Pashtriku, 6 mars 2019: Ramush Haradinaj: “Lufta në Kosovë është bërë nga komandantët e zonave. Nuk është bërë nga drejtoritë politike. Këtu duhet të jemi të qartë. Drejtoritë politike kanë mundur të veprojnë edhe prej Hëne…” Jakup Krasniqi: “Lufta Guerile e tipit “sulm e tërheqje nga vendi i ngjarjes”, u tregua e dëmshme, sepse armiku po hakmerrej mbi popullsinë civile…” Xhimi Shi (Jemie Shea): “Sikurse feniksi që rritet nga hiri, UÇK-ja ka mundësi të ndërmarrë një numër sulmesh brenda Kosovës”
***
Mos vallë, shkaku i prishjes së njësisë së mendimit dhe veprimit midis Demaçit dhe Drejtorisë Politike, përbënte ndryshimin në strategji midis tyre?
Të përcaktosh qysh në fillim strategjinë më efikase të një lufte çlirimtare do të thotë të përcaktosh karakterin e gjithë periudhës së asaj lufte; do të thotë të përcaktosh, si me thënë, nëntë të dhjetat e fatit të të gjithë luftës. Në këtë gjë konsistonte detyra e strategjisë së luftës guerile e përzgjedhur nga Demaçi.
Ndërsa strategjia e Drejtorisë Politike, e përzgjedhur dhe e shprehur prej zotërinjve Xhavit Haliti, Hashim Thaçi, Azem Syla, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja, nuk garantonte fitore; ajo karakterizohej nga një shabllonizëm i pakrahasueshëm, që predikonte komandimin jo unik si dhe luftën e karakterit lokal shumë të ngushtë, të cilën na e shpreh qartë ish-komandanti i Zonës së Tretë Operative të UÇK-së, Ramush Haradinaj: “Lufta në Kosovë është bërë nga komandantët e zonave. Nuk është bërë nga drejtoritë politike. Këtu duhet të jemi të qartë. Drejtoritë politike kanë mundur të veprojnë edhe prej Hëne. Qëndrimi i Drejtorisë Politike në Kosovë është identifikuar me lëshimin e komunikatave në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që mendoj se nuk është ndonjë vlerë e jashtëzakonshme” 1).
Kurse strategjia e Adem Demaçit karakterizohej nga metoda dialektike në studimin dhe vlerësimin e elementëve për sulme të vazhdueshme, që përcaktojnë mënyrën e fitores së luftës për çlirim; ndërsa strategjia e Drejtorisë Politike përcaktohej “në ngritjen e llogoreve të luftës dhe krijimin e territoreve të lira”, duke i angazhuar të gjitha forcat e UÇK-së në luftime frontale mbrojtëse që në ditët e para të luftës për çlirim!
Nëse strategjia e Demaçit karakterizohej nga përdorimi i drejtë dhe racional i forcave të UÇK-së, nga përdorimi i drejtë dhe jo i parakohshëm për në momentin dhe vendin e duhur, duke e përdorur luftimin mbrojtës jo si llojin kryesor të luftimit, sikundër bënte strategjia e Dr.P, por si një formë luftimi e nevojshme për t’u dhënë kohë popullsisë të evakuohej, ndërsa forcat e tjera të jepnin goditje të shpejta e të shkurtëra në shpinë e në krah të armikut si dhe në prita, në ato vende e drejtime në të cilat luftimi mund të korrte në kohën më të shkrurtër maksimumin e rezultateve; kurse strategjia e Dr.P nisej nga premisa jo reale dhe udhëhiqej nga metoda metafizike në vlerësimin e mundësive të fitores së lirisë. Kjo është edhe një nga arsyet që formacionet e UÇK-së, në shumicën e kohës rrinin në pritje të sulmeve nga forcat serbe, sesa të merrnin nismën e të sulmonin armikun. “Lufta Guerile e tipit “sulm e tërheqje nga vendi i ngjarjes”, u tregua e dëmshme, – kërkon edhe sot të na mbushi mendjen z. Jakup Krasniqi,- sepse armiku po hakmerrej mbi popullsinë civile… Veprimi kësisoj ishte i detyrueshëm sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të përballej tash e tutje jo vetëm me luftën, por edhe me ruajtjen dhe evakuimin e UÇK-së” 2) (!!!). Dhe e gjithë kjo praktikë ishte treguesi i asaj “strategjie ushtarake” e përcaktuar nga disa persona të vetëquajtur politikë dhe ushtarakë, por pa asnjë lloj njohurish teorike apo përvoje të deriatëhershme ushtarake, si dhe politike.
Nëse do t’i referohemi përvojës së Luftës Nacionalçlirimtare të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, është krejtësisht e kundërta me atë çka na server zoti Jakup Krasniqi. Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, qysh në urdhërin e parë të krijimit të tij theksonte: “Urdhëroheni që të gjithë të goditni pareshtur dhe pa mëshirë ushtritë e okupatorit, me pre rrugët dhe me goditë kolonat e armikut, në mënyrë që me e dëmtue rëndë, me e lodhë dhe me e detyrue të dorëzohet. Mos me pritë në asnjë mënyrë që ai të na godasë ne, por duhet të jemi çdo ditë në ofensivë, në rrugë, në kazerma, në depo me material ushtarak, dhe kudo ku ka grumbullime ushtarakë, karabinierë italianë dhe gjermanë. Në asnjë mënyrë dhe asnjë ditë batalionet, çetat e njësitet të mos rrinë me duar kryq në fshatrat, këto duhet të jenë kurdoherë në prita për të goditur armikun” 3). Ndaj dhe kemi të drejtë të mendojmë se shkaku i asaj strategjie që na e thekson z.Jakup, nuk ishte se “u mbyllën rrugët furnizuese, ndaj pranuam të shkojë në Rambuje”, por ishte mungesa e dëshirës për të luftuar.
Na vjen keq që z.Jakup Krasniqi dhe kolegët e tij e kanë ende këtë koncept për luftrat çlirimtare të popujve të robëruar, dhe kjo vjen ngaqë ende nuk e kanë të qartë se, kur durimit dhe përkuljes prej robi i vjen fundi, ato zevendësohen nga guximi dhe këmbëngulja. Ata harrojnë se kur popullin e çojnë gjer në shkallën më të ulët të gjendjes prej robi, në të shuhen të gjitha ndjenjat njerëzore, të gjitha pasionet, dëshirat dhe aspiratat, me përjashtim të dy prej tyre: urrejtja ndaj robërisë dhe dëshira për liri; ata harrojnë se, sikundër shprehet filozofi B. Rasëll, “fitorja në luftë nuk shkon përherë tek pala me burime më të mëdhenj ekonomikë.” Nuk është i denjë për lirinë vetëm ai popull, që, duke qenë i shtypur pa kufi, vijon me paturpësi dhe kokëfortësi të pajtohet me gjendjen e tij prej robi, ndaj dhe asnjëherë nuk do të mund ta fitojë atë, lirinë.
Ngaqë Dr.P kish përzgjedhur atë strategji, ndaj dhe nuk ditën të shfrytëzonin mbështetjen mbarë popullore që patën në 6-mujorin e parë të vitit 1998. Duke qenë të pa ditur në politikë dhe në drejtim të artit ushtarak, “strategët ushtarakë” të Drejtorisë Politike nuk mund ta dinin se lufta frontale mbrojtëse e praktikuar nga ana e UÇK-së është strategjia e lodhjes së guerilasve, aq shumë e dëshirueshme nga kundërshtari me ushtri klasike të rregullt, gjë që strategjia serbe e priste aq shumë atë lloj lufte të aplikuar nga zoti Jakup me shokët e tij, pasi me luftë mbrojtëse frontale, sikundër krenohej edhe zoti Ramë Buja: “lufta e formës guerile, u zhbë ngase, numri i njerëzve të gatshëm për t’iu bashkangjitur radhëve të luftëtarëve të lirisë ishte i madh.”4)! Eja dhe zbërtheje këtë lloj “strategjie”!?
Si rrjedhojë e kësaj “strategjie çlirimtare”, duke u mbrojtur(!), të përzgjedhur prej Dr.P, UÇK-ja ngelej një forcë e paefekshme për Serbinë. Ndërsa strategjia e Demaçit nisej nga të dhënat dhe mundësitë konkrete që kishin formacionet e UÇK-së, sulme të shpeshta me grupe sa më të vogla, duke u udhëhequr nga metoda dialektike në vlerësimin e armatimit dhe kushteve që kish UÇK-ja.
Strategjia mbrojtëse e Dr.P, e aplikuar gjatë vitit 1998, bëri që UÇK-ja të mos mund t’i rezistonte makinerisë së ushtrisë së Millosheviçit. Ndërsa në sajë të strategjsë së luftës guerile, e aplikuar në shumicën e rasteve në luftimet gjatë periudhën prej 20 Marsit 1999 e deri në fund të luftës, (por që Demaçi pat këmbëngulur qysh në 15 Gusht 1998, por e vendosur kolegjalisht në mbledhjen urgjente të SHP më 20 Mars 1999), UÇK-ja arriti të fitonte jo vetëm respektin e Presidentit Amerikan Bill Klinton, i cili në fund të Prillit 1999 tha se “UÇK-ja është bërë e papërmbjatëshme”, por në mënyrë të vaçantë ajo fitoi besimin e forcave të NATO-s, ndaj dhe Uesli Klark pohon, duke thënë: “UÇK-ja, shpesh i detyronte forcat serbe të dilnin në terren të hapur, ku ne kishim mundësi t’i sulmonim ato”5); ndërsa Ministri i Mbrojtjes së SHBA, z. Cohen, në 16 Prill 1999 thoshte: “Millosheviçi mund të mendojë se e ka eleminuar UÇK-në, por gabon” 6).
Strategjia dhe taktika guerile, e përdorur me mjeshtëri në luftimin e shkallës operative në datat 31 Mars e 1 Prill 1999, në bjeshkët e Berishës dhe ato të Kravaserisë (Pagarushë), i dha zjarr të madh përdorimit të asaj taktike. Luftimet e datës 31 Mars-1 Prill 1999, sipas taktikës partizane, përbënin një nga luftimet më të mëdha të deriatëhershme të shkallës operative, me pjesmarrje të gjerë të forcave të UÇK-së 7), e cila tregoi një shembull të shkëlqyer të qëndresës popullore dhe të lidhjes së ngushtë të forcave tona çlirimtare me popullsinë. Taktika guerile i dha vrull luftës çlirimtare dhe thelloi krizën në forcat pushtuese, duke i dhënë UÇK-së tiparet e një ushtrie të rregullt guerile (partizane), gjë që vërtetoi se kur ne morrëm atë vendim e kishim studjuar mirë situatën dhe i kishim bërë mirë llogaritë; dhe, sikundër dihet, pas asaj disfate forcat ushtarako-policore serbe filluan të merrnin masa të rrënda terrori e genocidsite.
Duke qenë se e përdorëm me mjeshtëri taktikën guerile, ndaj dhe shkëlqyen forcat e zonës së Drenicës në luftimet e datave 20 – 31 Mars; po ashtu edhe forcat e zonës së Dukagjinit në luftimet e mëvonshme, sidomos në Dushkajë, apo ato të zonës së Llapit e të Bajgorës gjatë muajit Prill, si dhe të Br153 në Gollak gjatë muajit Maj 1999. Pa taktikën e luftës guerile nuk do të kish qenë e mundur mbrojtja e popullsisë 400 mijëshe që i qe bashkangjitur formacioneve të UÇK-së.
Ato fitore tregojnë, pik së pari, se formacionet e UÇK-së, përmes strategjisë dhe taktikës së luftës partizane i kapërcyen me sukses të gjitha provat në zjarrin e luftës të imponuar nga operacioni “Patkoi”, duke treguar vitalitetin e tyre të plotë. Prandaj dhe zëdhënësi i NATO-s, Xhimi Shi (Jemie Shea), pat thënë: “Sikurse feniksi që rritet nga hiri, UÇK-ja ka mundësi të ndërmarrë një numër sulmesh brenda Kosovës” 8) dhe kjo, si rezultat i atyre sulmeve të suksesshme të UÇK-së, sipas taktikës së luftës partizane.
Me këto fakte që shprehëm nuk është fjala për të ditur se lufta guerile ka vitalitet apo jo, sepse pas përvojës konkrete të asaj lufte, asnjë skeptik nuk do të kishte guximin të shprehte dyshimin në lidhje me atë lloj lufte të UÇK-së, sepse lufta partizane (guerile) është forma më e mirë e organizimit të një lufte çlirimtare kundër një pushtuesi shekullor, por duam të themi se me atë lloj strategjie UÇK-ja përballoi të gjitha vështirësitë e luftës gjenocidiste serbe të Operacionit “Patkoi”, duke provuar vitalitetin e asaj strategjie të sugjeruar nga Adem Demaçi qysh ditën e parë të pranimit prej tij të detyrës së Komisarit Politik të UÇK-së. Por, për fat të keq, zoti Jakup Krasniqi edhe sot e kundërshton atë fakt fatlum, duke na thënë: “Ndonjë tjetër është angazhuar për të shkruar, jo për të ndriçuar një ngjarje të rëndësishme, por për të falsifikuar të vërtetën se gjoja luftën na e paskan “udhëhequr” profesionistët, se aty apo këtu ishte nisur lufta e vërtetë. Qëllimi është i qartë, dikush do që të shkëpusë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga djepi i saj – Prekazi” 9) (!) Me këtë “argument” prej amatori, zoti Jakup mundohet të na mbushi mendjen se vendi çlirohet duke luftuar vetëm në mbrojtje dhe duke u vrarë të gjithë, duke u munduar të na mbyllë gojën me këtë krahasim; dhe tjetra, sipas tij, se lufta çlirimtare fitohet nga ata që nuk janë profesionistë të luftës guerile(!!!) Kur flet për teorinë e luftës një amator qenka gjë shumë e bezdisshme. Ç’paska heq i shkreti Demaçi!
Ngaqë Drejtoria Politike i imponoi këtë lloj strategjie ushtarake UÇK-së, mundi t’u jepte argumenta kritikuesve dhe skeptikëve ndaj forcës dhe aftësive të UÇK-së, deri në atë nivel sa të hidheshin parulla disfatiste të tilla si: “Të niset lufta kundër Serbisë dhe Jugosllavisë, me AK-47, njimend ishte Mission Impossible”, sikundër shkruante publicisti Blerim Shala 10), apo “Kosova nuk mund të çlirohet dot me luftë kaçakësh” 11), sikundër shprehej historiani Zekeria Cana, etj, etj.
Strategjia e Demaçit ndryshonte rrënjësisht edhe me strategjinë e ushtrisë serbe, e cila karakterizohej nga mbivlerësimi i disa armëve (si artileria dhe tanket), si dhe nga nënvleftësimi i UÇK-së; ndërsa strategjia guerile e Demaçit karakterizohej nga vlerësimi i drejtë i armikut dhe i mundësive të forcave të UÇK-së, prandaj ai e ka përsëritur disa herë se strategjia e UÇK-së duhej të karakterizohej nga organizimi i sulmeve të rrufeshme në të gjithë territorin e Kosovës, sipas taktikës “godit e ik” (godit si rrufeja dhe zhduku si era), pa të cilën nuk mund të ketë fitore për një ushtri çlirimtare popullore.
Lufta jonë çlirimtare guerile nuk qe vetëm një mallkim, ajo qe njëkohësishtë një shkollë e madhe në të cilën populli shqiptar në Kosovë dhe forcat e tij politike u vunë në provë dhe u vërtetua. Ajo luftë nxorri në shesh të gjitha faktet dhe ngjarjet, duke grisur pamëshirë të gjitha mbulesat dhe maskat që fshihnin fytyrën e vërtetë të forcave politike e ato të “shtetit paralel” në Kosovë, duke i paraqitur në skenën e historisë pa maskë, me të gjitha të metat dhe cilësitë e tyre.
Miklimi me Qeverinë e Përkohëshme
Nëse anëtarët delegatë të UÇK-së nuk do të ishin lidhur vullnetarisht me zinxhirë politikë, ata, gjatë qëndrimit në Rambuje, do ta kishin marrë seriozisht situatën në dorë dhe do ta kishin mbrojtur UÇK-në nga shuarja e saj. Ndryshe, do të largoheshin. Por, diplomatët ndërkombëtarë, duke parë që anëtarët e Drejtorisë Politike të UÇK-së ishin të pa regjur me intrigat e diplomacisë, si dhe kishin ardhur pa u konsultuar nga i kalituri me përvojën e tij politike 38 vjeçare të burgjeve të Jugosllavisë, menjëherë i mikluan, duke përdorur marifetin e ngritjes dhe përbërjes së një Qeverie të Përkohëshme për Kosovën (QPK), një qeveri koalicioni (por jo si ajo që do të mund të delte nga Asamblea Qytetare), sidomos tani që situata politike kish marrë një kthesë serioze. Kush ka etje për pushtet ëndërron atë që i do qejfi.
Me sa u pa më vonë, me këtë marifet, antarëve të UÇK-së në Rambuje u kishin gjetur zemrën. Gjithçka që i shërben vetëm vetëvetes është e keqe, qoftë ajo shkencë, politikë, letërsi, art apo dhe fé. Sa shpejt e lëshojnë veten njerëzit para miklimit, sidomos kur u afrohet pushtet (!)
Dhënia e së drejtës delegatëve të UÇK-së për të formuar QPK-në, ishte dëmshpërblimi që i jepej Drejtorisë Politike me që pranonte eleminimin e UÇK-së, por edhe me një kosto tjetër jo të vogël: do të ringrihej nga balta ku kish rënë Rugova dhe partia e tij. E megjithatë Hashim Thaçi e ndjente se, me nënshkrimin e atyre kushteve të disfavorshme për Kosovën, veçanërisht për UÇK-në, po shkelte me të dy këmbët betimin e UÇK-së, dhe këtë e ka shprehur vetë në fjalët që i thotë Xhejms Rubinit në Kështjellë, disa momente para se të nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë: “kam frikë për jetën time!… Ai ruante lëkurën e vet”. 12)
Por, ja që ishte miklimi me pushtetin që Thaçi dhe Drejtoria Politike u trullosën, u magjepsën dhe u përgjumën. Pushteti është drogë e fortë. Po të mos ishte e tillë etja për pushtet, politikanët nuk do të mashtronin paturpësishtë gjatë fushatave elektorale.
Kjo është arsyeja kryesore pse këta njerëz, sot e gjithë ditën falënderojnë Rambujenë 13). Dhe këtë e bëjnë ngaqë garantuan pushtetin, duke bërë kurban UÇK-në. Ndaj dhe ata kanë 15 vjet që nuk guxojnë me thënë se lirinë në Kosovë e solli UÇK-ja duke bashkëvepruar edhe me NATO-n, por thonë të kundërtën 14).
Për delegatët pa përvojë diplomatike të UÇK-së, (themi të UÇK-së, pasi anëtarët e tjerë të atij delegacioni ishin thjesht për dekor dhe për ringjallje), ishte e pamundur ta kuptonin “ofiçinën” e diplomacisë. Duke qenë se në diplomaci nuk ka ligje dhe regulla të qëndrueshme, diplomatët europianë iu përveshën UÇK-së, duke u nisur nga paragjykimet që kishin krijuar për të. Faktet që mundoheshin të sillnin anëtarët e Drejtorisë Politike nuk luajtën asnjë rol, të cilat na i dëshmojnë në librat e tyre zotërinjtë R. Qose, J. Krasniqi, E. Tahiri e R. Buja. Detyra e diplomatëve është që të mos i japin palës tjetër asnjë epërsi, se vetëm kështu mbrojnë interest e qeverive të tyre, të cilat nuk janë argumentë juridikë e që mund të debatohen. Dhe të gjithë diplomatët profesionistë ia arritën qëllimit, asnjë pikë e projekt-marrëveshjes nuk u ndryshua!
Por ajo mbledhje pati edhe dy të mira: delegacioni kosovar bëri një muaj konvaleshencë dhe, e dyta, nuk u nënshkrua marrëveshja nga serbët, të mirën e sëcilës do ta trajtojmë në vijim.
Jo më kot i argasuri në vuajtje, Adem Demaçi ngulte këmbë që gjithçka duhej bërë para se të niseshin për në këtë Konferencë.
Rezultati përfundimtar i asaj konvaleshence në kështjellën mesjetare, ku Napoleon Bonoparti kaloi natën e fundit të tij si Perandor, erdhi ngaqë delegatët e UÇK-së, në vend që të bënin diplomaci, bënin politikë për pushtet. Mirëpo, në aktivitete të këtij karakteri po bëre politikë me synimin për pushtet, nuk udhëhiqesh kurrë nga ndjenjat dhe interest e vendit, por vetëm nga interest partiake, personale apo grupore. Antarët e Dr.P u mikluan aq shumë kur u besuan mandatin e krijimit të Qeverisë së Përkohëshme, sa u ishte mbushur mendja se gjithë bota po i kthente sytë nga ata. Gjë që edhe ndodhi.
Delegacioni i UÇK-së, ndoshta e lidhi ofrimin e QPK-së dhe veten me kushtet demokratike për vetëvendosjen. Mirëpo ky vetëmashtrim i tyre vinte ngaqë ata nuk e dinin se përse ekzistojnë në botë diplomatët, të cilëve shpesh ua ka ënda të kërkojnë ato fakte që i duhen diplomacisë së tyre. Diplomacia është një lloj arti, jo si shkencat e tjera ku të gjithë fenomenet pleksen midis tyre dhe ndikojnë në njeri-tjetrin, por një lloj arti ku secili sheh vetëm interest e vendit të tij dhe jo të vetat personale; ndaj dhe shkrimtari Mark Tuen thoshte se, “Diplomacia është një lloj shahu, ku popujt zihen në mat-pozicion.”
Delegatët kosovarë pa dyshim që i kanë përfytyruar bisedimet e Rambujesë si një komedi me role të caktuara paraprakisht, ndaj dhe shkuan sikur venin në dasëm, duke harruar që serbët nuk e harrojnë diplomacinë edhe kur bëjnë shaka (hajgare), të cilëve u rreh çekani kurdoherë: vetëm për Serbinë. Këta thjeshtarakët tanë “demokratë” fluturonin nga gëzimi kur mendonin dhe shihnin sesi shumë figura të larta diplomatike të Perëndimit po merreshin me ta seriozisht; si të tillë, ata shkriheshin nga entusiazmi që u zjente përbrenda, entusiazëm që mbyteshin në një pikë ujë, ngaqë secili prej tyre ishte i etur për pushtet e lavdi.
Kalimi i UÇK-së në sulme të përgjithshme – një armë e mirë diplomatike.
Krahas këmbënguljes për mospranimin e 10 kushteve vdekjeprurëse për Kosovën dhe UÇK-në, Demaçi ishte edhe për vijimin e sulmeve nga ana e UÇK-së, deri sa të ishin serbët ata që të kërkonin me zë të lartë paqen. Për Demaçin, kalimi i UÇK-së në atë periudhë në sulme të përgjithshme, ishte një lloj diplomacie ushtarake në favor të delegacionit shqiptar. Ai dhe komandantët e zonave operative ishin të bindur se fati i Kosovës do të niste fillimisht me vendosjen e një balance të forcave, duke luftuar në terren dhe pastaj në tavolinën e bisedimeve. Për këtë arsye Demaçi kërkonte ta zvarriste edhe më shumë Konferencën Ndërkombëtare, sepse, duke e zvarritur atë dhe duke u kërkuar forcave të UÇK-së në terren që të ndërmerrnin sa më shumë sulme masive të gjithanshme, (duke i ardhur kështu në takim diplomacisë amerikane), me synimin që balanca ushtarake të peshonte në anën e UÇK-së. Kjo gjë do të sillte përmirësimin e pozitës negociuese të UÇK-së, duke bërë të mundur të sillte edhe oferta më të mira. “Diplomacia ka sukses kur ke në dorë një forcë të konsiderueshme”, thoshte Napoleon Bonoparti.
Demaçi i bënte këto llogari, pasi ai bën pjesë në atë lloj kategorie njerëzore që e di mirë punën e tij. Një njeri që e di mirë punën e tij diplomatike, vlen më shumë se një delegacion me dhjetra diplomatë e me dhjetra baule me dokumenta. Kjo aftësi dhe ky qëndrim i Demaçit, duke u kundërshtuar nga faktori diplomatik europian, zbulonte hipokrizinë e prapaskenës së Rambujesë. Për këtë arsye Demaçi u akuzua puçist edhe nga Kadareja pse këmbëngulte të mos realizohej ajo marrëveshje e heshtur ndërkombëtare kundër UÇK-së, e cila parashihej në projekt-marrëveshjen e përgatitur me arrogancë e pa asnjë lloj finese, duke u munduar t’u mbushte mendjen shqiptarëve se: e bardha nuk ndryshonte aspak nga e zeza.
Nëse UÇK-ja do të kish ndyshuar strategjinë luftarake të saj, duke kaluar në atë të taktikës partizane (guerile), për të cilën këmbngulte Demaçi qysh në Gushtin e vitit 1998, por edhe sikur ajo të kish nisur ta zbatonte masivisht taktikën guerile edhe ato ditë Janari, pas shkëmbimit të robërve, bisedimet në Rambuje do të ishin në interes të UÇK-së dhe të Kosovës. Jo ajo që s’ndodhi, por delegatët e UÇK-së kërkuan ndalimin e luftimeve porsa vunë këmbët në Kështjellë! Ai propozim kosovar tregon se delegatët tanë as atëherë e as sot nuk e kuptuan se pse ajo Konferencë bëhej me aq urgjencë, për mos të thënë gjë tjetër.
Si mund t’ia mbushje mendjen Demaçit se me eleminimin e UÇK-së garantohej liria e Kosovës?! Dhe kujt! Adem Demaçit (!), i cili ishte rrahur me vaj e me uthull, jo pak, por 28 vjet nëpër burgjet e Serbisë. Kjo ishte arsyeja pse Demaçi habitej dhe nuk mund ta konceptonte se mbi ç’baza detyrohej Drejtoria Politike të pranonte kushte të tilla! Apo mos vallë kishin pranuar të vendosej në Kosovë një pushtet i tillë që të ishte mik dhe i parrezikshëm për Serbinë e të mos kërkonte kurrë vetëvendosjen e shqiptarëve në Kosovë?! Dhe, me sa dimë, kjo e fundit është theksuar në Kushtetutën e Kosovës. Dhe, një qeveri e tillë nuk mund të bëhej pa LDK-në dhe satelitët e saj.
Ajo projekt-marrëveshje e inkurajonte Millosheviçin ngaqë ia bënte të qartë se UÇK-ja nuk kish aleatë as në Kosovë dhe as jashtë Kosovës; ia bënte të qartë se UÇK-ja mbetej e izoluar dhe se ushtria e tij në këtë rast mund ta sulmonte UÇK-në pasi nuk do të kishte mbështetje, duke e rrudhosur gjithnjë e më shumë pa rrezikuar që mund të haste në një rezistencë edhe nga ana e NATO-s dhe vendet e G-8. Ishte ky inkurajim që e çoi Serbinë në hartimin e planit të Operacionit “Patkoi”. Në këto kushte nuk është për t’u habitur pse Adm Demaçi do të delte kundër asaj projekt-marrëveshje.
Kur Demaçi u bind përfundimisht se antarët e delegacionit kosovar në Rambuje ishin të vendosur ta eleminonin UÇK-në, ai, në 2 Mars 1999, dha dorëheqjen nga funksionet që kish për luftën, duke u shndërruar në një qytetar i thjeshtë, i bindur se në të ardhmen, atij nuk do t’i besohej më asnjë detyrë në institucionet kukulla të Kosovës; ndoshta mund ta “qetësonin” me nderime të tjera, por kurrë që t’i besohej pushtet. Dorëheqja e tij tregonte se në të ardhmen njerëzit plastelinë të Kosovës shumë shpejt do të bëheshin miqtë më të mirë të shumë prej diplomatëve dhe politikanëve proserbë. Kjo është ligjësi e çdo pushtuesi. Dhe kjo e trondiste atë. Demaçi e gjykonte gjithçka nga pikëpamja e interesave të Kosovës, pasi e kish të qartë rëndësinë që kish Kosova kukull për interesat dhe sigurinë e diplomasisë europiane dhe asaj sllave në Ballkan, se vetëm kështu mund t’ia arrijnë qëllimit që amerikanët të mos ua zenë vendin në këtë gadishull. Dhe kjo politikë e nëndhéshme europjane bëhet ngaqë e dinë se interesi i Amerikës kërkon që kombet e vegjël të jenë miqtë e tyre, pasi ata janë mbështetja kryesore e tyre në Evropë.
VIJON…
________
1) Bardh Hamzaj:”Rëfimi për luftën dhe lirinë”, Prishtinë 1999, f. 130
2) Jakup Krasniqi, “Kthesa e Madhe”, f. 81-82
3) Dokuenta të SHP të UNÇl Shqiptare, Tiranë, 1976, f. 32
4) Ramë Buja “Konferenca e Rambujesë”, Prishtinë, 2006, f.54
5) Wesley K. Clark “Të bësh luftë moderne”, Prishtinë, 2003, f. 372
6) Eilen Yan: “High Risk of Casualties”, Newsday, 16 Prill 1999, marrë prej Hajrudin S.Muja “Lufta e Kosovës në shtypin amerikan”, f. 351
7) Shih me gjerësisht: Shpëtim Golemi “UÇK dhe Kadare”, Prishtinë, 2004, f. 130-132
8) The New York Times, 17 Prill 1999; “U.S. Holds Yugo Officer as PO”, Daily News, 17 Prill 1999; marrë prej Hajrudin S.Muja “Lufta e Kosovës në shtypin amerikan”, f. 351
9) Jakup Krasniqi, “Kthesa e madhe”, f. 11
0) Blerim Shala, “Vitet e Kosovës 1998-1999”, Prishtinë, 2000, f. 10
11)Zekeria Cana “Ditari i Robërisë”,v.2, f. 100
12) Madeleine Albright “Zonja Sekretare”, f. 470
13) “Me marrëveshjen e Rambujesë u krijua mundësia e intervenimit të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë serbe në Kosovë”. Hashim Thaçi, me rastin e 15 vjetorit të fillimit të bisedimeve në Rambuje, (“Express”, 05 Shkurt 2014).
14) Po aty
________________________
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8459
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (KUNDËRSHTITË DHE PRANIMI I KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8481
***
DILAVER R.GOXHAJ: DRAMA E UÇKsë DHE E ADEM DEMAÇIT (PRAPASKENAT E KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8488
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (“REFERENDUMI” I PREMTUAR NË RAMBUJE) (4)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8494
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (PSE U ORGANIZUA ME URGJENCË RAMBUJEJA? PËR TA SABOTUAR ASAMBLENË KOMBËTARE TË KOSOVËS!) (5)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8500
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT ( DEMAÇI, RUGOVA DHE QEVERIA BUKOSHI!(6)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8501
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (ADEM DEMÇI – UÇK-ja NUK DO TË KAPITULLOI!) (7)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8502
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (EMËRIMI I SYLEJMAN SELIMIT – KOMANDANT I PËRGJITHSHËM I UêK’së DHE AKUZAT NDAJ DEMAêIT PËR PUê E TRADHËTI!) (8)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8527
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (HALITI ‘NUK MUND TA FITOJMË LUFTËN’! DEMAêI-‘LUFTËN E KEMI NISUR PËR TA FITUAR’!) (9)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8538
I was recommended this website by my cousin. I’m
not sure whether this post is written by him as nobody else know such detailed about my problem.
You’re incredible! Thanks!
Check out my blog post – خرید بک لینک
Thank you for any other informative site. The place else
may I am getting that type of info written in such an ideal way?
I have a challenge that I am simply now operating on, and I have
been on the look out for such info.
Понимая важность мобильного гемблинга в
современных реалиях, Легзо казино уделило особое внимание разработке удобного и функционального решения для игроков с мобильных устройств.