Prishtinë, 3 Dhjetor 2018:
Hyrje
Këtë 28 Nëntor e festuam në një vit jubilar festash kombëtare: në vitin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu; në vitin e shënimit të 140-vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në vitin e 110 vjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. 28 Nëntori i një viti përfshirës jubilesh kuptimplota kombëtare, siç është ky i vitit 2018, do të duhej të ishte shprehja e përfaqësimit dhe e reflektimit më të lartë për idenë e vetes që kemi ne si komb.
Pse?
Festat kombëtare në fakt janë riprodhim (në formë të shkurtuar) i pamjeve që krijojnë kombet për veten e tyre në rrjedhën kohore: për normat morale, për vlerat, për modelet e sjelljes dhe të lidhjeve sociale brenda vetes, për synimet dhe idealet historike të tyre. Festat kombëtare janë hartat në të cilat kombet i lexojnë orientimet dhe mundësitë e zgjedhjeve për të qenit dhe për të bërit të vetes së tyre, në kohë dhe në hapësirë. Festat kombëtare shënojnë momentin e domosdoshëm të vlerësimit objektiv për mundësitë e të qenit denjësisht në botë dhe të mundësive që ofron bota për popuj e kombe, si subjekte të dinjitetshme brenda saj. Festat janë momentet më madhështore të komunikimit me kuptimet që ne i japim ekzistencës sonë. Tregojmë se “çfarë feston” dhe “si” feston, të tregoj se kush je! Ashtu siç feston, i tillë je!
Dy shenja me fuqi të ndryshme veprimi
Shkrimtarja angleze Virgjinia Vulf (Virginia Woolf) në romanin e saj “Tri ginetë” jep një percepcion shumë interesant për krenarinë maskuliste, e cila manifestohet në veshjet madhështore, për të mos thënë solemne, të ushtarëve që shkojnë në luftë. Pse gjithë ai solemnitet e madhështi në veshje, kur lufta në vetvete, në fund të fundit, në përmasën njerëzore – siç thotë Heminguej (Hemingway) në romanin “Për kë bien kambanat” – nuk përmban asgjë heroike, sepse është një kasaphane e madhe? Pra, pse veshje e bukur në një kasaphanë?!
Përkundër percepcionit feminist të Virgjinia Vulfit, unë qysh i vogël, kur shikoja filma historikë më ka bërë përshtypje (gjithnjë nga këndvështrimi maskulist) prania e flamujve të të dy ushtrive kundërshtare përballë njëra tjetrës. Pyetja ime ka qenë çfarë duhet në front një mjet, i cili, në vend të krijojë lehtësira veprimi, mund të bëhet pengesë jo vetëm për veprimet, por edhe për vetë jetët e ushtarëve? Në pikëvështrimin e sotshëm pyetja e lartcekur do të mund të deduktohej më tej në këtë formë: Si është e mundur që ushtritë e ndryshme, në kohë të ndryshme t’i ndryshojnë doktrinat dhe mjetet me të cilat i materializojnë ato doktrina; t’i ndryshojnë taktikat dhe strategjitë ushtarake në varësi të mundësive teknologjike të kohës, por, megjithatë, marrëdhënien me flamurin ta ruajnë të pandryshuar? Si është e mundur që njeriu i modernitetit, i cili në botë drejtohet nga forca e racionalitetit deri në iracionalitet, prapëseprapë, vazhdon t’i përulet flamurit, sikur njeriu parak idhullit të vet totemik?
Më 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, urimi me i shpeshtë që marrim e japim në komunikimin me njëri tjetrin është: “Urime dita e Flamurit”. Në skemën e vetëdijes kombëtare shqiptare Flamuri dhe 28 Nëntori – Dita e Pavarësisë së Shqipërisë qëndrojnë reciprokisht të ndërlidhur njëri me tjetrin. Ata shfaqen si identikë, sepse janë komplementarë në funksionin e tyre. Flamuri do ta shfaqë kuptimin e ekzistencës së vet më 28 Nëntor; 28 Nëntori qëllimin e vet do ta bëjë të identifikueshëm përmes ngritjes së Flamurit. Megjithatë, duhet theksuar se edhe pse Dita e Pavarësisë dhe Dita e Flamurit semantikisht kanë natyrë të ngjashme, ato nuk janë identike. Dallimet midis tyre shtrihen në statusin e tyre ontologjik edhe në efektet që ushtrojnë brenda gjendjes mendore të kombit shqiptar.
Në leximin semiologjik të hartës mentale të kombit shqiptar, 28 Nëntori është shenjë, ndërsa Flamuri – simbol. 28 Nëntori, si shenjë, ka karakter parcial; Flamuri, si simboli, ka karakter totalizues.
Pse?
Sepse, në shenjë, shënjuesi dhe i shënjuari (subjekti dhe objekti) nuk janë të njëjtë, prandaj ata nuk janë homogjenë. Simboli, si përbërës semiotik i komunikimit, ka karakter homogjenizues, sepse e bën njësimin e shënjuesit me të shënjuarin, të objektit dhe subjektit, në kuptimin dinamik të ndërveprimit të tyre. 28 Nëntori, si shenjë, shënjon vullnetin e shqiptarëve për ta bërë Shtet-Kombin e tyre. Në të vërtetë shenja e Shtetit Kombëtar Shqiptar, si tërësi asociative e konceptit për veten, më 28 Nëntor shfaqet si shënjues i konceptit të parealizuar për veten. Ndërsa në shenjë ekziston një lloj pavarësie relative mes figurës dhe idesë që ajo shënjon, në simbol kemi fenomenin e njësimit të plotë mes figurës dhe idesë që ajo përfaqëson. Ndërrimi i figurës në simbol do të thotë edhe ndërrim i idesë, ndërsa ndërrimi i figurës në shenjë jo domosdoshmërisht e cenon idenë, të cilën shenja e shënjon. Kështu, bie fjala, ndërrimi i simbolit të kryqit, domosdoshmërisht do të thotë ndërrim i idesë së krishterimit. Pavarësia e Shqipërisë londineze dhe Pavarësia e Kosovës ahtisariane, si shenja kanë karakter statik, sepse përmbajnë aktualitetin, të realizueshmen, të dhënën konkrete; ndërsa Flamuri, si simbol, ka karakter dinamik sepse përmban natyrë të gjerë përfshirëse të entiteteve kundërthënëse, si: të kufishmen dhe të pakufishmen; aktualitetin dhe potencialitetin; rastësinë dhe domosdoshmërinë; të kaluarën dhe të ardhmen; të vetëdijshmen dhe të pavetëdijshmen etj.
As Pavarësia e Shqipërisë, e as Pavarësia e Kosovës, secila veç e veç, si shenja, nuk e përbëjnë ngjarjen e të shfaqurit të subjektit shqiptar në botë. Ato janë gjendje të shfaqjes së të mundshmes së qenies shqiptare. Themi gjendje e të mundshmes, sepse lëvizja dhe formati i shfaqjes së qenies shqiptare, në secilën situatë veç e veç, janë kufizuar nga shkaqe të jashtme. Pavarësia e Shqipërisë dhe Pavarësia e Kosovës do të shfaqen sepse, paraprakisht, ekziston mundësia për shfaqjen e tyre në mënyrën se si janë shfaqur. Fenomeni i shfaqjes së tyre i nënshtrohet logjikës së një procesi që shkon nga e mundshmja drejt realizimit në realitet. Duke iu përmbajtur një rendit të tillë logjik të të bërit dhe të shfaqurit, ato nuk e përfaqësojnë ngjarjen, por gjendjen e qenies shqiptare të shfaqur në njësi të caktuara kohore. Ngjarja, siç thotë Zhan Bordriard (Jean Baudrillard), është ngjarje për faktin se e ndjek një logjikë të përmbysur të zhvillimit: ngjarja zhvillohet nga e pamundshmja në të mundshmen, e prej aty në realitet. Si e tillë, ngjarja është e mundur vetëm në një rend simbolik të të shfaqurit, i cili prodhon situata gjendjesh që shkaktojnë shkëputje rrënjësore me strukturat aktuale historike. Flamuri kombëtar me shqiponjën dykrenore përfaqëson ngjarjen supreme të shfaqjes dhe të të qenit të vetes sonë në botë. Flamuri është konstantja; pavarësitë (e Shqipërisë londineze dhe Kosovës ahtisariane) janë variablat e të qenit dhe të bërit të kombit shqiptar. Flamuri kombëtar shqiptar me shqiponjën dykrenore shënjon ligjin e domosdoshmërisë së të qenit dhe të bërit të qenies kombëtare shqiptare. Pavarësitë e dy shteteve shqiptare, të Shqipërisë londineze dhe të Kosovës ahtisariane, janë shënjuesit e parimit kategorial të rastësisë së të qenit dhe të bërit të qenies kombëtare shqiptare. Lidhjen logjike dhe kuptimin e qëllimësisë së ekzistencës së dy shteteve shqiptare, të Shqipërisë dhe të Kosovës, e gjejmë të mishëruar në ligjin e domosdoshmërisë, e kjo do të thotë të lirisë, që e përmban Flamuri Kombëtar, si Providencë për bërjen e qenies kombëtare shqiptare.
Flamuri si përfaqësim i vullnetit
Në rrafshin psikologjik, simboli i Flamurit kombëtar, nuk është manifestim i një tipari të jashtëm dallues të vetëdijes kombëtare të një kombi në raport më të tjerët. Jo. Simboli i flamurit është më shumë se kaq. Flamuri kombëtar është një simbol arketipor, i cili, si strukturë e pavetëdijes kolektive, e njëson të kaluarën me të ardhmen, universalen kolektive me individualen; mungesën me praninë e shpresës dhe besimit. Flamuri kombëtar përfaqëson gjendje më të lartë të vullnetit për të qenit e vetes sonë në botë. Ai është vullnet dhe përfaqësim i idesë për veten në veprim. Si simbol arketipor, Flamuri është një fuqi e madhe vepruese e mobilizuese brenda strukturave mentale të një kombi. Flamuri kombëtar është simbol i vullneti të dhënë në mënyrë vizuale, i cili ka lindur nga nevoja e subjekti (kolektivit) të vënë në një aksion të vërtetë social-historik për ta bërë dhe për ta shfaqur synimin e bërjes së vetes. Si imazh i vullnetit, Flamuri kombëtar shënjon domosdoshmërinë e ekzistencës së vetes sonë, e kjo do të thotë lirinë, e cila nuk kushtëzohet nga shkaqet e jashtme, sepse buron nga vullneti i brendshëm.
Flamuri i Republikës së Kosovës, me dy ngjyrat e tij: të kaltrën dhe të verdhën; si dhe me 6 yjet, ontologjikisht dallon prej flamurit kombëtar shqiptar, sepse ai e shënjon tipin e domosdoshmërisë së ekzistencës së shqiptarëve, e cila shkakun nuk e ka te vetja shqiptare, por jashtë saj. Prandaj, një ekzistencë që diktohet nga domosdoshmëria e një shkaku të jashtëm, është e natyrshme që ta pamundësojë praninë e shenjës së ekzistencës së vetes shqiptare në flamur. Flamuri kombëtar shqiptar me shqiponjën dykrenore, për shkak se e njeh vetëm parimin kategorial të domosdoshmërisë së të qenit që buron nga vetja dhe nuk kushtëzohet nga shkaqet e jashtme, shënjon idealin e aktit unicentrist të bërjes së kombit shqiptar. Pavarësia e Shqipërisë londineze dhe Pavarësia e Kosovës ahtisariane, shkaqet e ekzistencës së të cilave i janë nënshtruar parimit kategorial të rastësisë, janë treguesit e karakterit policentrist të bërjes së kombit shqiptar. Flamuri kombëtar është dekonspirimi i vullnetit për realizmin unicentrist të qenies kombëtare shqiptare; karakteri policentrist është deskonsipirim i fuqive reale të bërjes së qenies kombëtare shqiptare.
Njerëzit për shkak se jetojnë në grupe, ndajnë të njëjtat njohuri përmes simboleve dhe shenjave. Përmes simboleve qenia jonë njerëzore nga stadi i qenies biologjike ngrihet në stadin e qenies shoqërore e kombëtare. Flamuri është bartësi më i suprem i kuptimit të përbashkët që një komb ka për veten dhe me të cilin përcaktohet cilësia e bashkëveprimit midis individëve që e përbëjnë atë. Si shkëmbim i ndërsjellë i interpretimeve dhe kuptimeve për veten, flamuri si fuqi e ndërveprimit simbolik në jetën e kombit shqiptar, njëkohësisht, përfaqëson bazën e socializmit, si kusht për ta ruajtur dhe zhvilluar ekzistencën e tij. I prodhuar nga përbashkësia e idesë për shfaqjen e vetes, ai i dikton sjelljet, veprimet dhe orientimet e përbashkëta për bërjen e vetes.
Mbivendosja dhe imponimi në mënyrë autokratike i flamurit me ngjyrë të kaltër e të verdhë në semiologjinë e hartës mentale shqiptare, as në origjinë e as në qëllim, nuk ka karakter formal, ashtu siç pretendojnë të na paraqesin disa OJQ-ista e disa opinionbërës në Kosovë, por ka karakter thellësisht substancial, sepse është shprehje e një përpjekjeje për defragmentarizimin – e me këtë edhe për pamundësimin – e fuqisë vepruese të vullnetit të kombit shqiptar për vetërealizim. Ndërhyrja e një shenje të tillë është një përpjekje për ndryshimin e strukturës mendore dhe të kuptimit që ne kemi për veten. Një vete e zbrazur nga kuptim i ekzistencës së vet është një hapësirë për realizimin dhe zgjerimin e tjetrit. Simboli i flamurit të shtetit të Kosovës, duke e përqafuar dimensionin e aktualitetit, e lufton dimensionin e potencialitetit, e kjo do të thotë se ai i kundërvihet vullnetit për vetërealizim të kombit shqiptar, si komb i njësishëm. Duke e luftuar të pamundurën brenda rendit simbolik të hartës metale shqiptare, përmes flamurit me ngjyrë të kaltër e të verdhë, synohet që të bëhet lehtësisht e kontrollueshme dhe e drejtueshme e mundshmja brenda realiteti objektiv shqiptar. Asnjë argument, gjoja racionalist, i cili bazohet në të dobishmen pragmatiste, nuk mund ta përligjë idenë për defragmentarizimin e një vete unike, si dhe vullnetin që ajo përmban për ta realizuar vetveten.
Përfundim
Antropologjikisht vështruar, qenia njerëzore, deri më sot, nuk ka qenë aq e “përkryer” sa çështjen e të qenit dhe të bërjes së vetes në botë t’ia besojë krejtësisht arsyes së ftohtë, duke e përjashtuar vullnetin. Ishte kjo arsyeja se pse percepcioni im pragmatist infantil nuk mund ta zotëronte kuptimin e pranisë së flamujve të të dy ushtrive kundërshtare në filmat historikë. Si nëndetëset, të cilat manovrojnë me qindra apo mijëra metra nën det, ashtu edhe avionët ushtarakë që manovrojnë në lartësi me qindra mijëra metra mbi tokë, dhe janë të padukshëm për syrin e njeriut që është në tokë, mbajnë flamurin, si vulë e vullnetit në veprim të shteteve përkatëse që ato armë u takojnë. Luftërat nuk janë vetëm ndeshje mekanike e disa njerëzve që kanë armë. Jo. Ato janë hapësirat ku ndodhë përplasja e vullneteve që drejtohen nga forcat e zhbërjes dhe bërjes midis dy subjekteve kundërshtare. Në luftërat frontale, flamujt nuk janë mjet i armëve, përkundrazi, armët janë mjetet e flamujve!
Për aq sa ekzistenca njerëzore do të diktohet nga fuqia vepruese e vullnetit (si të vullnetit për të qenë sipas konceptit të Shopenhauerit ashtu edhe të vullnetit për të bërë sipas konceptit të Niçes) për aq kohë njerëzimi do të prodhojë, do t’i mirëmbajë dhe do të mbështetet në simbolet që e manifestojnë vullnetin për të qenë dhe vullnetin për të bërë. Fillimi i mileniumit të ri kombin shqiptar e ka gjetur në pikën më të mirë të procesit të bërjes së tij: në procesin e kalimit nga faza e mbijetesës në histori, në procesin e bërjes së vetes subjekt veprues në histori. Sa më thellë që do të hyjmë në vitet e këtij mileniumi gjithnjë e më shumë Flamuri Kombëtar Kuq e Zi, me shqiponjën dykrenore, do të bëhet, në njërën anë, alfabeti i domosdoshëm me të cilin do t’i lexojmë qartësisht nevojave tona si komb i njësishëm dhe, nga ana tjetër, do të bëhet busulla më besnike orientues për zgjedhjet që duhet t’i bëjmë në funksion të përmbushjes së nevojave autentike zhvillimore të vetes tonë në histori.
____________
(Kumtesë e lexuar në akademinë solemne “Për ty Flamur…”, me rastin e shënimit të 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u organizua nga shoqata e intelektualëve “Jakova” në Gjakovë)