!
…Ishte një rast në fshatin Raskovë, ku familja duhej të falte gjakun e vëllait! Ata nuk e pranuan asnjërin nga ekipet e caktuara të bisedonin me ta! As profën H.G me dy kolegët e tij!…filloi rrëfimin sikur ta kapte për fije një ngjarje të strukur diku në memorine e viteve të shkuara… Pata fatin dhe aftësinë t’i bindja unë! Nuk ishte aspak e lehtë t’i bindje njerëzit për falje gjaku të më të dashurve të tyre, sepse ishin shumë të lënduar! Dhe provonim lloj – lloj reagimesh nga ana e atyre që duhej ta bënin këtë akt! Ka pas raste kur familjarët i kanë rrahë ekipet e pajtimit të gjaqeve! Edhe kjo familja që duhej të falte gjakun e vëllaut më të ri, nuk e kishte pranuar ekipin e përcaktuar! Por, unë insistova! Morra guximin dhe shkova e u hyra në shtëpi, sepse plaku nuk dilte që të komunikonim me te! Ishte fshehur brenda dhe kur e hapa derën dhe hyra pa lejen e tyre, e gjeta plakun me plis të bardhë të fshehur pas shporetit që qëronte patate! “Eu, i thashë! Po ti o axh qenke fortë njeri i kulturuar! Unë asnjëherë nuk kam takuar një plak me plis të bardh e t’i ndihmojë gruas të qëroj patatet për drekë! Të lutem Loke, a ma sjellë edhe mua një thikë që ti ndihmojë axhës që t’i qërojmë patatet bashkë, se unë me të e paskam muhabetin sot”! Bëra e ç’bëra, plakun e binda! Por, ai më fali gjakun e vllaut, vetëm me kusht që mos ta takonte vrasësin, sepse i vinte shumë zor t’ia zgjaste dorën gjakësorit që kishte mundur të vriste një djalë tepër të pafajshëm në lulen e rinisë!
Ditën që u caktua të bëhej falja e gjakut në këtë familje, ishte Kongresi qendror i Pajtimit të gjaqeve që po mbahej në Prishtinë! Delegate e këtij kongresi isha edhe unë! Por nuk munda të shkoja në kryeqendër sepse familja e atij vëllaut nuk e zgjaste dorën “pa qenë ajo vajza që na i ka qelë sytë dhe mendjen, nuk e shtrijë dorën e pajtimit”!
Dhe unë me ekipin kryesor të pajtimit, shkuam në familjen e vrasësit! Ata normalisht që ishin gëzuar jashtë mase për faljen që u bëhej, dhe kishin organizuar një drekë të begatshme për të gjithë ne dhe familjarët e miqt e tyre! Para se të ngrihej dollia me raki u qova dhe i zgjata dorën dorasësit dhe i thashë ”Zotëri në emrin e plakut dhe djemëve të tij, po ta zgjasë dorën e pajtimit! Por, që ta dish familjarët nuk kanë pranuar të vijnë vet, sepse ka qenë shumë e vështirë për ata! Bile plakut kur filluan ti bërtisnin djemtë e tij se o babë mos e bëj një gjë të tillë, ai u tha: nuk po e bëj për ata vrasës, por faljen e gjakut po ia bëj popullit tim, i cili duhet të bashkohet e ta luftojë shkaun që na ka hy në konak”! Dhe…mu kthyae Sadetja kah unë, nuk i lash që të ngrisnin gotat me raki dhe as të drekonim aty! Në ato momente iu drejtova edhe organizatorëve të mi dhe u thashë” jo ore! As dolli dhe as drekën nuk do ta hajmë, sepse më ka plasë zemra për plakun e shkretë”!
-Eh! Ishin kohëra sa të vështira, aq edhe krenare për popullin tonë që po vetdijësohej aq mirë në prag të luftës çlirimtare!
-Por ngjarja që më ka mbetur e gjallë dhe e paharruar është shprehja e një plakut në fshatinë Shipkovicë (në Maqedoni), i cili kur e fali gjakun e trefisht në familjen e tij tha: “për hatër të kësaj çikes së Kosovës dhe vëllaut të saj Dëshmor, e fali gjakun e djemve të mij”! Përveç kësaj, plaku më ka premtuar se do t’i shkollojë të gjitha vajzat e familjes!
Ka dhe shumë e shumë raste të tjera, ku kam qenë e vetmja që kam arritur që t’i pajtojë familjet midis tyre, edhe pse rastet ishin rrënqethëse…
E kreu ajo rrëfimin dhe me një buzëqeshje që nxirrte në pah gjithë personalitetin e saj prej një vajze, një motre, një gruaje dhe një nëne në të cilën mplekseshin gjithë virtytet dhe fisnikëritë e një gruaje shqiptare të treguar nëpër legjendat tona..! Dhe kur e mendoj sot se isha vetëm 22 vjeçe! Dhe isha vetëm nja pesë – gjashtë muaj pasi më vran vllaun! E mirrja fuqinë dhe motivimin që me këtë akt historik që po bënte populli shqiptar në shuarjen e hasmërive të tyre, unë po ççoja në vend amanetin e vllaut tim, Afrimit!
…Me sytë e përlotur nga storiet që dëgjoja, hapa librin në fletën e parë dhe fillova t’i shkruaj Jetës:
“Jetë e Dashur! Meq ke dashur që këtë ditë të shënuar për ty, ta festosh vetëm me Nënën tënde duke u strukur edhe njëherë në prehërin e saj, unë të bleva këtë libër në të cilën poashtu ka gjurmë të Mamit tënd! Njëherë e dikur, kur ajo me 22 vjetët e saj mundohej që t’ua shëronte plagët e shpirtin familjeve të plandosura për toke nga dhimbja që kishin për më të dashurit e tyre! Me këtë akt, po bëhej pajtimi gjithshqiptarë dhe njëkohësisht kështu të bashkuar, mobilizimi dhe përgatitjet për Luftën Çlirimtare të Kosovës, pjesë e pandarë e së cilës ishte Nëna jote!
Ndërsa Ti, për një vit të tërë ishe nëpër trojet shqiptare në kërkim të gjurmëve të prindërve të tu! Ishe në Atdheun e dajës Afrim, të cilin e shkele cep më cep! Ishim të gjithë në njëfarë mënyre pjesë e jotja nëpër odisejadën tënde shqiptare, sepse u bëmë lexuesit tu më të apasionuar të shkrimeve tua të bukura, të mbushura erë dheu, aromë alpesh, lule portokalli e puhizë bregdeti !Andaj, nga zemra të uroj që jeta jote të të sjellë vetëm befasi të këndshme, ashtu siç ishte befasuese shkuarja jotë në Tiranë, Durrës, Krujë e Tepelenë, Prishtinë e Prizren, për të marrë erë lulesh shqiptare këtë vit dhe për tu takuar me rrënjët tua shqiptare! Qofshë e lumtur çdoherë, ashtu siç i bëre të lumtur për tërë këto vitë prindërit dhe Familjen tënde, për zgjuarësinë e inteligjencën tënde të pakufi, duke prezentuar kështu edhe para mësuesve e miqve gjermanë se vajza nga Kosova mund të jetë shumë e zonja, shumë e mençur e shumë e dashur për të gjithë njerëzit, pa dallim race! Faleminderit nga Ty për këtë vit, ku na binde të gjithëve se Tirana është metropoli më i bukur në Botë! Në shkrimet tua ku bëhej i gjallë përjetimi yt unik nëpër rrugët e saj me kurorat e gjëra të drunjëve dhe luleve nëpër sheshet e Tiranës, na e bëre edhe më të dashur ate! Dhe, kur ti e thua këtë gjë moj Jeta, natyrishtë se të besojmë të gjithë! Sepse, tërë këto vite ishe pjesë e qyteteve më të mëdha Europiane, nëpër të cilat kishe ecur dhe përjetuar shumë gjëra të bukura gjatë rritës dhe edukimit tënd larg trojeve shqiptare dhe larg Atdheut të prindërve të tu!
Në hapërimin tënd alpeve shqiptare këtë vit, na bëre vërtetë të lumtur për misionin të cilin ti po e realizoje me shumë dashuri! Këto 365 ditë, u bëre Ambasadorja më e dashur, u bëre fija kontaktuese mes Atdheut dhe rinisë shqiptare që po rritet e edukohet nëpër vendet e huaja dhe larg bukurive që ti i shijove e i shkruajte dhe i memorizove në shpirtin tënd! Të lumtë Jeta!
Jeta Gëzuar – e u bëfsh 100 vjeçe!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura