Durrës, 11 mars 2019: (Bedri TAHIRI, ATDHETARIZMI JETON NË PËRJETËSI, SHB “MESHARI”, Prishtinë, 2013) – Një një takim vëllezërish, si ky i sotmi, është zakon që ai që ka për të mbajtur ndonjë ligjeratë, ta nisë fjalën e tij me ndonjë urim. Por mua sepse më shtyn diçka së brendëshmi, pra nga thellësia e shpirtit që qysh në fillim të artikuloj një mallkim për të gjithë ata horra politikë që na ndanë për së gjalli dhe na shkaktuan aq brenga, dhimbje e vuajtje për dhjetra e dhjetra vjet me radhë, duke i hedhur krahëve historisë tonë një mantel të zi tragjik. Servantesi, duke i njohur mirë trillet e saj, thosh se “Historia është thesari i bëmave tona, dëshmuese e së kaluarës, shembull dhe mësim për të tashmen, paralajmërim për të ardhmen”.
Dhe ashtu sikurse gjithmonë nuk kanë munguar ata burra që e kanë pasur si divizë të shenjtë atë formulimin e Shilerit që thosh: “Turp e marre atij kombi që ngurron të sakrifikojë çdo gjë për nderin e tij”, edhe Kosova, sikurse çdo krahine tjetër të atdheut tonë të përbashkët, ka nxjerrë bij e bija të mençur që i kanë fiksuar me vërtetësi në letra e libra ngjarjet madhore dhe heronjtë e paharruar të tyre, pa të cilët Brehti e quante një vend, fatkeq.
Një nga këta është edhe shkrimtari i mirënjohur dhe i nderuar Bedri Tahiri, vepra e pashterur e të cilit, dhe tematika që ai trajton me aq profesionalizëm në to, është treguesi më i qartë jo vetëm i vlerave të tij të larta intelektuale por dhe i cilësive të tij të rralla morale dhe atdhetare. Mjafton t`i hedhësh një sy titujve të librave të shumtë që ai ka shkruar dhe menjëherë kupton se pas këtij burri të thjeshtë e të heshtur, qëndron një Njeri me zemër të zjarrtë dhe një qytetar plotësisht i ndërgjegjshëm për detyrimet që ka ndaj vendit e popullit të tij.
Protagonistët e librave të Bedri Tahirit janë figurat tona legjendare si Azem Bejtë Galica, Ahmet Delia, Hasan Prishtina, Adem Jashari, Hys Popova, Abdyl Krasniqi, Ramadan Zymer Bajraktari e shumë e shumë të tjerë nga ata që mbajtën ndezur “Flakadanët e lirisë”. Por shtjellohen aty edhe ngjarje kuptimplota, nga ato që me epikën e tyre e hijeshojnë biografinë e kombit tonë, na e shtojnë krenarinë dhe na bëjnë të ndihemi dinjitozë para syve të gjithë botës.
Është vendi të kujtoj se reputacioni që ky djalë i Drenicës, ky mësues i apasionuar i nxënësve të gjimnazit me emrin e dijetarit të madh “Eqrem Çabej”, ky veprimtar i UÇK-së, ky gazetar dhe shkrimtar i palodhur, gëzon në Durrës. Shokët dhe miqtë e shumtë që ai ka, veçanërisht mes elitës së këtij qyteti të lashtë, janë të mjaftueshme për të na pikturuar me ngjyra të gjalla portretin e tij, i cili në çdo aspekt ngjet me atë që përfytyronte Stefan Cvajgu se “Majën më të lartë njeriu e arrin atëherë kur jep shembullin e mirë.”
Por në këtë majë, ku me meritë ka hipur Bedriu, ka ditur të mbesë po ai, predikatori i virtytshëm që sikurse shprehet Prend Buzhala për librin e tij me tregime “Diferencimi”, ka si piksynim përtëritjen e rilindjes morale të shoqërisë, e cila e shndërruar në ideal e mban atë shoqëri në këmbë. Në funksion të këtij qëllimi, ai ka punuar edhe për shkruarjen e këtij libri që po paraqitet sot, të titulluar “Atdhetarizmi jeton në përjetësi” dhe që autori qysh në faqe të parë ua kushton “Sadri Kapitit dhe familjes së tij për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare.”
Nëqoftëse do sondohej në Durrës, të gjithë njëzëri do të ishin në një mendje se për familjen Kapiti duhet shkruar shumë, roli i tyre duhet vlerësuar dhe shembulli që ata dhanë në përkrahjen pa asnjë rezervë për luftëtarët e lirisë në Kosovë, u duhet bërë i njohur edhe brezave që do të vijnë.
Fati historik i Kosovës dhe i kosovarëve, paska qenë e thënë që të kalojë mes tymit e barotit, mes përpjekjeve të pareshtura për liri, të cilën Sandor Petefi e quante perëndi të shpirtit, gjë që si pakkund ka bërë që edhe njerëzit fare të thjeshtë të ngrihen në lartësinë e heroit. I tillë ishte dhe fisniku Sadri Kapiti nga Zallqi i Istogut, me prejardhje nga Medvegja që rrethanat e jetës, përbuzja për shtypjen dhe etja për dinjitet njerëzor e detyruan të largohet familjarisht dy herë radhazi drejt Shqipërisë, pa ditur se edhe atje, situata ishte po ajo, sidomos ngaqë komunistët, ashtu si derrat kanë të njëjtin turi. Sadriu luftoi trimërisht krahas 4000 luftëtarëve të antifashistit Shaban Polluzha nga Drenica, i cili duke qenë njëkohësisht edhe një kundërshtar i vendosur i shovinizmit u vra nga ushtria jugosllave në vitin 1945.
Edhe Sadriu, pasi i kishin vrarë nipin, u plagos në këmbë dhe në dorë dhe u shtrua në spital në Tiranë, ku plaga më e padurueshme për të qe kur pa me sytë e tij se ligjin edhe në Shqipëri e bënin emisarët jugosllavë. Në këtë situatë të dëshpëruar qëndron gjysmë i fshehur, gjersa ndodhi ajo prishja e njohur mes dy partive dhe vendeve “vëllezër”, pas të cilës shpresoi se do vinin ditë më të qeta për të dhe fëmijët e tij. Por kishte qenë veçse një iluzion, pasi regjimi i Enver Hoxhës çuditërisht i urrente njësoj kosovarët, duke e ngritur dyshimin tek ata në sistem. Përfundon fshatrave, ku ndeshte me njëmijë e një vështirësi e halle, të cilat sido që të ishin, asnjëherë nuk ia larguan mendjen dhe zemrën nga Kosova e tij e shtrenjtë, për të cilën gjithmonë thosh se atje më ka lindur kryet. Me këtë dashuri, ai rriti dhe edukoi edhe tetë fëmijët e tij, të cilët qëndruan në çdo rrethanë të bashkuar dhe kokëlart, ashtu sikurse shprehet autori i librit, si lisat e Kosovës martire.
Gjithë jetën, fëmijët e Sadri Kapitit nuk i turpëruan të parët e tyre dhe me ndershmërinë që i dallonte, fituan respektin e kujtdo që i njohu. Por, ajo që u dha atyre emrin që gëzojnë sot qe ndihmesa e pakursyer dhe vënia e gjithçkaje që patën, në dispozicion të luftës për çlirimin e Kosovës, sidomos duke strehuar dhe organizuar nisjen për në luftë të djemve dhe vajzave që vinin nga vende të ndryshme të Evropës, kur zëri i vendlindjes i thërriste.
Është frymëzues gatishmëria që treguan bijtë dhe bijat e Kosovës kudo që qenë, për t`ju bashkuar pa asnjë rezervë radhëve të asaj ushtrie që me gjakun e saj shkroi faqe lavdie. Rruga impononte që të kalonin nga Shqipëria dhe kryesisht nga Durrësi, ku Kapitët vunë në shërbim të tyre, gjithë çka patën. Hoteli modest i tyre, atje buzë detit Adriatik, pa asnjë urdhër a dekret qeveritar, u shndërrua në shtëpinë e tyre të përbashkët, ku ata pasi merrnin pagëzimin e parë luftarak, niseshin drejt vendlindjes, ku e dinin se nuk po shkonin për të martuar motrat a vëllezërit, por ku, si ata spartanët e vjetër, i thërriste kushtrimi i stërgjyshëve dhe zëri vajtues i Atdheut.
I kam parë me sytë e mi, rreshtat e tyre të pafund duke dalë nga ajo që sot me të drejtë mund të quhet Tempulli i Kapitëve dhe kam ndjerë emocione të paprovuara. Të rinj, të bukur, të pastër, të qetë, të vendosur, pa asnjë shenjë frike në fytyrat burrërore dhe me besim të patundur se po bënin më të mirën, ata të përcjellë nga burrat dhe gratë e përlotura e familjes Kapiti, hipnin pa zhurmë në autobusët që kishin ardhur për t`i marrë. Buzëqeshnin dhe përshëndesnin pa e ditur në do të shiheshin më, ashtu sikurse shumë prej tyre duke luftuar heroikisht ranë dëshmorë të atdheut dhe u kthyen në lapidarë. Ashtu sikurse së bashku me ta, ranë dhe nga ata trima jo kosovarë, si djali nga Kavaja, Indrit Cara, që vullnetarisht la Anglinë ku qe vendosur prej kohe, duke u bërë simbol i shqiptarizmit dhe duke i dhënë më shumë nder shoqatës “Skënderbegasi” që unë drejtoj.
Shkrimtari Bedri Tahiri, me fakte, dëshmi, vrojtime personale dhe dokumente, në librin e tij na rrëfen se si edhe një shtëpi e thjeshtë dhe e vogël, kur ka të zot njerëz me zemër të madhe, mund të shndërrohet në Panteon lirie. Ai ka ditur të ndërthurë bindjen e tij me ato të personaliteteve të shquara të fushave të ndryshme që kanë vlerësuar kontributin e kësaj familjeje dhe që e gjetën plotësisht të arsyeshme që lajmin e mezipritur të Pavarësisë së Kosovës tonë të dashur, ta përjetonim pikërisht mes tyre. Ishte një ditë e paharruar, pasi për të gjithë shqiptarët po çelej një kapitull i ri për të cilin ishin përpjekur me të gjitha mundësitë që patën, breza të tërë. Ishte një ditë ku u zbatua porosia e Bajram Currit “ Edhe Zoti në qiell në pastë gjykue, / Kosovën mos ma leni me lëngue…”
Kjo është edhe arsyeja pse autori i librit e gjen të udhës që të qortojë indiferentizmin e pushtetit ndaj asaj që bëri familja e Sadri Kapitit dhe propozon që Hotel “Drenica” të bëhet Muze, propozim të cilit i janë bashkuar edhe shumë individë dhe shoqata të ndryshme, pasi kështu nderohet e gjithë Kosova, Shqipëria dhe epopeja që shkroi me gjak UÇK- ja.
Bedri Tahiri, është treguar i kujdesshëm që gjithë veprimtarinë e familjes Kapiti të mos e shkëpusë nga konteksti historik, nga qëndrimi tejet njerëzor e dashamirës i të gjithë shqiptarëve ndaj Kosovës dhe sidomos gjatë kohës që egërsia e vandalëve serbë i detyroi të strehohen në Shqipëri. Nuk është në natyrën tonë të përmendim mikpritjen, dhe as të mburremi se mikun e kemi të shenjtë, por kur i referohemi çeljes së dyerve dhe zemrave tona për vëllezërit tanë, e bëjmë këtë vetëm për të ilustruar faktin se asgjë nuk ka mundur dhe nuk do të mundë ta cënojë sado pak dashurinë tonë për Kosovën dhe kosovarët.
Ne shqiptarët, ndofta jemi populli që e kemi kthyer në kult institutin e mirënjohjes. Nderojmë me përulësi si Lordin Bajron që tha pak fjalë inkurajuese për ne, si miken e madhe zonjën Edit Durham që iu kushtua aq trimërisht e ndershmërisht çështjes tonë kombëtare, si presidentin Willson që na mbrojti diplomatikisht nga coptimi, ashtu edhe atë Klinton që udhëhoqi aleancën ushtarake kundër hordhive barbare të Arkanit dhe Millosheviçit në kohët moderne. Por, kjo nuk na pengon aspak që të vërtetat t`i shohim në sy dhe me objektivitet, gjë që ngrihet si preokupim në publicistikën e librit të Bedri Tahirit.
Ku është parë e dëgjuar që pas prerjes së dorës gjakatare të përbindëshit, masakruesit të grave, pleqve dhe fëmijëve, zjarrvënësit dhe shkatërruesit më të keq se hunët e Atilës në mesin e shekullit V, t`i bëhet nderi për ta ulur në tavolinë bisedimesh si të barabartë me ata që pa asnjë faj u bënë viktima të çmendurisë së tij, dhe më tej, t`u lutesh atyre me respekt apostolik që po e panë të arsyeshme, ta njohin pavarësinë e Kosovës?
Si mund të heshtin para kësaj të vërtete trishtuese, intelektualët në radhë të parë, por edhe njerëzit e thjeshtë, bijtë dhe nipat e atyre që pa asnjë urdhër, por veç me organizimin instinktiv që vinte nga dashuria për atdhe dhe trimëria e trashëguar nga betejat e lavdishme të Gjergj Kastriotit, 100 vjet më parë, linin vatrat dhe e mbanin vrapin atje në Shkodrën që lëngonte nga lakmitë dhe mizoritë e serbo – malazezëve, ku me krenari s`e kishin për gjë të jepnin edhe jetën?
Por, aspak e drejtë është edhe tutoria fyese ndaj popullit të Kosovës, sikur këta njerëz krenarë dhe plotësisht të qytetëruar, të ishin fiset e egra primitive të ishujve Filipine që zbuloi Ferdinand Magelani, ku dhe e vranë në 1521. A nuk ishte vallë evropian edhe i dituri Deni Didero që thosh me aq finesë se “Dy kapitenë mbysin një anije”?
Si mund të pranohet që kosovarët të diskriminohen dhe të pengohen për të lëvizur lirisht nëpër Evropë? Si mundet që ata që drejtuan një nga luftërat më të drejta, tërësisht mbrojtëse, të dërgohen në Tribunalin e Hagës, thuajse ishin ata agresorët që me urë në dorë ju turrën Serbisë? Si mund të quhet normale që lloj- lloj shtrembanikësh të përbaltin me shpifje monstuoze, deri edhe për trafik organesh, luftëtarët tanë të lirisë, kur te ne edhe në mesjetë, Kanuni e trajtonte si sakrilegj të rëndë keqtrajtimin e kundërshtarit?
Eh, sa pyetje më vinë ndërmend, herë si ushtarak, herë si jurist, herë si shkrimtar e herë thjesht si shqiptar, por nuk mund të dalë nga ato çka e ka parë të arsyeshme të shtrojë në librin e tij Bedriu. Unë e di se Sofokliu, poeti tragjik i lashtësisë greke, ai që i dha shumë hapësirë gjendjes psikologjike, qysh 25 shekuj më parë thosh “Për dashuri, jo për urrejtje kam lindur”. Por si mund të duam ata që i mbushën këto fusha e kodra me varre? Si mund të mos i mallkojmë ata dhe si mund të heshtim për të drejtat tona, se kështu e dashka diplomacia dhe politika e kançelarive të Evropës?
Ky shqetësim del fare i qartë edhe tek libri “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”. Sikurse shpërfaqet edhe në gjithë publicistikën e Skënderit, njerit nga djemtë e Sadri Kapitit, i cili i vazhdon përpjekjet e tij për Kosovën tani në paqe, me artikujt e tij të shumtë dhe që Bedriu herë pas here i analizon me kompetencë në shkrimet e përfshira në këtë libër. Ai, e ka quajtur me të drejtë Skënderin “Një botë e tërë e pazbuluar”. Të tillë janë djemtë e Sadri Kapitit, emrin e të cilit, ju të nderuar miq, ia keni vënë në Vushtrri, rrugës Nr. 171.
Dhe tani që një rrugë tjetër, ajo e Kombit, na ka afruar kaq shumë fizikisht, duhet që edhe qeveritarët tanë, sikurse apelon dhe Bedri Tahiri, të mos reshtin asnjë çast, së kërkuari bashkimin tonë përfundimtar. Ky është vullneti i palëkundur i cilitdo shqiptar, kudo që të ndodhet dhe për këtë të drejtë, duhet ta ngremë pa pikën e drojës zërin sa të tunden edhe malet. Evropa që na ndau, duhet ta shlyejë gabimin e madh që bëri me ne. Kurse ne, e kemi paguar me një çmim shumë të shtrenjtë realizimin e aspiratës të gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, duke mos ngurruar të sakrifikojmë shumë, vetëm e vetëm për të mos u turpëruar kurrë para historisë, sikurse mësonte Shileri i madh dhe siç shihet edhe në çdo libër të punëtorit të palodhur, mikut tonë Bedri Tahiri.