Vlorë, 30 Nëntor 2018: Nuk na ndodh shpesh që të kemi në dorë një tekst të veçantë, shumë interesant e unik në llojin e vet. Libri “Ekzibicionisti i Velçës” ka për autor qytetarin e thjeshtë e me mendje, Aljosha Korkaj nga Velça, sot me banim në Firence. Jam menduar shumë, pasi e lexova dhe e rilexova, para korrektimit dhe redaktimit, se ku duhet ta klasifikoja informacionin që më erdhi nga Italia e po përgatitej për botim. Ky libër, për mua, është një roman, sepse është një vepër letrare e gjatë në prozë, e cila pasqyron një rreth të gjerë ngjarjesh e dukurish nga jeta dhe karaktere, që shtjellohen në zhvillimin e tyre dhe në lidhjet e ndërlikuara me kohën e me jetën e shoqërisë. Ky roman është dhe një esememorialistike historike, sepse nuk i shërben vetëm kujtesës historike jetësore të Velçës, por gjithë zonës iliriane të Lumit të Vlorës, trevës së Labërisë dhe gjithë Shqipërisë që kemi patur, kemi e do të kemi, nga qytetërimi i djeshëm botëror në civilitetin e nesërm global. Është një roman – ese moralizues, sepse lidhet me nderin, sjelljen e ndershme e të pandershme, me gjendjen e brendshme, shpirtërore të personazheve-njerëz të ndryshëm; madje ka një doze të mirë psikologjike, sepse trajtohen edhe dukuri e veçori psikike të disa personazheve realë, formimi dhe bota shpirtërore e tyre. Dhe, gjithashtu, është një ese filozofiko-fetare, sepse ka mendime të thella për jetën, botëkuptimore e diturore, ka edhe frymën hyjnore, idealiste të mirësisë e zotëruesit, me synimin që edhe ne duhet të përmirësohemi duke përparuar.
Në thelb, objekti dhe subjekti i këtij libri janë Velça dhe velçiotët (autoktonë apo prurje antike të periudhave historike para Krishtit e tek-tuk në vijim). Janë me dhjetëra faktet dhe dëshmitë që sillen në këtë libër për lshtësinë e Velçës, si dhe për pasurinë kulturore e shpirtërore të banorëve të këtij fshati. Për të mos humbur kërshërinë e lexuesit, dua të theksoj një mendim të prof.as. Aleks Trushaj: “Treva e Lumit të Vlorës, Shushicës apo Lumi i Bardhë (Polianthes – në antikitet), karakterizohet nga një trashëgimi komplekse arkeologjike, historike, etnografike e gjuhësore”.
Ndër monumentet e prehistorisë ai evidenton të parën shpellën e Skotës, Velçë, të dytën shpellën e Tezgjahut në Shkëmbin e Presaranit, po në Velçë, Shpellën e Shkruar të Lepenicës, Cerjen, amfiteatrin e Amanties, Megalitin e Vranishtit, dolmenin që populli e quan Guri me Qiell, Kalanë e Katafiqit në Kuç, Horën, Shpellën e Teutës në Tërbaç, urën e Bogdanit po në Tërbaç etj. Jo më kot i përmenda këto fakte, të evidentuara në një roman ese, si ky që kemi, për fat, sot në dorë. Është një libër ky, i Aljosha Korkajt, që na erdhi në dorë disi me vonesë, por që na duhet dhe na shërben shumë. Ngjarja na vjen nga nëntë miq, që takohen në tragetin e linjës Vlorë-Brindizi. Një udhëtim i plakur, i lodhur – në fasadë -, na shpalos një botë shumëngjyrëshe e origjinale në substancë e na ndez një zjarr artistik, ku çdo lexues do ta gjejë qoshenë, karrigen, stolin, gurin apo shiltenë ku të ngrohet sadopak për shëndetin vetiak, familjar, kombëtar, qytetar, fetar e letrar. Në një udhëtim rraskapitës nga Vlora deri në Mesokanal, shfaqen pamje të tëra jetësore, në disa rrafshe, me personazhe tërheqës, të cilët, autori me zotësinë e tij na i bën aq realist e i gdhend bukur me daltën e shpirtit, saqë na duket se i njohim dhe ne. Si në një film tragjikomik.
Emri i Aljosha Korkajt nuk është i panjohur për lexuesin vlonjat. Në shtypin lokal të kohës shkrimet e tij dukeshin që kishin lëng e nerv, se mbahen mend edhe sot më të spikaturit, ndryshe nga jo pak korespondentë e gazetarë të tjerë, të cilëve jo vetëm shkrimet u janë harruar, por edhe emri. Veçanërisht shkrimet sportive të Aljoshës shquheshin për pasurinë e informacionit, argumentin dhe stilin lakonik e të rrjedhshëm.
Kjo përvojë jetësore dhe gjuhësore, jo vetëm gazetareske nuk mund të mos shfaqet në librin “Ekzibicionisti i Velçës”. Ajo e ka ndihmuar autorin, shpesh herë për të krijuar situata sa më të larmishme e befasuese në vizatimin e tablove, për të ruajatur ritmin në rrëfimin e ngjarjeve e ndodhive nga personazhet që bën protagonistë, sipas rasteve e rrethanave jetësore e artistike.
Zhargoni, i përdorur qëllimisht, nuk të bezdis, ai i jep fllad lëndës, sepse autori di ta ruajë raportin e masës edhe me shprehjet frazeologjike, me dialektizmat apo me huazimet, sidomos ato nga gjuha italiane, të cilat ua jep personazheve të duhur për t’i përdorur në kohën dhe vendin e përshtatshëm.
Unë nuk do të bëj analizën letrare të veprës, as kërshërinë e lexuesit nuk dua ta venit, por dëshiroj të them se Aljosha Korkaj me këtë libër ka guxuar shumë e ka thyer tabu, për hir të dashurisë së patjetërsueshme për vendlindjen, Velçën e tij të lashtë, të rëndë, me norma e tradita familjare, fisnore e shoqërore, fisnike e krenare, të cilës, për këto cilësi që mbarti e mbart qysh nga epoka e hershme e gurit, i janë sulur ta nëpërkëmbin, por s’kanë mundur. Ky roman mund të quhej dhe një makroreportazh artistik dhe të klasifikohej në publicistikën letrare, por ka një galeri personazhesh simpatikë dhe një linjë rrëfimi të trillimit artistikë, të cilat autori i ndërthur në mënyrë harmonike, në formë e në përmbajtje. Tablotë e jetës së njeriut na i jep në koklavitjen dhe shumanshërinë e botës reale dhe ireale, në gjerësi dhe thellësi.
Për pasqyrimin e procesit të koklavitur të jetës dhe të një rrethi të gjerë fenomenesh nga jeta, në zhvillim e sipër, marrin pjesë personazhe me karaktere të ndryshme si Miltoja, Ditmiri, Profesori, Enton Pipa, Meti, dy vëllezërit Aliaj (Çimi e Bejkushi), Jenua, Fatjeta, Vesa, babë e bir Bloza etj., Fatet, interesat dhe marrëdhëniet e tyre ndeshen e gërshetohen. Nëse disa personazhe janë skematikë e sikur rrinë në hije, personazhe si Ditmiri dhe Milto janë të mbushur me frymë, dashuri e art. Miltoja, Ditmiri e Loshe, që flet me unin artistik të autorit, përbëjnë tri këmbët e pirostisë, ku është vendosur kazani artistik, që zien gjellën letrare, mbi zjarrin e kulturës popullore, të filozofisë jetësore e qytetërimit të Velçës. Ndoshta dueti Milto – Loshe është një alter ego letrare e autorit. Ndërkohë autori ka ditur të thurë bukur në libër marrëdhëniet e dy çifteve: Milto – Fatjeta e Vesa – Boço. Ka ditur ta ndërtojë dramën në atë nivel, sa që ta mbajë në tension lexuesin gjatë veprimit të personazheve të tij; aksioni i tyre na rrëmben pakuptuar dhe kjo është, pa dyshim, meritë e autorit. Te personazhet e Aljoshës vërejmë karaktere të kundërt, por të pastër në shpirt, bujarë e të ndërgjegjshëm, ku rrezëllon sinqeriteti, pjekuria, korrektesa. Nuk kemi personazhe bardhë e zi po jepet bota e tyre e brendshme me të gjitha ngjyrat. Edhe pse të paraqitura fragmentarisht, të ngelen në mendje fisi Tava, kont Sfiri, njerëz të respektuar si Lilo Nuraj, Dero Murati, Mete Krruti e Zimo Krruti apo mistrecet e lezetshme; gocat e konviktit, Edona, kushurira e Miltos, që shoqet i flisnin Drejtësi. Në mënyrë krej origjinale është dhënë supermaratona drejt kapanoneve të Blinishtit, e fluturimeve adoleshentiste të Miltos së çmendur për Fatjetën. Shoqëria e lindur qysh në Pilur, në moshën ushtarake, të shpuzës e të flakës rinore, u ruajt në vite e vite. Gjatë 17 viteve të emigrimit ajo u bë më dritëruese, ku miqësia, spektakli i debateve, shakatë, ironitë, batutat, diskutimet pa komplekse u bënë parfumi i argëtimit shoqëror, saqë, kur udhëtuan së bashku me traget, nisi të ndizet drita e kujtesës. Kur ndizet qartë drita e kujtesës, trauma humane trondit shpirtëra. Besoj se kështu është shkruar ky libër, nën drita kujtese. Vetiake dhe kolektive. Historia e emrit të Gjorit, legjenda e malit midis Velçës e Gjormit, “zënkat” me “filozofin”, pikëpamjet vetëtallëse, romuzet e Ali Sadikut, apo debati konceptual: Bula – Elmo, Vesa – Boço janë arteriet e librit, që e mbajnë atë në këmbë, janë enë gjaku që dalin nga zemra, për t’i dhënë shëndet të freskët romanit. Nervi i romanit është pikërisht ekzibicionizmi i Boço Blozës. Ekzibicioni i tij u u njësua me këtë roman të Aljosha Korkajt, u bë emri i tij, i dha titullin këtij libri interesant, të guximshëm, të veçantë e të çuditshëm. Ekzibicionisti i Velçës, me lojërat e pasionet e tij erotike të dalldisura e të tejkaluara për komunitetin, nuk ishte me origjinë nga Velça, por nga Egjipti. Legjenda e velçotit të adaptuar mirësisht nga të parët ilirikë të Velçës është dhënë me tone të ndezura realiste dhe surrealiste. Aq kthjellët rrjedh rrëfimi, sa autori duket se është futur në lëkurë të “zavallit” Boço Ziu, për të pasqyruar botën e tij të shfaqshme e të pashfaqshme në komunitet, për të na dhënë artistikisht bukur dhe mbi bazën e legjendës gjendjen e brendshme të katranit me bojë!… Kemi, në roman, dukje qytetërimesh të ndryshme si dhe përplasje qytetërimesh që nuk kanë të njëjtin burim, të njëjtën rrënjë, as një origjinë edhe pse shfaqen në një trevë, më mirë të themi – në një vatër.
Ekzibicionisti entuziast, por fatkeq për veten, që bëri Boço Bloza, nëpër xhepat e ngrohtë të shkëmbit të Velçës është tashmë në dorë e lexuesit. Ai pret të vlerësohet si një manifest erotik e kulturor apo si një krim moral- kulturor. Autori e ka respektuar kodin letrar. Me Elmo Blozën na paraqet një rebus, diçka me përmbajtje të ngatërruar e të pakuptueshme. “Njolla e turpit është bajgë mbi shpatullat tona, s’e mbajmë dot! Ta zbojmë! Prapa Diellit!” vlon kuvendi i pleqve. “Farën që s’është jona toka jonë s’e rrit!” vjen e revoltuar jehona popullore velçote. Materia e ngjarjes së vjetër, legjenda qysh në kohën e antikitetit, ndodhur në Velçë, ka si elementë përbërës të trupit të saj anektodën, alegorinë, humorin original poetik të kohës, ka mbi të gjitha tragjikomiken e papërsëritshme. Me romanin – ese “Ekzibicionisti i Velçës”, Aljosha Korkaj do të zgjojë interesin e lexuesit jo vetëm në Velçë, në Lumin e Vlorës apo në Vlorë, por edhe në Fier, Durrës, Tiranë, në Itali, e pse jo dhe në Egjipt… Ky libër i tij është një gur më shumë në murin e qëndrueshëm të letërsisë bashkëkohore shqipe.
*) Parathënie për librin e parë të autorit Aljosha Korkaj “Ekzibicionisti i Velçës”