GJOKË DABAJ: PROMOVIMI I ‘PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE’

Durrës, 18 dhjetor 2018:

 

 

 

 

PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE
HAPJA E MBLEDHJES PROMOVUESE
Tiranë, 15 dhjetor 2018
Të nderuar dhe shumë të rëndësishëm pjesëmarrës! Ju falenderoj që erdhët dhe ju ftoj ta konsiderojmë këtë tubim tonin tepër serioz!

As unë, që sot jam mbi 80 vjeç, dhe as ju që keni ardhur sot këtu, nuk e kemi kohën të tepërt. Prandaj, le të shfrytëzojmë këtë kohë për të nxjerrë konkluzione sa më të saktë dhe për të përcaktuar sa më mençurisht: Ç’duhet të bëjnë dhe ç’do të bëjnë shqiptarët në të ardhshmen? Nëse nuk dalim me një përfundim të qartë, ç’duhet të bëjnë sdhqiptarët në të ardhshmen në lidhje me ç’do të themi ne këtu, atëherë do të na duhet të pohojmë me shumë keqardhje se rezultati i punës sonë nuk është ai që duhet.
Unë vij nga një krahinë, të cilën e kanë vrarë dhe e kanë lënë gërmadhë sipër tokës, pa e varrosur. Në vitin 1944 krahina ime kishte mbi 1500 banorë, të regjistruar që të gjithë shqiptarë, sepse të gjithë ishin shqiptarë. Në vitin 1948, pra vetëm 4 vjet më vonë, kur kjo krahinë u ripushtua për të katërtën a të pestën here prej sllavëvet, 1548 shqiptarë rezultojnë të regjistruar si malazezë, pa qenë kurrë malazezë.
Sot rezultati është ky: Vetëm në Shestanin e Sipërm, ku dikur ka pasur 40 kulla dykatëshe, me mure prej guri dhe të mbuluara me tjegulla, sot nuk ka asnjë! U janë shembur që të gjitha çatitë, ndërsa muret kanë mbetur si dhëmbë të prishur. Pjesa e atyre shqiptarëve shestanas, të cilët, në rrjedhë të këtyre viteve, janë vendosur në Tivar, nuk flasin shqip as në familje dhe nuk regjistrohen si shqiptarë.
Dhe e gjithë kjo ka ndodhur, jo se ata shqiptarë ishin njerëz të këqinj, por sepse u ka munguar INSTITUCIONI, për t’i mbrojtur nga shpërbërja fatale.
E njëjta situatë është sot edhe në Shqipërinë Jugore. Gjysma e Shqipërisë Jugore, e pakta 50 herë më e madhe se ç’është komuna e Tivarit, sot nuk flet shqip dhe nuk regjistrohet si shqiptare. Për këtë plagë të rëndë të Kombit tone, miku im Prof. Pëllumb Xhufi mund të na sjellë këtu me qindra argument.
Por përsëri do të vijmë te konkluzioni tepër i hidhur: Ata nuk u greqizuan se ishin njerëz të këqinj, por sepse u ka munguar INSTITUCIONI, për t’i mbrojtur nga shpërbërja fatale.
Në Mitrovicën e Veriut të gjithë banorët sllavë janë të ardhur. Janë imigrantë dhe, megjithatë, po kanë guximin ta quajnë Sërbi dhe po duan t’ia aneksojnë Sërbisë krejt atë pjesë veriore të Republikës së Kosovës. Dhe kjo po ndodh, sepse ne nuk kemi një INSTITUCION KOMBËTAR për ta mbrojtur Atdheun tonë nga shpërbërja.
Në Republikën e Maqedonisë Veriore po thuhet se jetojnë më shumë se 100 mijë shqiptarë ortodoksë. Por ata nuk regjistrohen si shqiptarë dhe nuk arsimohen në gjuhën e vet. Nuk është faji i tyre, se nuk mund të thuhet se ata ishin njerëz të ligj, por është faji i Kombit të tyre, që nuk ka krijuar me kohë INSTITUCIONET përkatës, me anën e të cilëvet do të mbrohej identiteti i popullatës.
Por as brenda Republikës së Shqipërisë gjendja nuk është apak më optimiste. Frashëri ynë, i lavdishëm, sepse i dha Kombit të vet tri figura tepër të çmuara, sot ka vetëm një nxënës! Në atë fshat sot jeton vetëm një fëmijë e moshës shkollore! Sa të tillë fshatra ka në Republikën e Shqipërisë që janë shuar ose janë në zgrip të shuarjes? Nëpër media po thuhet se mbi një million shqiptarë janë të gatshëm për të emigruar në SHBA. Dhe kjo është dëshmi e mjaftueshme se Atdheu ynë ka hyrë tashmë në një faze të re dhe ndoshta përfundimtare ose parapërfundimtare të deshqiptarizimit.
Pse ka ndodhur kështu dhe pse po ndodh kështu?
Ka ndodhur kështu dhe po ndodh kështu, sepse ne nuk kemi pasur dhe nuk kemi ende një INSTITUCION kulturor të kohezionimit.
Pikërisht për këtë arsye madhore edhe jemi mbledhur sot këtu. Të krijojmë dhe ta vëmë në rrugën e mbarë, si pjesë të jetës sonë, një INSTITUCION, i cili të marrë përsipër për ta ruajtur këtë Komb nga shpërbërja graduale dhe përfundimisht nga shuarja totale. Më lejoni tani të ju lexoj njërën prej shpalljevet të këtij institucioni tonë shpëtimtar, të cilën, masi ta kemi shqyrtuar këtu të gjithë së bashku, ta miratojmë dhe ta publikojmë.
Gjokë Dabaj, Kryetar i grupit nismëtar të Përkujdesjes Gjithshqiptare.
***
PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE
– SHPALLJE –
K
ëto ditë, në njërën prej gjykatavet të Tiranës, me vendimin Nr.6063, datë 30.10.2018, u miratua Përkujdesja Gjithshqiptare si organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse.
Me këtë rast grupi nismëtar i Përkujdesjes Gjithshqiptare e pa të arsyeshme të publikojë këtë SHPALLJE, me qëllim njoftimin e të gjithë shquiptarëvet kudo që jetojnë.
1.Përkujdesja Gjithshqiptare është një institucion KULTUROR gjithshqiptar, subjekt dhe objekt i të cilit është krejt Kombi Shqiptar pa dallim moshe e seksi, pa dallim shkalle arsimore, pa dallim bindjesh, pa dallim feje, pa dallim partie a shoqate, pa dallim hierarkie shtetërore e shoqërore, pa dallim shtetësie, pa dallim vendbanimi në shkallë Atdheu e në shkallë botërore.
2.ANËTARË të Përkujdesjes Gjithahqiptare, bordi drejtues i këtij institucioni do të konsiderojë të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë sot ose do të jetojnë në të ardhshmen, ndërsa VEPRIMTARË të këtij institucioni janë të thirrur të bëhen të gjithë ata shqiptarë që i duan me shpirt Gjuhën Shqipe, Traditat Shqiptare dhe Kombin Shqiptar.
3.Domosdoshmëria historike, qëllimet dhe format e organizimit të këtij institucioni KULTUROR kombëtar janë publikuar tashmë në formë libri dhe në një numër jo të pakët artikujsh, me titujt “Strategjia e shqiptarëvet” dhe “Përkujdesja Gjithshqiptare”, autor i të cilavet është Gjokë Dabaj, kryetar aktual i përkohshëm i grupit nismëtar të Përkujdesjes Gjithshqiptare. E publikuar onlain, e gjithë kjo platformë mund të gjendet te portali ‘pashtriku. org‘, që drejtohet prej Sheradin Berishës, atdhetar, prej kohësh i dëshmuar, me pushkë kur ish nevoja dhe me veprimtari të gjithanshme intelektuale në ditët e sotme.
Anëtarë përkrahës pa rezerva dhe veprimtarë të këtij grupi nismëtar janë: në Republikën e Shqipërisë, Hamdi Hysuka, Dilaver Goxhaj, Bedri Hoxha, Pëllumb Xhufi, Faik Xhani, Mark Planikaj, Ali Dedolli, Sefer Duka e shumë të tjerë; në Republikën e Kosovës, Agim Vinca, Gani Krasniqi, Fadil Cukaj, Xhevat Gjini, Hydajet Hyseni, Sazan Cukaj dhe shumë të tjerë. Bashkatdhetarë përkrahës, që janë shprehur të gatshëm për të kontribuar në këtë nismë, kemi edhe në Rapublikën e Maqedonisë Veriore, në Republikën e Sërbisë, në Republikën e Greqisë, në Republikën e Malit të Zi dhe në diasporë, të cilëvet u kërkojmë ndjesë që nuk po ua përmendim emrat me këtë rast, thjesht për shkak të hapësirës dhe natyrës së kësaj shpalljeje.
4. a) Organ DREJTUES i Përkujdesjes Gjithshqiptare do të jetë Kryesia e Përkujdesjes Gjithshqiptare e përbërë prej nëntë anëtarësh, me funksion të pandërprerë dhe, natyrshëm, me administratën përkatëse.
b) Organ KONTROLLUES dhe hartues ligjesh të brendshëm do të jetë Këshilli i Lartë i Përkujdesjes Gjithshqiptare i përbërë prej 171 anëtarësh, të zgjedhur nga elita e Kombit. Ky Këshill do të mblidhet si rregull një herë në vit.
c) Organ ZBATUES i krejt programit të Përkujdesjes Gjithshqiptare do të jenë Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe, të cilat do të funksionojnë brenda Atdheut dhe në gjithë botën, kudo ku ka shqiptarë. Në këtë pikë është e domosdoshme të theksojmë e ritheksojmë: Pa Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe, të cilat duhet të themelohen dhe të veprojnë pa ndërprerje në të gjithë vendet ku banojnë shqiptarë, Përkujdesja Gjithshqiptare nuk do të kish kurrfarë kuptimi. Elementi që i jep kuptim këtij organizimi të ri të shqiptarëvet janë pikërisht Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe.
5. Përkujdesja Gjithshqiptare, nëpërmjet Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe, do të përkujdeset në radhë të parë për njohjen, përvetësimin, ruajtjen dhe zhvillimin e GJUHËS SHQIPE.
6. Përkujdesja Gjithshqiptare, nëpërmjet Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe, do të përkujdeset që shqiptarët t’i njohin në vazhdimësi: historinë e Kombit Shqiptar, arkeologjinë, personalitetet, folklorin, muzikën, letërsinë dhe përgjithësisht artet shqiptarë dhe krijuesit e artit shqiptar, shkencën dhe shkencëtarët shqiptarë, ekonominë shqiptare, firmat, sipërmarrësit, kompanitë, politikën tonë kombëtare dhe veprimtaritë e politikanëvet, mediat një për një dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me këtë Komb dhe që i shërben, qoftë mbarëvajtjes së këtij Kombi, me qëllim për ta fuqizuar, qoftë keqvajtjes së këtij Kombi, me synimin tonë për ta neutralizuar, penguar dhe ndalur.
7. Duhet të theksojmë këtu se puna kryesore e Përkujdesjes Gjithshqiptare, nëpërmjet Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe, do të jetë kundërshtimi dhe shmangia e çdo gjëje të keqe që e pengon Kombin Shqiptar të përparojë. Udhëhequr pikërisht prej këtij përcaktimi, Përkujdesja Gjithshqiptare, nëpërmjet Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe, do të punojë pa pushim dhe në vazhdimësi në lidhje me përmirësimin MORAL të shqiptarëvet, mbështetur në vlerat morale të Kombit Shqiptar dhe në vlerat morale të krejt Njerëzimit. Përsosja morale do të jetë, pra, një nga shtyllat kryesore të punës së Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe dhe shembullin e një morali pozitiv dhe krejt të pastër duhet ta japin dhe do ta japin në radhë të parë vetë udhëheqësit dhe veprimtarët funksionlë të këtij institucioni.
8. Përkujdesja Gjithshqiptare, me anë të organevet të vet në qendër dhe në terren, do të punojë shumë për të realizuar KOHEZIONIN e Kombit Shqiptar në të gjithë aspektet dhe, në këtë kuadër, edhe në aspektin ekonomik. Një komb e realizon kohezionin e vet jo vetëm nëpërmjet gjuhës dhe kulturës, por edhe nëpërmjet koordinimit të veprimtarivet ekonomike. Pa një ekonomi kombëtare të zhvilluar, nuk ka dhe nuk mund të ketë komb të zhvilluar.
9. Në gjithë këtë punë të madhe, të cilën e quajmë të domosdoshme në këtë shkallë zhvillimi dhe në këtë gjendje ku ndodhet sot Kombi Shqiptar, dëshirojmë të vëmë në dukje në mënyrë të veçantë se Përkujdesja Gjithshqiptare nuk do të kryejë asnjëherë asnjë veprim në dëm të kombevet të tjerë e sidomos në dëm të fqinjëvet tanë. Ne jemi dhe do të mbetemi ithtarë të shkuarjes mirë me të gjithë kombet që na rrethojnë dhe me të gjithë kombet dhe racat e krejt botës.
10. Duke qenë se, e gjithë kjo punë që Pëkujdesja Gjithshqiptare po merr përsipër të kryejë në të mirë të këtij Kombi, nuk mund të kryhet pa mjete financiarë, në organikën e kësaj veprimtarie ka qenë e domosdoshme të trajtohet edhe aspekti i saj FINANCIAR. Shpenzimet e kësaj Përkujdesjeje Gjithshqiptare vetëkuptohet që do të jenë të shumtë. Ndërtesat, ku do të zhvillojë veprimtarinë e vet ky institucion, qoftë në qendër, që është vendosur të jetë Prizreni, qoftë në terren, ose do të merren me qera, ose do të blihen. Pajisjet brenda këtyre ndërtesave doemos do të blihen, rryma elekrike dhe uji do të paguhen, njerëzit që do të merren ekskluzivisht me punët e kësaj Përkujdesjeje Gjithshqiptare, do të paguhen, dijetat e udhëtimevet do të paguhen dhe e gjithë kjo as që mund të përfytyrohet pa kontributin e krejt Kombit tonë.
11. Kontribuesit kryesorë dhe më të rëndësishmit do të jenë SHQIPTARËT E PASUR. Thënë qartë dhe shkurt, pa financimin thellësisht patriotik të shqiptarëvet të pasur ky institucion i yni as që do të mund të përfytyrohej, dhe kjo do të realizohet me kontrata të veçanta midis Kryesisë së këtij institucioni dhe secilit subjekt ekonomik shqiptar kudo që ai ndodhet, brenda Atdheut apo jashtë Atdheut. Garancisë të tyre financiare do t’i përgjigjet pikë për pikë garancia e përdorimit të atyre mjeteve financiarë, vetëm në zbatim të programit të Përkujdesjes Gjithshqiptare dhe askund tjetër.
12. Kontribuesit e tjerë financiarë do të jenë të gjithë ata SHQIPTARË TË THJESHTË, të cilëvet u rreh zemra për Kombin e për Atdheun. Ata do të kontribojnë nëpër tubimet ku do të mblidhen me aq sa të mundin, qoftë edhe me një mijë lekë të vjetër, me një euro, me një dollar, me një paund apo me një frang, dhe kontributi i tyre do të pasqyrohet gjithandej në mbarëvajtjen e këtij institucioni kaq të dobishëm për të gjithë ne, madje jetik për secilin prej nesh në kohën e sotme, si edhe për pasardhësit tanë në rrjedhë të shekujvet. Kontribut i secilit veprimtar të këti institucioni do të jenë edhe kuotat e rregullta mujore a vjetore që ata do të derdhin rregullisht në arkën e këtij institucioni.
13. Mbështetur në sa thamë dhe në programin e Përkujdesjes Gjithshqiptatare të publikuar tashmë në më shumë se 600 faqe, ne po u drejtohemi me këtë rast të gjitha kategorivet dhe të gjitha shtresavet të shoqërisë shqiptare, që ta përkrahin këtë instiucion tonin afatgjatë me të gjitha mënyrat që secili ka në dispozicion. Të gjithë INTELEKTUALËT e këtij Kombi e kanë detyrim atdhetar dhe moral që të angazhohen në mbarëvajtjen e këtij institucioni. Të gjithë PUSHTETARËT, që nga kryeministrat e ministrat deri te kryetarët e bashkivet e komunavet dhe anëtarët e të gjitha njësivet vendore të pushtetit, kanë obligim moral e atdhetar të kontribojnë në mbarëvajtjen e këtij institucioni. Të gjitha UDHËHEQJET E PARTIVET POLITIKE shqiptare dhe secili anëtar i cilësdo parti shqiptare, parlamentare apo eventualisht joparlamentare, ka obligim atdhetar dhe moral të angazhohet dhe të kontribojë në mbarëvajtjen e këtij institucioni. Të gjithë KLERIKËT shqiptarë dhe udhëheqjet e religjionevet që veprojnë brenda Kombit Shqiptar, kanë obligim moral, patriotik dhe, mendojmë ne, edhe fetar, që të kontribojnë në mbarëvajtjen e këtij institucioni kulturor të Kombit tonë. Të gjithë pronarët dhe drejtuesit e MEDIAVET shqiptare dhe secili gazetar individualisht, kanë obligim moral dhe atdhetar që të kontribojnë në mbarëvajtjen e këtij instiucioni. Të gjithë drejtuesit dhe anëtarët e SHOQATAVET shqiptare, të çfarëdo profili qofshin, kanë obligim moral dhe atdhetar ta përkrahin, por edhe t’i bashkohen këtij institucioni, duke i harmonizuar programet e tyre me programin që ka Përkujdesja Gjithshqiptare.
14. Duke i siguruar të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, se Përkujdesja Gjithshqiptare do të punojë me përkushtimin më të madh për mbarëvajtjen dhe përparimin e këtij Kombi, ne deklarojmë solemnisht që, prej kësaj dite po fillon një EPOKË E RE për Kombin Shqiptar, epokë e cila varet shumë prej nesh që u ndodhëm në krye të kësaj nisme, por varet po aq shumë edhe prej të gjithë bashkëkombasvet tanë, nga mënyra se si do ta kuptojë secili prej tyre rëndësinë e këtij fillimi.
E pastë, pra, rrugën të mbarë kjo Përkujdesje Gjithshqiptare, në të gjithë shekujt që do të vijnë mbas nesh!
Tiranë, Dhjetor 2018.
GJOKË DABAJ
Kryetar i grupit nismëtar të Përkujdesjes Gjithshqiptare.

HAMDI HYSUKA
Sekretar i grupit nismëtar të Përkujdesjes Gjithshqiptare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura