GJOKË DABAJ: NJË ÇMIM NOBEL MBI VARRET E SREBRENICËS

(Durrës, 12. 12. 2012) – Unë jam një europian dhe, vetëkuptohet që do të isha shumë krenar nëse kontinenti im do t’i meritonte çmimet që i jepen dhe nderimet që i bëhen. Mirëpo, si europian që jam, si njeri që e ka traditë të mendojë në mënyrë të lirë e të pavarur, nuk mund edhe të mos shqetësohem, kur ky kontinent të lavdërohet dhe të dekorohet në mënyrën që s’e ka merituar.
Sapo iu dorëzua, pra, BE-së Çmimi i madh i Nobelit. U mbajtën fjalime, u ekzekutuan pjesë muzikore. U parashtruan, doemos, edhe arsyet, pse i jepej ky çmim i madh BE-së.
Megjithkëto, unë nuk gjeta arsye të bollshme për t’u ndjerë i lumtur. (Ashtu si nuk po gjej dot arsye të bollshme, pse nuk po pranohen në BE Rep.e Shqipërisë, Rep.e Turqisë dhe Ish-Rep.Jug e Maqedonisë, ndërsa Sërbisë po i hapen dyert.)

BE mori Çmimin e madh të Nobelit për paqe!

…………………………………………

Tablotë e para që më dolën parasysh, ishin pamjet rrënqethëse të Srebrenicës, që nuk janë xhiruar para se të themelohej BE-ja, por pikërisht në kohën kur BE-ja duhej ta justifikonte veten si një organizëm që e ruan REALISHT paqen. Masakra e Srebrenicës s’ka as 20 vjet që ka ndodhur. Lotët e nënavet (EUROPIANE!), për djemtë që u janë vrarë aty, ende nuk kanë reshtur. Për më tepër, si fajtor, që i ka lejuar sërbët të bëjnë aty masakra, është akuzuar njëri prej shtetevet anëtarë të BE-së. Pikërisht ai shtet, i cili doli, para disa ditësh, i pari kundër dhënies së statusit të kandidatit për në BE, Rep.së Shqipërisë.

Serbrenicë, 12 Korrik 1995: Foto që tmerroi botën! Komandanti holandez i UNPROFOR’it Karremans, duke ngritur dolli me gjeneralin Ratko Mlladiq, gjatë takimit të tyre – ato ditë kur njësitë kriminale të Mladiqit po masakronin pamëshirë boshnjakët musliman, masakër kjo e cila kulmoi (vetëm 3 ditë nga ky takim), më 15 korrik 1995 !!! Shikoni Videomaterilin origjinal nga takimi Mladiq – Karremans!!!

LEXONI SHTOJCËN E PASHTRIKU.ORG.

……………………………………………

Përveç Srebrenicës, janë edhe disa dhjetëra mijë civilë të tjerë të masakruar mu këtu në Europë, prej militarësh të një vendi po të Europës. Midis tyre, të groposur nëpër baltëra, ca këtu ca atje, janë edhe nja 15 mijë bashkëkombës të mi. Pra, janë edhe DISA Srebrenica, të cilat, sidoqoftë, nuk i ofrojnë lavdi BE-së.
A i dinte këto gjëra Komisioni i nderuar i Oslos?! Po Kryekomisioneri i BE-së, zoti Barozo, a i dinte këto gjëra?! Zotërinjtë çmimdhënës, që u kanë dhënë çmime, me të drejtë, edhe Obamës e Pambukut, mund të jenë tejplakur apo tejburokratizuar. Mund të kenë menduar: Po ua japim këtë çmim europianëvet, meqë në këta vite nuk kanë luftuar njëra me tjetrën, psh Franca dhe Gjermania. Po zotërinjtë e Komisionit çmimmarrës, mos edhe ata i përkasin një kaste konceptualisht të sklerotizuar?!
Rrjedhimisht, nuk duhet të jetë thjeshtë ky çmim, shqetësimi më i madh i europianëvet TË KTHJELLËT. Shqetësimi më i madh i çdo europiani, veçanërisht i europianëvet MË TË KTHJELLËT, duhet të jetë, se një i këtillë çmim mund të shndërrohet në një RRUGË TË ÇELUR PËR TË TJERA SREBRENICA. A nuk jetojnë nëpër Europë edhe disa milionë myslimanë të tjerë, po aq të fajshëm sa edhe ata të Srebrenicës?! Kur u marrka Çmimi Nobel përmbi varret masivë të Srebrenicës, përse të mos hapim edhe të tjerë si ata, më të thellë dhe më të gjërë?!

 ==========================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
MASAKRA E SERBRENICËS NJË ENIGMË MAKABRE

Pashtriku.org, 11. 07. 2012 – (Një popull që e harron (të kaluarën) historinë e vetë, mund t´i përsëritet ajo në përmasa edhe më të tmerrshme!) Shtatëmbëdhjetë (17) vjet më parë, saktësisht më 11 korrik 1995 – në Serbrenicë të Bosnjës u ekzekutuan dhe u masakruan barbarisht mbi 8000 civilë boshnjak – mysliman të paarmatosur. Kjo masakër bëhet akoma më e tmerrshme, kur kemi parasysh faktin e prezencës së trupave ndërkombëtare të UNPROFOR’it në këtë rajon ku u krye krimi! (…)

Më gjerësisht lexoni këtu: https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=604  

____________________________

(Përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura