Tiranë, 14 shkurt 2019: “Kur babi dhe nëna ime mbritën në Kosovë më 1920, Mitrovica ishte një vend thuajse i shkretë, i prapambetur… Sheshi ishte mbushur me të porsaardhur që prisnin t’u caktohej toka dhe shtëpitë. Këtu ligjin e bënte ushtria. Ishte Komanda ushtarake ajo që caktonte tokën që do të merrte secili… Për shkak të vendndodhjes së tij, qyteti i vogël i Mitrovicës ishte zgjedhur si ndalesë e parë dhe pikëmbështetje për depërtimin e mëtejshëm në Kosovë dhe për të rifituar “tokën e shenjtë serbe”, tashmë e banuar në shumicën dërmuese nga shqiptarët etnikë…” – kështu ka shkruar juristi, historiani dhe diplomati malazes, nëpunës i lartë i ish-Jugosllavisë, Bato Petar Tomasheviç, në librin e tij “Jetë dhe vdekje në Ballkan”, botuar në Londër në vitin 2008 dhe në Tiranë në vitin 2009.
***
Çështja e copëtimit të Kosovës ka mbetur dhe vijon të mbetet kangrenë diskutimesh, mosmarrëveshjesh e dyshimesh prej kur kjo temë filloi në pragun e shpërbërjes së Perndorisë 623-vjeçare Osmane, e ndoshta edhe më herët. Kosova, duke qenë në zonën qëndrore të Ballkanit dhe me pasuri të shumëllojshme tokësore, nuk njohu kurrë paqe.
Por praktikishtë, copëtimi i Kosovës filloi të vihej në jetë me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, 1912, dhe u duk sikur u mbyll së diskutuari me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, kur shumica e shteteve të Antantës, e shpërblyen Malin e Zi dhe Serbinë, duke u dhënë territore të shumta shqiptare dhe duke e mirëpritur dëshirën e gjithë krerëve të Sllavëve të Jugut për t’u bashkuar në një shtet të vetëm nën drejtimin e Sërbisë. Këto shpërblime iu dhanë Serbisë dhe Malit të Zi, veçanërisht Serbisë, si rrjedhojë e kontributit të madh që dhanë këta dy shtete në koalicion me Antantën kundër koalicionit Austri, Gjermani, Turqi dhe Bullgari.
Kombi shqiptar, duke u bashkuar në Luftën e Dytë Boterore, 1939-1945, me krahun Antifashist, shpresoi se do të korrigjohej ajo padrejtësi që ishte bërë nga Antanta, por, në vitin 1945, në Jaltë, Aleatët ranë në ujdi që të mos e cënonin shtetin e Sllavëve të Jugut, Jugosllavinë.
Megjithatë shpresa vdes e fundit. Populli shqiptar në trevat e ish-Jugosllavisë nuk e ndaloi luftën për t’u bashkuar me shtetin amë, Shqipërinë. Dhe është kjo popullsi që dha shkëndijën e parë për shpërbërjen e ish-Federatës Jugosllave, e që përfundoi në vitin 1999 me Luftën Çlirimtare të Kosovës.
Ajo që bie në sy është fakti se Luftën Çlirimtare në Kosovë, UÇK-në, kundër Serbisë, në vitin 1999 e përkrahën të gjithë shtetet ish-kundërshtare të Antantës si dhe ato të Antantës, pavarësishtë se ca e bënë me hir e ca me pahir, të detyruara nga Shtetet e Bashkuara. Kundër çlirimt të Kosovës nga Serbia dolën vetëm dy ish-anëtare të Antantës: Rusia dhe Mali i Zi.
Me njohjen e pavarësisë së Kosovës u duk se çështja e bashkimit të saj me shtetin amë u vu në rrugën për zgjidhje. Por jo! Tashti, në koalicion me kundërshtarët e këtij bashkimi Kosovë-Shqipëri u radhitën edhe vetë shqiptarët, të cilët qysh në Aktin e Pavarësisë dhe në Kushtetutën e Kosovës e theksuan se Kosova nuk do t’i bashkohet asnjë shteti tjetër.
E po, thamë, gjysma e së keqes… Po nuk qe e thënë.
Një ditë të bukur, pa çak e pa bam, politikanët e Kosovës i falën Maqedonisë, dihet, nën presinin e Sërbisë, 2500 hektarë territor të Kosovës!
Mirëpo, nuk u mjaftua me kaq. Janë po këta politikanë me në krye ish drejtuesit kryesorë të formacioneve të UÇK-së, të cilët i falën Malit të Zi 8200 hektarë të tjerë nga territori i Kosovës. Në këtë territor përfshihet edhe mali i Çakorit.
Serbia dhe aleatët e saj në Lindje dhe në Perëndim, duke e parë se politikanët “patriotë” të Kosovës nuk e kanë për gjë të sakrfikojnë territore të Kosovës, veç të rrinë në pushtet ngaqë mendojnë se janë të pavdekshëm, u kërkojnë këtyre “patriotëve” që t’i falin Serbisë përveç Mitrovicës mbi lumin Ibër edhe disa enklava brenda në Kosovë, duke e zvogëluar territorin e saj nga 11.000 k/metër katërore, në 9.000 k/metër katërore. Dhe këta trima, me në krye Presidentin Thaçi, po mundohen të bëjnë të pamundurën ta bëjnë realitet këtë lloj dhurate për Serbinë. E treta, e vërteta, thotë populli.
***
E bëmë këtë hyrje të gjatë, për t’u treguar këtyre politikanëve “pronarë” të Kosovës, se as Çakori nuk ka qenë pjesë e Malit të Zi as kur ky shtet ka qenë mbretëri me vetëm 300 mijë banorë, para se ai t’i bashkohej Jugosllavisë. Po ashtu, ta mësojnë se edhe Mitrovica e Veriut nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë as në periudhën e Perandorisë Osmane dhe më herët.
Dhe për këtë, nuk është se unë po them diçka të re, pasi historianët tanë i kanë thënë e stërthënë me dokumenta, por këto fakte janë edhe më shumë bindëse kur i shkruan sot një jurist, historian dhe diplomat malazes, nëpunës i lartë i ish-Jugosllavisë, Bato Petar Tomasheviç, në librin e tij “Jetë dhe vdekje në Ballkan”, botuar në Londër në vitin 2008 dhe në Tiranë në vitin 2009. Autori ka lindur në Mitrovicë, në vitin 1929 dhe është i biri i shefit të Policisë së Mitrovicës prej vitit 1920, kur familja e tij shpërngulet nga Kuçi i Malit të Zi dhe vendoset në Mitrovicë, dhe deri në vitin 1936. Por, për të mos u zgjatur, po sjellim disa fragmente të këtij libri, përmes të cilit vërtetohen ato çka theksuam më lartë. Libri është goxha voluminoz, por unë po ua paraqes Presidentit, Kryeministrit, zëvendëskryeministrave dhe gjithë deputetëve të Kosovës që kanë votuar deri tash faljen e territoreve të saj Maqedonisë e Malit të Zi, për t’u ardhur sadopak në ndihmë, ngaqë dhe nuk kanë pas kohë të lexojnë historinë, e lene më librat e kohëve të fundit.
Dhe konkretisht:
“Fitimtarët e Luftës së Parë Botërore dhanë miratimin për krijimin e shtetit të ri, që fillimisht u quajt Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe u shpall në Beograd në dhjetor 1918. Për më tepër, ky shtet i ri mund të shërbente si një amortizator i mirë kundër Rusisë Bolshevike. Kufijtë e përcaktuar në Versajë përfshinin brenda këtij shteti popullsi të konsiderueshme të disa kombeve josllavë: shqiptarë, hungarezë dhe gjermanë… Serbët, duke qenë më të shumtit në numër nga sllavët e jugut, e shihnin rolin heroik të tyre në Luftën e Parë Botërore, si mandatin e tyre për të qeverisur kombet e tjera. Mbretëria e Malit të Zi, me mbret Nikollën ishte sërish e lirë, por tashmë e pa veten në mëdyshjen e madhe midis dy alternativave politike: atë të pavarësisë apo bashkimin me Serbinë nën mbretin Peter, dhe më në fund vendosi t’i bashkohej Serbisë…
“E ndodhur përballë problemeve fetare dhe nacionaliste, vështirësive në organizimin e shtetit të ri, papunësisë së lartë dhe pakënaqësisë midis ushtarakëve të çmobilizuar, qeveria e Beogradit lëshoi, më 1920, një thirrje patriotike drejtuar këtyre djemve të rinj: “Përpara në Kosovën Serbe!…
Sikundër pritej, kjo thirrje pati reagimin më të madh në Serbi dhe Mal të Zi, ku veteranët si babai im e panë atë si zgjidhjen e problemeve të tyre ekzisenciale që u ishte premtuar atyre dëndur në luftë…
“Një akt për kolonizimin e territoreve të reja të sapozaptuara në Kosovë, Metohi dhe Maqdoni ishte miratuar nga qeveria serbe qysh më 1914, në mbarim të lutrave ballkanike, por shpërthimi aq shpejt i Luftës së Parë Botërore e kishte penguar zbatimin e tij…
“Rreth 60 mijë serbë e malazezë, midis të cilëve dhe prindërit e mi, iu përgjigjën thirrjeve patriotike nga Beogradi për të “ripushtuar” Kosvën, të cilën Perandoria Serbe e kishte humbur pas betejës së famshme të Fushë Kosovës më 1389. Ata (prindërit) do të shkonin në Mitrovicë me kamjonë ushtarakë. Në secilën makinë kishte disa ushtarë të armatosur, pasi karvani i tyre do të kalonte qafën e lartë të malit Çakor, përmes të cilës ushtria serbe ishte tërhequr më 1915. Ky terren i ashpër e i thepisur ku makinat ecnin tepër ngadalë, ishte i mbushur plot me rebelë shqiptarë, që rinin në gatishmëri për të sulmuar varganin e makinave në përpjekje për të ndaluar kolonzimin serb dhe malazes të Kosovës…
“Kur babi dhe nëna ime mbritën në Kosovë më 1920, Mitrovica ishte një vend thuajse i shkretë, i prapambetur… Sheshi ishte mbushur me të porsaardhur që prisnin t’u caktohej toka dhe shtëpitë. Këtu ligjin e bënte ushtria. Ishte Komanda ushtarake ajo që caktonte tokën që do të merrte secili… Për shkak të vendndodhjes së tij, qyteti i vogël i Mitrovicës ishte zgjedhur si ndalesë e parë dhe pikëmbështetje për depërtimin e mëtejshëm në Kosovë dhe për të rifituar “tokën e shenjtë serbe”, tashmë e banuar në shumicën dërmuese nga shqiptarët etnikë… “Kolonët” malazezë i shikonin si shqiptarët ashtu dhe turqit, “njerëz të një besimi të huaj”, si armiqtë e tyre…
“Të krishterët ortodosë të sapoardhur ishin shumë të ngazëllyer të gjenin një numër të vogël sivëllezërish serbë ortodoksë, “banorë të vjetër” të Kosovës, të clët gjatë pesëqind vjetëve të sundimit osman kishin mundur të ruanin gjuhën, besimin dhe zakonet e tyre…
“Babai im, si të gjithë kolonistët, ishte më se i bindur që të gjitha tokat në Kosovë u duheshin marrë shqiptarëve dhe t’u jepeshin serbëve dhe malazezëve, duke e justifikuar këtë me “të drejtën e shenjtë serbe” mbi këtë territor. Ai u përfshi sinqerisht në fushatën për kolonizimin e krahinës, duke shkruar letra në të gjitha pjesët e Malit të Zi për t’iu mbushur mendjen të afërmve dhe miqve “të zbrisni nga malet e egra, të lini prapa dhitë tuaja dhe jetën e ndyrë e të bashkoheni në rizaptimin e Kosovës serbe. Kosova mund të jetë shpëtimi ynë, jeta e re për të cilën kemi ëndërruar, Amerika jonë. Serbët do të ngrihen nga hiri dhe do të bëhen më të famshëm dhe më të fuqishëm se në kohën e Car Dushanit”…
“Në letrat e tij babi përmendte se sa shumë tokë të punushme mund të merrte çdo familje, si dhe përfitime të tjera: kredi të favorshëm bankare për të ndërtuar një shtëpi dhe për të blerë bagëti, kuaj, mjete pune… Ajo që ai nuk e zinte në gojë në letrat e tij ishte fakti që kjo tokë ishte në duart e shqiptarëve, të cilëve u ishte rrëmbyer, disa herë me forcë…
“Mbritja e malësorëve malazezë në Kosovë sipas traditave të tyre ishtarake lajmërohej me të shtëna armësh dhe, herë-herë, me masakra të banorëve shqiptarë, tokën e të cilëve ata zaptonin. Kështu, çështja e Kosovës mendohej të zgjidhej jo me anë të bashkëekzistencës, por duke krijuar kushte të tilla që do të inkurajonin shqiptarët dhe banorët e tjerë myslimanë të emigronin në drejtim të Shqipërisë apo Turqisë…
“Në sytë e malazezëve dhe të serbëve, shqiptarët ishin një mbeturinë e armikut të mundur, Turisë, kështu që moralisht ata ndiheshin të shfajësuar në trajtimin që u bënin shqiptarëve njëlloj sikur do të vepronin me turqit. Mbi të gjitha, thoshnin zakonisht ata, shqiptarët janë sjellë këtu nga turqit, pas rënies të Perandorisë Serbe, për të kolonizuar tokat serbe dhe për të futur besimin dhe zakonet turke…
“Por shqiptarët besonin se ata jetonin në Kosovë shumë shekuj para mbritjes së serbëve. Ata besonin se e kanë origjinën nga ilirët, një popull i lashtë që dikur banonte krej rajonet lindore të Adriatikut, nga Alpet deri në Shqipërinë sotme. Për disa shekuj fiset ilire i rezistuan me sukses depërtimit romak, derisa ndodhi beteja e famshme pranë Nesactiumit (në veri të Pula-s së sotme), në vitin 177 para Erës së Re, kur mbreti i mundur i ilirëve dhe fisnikët e tij kryen vetëvrasje kolektive…
“Konflikti për tokën në Mitrovicë dhe gjithandej Kosovës u shoqërua me gjakderdhje të shpeshta. Por pati dhe një numër kolonësh të zhgënjyer që ktheheshin mbrapsht në qytet, pasi ua kishin shitur shqiptarëve tokën që u ishte dhënë, shpesh dhe më së shumti pikërisht atyre që u ishte marrë…”.
***
Më gjerë e më hollësishtë politikanët “demokratë” dhe “komandantët”, të dy palët pronarë të Kosovës, është mirë të lexojnë librin. Megjithëse gjasat janë që të tmerrohen kur të shikojnë se libri ka 575 faqe. Dhe u japim të drejtë, kanë shumë halle të tjera.
Postime të Lidhura
REXHEP KASUMAJ: SHËRBIMI RUS…, DILEMA QË S’ËSHTË… DHE TI, ILIRIDË EMËRMADHE…
Berlin, 14 korrik 2020 SHËRBIMI RUS… (Një kartë që ftillohet) Në komunikatën e misionit të Rusisë në BE…
DILAVER GOXHAJ: INTERESI VË NË PUNË ÇDO LLOJ VIRTYTI DHE VESI
Tiranë, 10 prill 2020: Në intervistën e dhënë nga Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, në datë 7 prill 2020, e…
ALI MEHMETI: MË NË FUND NJË DEKLARATË E SINQERTË (QYTETARI NUK VENDOS KUSH DO TA QEVERIS VENDIN)
Gjenevë, 13 Maj 2020: Kush do të thoshte se një “politikan i të gjitha sistemeve” me eksperiencë 40…
ABAS FEJZULLAHI: BISHZ, URON ZGJEDHJEN E DR.VJOSA OSMANIT KRYETARE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Solothurn, 4 prill 2021: Kuvendaret(ët) e përgjegjshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes votimit të fshehtë, sipas…