FATMIR MINGULI: ATLANTIDA E MOIKOMIT

Durrës, 11. 01. 2016: U bë kohë që kërkoja të shkruaja përsëri për veprën poetike të Moikom Zeqos, derisa më erdhi si gjithmonë libri i 11-të i Miscellanea-s, dhuratë nga autori, pjesë e kolanës më të plotë të ndonjë poeti shqiptar. Dhe si për ironi të fatit, aty gjeta dhe zanafillën e këtij shkrimi, gjeta çelësin magjik të një porte që të çon në misteret e jetës mbi tokë dhe të zbuluarat e jetës së botës nën ujë.
Wayne Miller, poeti amerikan i ditëve tona shkruan kështu për poezinë e Moikomit: “Moikom Zeqo është një poet i jashtëzakonshëm. Ai ofron Atlantidën si një metaforë për botën e zhytur kulturore, historike dhe letrare, që ka tërhequr tërësisht vëmendjen e tij, një botë e banuar nga Moby Dick dhe Shekspiri”.
Mjafton që të kapja emrin “Atlantidë” në këtë perifrazim sa racional aq dhe domethënës për poezinë e Moikom Zeqos dhe të nisja lundrimin si një gjueti letrare nëpër faqet e Miscellanea-ve. E ndesha Atlantidën në dhjetëra poezi e tek i lexoja vargjet kushtuar kontinentit të humbur, më dukej sikur gjeja një Atlantidë në pluskim e sipër, një lloj iluzioni që shkon drejt reales, një shpresë jo vetëm për studiuesit e saj, por për mbarë njerëzit që kërkojnë mbijetesën universale të planetit që e ka emrin Tokë.
Poezitë e Moikom Zeqos për ekzistencën dhe bëmat e asaj bote të zhdukur, janë plot me imazhe që ndonëse nën petkun e virtualitetit, duken sikur sjellin më afër nesh atë që ka humbur e që është zhytur në errësirën e shekujve. Poeti kërkon e kërkon të vërtetën mbi të.
E-maili i një rrufeje
Më sjell lajme
Nga Atlantidat
E shpëtuara nga katastrofat.
Optimizëm, shpresë, imazhe që afrojnë realen, të vërtetën, janë mesazhet që vijnë nga Atlantida si “kredenciale” të saj e ku beson se “një peshk ambasador vjen me kredencialet e Atlantidës”, sepse ai poeti beson që “vetëm Atlantida e kujtesës s’digjet dot, s’digjet dot..!”

Po ajo që të befason në poezitë e Moikom Zeqos, është fakti se ai Atlantidën e sheh shumë pranë Durrësit, ndonëse metaforikisht. Ai që Durrësin e ka në shpirt e në mendje, jo vetëm si vendlindjen e tij e prandaj shkruan:
“Ndaj futem në thellësi të kërkoj gërmadhat
e Durrësit të fundosur si dikur Atlantida”
E s’ka si të ndodhte ndryshe sepse poezitë e Moikom Zeqos, por dhe ai si autor i tyre besojnë një Atlantidë që premton më shumë se planeti i 12-të i Sitchinit e me anunakët e tij, një Atlantidë që njëkohësisht është e humbur dhe e gjetur, e zbuluar! Është një ishull universal, gjithmonë ngacmues, gjumëprishës dhe shpresëndjellës.
Në poezitë e Moikom Zeqos gjen vargje ku, duke përmendur Atlantidën, të duket sikur po kërkon Kepin e Rodonit, atë port – kantier të ndërtimit të anijeve ilire dhe me një kthjellim të mendimit kërkues, mjegullat nëpër shekuj dobësohen dhe në sytë tanë afrohen imazhet e Atlantidës pranë tokave pellazgo-ilire, diku pranë vendit të magjive të mëdha në Kepin e Rodonit.
Jo më kot dy studiues shqiptarë, Skënder Hushi dhe kapiten Përparim Zaimi, këto dy vitet e fundit kanë botuar libra ku ofrohet ideja e afrimit të Atlantidës me botën e lashtë shqiptare. Po krijohet si të thuash institucioni i kërkimeve atlantidase me bazamente shqiptare e që po merr zhvillim.
Atlantida jo vetëm që është koncepti i mbijetesës, por dhe emblematika e shpresës dhe ja si vjen poezia e Moikom Zeqos:
Në Shqipërinë e Jugut
Burra priopikë e iniciarë
Muzikën e një fyelli
Të hyut Pan, nostalgji filogjenetike
Mes ilirëve të fshehur dhe etruskëve
Të zhdukur, tinguj që buronin
Nga vetë Atlantida
Ndoshta!
Prandaj ai ndjen mall për atë që ka munguar në jetën e poetit por edhe në vetë jetën e shqiptarit, shkak për ta parë Atlantidën si një shfaqje të mundshme, shfaqje të një feniksi gjigant. Por, në fund të fundit ai e sheh Atlantidën si një komplementim të vetes së tij duke proklamuar: “Gjejeni Atlantidën e mushkërive të mia!”
Dhe imazhi i Atlantidës që ka shqetësuar dhe shqetëson me qindra studiues, institute të tëra, projekte të shkuara dhe të ardhme, vjen dhe zbardhet, largon pluhurat e hapësirave duke e bërë poetin që të “zhytet në thellësitë e viteve që ikin/ dhe të atyre, që do të vinë në përjetësi/ ti je Atlantida/ sekretin e ngritjes në sipërfaqe/ s’e di.”
Por në poezinë e Moikom Zeqos ku Atlantida përmendet në mbi pesëdhjetë poezi, ndjehet dhe një simptomë e parandjenjës hyjnore, ajo e malit të Tomorrit.
Nuk është vetëm ideja e misticizmit dhe e riteve fetare që e bëjnë këtë mal të shenjtë, por është një histori sa e fshehur po aq e kërkuar edhe sot e kësaj dite e që do të vazhdojë në të ardhmen, njëlloj si shqetësimi për Atlantidën…
Edhe mali i Tomorrit nuk është thjesht në fantazinë e Naim Frashërit dhe Çajupit dhe të poezive të tyre, as në fantazinë e Moikom Zeqos e të Xhevahir Spahiut, por është objekt studimi për studiues të fushave të ndryshme.
Moikom Zeqo ka njohur bukur botën nënujore të Adriatikut dhe të Jonit, si notar dhe si arkeolog i nëndetit. A është kjo një koinçidencë ndërsa i përgjërohet Atlantidës, zbulimit të një bote të fundosur në errësirën e padepërtueshme të detrave e oqeaneve? Po kjo është e vërtetë se dëshira për eksplorim shkon e rritet që nga Adriatiku e Joni, kërkon Mesdheun e më pas Atlantikun me tendencë afrimit shumë-shpresues të misterit të botës së humbur. Historia e botës është nën ujë – thonë historianët e kohëve tona.
Por jo vetëm mali i Tomorrit me mistikën e tij hyjnore është pikësynim i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë për kërkime për poezinë e Moikomit. Janë dhe mitologjitë shqiptare të cilat ai i sjell të intersektuara me kibernetikën e së ardhmes së njerëzimit. Ai sjell botët e humbura dhe i kalon në botët e së ardhmes, duke u bërë poeti më erudit i botës letrare shqiptare. Hapësira dhe koha janë dy kuajt që shalon Moikomi jo vetëm në veprën poetike por edhe në atë të prozës.
Në pjesën më të madhe të poezive të Moikom Zeqos ku Atlantida është objekt dhe subjekt eksplorimi, mbizotëron pikërisht bota nën ujore me peshqit, komplekset e tempujve të fundosur të Atlantidës. Peshqit për poetin janë profetë, grifonë, përçues të informacionit ndërshekullorë apo ku delfini është “princ i kaltër i Atlantidave përrallore”.
Në të gjitha këto poezi gjatë leximit të tyre tek lexuesi lë vragë një pasazh që pak a shumë vërteton idetë e hedhura më lart lidhur me perceptimet moikomiane për Atlantidën:
Në Napoli çasti i bjerrë
Vezuvi ndizet si të qe Atlantida.
Eshtë një eveniment studimi i këtij përkushtimi poetik në poezinë e Moikom Zeqos. Nuk është thjeshtë rastësi përmendja në kaq shumë poezi, pa llogaritur këtu dhe intervenimet po për Atlantidën në veprën e prozës së Moikomit. Rastësia mund të jetë një herë apo dy herë.
Me këtë shkrim solla vetëm disa aspekte që më kanë ngacmuar, për vetë faktin se Atlantida sot është një grishje e madhe botërore. Në kohët që po kalojmë fenomeni i UFO-ve është në qendër të hulumtimeve shkencore që pasohet nga teoritë e alienëve që banuan Tokën. Atlantida, besoj se ndodhet në mes të këtyre hulumtimeve, në mos është dhe çelësi që do hapë portat e botës së humbur pellazge, të dilemave të mbarë njerëzimit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura