DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): ALEATËT TANË DHE LUFTA QË DUHET TË BËJMË NE NË KOSOVË

Pashtriku, 20 mars 2019: Diplomacia ndërkombëtare, me në krye atë Amerikane, po punon me të gjitha “bateritë” e saj për zgjidhjen e problemit të Kosovës sa më shpejt e sa më drejtë, për të ndaluar sa më parë dhunën serbe. Është rasti i dytë në histori që SHBA – të po i dalin në mbështetje kombit shqiptar, pavarësisht se qeveritë shqiptare kanë qenë mosmirënjohëse.
Të gjithë e dimë se Shqipëria ekzistuese është rrjedhojë e vendimit të Presidentit Amerikan Willson, i cili në Janar të vitit 1920, në Konferencën e Paqes në Paris, i quajti të pavlefshme të gjitha variantet e propozuara nga Fuqitë e Evropës dhe deklaroi se njihte kufijtë e vitit 1913 ( pa shqiptarët e Kosovës e të viseve të tjera, jashtë këtyre kufijve). “Presidenti Willson … u përgjegj me dy nota me të cilat mbronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetqeverisje .. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë që kemi sot”, deklaron Fan Noli.
Qysh atëherë njihet Shqipëria si shtet i pavarur. Mirëpo, ne shqiptarët nuk kemi ditur të përfitonim nga ky rast fatlum, edhe kur na erdhi përsëri historia në takim. Gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore, thjesht për shkaqe ideologjike, braktisëm përkrahësin tonë më të madh dhe u mbështetëm tek një komb tjetër i madh i cili ishte aleat me lidhje gjaku e feje me armiqtë tanë historikë, ndërsa më vonë, kur ata na e shtrinë përsëri dorën, ne shkuam veçse te islamikët.

Junik, 24 qershor 1998: takimi i ambasadorit amerikan, Richard Holbrooke me UÒªK-në, (në foto me Hajdin Abazin – Lum haxhiun).

Dhe ja përsëri, në këtë moment deçiziv, SHBA arrijnë të takohen me përfaqësuesit e UÇK – së, duke e njohur atë de fakto, pavarësisht nga shprehjet diplomatike. Më, historia nuk na vjen në takim, prandaj ta kuptojmë mirë dhe të mbështetemi tek shteti dashamirës i ynë e t’i qëndrojmë atij besnik, pasi shtetet e fuqishme Evropiane i lidhin interesa të vjetra e të ndryshme me fqinjët tanë, prandaj dhe kanë qënë të pa afta për t’u marrë vesh midis tyre për krijimin dhe ekzistencën e shtetit Shqiptar, sipas parimit komb e shtet.
Liria fitohet forcërisht
Kuptohet që SHBA nuk mund të dalin haptas qysh në fillim për pavarësinë e Kosovës, pavarësisht se të gjitha gjasat të çojnë drejt saj dhe, për këtë qëllim ,ato po i mëshojnë realizimit gradual të pavarësisë, nëpërmjet rrugës diplomatike. Mirëpo historia botërore tregon se asnjë shtet nuk ka arritur ndonjëfarë suksesi vetëm nëpërmjet rrugës diplomatike, pa i mbështetur kërkesat e veta me anë të forcës, gjë e cila u vërtetua edhe në politikën gati 10 vjeçare paqësore të Rugovës. Tash ka ardhur momenti, të cilin e përgatitën serbët nëpërmjet terrorizmit të tyre shtetëror, që të bëhet realitet edhe forca e Kosovës. Kjo është UÇK-ja. Vetëm shtimi e forcimi i vazhdueshëm i UÇK-së do t’i detyrojë serbët të pranojnë kërkesat shekullore të shqiptarëve të Kosovës.
Krijimi i UÇK -së tregon se Kosova është ngritur në këmbë jo për t’u grindur, por për të luftuar kundër pushtuesit serb; jo për t’u mburrur me të parët e saj, por për t’u treguar vet burra e trima në sy të të gjithë Evropës e botës, pasi nuk po diskutohet më për humbje të lirisë, por po rrezikohet ekzistenca e tyre si komb. Kjo luftë do të nxjerrë në shesh se sa vlen për kosovarët çdo qytet, çdo fshat, çdo pëllëmbë toke dhe çdo kosovar. Në këto kushte, forcat politike në Kosovë, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti në asnjë rast nuk duhet të pranojnë bisedime me Milosheviçin pa qenë të pranishëm përfaqësuesit e UÇK-së. Ashtu sikundër Serbia posedon armata ushtarake, ashtu dhe pala kosovare do të ketë këtej e tutje krahun e vet të armatosur, UÇK-në, në të kundërt bisedimet nuk mund të zhvillohen në kushte të barabarta, pasi, sikundër u shpreha më lartë ,asnjëherë nuk mund të arrihet sukses në të tilla bisedime pa u mbështetur në një forcë të caktuar.
UÇK-ja, një realitet
Problemi tjetër që ka dalë në lidhje me UÇK-në është ai i vënies së saj nën kontrollin e forcave politike. Për këtë qëllim duhet të ketë një koordinim midis forcave politike në Kosovë, përsa i përket drejtimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës e mundesishtë të mos i lihet ky drejtim një force të vetme poltike, pasi përvoja tregon se kur Ushtria Çlirimtare është nën kontrollin e një partie të vetme politike, mbas mbarimit me sukses të luftës, kjo parti ose do të vendosi diktaturën e saj, ose do të bëhet shkak për luftë civile. Për këtë qëllim, ose duhet vënë në aktivitet Kuvendi i Kosovës, ose të krijohet një Grup Koordinativ me pjesmarrjen e të gjitha forcave politike kosovare ,ku të caktohen organet drejtuese të UÇK -së, si dhe detyrat e saj, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të vendoset pas çlirimit një pushtet i vërtetë demokratik.
Bazuar në sa më sipër mund të themi se Lufta në Kosovë nuk mund të fitohet pa UÇK-në. Ajo është e do të jetë arma kryesore për arritjen e objektivit kryesor : Pavarësinë e Kosovës. Kjo ushtri sot do të përdoret për çlirimin e Kosovës dhe nesër për mbrojtjen e saj. Për këtë qëllim qysh sot asaj duhet t’i jepet karakter tërësisht popullor, pasi anëtarët e saj janë populli i thjeshtë, të cilët e krijuan atë në luftë e sipër e duke luftuar dhe nuk po trashëgon asgjë nga ndonjë ushtri e vjetër. Pra, UÇK-ja, me sa kuptojmë, është një unitet organik, pasi i gjithë populli po merr pjesë aktivisht në luftë kundër pushtuesit serb.
Lufta guerile është domosdoshmëri
Në këto kushte lind pyetja se ç’lloj lufte duhet të aplikoi UÇK-ja? Në një shkrim të mëparshëm kam thënë se për të kaluar në kryengritje te armatosur, duhet filluar me luftën guerile. Por përsëri lind pyetja tjetër: Pse luftë guerile? Sepse, Kosova, duke qenë e pushtuar ushtarakisht nga serbët, për gati një shekull, nuk mund të ngrihet e të sulmoi menjëhere frontalisht e në front të rregullt forcat e organizuara ushtarake e moderne serbe, pasi armiku, tash për tash, është më i fuqishëm ushtarakisht e teknikisht. Në këte rast vetëm nëpërmjet luftës guerile bëhet e mundur kthimi i më të dobëtit në më të fortë dhe kthimi i më të fortit në më të dobët. Kjo realizohet për shkak të qëllimit të luftës dhe kohëzgjatjes së saj. Qëllimi i më të dobëtit ështe Liria dhe Pavarësia, ndërsa i më të fortit (në rastin tonë i sërbit) është shtypja e lirisë së kosovarëve për të mos i lejuar të fitojnë pavarësinë e Kosovës.
Me luftë guerile duhet të kuptojmë një luftë që edhe mund të zgjasi, pasi fati i saj nuk përcaktohet nga një, dy a tre luftime a operacione ushtarake, por ajo do të vazhdojë pa ndërprerje, me mënyra e forma gjithnjë më të reja, që për armikun do të jenë të papritura dhe që nuk do të mund t’u kundërvihet me sukses. Kjo do të sjellë dobësimin gradual të epërsisë së gjithanëshme ushtarake të serbëve, duke u rritur gradualisht epërsia në shkallë taktike e UÇK-së e më vonë në atë operative e strategjike. Në këtë mënyrë zgjidhet problemi në planin ushtarak: nga më të dobët gradualisht kthehemi në më të fortë.
Pikënisia duhet të jetë epërsia taktike e UÇK – së , e cila konsiston në marrjen dhe mbajtjen e inisiativës së përhershme për ta goditur armikun me forca më të shumta e më të fuqishme në pikën më të dobët të tij, atje dhe atëherë ku repartet e ushtrisë serbe nuk e presin. Mund të na ndodhi që do të duhet të goditet armiku në një moment të caktuar e në një vend të caktuar, por nuk do të kemi mundësinë që të sigurojmë epërsi forcash në shkallë operative, atëherë duhet hequr dorë nga luftimi në shkallë operative dhe ta organizojmë atë në shkallë taktike ose në një shkallë të vogël taktike, në dy a tre pika ,ku në çdo rrethanë mund të sigurojmë epërsinë numerike mbi formacionet serbe, në vendin dhe në kohën e caktuar.
Me epërsi numerike duhet të kuptojmë raportin e forcave, i cili është një nga ligjësitë e luftës. Ky raport, në rast se duam të fitojmë, duhet të jetë në çdo rast nga ana e jonë, pasi është vendimtar për fitoren. Me këtë duhet të kuptojmë që në rajonin vendimtar të luftimit (atje ku duam të japim goditjen kryesore) duhet të afrojmë sa më shumë forca që të jetë e mundur. Duke siguruar epërsinë taktike ne kundërballancojmë dobësinë tonë në shkallën strategjike, deri sa të arrijmë epërsinë tonë edhe në shkallë operative e më lart.
Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se aktualisht UÇK- ja është më e dobët se ushtria serbe në shkallë strategjike, por kjo nuk duhet ta pengoi UÇK-në që t’u organizoi prita kollonave të armikut e ta godasi atë në pikat më të dobëta të tij, në kohën dhe në vendin që do të zgjedhin forcat e UÇK-së, duke iu paraqitur reparteve serbe me fuqi më të madhe e duke ndërtuar një raport forcash me epërsi dërrmuese. Kështu do të realizojmë dobësimin gradual të kundershtarit tone.
Cila është ushtria sërbe
Në pamje të jashtme ushtria serbe duket si një forcë e pamposhtur, por në fakt ajo është një ushtri e trëmbur dhe e konsumuar nga lufta në Bosnjë e tash në Kosovë, si dhe e rënë moralisht, pasi ushtarët e saj çdo ditë e më shumë po e kuptojnë se po bëjnë një luftë të padrejtë, luftë për interesat e një klase të caktuar serbe. Gjithashtu morali i saj vazhdon të bjerë çdo ditë si rrjedhojë e mos përkrahjes ndërkombëtare, gjë që e çon drejt izolimit total të saj. Si rrjedhojë lufta guerile e popullit kosovar atë ushtri do ta degradojë edhe më shumë, prandaj themi se kjo lloj lufte është e vetmja mënyrë për të kaluar në kryengritje të armatosur.
Format kryesore të luftës sonë
Cilat do të jenë format kryesore të luftës që do të zhvillojë populli kosovar në përgjithësi dhe UÇK-ja në veçanti?
Për asgjësimin e këtij armiku, që kemi përballë, forma kryesore e të luftuarit duhet të jetë lufta e konsumimit pjesë-pjesë të armikut. Vetëm kështu lufta e popullit kosovar do të vijë duke u forcuar gradualisht dhe nga më të dobët do të shndërrohemi në më të fortë. Aksione guerile në të gjithë Kosovën, kjo është metoda e vetme me anën e së cilës populli i Kosovës mund të fitojë kundër ushtrisë së organizuar serbe. Kuptohet se kjo lloj lufte kërkon kohë të gjatë, gjë që arrihet vetëm nëpërmjet luftës të të gjithë popullit kosovar.
Themi aksione luftarake, sepse ky lloj luftimi është luftim i shkallës taktike dhe zhvillohet me forca jo më shumë se disa batalione dhe jo më pak se një njësit a skuadër guerile, të cilat kanë pë të goditur një objektiv taktik të armikut për nga madhësia, por që mund të jetë edhe strategjik nga rëndësia. Aksioni fillon kur forcat partizane sulmojnë dhe përfundon kur këto forca ia arrijnë qëllimit, i cili mund të jetë asgjësimi i një postblloku, i një poste policie, i një heliodromi, i një bazë ushtarake, i një a disa depove ushtarake, i një kolone, i një treni ushtarak, i një ure etj.
Aksionet duhet të zgjasin disa minuta deri në një orë, por jo më shumë. Në të kundërt i japim kohë armikut që të përmbysi raportin e forcave, pasi ai i ka të gjitha mjetet e nevojshme për këtë qëllim.
Që të mundësohet konsumimi pjesë-pjesë i armikut, lloji kryesor i luftimit është e duhet të jetë sulmi dhe jo kundërsulmi, i cili lind nga mbrojtja. Themi sulmi sepse ai lind nga mbajtja gjithmonë e nismës në duart e guerilasve kosovarë, në të kundërt ajo nuk është luftë guerile. Vetëm me anë të sulmit mund të arrijmë konsumim in pjesë-pjesë të armikut.Për këtë qëllim çdo formacion luftarak i UÇK-se dhe çdo luftëtar në veçanti , duhet të dallohet nga shpirti sulmues.
Nga lajmet në Kosovë mësojmë se shumë fshatra janë çliruar e po mbrohen nga forcat e UÇK-se dhe ato të fshatrave, sikundër është fshati Bardhi i Madh (Bellaçefci). Shumë mirë, por të mos harrohet se mbrojtja në luftën guerile nuk ka karakterin e mbrojtjes pozicionale. Mbrojtja e fshatrave të bëhet, por ajo të zgjasë deri sa të mos rrezikohet asgjësimi i forcave te UÇK-së. Pra, të mos u rezistohet për kohë gjatë forcave të shumta të armikut.
Në këto raste mbrojtja duhet të ketë karakter shumë të përkohshëm dhe gjithnjë të jetë e mano- vrueshme e aktive. Në të tilla raste, kur armiku do të ketë epërsi forcash, ai të goditet në pikat strategjike, ku parësore të jetë ç’ organizimi i furnizimeve serbe, pasi kështu e paralizojmë më shpejt armikun si dhe në shkatërrimin e rezervave të afërta të tij, duke e goditur në pikat më të dobëta, para se ai të fillojë sulmin.
Mbrojtja e jonë
Tipari dallues i UÇK-së duhet të jetë mbrojtja strategjike e popullit të Kosovës nëpërmjet veprimeve luftarake sulmuese të shkallës taktike (aksione), për të kaluar pastaj në veprime sulmuese të shkallës më të lartë. Vetëm në këtë mënyrë UÇK-ja do të behet një ushtri sulmuese.
Luftëtarët kosovarë nuk duhet të presin t’i sulmojë policia dhe ushtria serbe, por ta kërkojnë ata armikun; të zbulojnë pikat më të dobëta të tij dhe ta sulmojnë atë në atë vend, në kohën dhe me forcat që dëshirojnë ata, luftetarët e UÇK-së. Pra, njësitet dhe repartet guerile e kanë qysh në fillim nismen taktike, e mbajnë dhe e zhvillojnë këtë nisme. Duke u mbështetur në këtë parim, ato përgatisin marrien e nismës edhe në shkallë opera- tive e më lart.
Armiku e humbet nismën taktike kur ai asgjësohet pjesë-pjesë nga sulmet e UÇK-se, sepse sulmet e vogla e të shumta, në shumë vende, në shumë drejtime dhe të pandërprera të luftëtarëve të UÇK-së do ta detyrojnë ushtrinë serbe të qëndrojë e bllokuar, dhe kështu nuk do të jetë ushtria serbe ajo që do i diktoi vullnetin e saj UÇK-së, por do të jetë UÇK-ja ajo që do t’i diktoi vullnetin e saj armikut serb, me veprimet e saj taktike e me sulme të pandërprera.
Çasti më i mirë për të sulmuar është kur formacionet ushtarake serbe të mos kenë mundur të fillojnë sulmin, por kur janë të përqendruara, pasi në këto çaste ato kanë pak mundësi për të kundërsulmuar. Pra, në çdo çast të kemi parasysh teorinë e boksierit: nxite kundërshtarin të të sulmojë, në këtë mënyrë ai do t’i ketë të dy “duart” e zëna, kështu që një nga “duart” e tua do të jetë e lirë. Çdo formacion i UÇK-së, i çfarëdo shkalle qoftë, po kaloi në mbrojtje pasive dhe nuk e kërkon e nuk e sulmon armikun, pa tjetër që do të dështojë në veprimet e veta, do të shpartallohet ose një ditë do të asgjësohet nga armiku. Formacioni gueril, kur është gjithmonë në lëvizje ,kur e kërkon dhe e sulmon vazhdimisht armikun, mund të arrijë qëllimin taktik për asgjësimin e armikut pjesë-pjesë dhe fuqia e vetë sulmuese do t’i shtohet vazhdimisht. Gjithmonë duhet me qenë në lëvizje të përhershme. Të evitohet qëndrimi i gjatë në një vënd i formacioneve të UÇK-së, e të mos mjaftohemi me një a dy sulme.
“Rilindja”, 3 Korrik 1998

_________________

Nga faqet e librit “Rruga që më çoi në radhët e UÇK-së”!
DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): AKSIONET (E ARMATOSUR) DUHET TË ZHVILLOHEN NË TË GJITHË KOSOVËN (26 QERSHOR 1998)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8589

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura