Pashtriku, 23 shkurt 2019: Jam ndër të parët që e kam lexuar librin e Dr.Sabri Kiçmarit „Fitorja Diplomatike“. Ambasadori Kiçmari ma kishte besuar punën e faqosjes e dizajnimit të këtij libri. Zakonisht, kur një autor e dorëzon librin në procesin e përgatitjes për shtyp, ai dëshiron që kjo gjë të kryhet sa më shpejtë. Edhe pse z. Kiçmari nuk ma ka kërkuar asnjëherë një përshpejtim të punës, unë kam marrë kohë më shumë se për çdo libër tjetër. Kjo marrje kohe, ka ndodhur jo për fajin tim: nuk mund të shkëputesha nga teksti, sapo fillova të lexoj rreshtat e parë.
Për ta besuar këtë që po e them unë, ju duhet ta keni në dorë librin e të filloni të lexoni. Këtë efekt e keni të garantuar. Libri „Fitorja Diplomatike“ është një libër i ndërtuar në formë të ditarit, që të sjell në kronologji ngjarjet që e kanë përshkuar përfaqësimin diplomatik të UÇK-së.
Sabri Kiçmari, duke qenë një protagonist i rëndësishëm në këtë rrugëtim, ka evidentuar me kujdes, momente shumë të rëndësishme, që nga ballafaqimi i parë me diplomatë e deri në arritjen e lirisë së Kosovës.
Takimet e ndryshme të zhvilluara në kancelaritë evropiane e të OKB-së, me diplomatë nga Evropa e SHBA-ja, duket qartë që kanë qenë takime vendimtare në avancimin e çështjes së Kosovës.
Fatkeqësisht, diplomacia që ishte bërë deri atëherë, nga delegacionet e shumta të strukturave të pushtetit dualist e fiktiv në Kosovë, ndonëse për një kohë kishte pasur efekt pozitiv në informimin e opinionit botëror për domosdoshmërinë e fitimit të lirisë, për shkeljen drastike të lirive e të drejtave të njeriut etj, tani nuk mund të jepte më shumë, meqenëse situata në Kosovë po përshkallëzohej dhe atje tani faktor kryesor për arritjen e paqes ishte bërë UÇK-ja.
Se si është komunikuar atëherë me delegacionet shqiptare deri në formimin e grupit diplomatik të UÇK-së, më së miri ndoshta e ilustron momenti i ballafaqimit të parë me zonjën gjermane, deputeten Doris Pack.
Delegacioni i UÇK-së, kishte kërkuar kohë speciale për të shfaqur pikëpamjet e veta, çka kishte bërë të ketë një paraqitje të pasjellshme, aspak diplomatike të saj. Kur delegacioni që drejtohej nga Bardhyl Mahmuti, Sabri Kiçmari etj., kishte insistuar në këtë duke kundërshtuar një formë të tillë të komunikimit, gjithçka kishte ndryshuar.
Duket që zonja Pack e kishte analizuar mirë, se fjala nuk ishte për një opinion të thjeshtë të një grupi individësh, por për përfaqësues të kryengritësve në Kosovë, pa të cilët, arritja e një paqe do të ishte e paimagjinueshme.
Siç mund të shihet nga libri, diplomacia e UÇK-së ishte treguar e suksesshme në përfaqësimin dhe fitimin e simpatisë për UÇK-në, dhe për domosdoshmërinë e fitimit të lirisë Kosovës.
Ajo kishte arritur të argumentonte me sukses se lufta e UÇK-së ishte forma e fundit që shqiptarët kishin zgjedhur, për të kundërshtuar një regjim fashist që po ushtronte gjenocid mbi popullin shqiptar.
Të gjitha dilemat e shfaqura gjatë këtij rrugëtimi nëpër kancelaritë botërore, grupi diplomatik i kishte tejkaluar me sukses, meqenëse, bazohej në një përfaqësim të drejtë, të argumentuar mirë, të dinjitetshëm e që kishte mbështetjen e strukturave më të larta të Lëvizjes e të UÇK-së.
Atëherë duket se bashkësia ndërkombëtare ishte e brengosur se nga çfarë elementësh ishte e përbërë UÇK-ja, mos eventualisht ajo kishte thithur brenda vetes elementë radikalë islamikë, mos fondet e grumbulluara ishin fonde të dyshimta që siguroheshin nga nëntoka ose shtete që ishin në fokus të perëndimit e që kishin dhënë prova negative në prishjen e paqes botërore.
Të gjitha këto dilema, u hoqën me sukses të plotë nga grupi diplomatik, por edhe nga të gjithë ata diplomatë të huaj që kanë pasur rastin të takojnë në terren pjesëtarë të UÇK-së.
UÇK-ja nuk ishte terroriste. Këtë dilemë e sqaroi me sukses të plotë grupi diplomatik.
Ajo nuk vriste civilë serbë, nuk ishte agresore, por mbronte popullatën shqiptare nga agresori serb i cili po zbatonte projektin e gjenocidit mbi popullin tonë.
UÇK-ja nuk lejoi që elementë radikalë fanatikë fetarë të depërtonin brenda radhëve të saj, për ti dhënë një kuptim tjetër luftës sonë, e që do të ishte padyshim fatale për ne të gjithë.
UÇK-ja, fondet e veta nuk i kishte siguruar nga paratë e pista të krimit të organizuar.
Kontributet për luftën ishin grumbulluar nga punëtorët mërgimtarë, ata që kishin ndarë kafshatën e bukës së fëmijëve të tyre.
UÇK-ja nuk ishte e shthurur dhe vendimet e saj kryesisht merreshin nga një qendër dhe zbatoheshin në terren pastaj etj.
Të gjitha këto fakte e bënë të besueshme e të suksesshme diplomacinë e UÇK-së e cila e kishte të qartë se, pa argumentuar me sukses këto, pa argumentuar me sukses se në Kosovë ishte e rrezikuar qenia shqiptare, atje po bëhej gjenocid ndaj popullit tonë etj, nuk do të mund të fitonte simpatinë e vendeve perëndimore.
Dhe ajo që ishte më e rëndësishme, pa arritur një fitore diplomatike, nuk do të mund të prisnim edhe ndihmën ushtarake që erdhi më vonë përmes intervenimit të NATO’s më 1999.
Për të mësuar më shumë se çka flitej prapa dyerve të kancelarive botërore, për ne e për luftën tonë, leximi i librit „Fitorja Diplomatike“ është i domosdoshëm.
Libri është i shkruar me një gjuhë të bukur, të kuptueshme për secilin.
Në fund, në këtë paraqitje timen të shkurtë, i uroj z. Kiçmari shëndet të plotë; të na ofrojë sa më shumë libra në të ardhmen, e para së gjithash i dëshiroj rikthim në institucionet e diplomacisë, ku padyshim do të mund ta jepte kontributin e tij në vazhdimësi.
St. Gallen (CH), 17 shkurt 2019
(Pjesë nga fjala e Adnan Asllanit e publikuar në rrjetin Facebook)
_________________
Ky fjalim u mbajt më 17 shkurt 2019, në qytetin St. Gallen të Zvicrës, me rastin e promovimit të librit “FITORJA DIPLOMATIKE” e diplomatit tonë të shquar, dr. Sabri Kiçmari.