DILAVER GOXHAJ: INJORANCA NUK ËSHTË ARGUMENT

Tiranë, 2 Dhjetor 2018: Para pak ditësh, një dashamir i imi më dërgoi përmes postës elektronike një opinion të shkruar nga një farë opinionisti në gazetën “Bota sot”, me emrin Milazim Maraj. Ky opinion qenka botuar në datën 11 tetor 2018. Shkrimi i Milazim Marajt është një reagim akuzues ndaj intervistës sime dhënë TV Dukagjinit disa ditë më herët nga ajo datë, ku unë qortoj mosrealizmin e detyrës nga ana e forcave tona në Koshare dhe në mal të Pashtrikut. Synimi i atij operacioni sulmues ishte hapja me çdo kusht e një korridori për të furnizuar me armë e municione gjithë formacionet e zonave operative të UÇK-së. Kjo detyrë ishte urgjente për ne, pasi kishim të dhëna se edhe NATO do të hynte me forca tokësore nga drejtimi i Maqedonisë. Gjë që ne na duhej të kalonim sa më shpejt në mësymje të përgjithshme.
E lexova shkrimin e Milazimit me kujdes e me qetësi, për ta kuptuar se ku donte të delte. Por ai vetëm se fyen e akuzon deri në tradhëti mua dhe shokët e tjerë hartues të atij plani. Kur shihja gjithë ato pyetje-akuzë ndaj nesh, e veçanërisht ndaj meje, dukej sikur kishte rreshtuar një batalion të tërë me akuza me synim që të na asgjësoi moralisht.
Emri autorit, Milazim, sepse më dukej një emër i dëgjuar shpesh, por nuk po lidhja ngjarjen me emrin.
Dy Milazimët
Dhe më në fund m’u kujtua kënga popullore me vargjet: “Milazim, largo taborë, / se të skuq të bëj me bojë, Çerçis Topulli më thonë!”. Pra, Milazim quhej komandanti i taborit (batalionit) turk që rrethoi çetën e Çerçis Topullit para 110 vitesh, në Mashkullorën e Gjirokastrës time. “Me sa duket, thashë me vete, autori i shkrimit, Milazim Maraj, i paska vënë vetes detyrë të na “asgjësoi” ne, “çetën” që hartuam atë plan-operacioni. Por me një ndryshim. Milazimi i Turqisë donte ta asgjësonte fizikisht gjithë çetën e Çerçizit, kurse Milazimi i Kosovës kërkon të na asgjësoi moralisht gjithë “çetën” planizuese të Shtabi të Përgjithshëm të UÇK-së që hartoi planin e operacionit “Shigjeta”. Madje, Milazimi i Kosovës na akuzon ne edhe si vrasës të shokut tonë të luftës, Ekrem Rexhës, komandant Drinin.
Më rezulton gjithashtu se të dy Milazimët kanë edhe një përafrim tjetër mes tyre: nëse Milazimi i Turqisë u bë trim se kishte në dispozicion një tabor me ushtarë të një Perandorie të tërë, Milazimi i Kosovës, duhet të jetë bërë trim se ka pas vetes një gazetë të tërë me një staf sa një tabor, të një prej partive më të mëdha të Kosovës. Dhe ngaqë është kaq i fuqizuar, ka gjasa të ketë menduar se, ne të mbeturit gjallë nga “çeta” planizuese do të mund të pranojmë çdo shpifje-akuzë të tij. Kuptohet, kjo trimëri atij i vjen edhe për faktin se duhet të na masë me kutin e tij.
E di pse ti, Milazimi i Kosovës, m’u duke si Milazimi i taborit turk? Sepse ti nuk e ke vetëm me mua, por e ke me të tre ne që hartuam planin e opercionit “Shigjeta”: me mua, Drinin dhe Bislimin, gjë që në sasi i përafrohemi pak a shumë çetës së Çerçizit. Të kuptohemi, jo se ti Milazimi i Kosovës je si Milazimi i Turqisë, mos e dhëntë Zoti, por je i ngjashëm në qëllime me Milazimin e Turqisë. Të dy keni qëllim të asgjësoni kundërshtarin. Por përsëri ekziston edhe një dallim në qëllimet tuaja, që në dukje duket si i vogël, por me shumë rëndësi. Në qëllimet e atyre të vitit 1908, Milazimi i Turqisë dhe çeta e Çerçizit përdorën armë zjarri, ndërsa ti Milazimi i Kosovës dhe unë, (përfaqësuesi i “çetës” së SHP të UÇK-së), përdorim mes veti bombardim me fjalë. Por, mos harro që plaga e fjalës ka pasoja më të dhimbshme se plaga e plumbit.
Ti Milazim, ngaqë ndoshta ke marrë pjesë ca ditë në luftë, pretendon se e njeh shumë mirë artin e luftës, sidomos atë të luftës frontale, pasi të tillë ishin luftimet, si në mal të Pashtrikut ashtu edhe në Koshare. Madje, ngaqë unë them të vërtetën, se forcat tona nuk e realizuan detyrën, pasi ushtria armike nuk i la të kontaktonin as me forcat e zonës së tretë operativ dhe as me të dytën, e quan: “Vlerësim i turpshëm”!
Po mirë, mor Milazimi i Kosovës, sipas teje cili është turp, mosrealizimi i detyrës, apo të thuash të vërtetën, e cila është: detyra për hapjen e korridorit të furnizimit nuk u realizua. Sipas teje është turp të thuash të vërtetën, apo është turp të mos realizosh detyrën, kur i ke pasur të gjitha mundësitë?! Madje, forcat tona sulmonin nga lartë-poshtë, një favor edhe më shumë për forcat tona, sepse armiku e kishte tepër të vështirë për t’u marrë krahët apo për t’i rrethuar forcat tona. Apo, sipas teje, ngaqë u vranë rreth 200 luftëtarë mund të quhet fitore, edhe pse nuk realizohet detyra?
O Milazim i Kosovës, më vjen keq që po ta them, por nuk duhet lënë pa ta thënë një shprehje të Ajnshtajnit, që për faktin konkret të përshtatet shumë mirë: “Dy gjëra janë të pakufishme: gjithësia dhe injoranca, megjithëse për të parën kam rezerva”. A e merr vesh Milazim që injoranca nuk ka kufi?
Gjithashtu, o ti Milazim, që të bësh specialistin e një profesioni që nuk e njeh, sikundër bën ti, është imoraliteti dhe injoranca më e pakufishme. Dhe për të vërtetuar këtë injorancë tënden, po i marr me radhë të gjitha “turpet”-akuza që m’i ke reshtuar në formën e një tabori.
Intriga është krijimtari
Ti Milzim na thua se përmes fjalëve të mia kuptohet që: “Agim Çeku paska qenë fajtori për dështimin e këtij operacioni, pse u kishte mbyllur gojën këtyre kur u kishte thënë se është i porositur nga Amerikanët që të ndërhyhet nga Gorozhupi”. Dhe më tej vazhdon: “Kjo deklaratë e tij, (e ke fjalën për mua), nxjerr në pah shumë gjëra: Agim Çeku paska qenë fajtori për dështimin e këtij operacioni.”
Milazim, pse je lodhur kaq shumë? Çekun atje e ke, shko e pyete, por lodhesh duke i rënë larg e larg. Apo ngaqë është politkan me funksione shtetërore dhe nuk ta mban fërcka. Apo, i tillë trim je ti? Prandaj dhe je çuditur, se si unë mora guximin e thashë një të vërtetë? E thashë atë të vërtetë se ashtu bëjnë të gjithë njerëzit e ndërgjegjshëm, o Milazim. Njerëzit e ndërgjegjshëm e kanë tepër të vështirë të falin atë të keqe, gjëmën për të cilën kanë lajmëruar se do të ndodhi, dhe që nuk kanë dashur t’i dëgjojnë.
Sipas teje, Milazim, nuk është mirë të jesh i guximshëm e me karakter, se ndodh ajo që ka thënë dikur filozofi frances Paskal Blez (162ç-1662): “Duke treguar të vërtetën, mbyt besimin tek ajo”. Prandaj dhe ti nuk e beson. Thuhet se e vërteta triumfon gjithmonë, po ja që nuk është e vërtetë. U dashka dinakëri për të thënë edhe të vërtetën, por ja që nuk e zotëroj atë lloj dinakërie.
Ne, tre hartuesit e atij plani, (unë, Drini dhe Bislimi), e paralajmëruam me guxim të keqen që do të ndodhte nëse forcat kryesore i hidhnim në sulm në drejtim të Gorozhupit. Paralajmëruam, duke thënë, se po të jepej goditja kryesore në drejtim të Gorozhupit, jo vetëm që do të pësonim humbje, por edhe operacioni nuk do ta realizonte detyrën. Dhe ashtu ndodhi. Madje, mësoje, se të gjithë të vrarët në mal të Pashtrikut janë vrarë në atë drejtim. Lufta ndryshon nga loja e shahut, Milazim, pasi në lojën e shahut ke kohë të mendohesh, për çdo lëvizje që bën, ngaqë je jashtë konditave të kohës, ndërsa në luftë mëndja duhet të jetë orë e çast në alarm. Përsa i përket përfundimit që ke nxjerrë, ndoshta nuk ke gabuar.
Po a e din ti, o Milazim, se ç’do të thotë të sulmosh në një terren malor shkëmbor duke qenë i pambrojtur nga zjarri i përqëndruar i një grupi artilerie obuzash, kur ti që sulmon nuk disponon të tillë artileri që të mund ta neutralizosh artilerinë e armikut? A e din ti, o Milazimi i Istogut, se për thyerjen e sulmeve të tilla, kjo lloj artilerie prandaj dhe është quajtur mbreti i maleve? Po, kë pyes dhe unë! Lodhja më e madhe mendore është kur mundohesh të bindësh të paditurin.
Intelektuali që me vetëdije thotë gjëra të rreme, pavarësishtë nga dukja, përkrah forcat e së keqes. Herman Hesse
Në një akuzë tjerë, ti Milazim beu thua: “Anëtari i shtabit Dilaver Goxhaj ka refuzuar urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK për të udhëhequr operacionin. Çka është kjo në Luftë?” Sipas teje, kam bërë tradhëti, prandaj më poshtë shprehesh: “Po të ishte çdo gjë në rregull ju zotëri do të duhej të përgjigjeshit para gjyqit ushtarak për kundërshtimin e urdhrit.”
Nuk thonë më kot se intriga qëndron më lart se talenti, pasi ajo nga hiçi krijon diçka. Dhe kjo aftësi intrigantit i kultivohet ngaqë është fëmijë i së keqes që rritet në gjirin e saj dhe nuk ndahet nga ajo. Këtë aftësi ti Milazimi i Kosovës e paske në mënyrë të përkryer. Nuk duhet me ta ngrënë hakun. Shtiresh sikur nuk më ke kuptuar dhe thua: “Goxhaj ka kundërshtuar urdhërin në luftë”. Jo, mor lumë madh, jo. Nuk më urdhëruan, por kur unë u propozova se ai operacion nuk mund t’i besohej një kuadri dosido, ata, duke mos dashur që të shkonte Bislimi, (për këtë pyeti ata se i ke atje), më sugjeruan nëse ishte mirë që të shkoja unë.
Pra, më sugjeruan nëse pranoja unë të kthehesha në Shqipëri e të organizoja e drejtoja atë operacion. Por jo se më urdhëruan. Si thua ti, nuk doja unë të isha në Shqipëri e pranë familjes, por doja të rrija në mes të plumbave dhe predhave të armëve të këmbsorisë dhe artilerisë serbe? Apo, sipas teje kam pas “mision të caktuar, për të cilin ende nuk ka tregime të plota”. Kjo shprehje të len të kuptosh se duhet të kesh qenë ose të jesh punonjës a bashkëpuntor i ndonjë shërbimi të fshehtë, vendas a të huaj. Kam goditur vallë në shenjë, Milazim?
Helbete, një “atdhetar” si puna jote, i kujton të gjithë si veten e vet. Por ti, ngaqë ke ligësinë në shpirt, sidomos ndaj ne shqiptarët e shtetit amë, prandaj e quan urdhër sugjerimin e atyre. Me sa duket, veçse po të isha me “mission te caktuar” mund të vija unë nga Shqipëria e të luftoja në Kosovë, ndërkohë që ti e soi yt u larguat me kuç e me maç? Me sa duket, të gjithë ata shqiptarë që guxuan dhe u kthyen pushkën barbarëve pushtues serbë, të duken spiunë, ngaqë zotrote, me sa po duket, të qan zemra pse janë përzënë serbët nga Kosova. Kjo duhet të jetë baza urrejtjes e sojit tënd ndaj ne të Shqipërisë së brendshme, si pasojë e atij bashkim-vëllazërimit. Por, nuk dua ta besoj këtë, duhet ta kesh nga padija, prandaj dhe nuk dallon dot urdhërin nga sugjerimi.
Sipas teje, Milazim, cila do të ishte më e mirë për Shtabin e Përgjithshëm të UÒªK-së: të lija detyrën e bashkëveprimit që mbaja me aviacionin e NATO-s e të kthehesha në Shqipëri dhe të drejtoja atë operacion, (ndërkohë që si unë Shqipëria kishte me qindra oficerë, për mos të thënë me mijëra), apo të shkonte një nga djemtë e Kosovës, sikundër u caktua koloneli Bislim Zyrapi? Si thua ti, ishte shumë mirë të largohesha unë që isha oficeri profesionist i mbajtjes të atij bashkëveprimi të forcave tona me aviacionin e NATO-s, kur oficerë të kësaj kategorie për momentin nuk kishte në UÒªK? Për këto arsye më quan me “mission te caktuar” e sabotator të atij operacioni?! Ç’mendje të hollë që paske! Lum Istogu që ka një instruktor për arsimin si ti!
Mësoje një herë e mirë, o ti Milazimi i taborit të akuzave dashakeqe: Është e pamundur të çnderosh atë që nuk e ka frikë vdekjen, sado që ta kesh shndërruar intrigën në art. Mua më urdhëroi detyra njerëzore të sugjeroja: “Është më e dinjitetshme që atë operacion ta drejtoi një djalë Kosove”. Kjo ndërhyrje e ime nuk ishte kundërshtim urdhëri, por meritë, o Milazim.
Çështja është se e njeh apo nuk e njeh ti dinjitetin! Kjo është çështja. Unë dhe shokët e mi që lamë familjet, duke u arratisur nga liria dhe erdhëm në luftë, nuk është se e kishim borxh që t’i bashkangjiteshim UÇK-së. Borxh dhe detyrë e kishit ju, të gjithë qytetarët e Kosovës me në krye “Komandanin tuaj të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kosovës” (FARK-ut), që e kishte emrin Ibrahim Rugova. Por shumica absolute e trimave të Rugovës ia mbathi nga sytë këmbët, kurse Komandantin e nisët në Beograd t’i bënte thirrje NATO-s që të ndalonte bombardimet, dhe e latë Kosovën në mëshirën e fatit, dhe jo ne. Thonë se ti je kthyer e ke shkuar në Koshare, (nuk di sa është e vërtetë) kur doli thirrja për mobilizim të përgjithshëm. Megjithatë ai kthim, edhe në qoftë i vërtetë, nuk të justifikon, pasi, nëse është e vërtetë që je kthyer, je kthyer kur e pe se lufta do fitohej. Ta shpjegova më lartë se për cilët ishte thirrja.
Dhe, çuditërishtë, o ti Milazim trimi, arratisja e ime dhe e shokëve të mi nga liria në luftën për çlrimin e Kosovës rezultoi se ne u duheshim të gjithë atyre që luftonin, sikundër u duheshe edhe ti me shokët e tu. Ajo arratisje e jonë (jo e juaja) tregoi se pushteti i ndërgjegjes shoqërore tek ne ishte shumë i madh, i pakrahasushëm me ndërgjegjen tënde hipokrite. Ata që i bashkangjiten vullnetarisht e jo me mobilizim të përgjithshëm një lufte çlirimtare, kanë diçka të veçantë, Milazim; tek ata diçka kalit besimin në vetvete. Pikërisht për këtë arsye ata edhe vriten në luftë, ndërsa kallëpi yt jeton 1000 vjet.
Pa lene mo, thonë tiranasit, më akuzon edhe për “mision të caktuar, për të cilin ende nuk ka tregime të plota”! E di si i thonë kësaj, o Milizim: Thërret hajduti, kapni hajdutin! Nuk thonë më kot: Mos e pvet se flet vet.
Strategjia Milazim-iane “e mbajtjes së territoreve”
Më habit aftësia e Milazimit të Kosovës si “strateg” lufte kur thotë: ”Ky plan i hartuar pas shumë debatesh nuk ka pasur strategji si të mbahet territori i çliruar pas sulmit. Ky qenka profesionalizmi i këtij eksperti”. Ore, qënke taman strateg ti! Ç’paska humbur UÇK-ja për një strateg kaq të madh si ti! Me sa duket, të kanë diktuar këtë mëndje kaq brilante këta të “Bota sot”, prandaj të kanë lutur t’u bësh opinione.
O Milazim’i taborit të akuzave, a mund të na e shpjegosh pak këtë “strategjinë e mbajtjes së territoreve”, se qenka një risi për teorinë ushtarake. Po a mund të na thuash se cili ishte qëllimi i “strategjisë si të mbahet territori i çliruar pas sulmit”? Po mirë mo Milazim, a e di ti se mbajtja e atij territori që ti pretendon, ka pas qëllim pasiv?
Milazim, “mbajtja e atij territori të çliruar pas sulmit”, sikundër na thua, e që u muar qysh dy ditët e para të sulmit, kishte për qëllim të grumbullonte mjete të mjaftueshme për të kaluar nga strategjia mbrojtëse në strategjinë mësymëse, në mënyrë që të arrihej qëllimi aktiv i caktuar nga SHP. Akoma nuk e ke mësuar se cili qe ai qëllim aktiv i forcave në Koshare? Dhe mos harro që jeni përforcuar çdo dy-tre ditë me forca të freskëta. Në çastin që ju ndërpretë përparimin dhe kaluat në “mbajtjen e atij territori të çliruar pas sulmit”, përmbysët situatën. Në vend që të përfitonit nga forcat morale, që buroi nga marrja e atyre territoreve, që po na i rreshton më poshtë, (Rrasa e Koshares, Kosharja, Rrasa e Zogut, Gomaret e Botushës, Gjocajt, Jasiqi dhe Juniku), dhe të vazhdonit të përparonit, ju u ndalët, duke i dhënë kohë kundërshtarit të afronte forca nga thellësia e të qëndronte i vendosur dhe i patundur. Derisa ju ishit në sulm duhej ta mbanit nismën. Ndalimi i mësymjes nga ana juaj ishte në dobi të palës tjetër.
Po më detyroni ta them qartë dhe haptas, se: qëndrimi juaj krejtësishtë pasiv për dy muaj rresht, pas marrjes të atyre territoreve, ishte mohim i detyrës së dhënë nga SHP. Ai pasivitet i komandantëve tuaj ka ardhur si rrjedhojë e mos llogaritjes së forcës së vullnetit të forcave vullnetare të ardhura nga e gjithë diaspora jonë. Morali (vullneti) nuk është diçka e panjohur: nga gjendja e tij e sotme, thot Klauzevici, mund të parashikohet se si do të jetë e nesërmja. Ajo, që për dobësi, u la pa u kryer prej komandantëve tuaj, u bë për kundërshtarin një armë objektive, reale, për të pakësuar përpjekjet e tij. Ndërprerja e veprimtarisë luftarake sulmuese nga ana e forcave tona në Koshare ishte në kundërshtim me logjikën e detyrës së dhënë. Si strateg që pretendon se je, a mund të më thuash të kundërtën ti dhe ata që lëvdon ti?
Gjithashtu, a mund të ma kujtosh pak, se duhet ta kem harruar, për cilin territor kemi diskutuar ne në Shtabin e Përgjithshëm për ta mbajtur me anë të operacionit “Shigjeta”?; se nuk më kujtohet. Mos ta ka thënë vallë ndonjë person i ndonjë shërbimi të fshehtë? Se helbete, në Kosovë, siç ka deklaruar shefi i UDB-së për Serbinë, ata kishin 80 mijë agjentë. Të më kuptosh drejt, nuk e kam fjalën se je dhe ti një nga ata.
Një nga pyetjet-akuzë të tuat, o Milazim, është: ” Pse nuk e tregon se kundërsulmi serb ka arritur të futët në Shqipëri, pastaj me forca të përbashkëta të artilerisë shqiptare dhe forcave të NATO-s janë larguar, por ka pësuar edhe popullata civile shqiptare afër kufirit?”
A mund të na e sqarosh Milazim, se kush të ka thënë ty se forcat serbe kapën territor në brendësi të kufirit shtetëror të Shqipërisë pasi ka filluar operacioni “Shigjeta”? Nëse ka ndodhur në Koshare, ku ti pretendon se ke qenë, na e thuaj, pasi deri sot nuk na është raportuar një gjë e tillë. E ke të saktë, apo ke parë ëndërr? Kështu i ke të gjitha të vërtetat ti Milazim?
Nuk ka asgjë më të urryer se gënjeshtra, Milazim. Ndëroje atë dreq emri, se më ngjan si turku që desh të vriste Çerçizin me shokët e tij, sikundër ti, me anë të kësaj të “vërtete” kërkon që të vrasësh moralisht Bislim Zyrapin e Fatmir Limën që drejtuan atë operacion. Pse nuk vret veten, o i zi, por rron e këput të tilla broçkulla!
Më tej ti Milazimi i Kosovës na thua: “Për këtë operacion rrufe, ku mbetën gjithë ata ushtarë të rënë, dhe terreni përsëri u mbulua me ushtrinë serbe pikërisht nga gabimet e planifikimit sipas kësaj deklarate.”
Ç’është e vërteta, o ti Milazim strategu, kur thua: na “mbetën gjithë ata ushtarë të rënë”, këtu ke thënë të vërtetën e asaj që ne paralajmëruam për Gorozhupin dhe për Kosharen, por ja që ke harruar çfarë ke shkruar më lartë. Por, ama, ushtarët serbë nuk patën asnjë rast që të kenë rimarë territor nga ai që ushtarët tanë kishin kapur me sulmin e tyre. Por kjo tregon se këtë gënjeshtër ti duhet të ta ketë thënë, si duket, ndonjë ushtar a oficer serb, se nuk ma merr mendja të ta ketë thënë ndonjë nga ne të UÇK-së. Ke gjë lidhje me ata Milazim? Po të pyes thjeshtë për kuriozitet, jo për gjë tjetër.
Si thua ti, “pikërisht nga gabimet e planifikimit mbetën gjithë ata ushtarë të rënë”?! Si mendon ti Milazim, nëse inxhinieri zbatues për ndërtimin e një pallati gabon në zbërthimin e zbatimit të projektit, në këtë rast fajin e ka inxhinieri projektues? Ç’profesion ke ti, o Milazim strategu, që je kaq i hollë në artin ushtarak? Lum Kosova që të ka, por nuk di nëse të njohin ata të FSK-së që të të vënë në krye të Ushtrisë së Kosovës që pritet të legjitimohet këto ditë. Si thua, do të shkosh vetë të prezantohesh, apo t’i them unë këshilltarit ushtarak të Presidentit tuaj, kolonel Bislimit, meqenëse kemi hartuar bashkë “gabimet e planifikimit”?
Milazimi zbulon se me kapjen e fshatit Batushë u çlirua Kosova
Në një nga akuzat e tjera ti Milazim strategu thua: “Pse dezinformon ky njëri? Brigada e Koshares nuk e paska thye kufirin. Si nuk ka turp me gënjye kështu haptas?. Më datën 09.04.1999 është çliruar territori i Rrasës së Koshares. Ku i bije Rrasa e Koshares zotëri ekspert, në Shqipëri apo në Kosovë? Më 10.04.1999 është çliruar Karakolli i Koshares po a e dini ju ku ka qenë i ndertuar, në Kosovë apo Shqipëri. Kosharja dhe Rrasa e Zogut, Gomaret e Botushës janë në Kosovë apo Shqipëri. Po Gjocajt, Jasiqi dhe Juniku ku janë?… Pse dezinformon ky njëri? Brigada e Koshares nuk e paska thye kufirin. Si nuk ka turp më gënjye kështu haptas?. Më datën 09.04.1999 është çliruar territori i Rrasës së Koshares.”
Me këtë vërejtje-akuzë ma ke mbyllur rrethimin, o Milazimi i taborit të akuzave. Allahile, or te, më ke kapur shah-mat. S’kam ç’të them, pasi nuk e kam ditur që 2.552 forcat që sulmuan në Koshare paskanë pas detyrë veç “të merrnin karakollin dhe të mbanin Batushën dhe Rasën e Koshares etj”.
O të keqen e mëndjes, o Milazim! Sipas strategisë tënde, Milazim, ne u paskishim vënë detyrë veç që të merrej Kosharja, karakolli serb dhe Batusha dhe me kaq ishte e kryer dytyra e atij operacioni?! Meqenëse u morrën ato objekte, ti Milazim na thua se me kaq u kry edhe furnizimi me armatim e municion i formacioneve të UÇK-së që luftonin brenda në Kosovë, dhe me kaq, sipas jush, ishte çliruar edhe Kosova?! Sipas kësaj mendje të ndritur, kot që këmi luftuar ne brenda në Kosovë, se mjaftohej të merrej fshati Koshare dhe Batusha, dhe Kosova ishte e çilruar.
Milazim, bëre mirë që na e the një gjë të tillë, për të vetmen arsye, se tash po mësojmë nga ti, se komanda juaj, duke menduar se pas pushtimit të këtyre territoreve, ishte arritur qëllimi politik dhe ushtarak i gjithë luftës sonë, prandaj nuk e ndjenit më nevojën për të vijuar sulmin, prandaj dhe ndalët. Nga çasti i ndalimit të mësymjes nga ana e juaj, (e forcave tona në Koshare), inisiativa kaloi në duart e kundërshtarit, apo jo Milazim? Kjo solli mos zbatimin e kryerjes së detyrës, që unë e thashë në atë intervistë, që nuk u pëlqen të gjithëve që janë e mendojnë si ti, o Milazim.
Milazim! Të kesh mëndjen tënde, rron njeriu, pa merak fare, 1000 vjet. O Milaziiiim! Ato forca duhej të hapnin korridorin e furnizimit dhe jo të pinin çaj në shtëpitë e Batushës! Ta dijë kjo toka e Kosovës se sa Milazimë ushqen, do qe hapur e do qe bërë zgavër nga marazi.
Por akuzat e tua ndaj meje nuk kanë të mbaruar, o Milazim. Sidomos, me këtë vërejtjen e fundit më ke vënë me shpatulla për muri, kur thua: “Deklarimi juaj se në Koshare luftuan vetëm 63 ditë, jo vetëm që është i pa vërtetë, por tregon qëllimin tuaj të keq ose që fare nuk ke informata për këtë luftë”.
Ore, Milazim, të pyeta më lartë se çfarë profesioni ke.
E di pse?
Sepse po shoh që ti nuk zotëron as aritmetikën, mbledhje e zbritje, gjë që do të thotë se matematikës i vjen anës. E kam seriozisht, a ke qenë ndonjëherë nxënës shkolle? Po do më thuash që je inspektor arsimi, në Burim (Istog). Kjo nuk do të thotë se nuk je analfabet, se sot, në Kosovë e Shqipëri, kanë mbrojtur dokturaturën më së shumti analfabetët.
Por megjithatë, nuk të falet të mos dish të bësh mbledhjen e tre numurave, o “strategu” ynë?! Derisa nuk di të bësh mbledhjen e tre numrave të thjeshtë, më del mua për detyrë që të të mësoj mbledhjen e tyre. Dëgjo Milazim: nga data 9 deri 30 Prill 1999 janë 22 ditë, nga data 1 deri 31 Maj janë 31 ditët, nga data 1 deri 10 Qershor kur ndaloi lufta, janë10 ditë. E, që të mos ngatërohesh, po t’i vendos, ashtu siç i vendos mësuesia në tabelën e klasës, na del: 22+31+10 = 63 ditë. Mundohu të mos e harrosh tjetër herë. Hë, bravo!
Në këto 63 ditë luftë, luftuan gati 3000 forca në Koshare, të pajisura nga peu e gjëlpëra e deri te topa e murtaja, dhe nuk e hapën dot korridorrin, edhe pse u vranë gati 200 djem nga më të mirët, sikundër na thua edhe ti. Dhe këtë ti e quan heroizëm?! Dhe mos realizimin e detyrës nga ana e juaj e quan faj timin, të Bislimit e të Drinit, pse e planizuam atë operacion dhe urdhëruam të luftonit?! Aferim, o Milazim!
Intriga nuk di të fshihet, ajo të fajëson e të gjykon pa dëshmi
Kulmi i intrigës së Milazimit arrin kur thotë për mua se “ky njeri tregon (se ka pas) mision të caktuar, për të cilin ende nuk ka tregime të plota. Pastaj vrasja e komandant Drinit më një herë pas luftës????!!!”
Milaziiim! Jo më kot të krahasova me Milazimin turk të taborit që rrethoi Çerçizin, ngaqë keni një ngjashmëri tjetër interesante. Ashtu si Milazimi turk që i vrau Çerçizit Hajredin Tremishtin, ashtu edhe ju Milazimët tanë na vratë anëtarin e “çetës” sonë planizuese të atij operacioni, Ekrem Rexhën! Një me një jeni, si ti dhe turku. Nuk thonë më kot që Historia përsëritet, Milazim! Por në rastin tënd ajo përsëritet me një ndryshim. Milazimi turk nuk e akuzoi Çerçiz Topullin për vrasjen e Hajredinit, ndërsa ti Milazimi ynë akuzon ne, shokët e tij, për vrasjen e Drinit! Ndryshimi nuk është i vogël. Kjo dëshmon se Milazimi turk nuk e ka njohur intrigën dhe mashtrimin, ka qenë ku e ku më i ndershëm e më trim se Milazimi ynë në Kosovë. Kjo afësia juaj krijuese do të thotë: Hedh gurin dhe fsheh dorën; e vratë ju Drinin dhe akuzoni neve. Të lumtë! Kjo është vlerë.
E shoh, o “trimi” Milazim, që ke për të më dërguar edhe mua në Gjykatën Ndërkombëtare Speciale, me akuzën se qenkam unë ai që kam vrarë komandant Drinin, por për fat të keq timin, nuk e kam pas ditur!
Kjo akuzë krijuese e juaj, tregon se ti Milazimi i Kosovës ke dy difekte: një në zemër e një në tru. Difekti në zemër është se nuk të qarkullon gjak, por ujë, ndaj dhe na urren. Si rrjedhojë, burra të tillë pa hallate dinë të vrasin vetëm pas shpine, se ashtu e vratë edhe komandant Drinin; njësoj sikundër vepruat ndaj viganit Adem Demaci, e “vratë” kur vdiq, duke i hedhur njëmijë fyerje e akuza, sepse sa qe gjallë nuk guxonit t’i delnit përpara, e shanit me zë të sfumuar.
Por kot e ke Milazim, nuk ka për të besuar njeri se mund të jem unë vrasësi i Drinit. E di pse? E para, mua nuk më pengonte për ndonjë gjë Drini, pasi, jo vetëm që nuk më bren kanceri i pushtetit, por askush nuk më ka mësuar të bindem verbërisht; pa harruar të të them se nuk e njoh as dhunën e as urrejtjen. Përveç që isha qytetar i një shteti tjetër. Me një fjalë, s’na lidhte asgjë tjetër, veçse dashuria e të qenit bashkëluftëtarë, e cila ishte dashuri e sinqertë, pasi, përveç se ishim të një profesioni, me kualifikime pothuajse të njëjta, ai ishte dhe një intelektual i emancipuar dhe, si i tillë, nuk e njihte ligësinë shpirtërore. E dyta, përveç miqësisë të farkëtuar në llogore midis nesh, rastësia na kishte miqësuar edhe familjet gjatë luftës; ishte djali im që në prillin e vitit 1999 e kërkoi dhe e gjeti familjen e Drinit në Fush Arëz dhe e sistemoi në Tiranë. Domosdoshmëria, thonë, e kalon rrugën përmes rastësive. E treta, nëse unë do të isha vrasësi i Drinit, sot do të isha, të paktën, në një detyrë të barabartë me tënden, inspektor i arsimit në ndonjë komunë (bashki), në mos dëshmor, ose nuk do të më kishin persekutuar familjen. E katërta dhe kryesorja, andej nga vij unë, o Milazim, nuk njihet vrasja pas shpine; pas gardhit desha me thënë. E mësove? E mësova, thuaj. Ka gjasa që ti e di kush e vrau Drinin, por nuk ta mban fërcka të tregosh se, kuptohet, duhet të bësh pjesë në atë grupin shoqëror që fshihet pas gardhit, ose që mburret me hallatet e dashit. “Dashi” është gazeta që ke në dispozicion.
O Milazim, a ia ke bërë ndonjëherë pyetje vetes, se kush duhet t’ia ketë pas frikën Drinit pas lufte dhe pse? E kupton pse ta bëj këtë pyetje? Sepse i gjithë tabori juaj e ka ditë shumë mirë që Drini kishte kryer të gjitha llojet e akademive ushtarake, si asnjë tjetër në UÇK, madje edhe atë të diplomacisë. Drini ishte ndër kuadrot e para ushtarake të Kosovës që iu përgjegj thirrjes së Nënës Kosovë dhe erdhi e formoi një nga formacionet më të mëdha të UÇK-së. Ju të gjithë e dinit që Drini ishte një pliglot. E dinit që Drini ishte orator dhe një enciklopedi që ecte. Si i tillë, ai do të bënte pjesë në elitën e Kosovës. Por të gjitha këto trembnin gjithë dallkaukët e kopukët e etur për pushtet, pasuri dhe lavdi.
Si rrjedhojë, edhe anëtari tjetër i “çetës”, që mori pjesë në planizimin e atij operacioni që ti na akuzon, Bislim Zyrapi, përjashtohet, si dhe unë, për vrasjen e Drinit. E di pse? Se edhe Bislimi bën pjesë në racën e trimave, ndaj dhe veproi njësoj si Drini. Po të mos ishte trim, por intrigant, ai nuk do vinte të luftonte në Kosovë qysh ditët e para të UÇK-së, por do të vinte aty nga fundi i luftës kur erdhe zotrote, kur hyri NATO-ja, kur u pa që lufta do fitohej njëqind për qind; sikundër bënë disa ish-ushtarakë të tjerë që trumbetojnë se kanë bërë “betejë” të madhe në Koshare, apo që janë shpallur heronj. Gjithashtu, nëse Bislimi do të ishte frikacak e karjerist, edhe ai do të gjente sebepe të largohej gjatë luftës shpesh herë për në Tiranë. Ta thashë, trimi nuk të vret. Gjithashtu, nëse do të ishte Bislimi urdhërdhënësi i vrasjes së Drinit, në mos ministër, të paktën, do të ishte deputet i Kuvendit të Kosovës. Kështu që vrasësi duhet të jetë i racës që fshihet pas gardhit, Milazim. Mos u trondit, nuk e kam për ty, se ti bën pjesë në racën e trimave.
Difekti i dytë që ju keni në tru, është se nuk e dini që trimi nuk të vret, prandaj gabove kur akuzove mua dhe Bislimin. Milazim, a e ke parë filmin shqiptar “Njeriu me top”? Të kujtohet si i thotë Mato Gruda Pinxhos, pasi e çarmatosi: “Ik e mos më dil më përpara!”. Pra nuk i tha: “Hë, në të gjeça anën”, sikundër bëjnë intrigantët, por i ktheu Pinxhos edhe pisqollën, e i tha: Ik, pirdhu, e mos më dil më përpara. Ashtu siç i thoshte Adem Demaci racës tuaj. E pse rron, e i ha bukën kotë familjes dhe Kosovës, o Milazim?! Hiqja më mirë vetes.
Ne dhe trimat pas beteje
E di pse ta them këtë? Se ti je një nga ata trimat që e braktisët Kosovën kur ajo kishte nevojë për ju. Pavarësishtë se ndonjë nga ju u kthye pas thirrjes. Ajo thirrje ishte për ata banorë të Kosovës që fillimi i luftës i kapi jashtë Kosove, si dhe për ata që nuk kishin lindur në Kosovë apo që nuk qenë ndonjëherë banorë të Kosovës, por jo për ju si ti Milazim që 27 nëntori i vitit 1997 ua gjeti familjet në Kosovë. Njeriu mund të braktisë shtëpinë por jo atdheun, e sidomos kur atdheu është në rrezik dhe ti e ke familjen në atdhe, në Kosovë. E gjithë kjo kategori duhej të qe kthyer menjëherë në Kosovë porsa filloi lufta, sikundër u kthyen Bislimi, Drini, Ramushi, Fehmiu etj. Ai që e braktis atdheun ose nuk kthehet menjëherë në të tilla raste, nuk ka më atdhe. Kjo edhe për diçka tjetër. Nuk u mjaftuat që u bëtë sehirxhinj, por fyenit të gjithë ata që luftonin për çlirimin e Kosovës. Madje nuk kontribuat as dhe me financa për të blerë ne municione e armë.
A e di ti Milazim se çfarë u bëri Tuxhmani të gjithë kroatëve që vepruan si puna jote, atyre që nuk dërguan asnjë pjestar të familjes në luftë, si dhe atyre në emigracion që nuk e ndihmuan financiarisht luftën kundër Serbisë? I detyroi t’i blinin shtëpitë e tyre stërgjyshore me çmime shumë të shtrenjta, se vetëm ashtu do të kishin të drejtën ta kishin përsëri Kroacinë për atdhe. Ja që Kosova nuk pati burrë shteti si Tuxhmani. E kishim një, Demaçin, por i bënë tetshin para se të angazhohej NATO në luftë, që ai të jepte dorëheqjen e të mos ishte në krye të shtetit të Kosovës. Prandaj qeveritarët europianë nuk morrën pjesë as në varrimin e Tuxhmanit dhe as të Demaçit kur vdiqën, ngaqë këta të dy donin më shumë atdheun e tyre se sa Evropën.
Ndërsa me Rugovën bëri të kundërtën Evropa. E nderoi Evropa Rugovën tënd, sepse bëri të kundërtën e Tuxhmanit. Evropa kështu na do, pa shtyllë kurrizore dhe pa ndjenjë atdhetare, se vetëm kështu na vjedh lehtësishtë pasuritë kombëtare; se ai që nuk ka atdhe nuk ka dhëmbshuri për pasuritë e tij kombëtare, i duken gjëra abstrakte. Prandaj dhe Evropa përkrah ata politikanë shqiptarë që për atdhe kanë pasurinë personale dhe paranë.
Unë e kam më se të qartë, se duke të ngacmuar ndërgjgjen tënde të sëmurë dhe të gjithë atyre që të kanë përgëzuar për këtë tabor akuzash të padrejta ndaj meje dhe kolegëve të mi, porsa ta kuptosh që të doli boja, do të fillosh të egërsohesh deri në shtazëri, duke u bërë gjithnjë e më agresivë me shkrime thashthemesh e shpifjesh. Por mos kujto se do të merrem tjatërherë me ty, sido e sado që të shkruash.
Me përgjigjen që po të kthej, pa dyshim që do ta ndjesh veten fajtor ndaj atdheut, ndoshta edhe para ndërgjegjes tënde, dhe aq më me dëshirë dhe kundër vullnetit do të kërkosh falje tek mua. E di pse do ta bësh këtë? Sepse para meje, para shokëve të mi dhe Kosovës ti e di që je fajtor. / Dilaver Goxhaj – 30.11.208

_____________________
Shtojcë e pashtrikut:
Lexoni shkrimin e Milazim Maraj, ndaj të cilit ka reaguar Dilaver Goxhaj:
OPINIONE
Vlerësim i turpshëm i një Oficeri
NGA: MILAZIM MARAJ MË: 11 TETOR 2018 NË ORA: 14:20
https://www.botasot.info/opinione/962873/vleresim-i-turpshem-i-nje-oficeri/?fbclid=IwAR1qsbWEyiCeXvDAesVlSpt5_VgLgN0WSpDhw28Q8SpvgZi4IcD3bzAZ5k4

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura