ALBANOFOBIA SERBE

ALBANOFOBIA SERBE

Nga Xhelal Zejneli, Shkup –  5 shtator  2023 

Albanofobia, përkatësisht ndjenjat antishqiptare, në Serbi janë tejet të përhapura.  Urrejtja ndaj shqiptarëve më së shpeshti ndërlidhte me konfliktin serbo-shqiptar. Albanofobia manifestohet në stereotipat dhe në paragjykimet negative ndaj popullit shqiptar si dhe në diskriminimin e shqiptarëve. Po qe se ndërlidhet me bindjen se shqiptarët janë një lloj race inferiore, atëherë albanofobia merr edhe formë racizmi. Ndjenjat antishqiptare manifestohen edhe në përdorimin e emrit “shiptar – shiptari” (šiptar – šiptari), formë e sllavizuar e etnonimit shqiptar, që për shkak të konotacionit negativ në gjuhën serbe, konsiderohet ofenduese.    

Gjatë historisë, shumë intelektualë serbë kanë propozuar projekte antishqiptare të ndryshme. Midis tyre janë: Vlladan Gjorgjeviqi (1844-1930), Jovan Cvijiqi (1865-1927), Vasa Çubrilloviqi (1897-1990), Ivo Andriqi (1892-1975) e të tjerë.

*   *   *

Shkrimtari dhe analisti serb Mirko Gjorgjeviq* (1939-2014) vjen në përfundim: “Janë bërë qindra memorandume, plane për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kur t’i shfletoni këto zgjidhje, qofshin ato komuniste, shtetërore apo kishtare, lehtë do të vëreni se të gjitha planet kanë qenë – çështja e Kosovës të zgjidhet në atë mënyrë që atje të mos ketë shqiptarë”.

Shënim: Profesori i letërsisë Mirko Gjorgjeviq kritikoi lidhjet e Kishës Ortodokse Serbe me nacionalizmin serb.       

*   *   *

            Albanofobia në Principatë e Serbisë  – Fillimet e propagandës antishqiptare datojnë kah fundi i shekullit XIX. Kjo propagandë ndërlidhet me pretendimet e shtetit serb ndaj territoreve të Perandorisë Osmane të banuara prej shqiptarëve ose më saktë – ndaj territoreve të shqiptarëve që kanë qenë nën sundimin osman. Pas luftës ruso-turke dhe zgjerimeve territoriale të Principatës së Serbisë në vitin 1878, pasojnë: dëbimi masiv i dhunshëm i shqiptarëve nga territoret e aneksuara, nga qarku i Toplicës, dikur të banuar prej shqiptarëve; si dhe djegia e fshatrave shqiptare dhe e lagjeve urbane të banuara me shqiptarë. Disa autorë këtë e kanë quajtur: Dëbim i muhaxhirëve nga Serbia. Sipas disa të dhënave, ka pasur serbë  prominentë që kanë qenë kundër dëbimit apo internimit të popullsisë shqiptare. Por, lidhur me këtë, kryetari i qeverisë serbe Millan Piroqanac (1837-1897) deklaron: “Po t’i lëmë shqiptarët këtu, do të na shkaktojnë kokëçarje”.

            Shënim: Millan Piroqanac ishte shkolluar në Universitetin e Hajdelbergut (Heidelberg), në Universitetin e Parisit dhe në Beograd.      

*   *   *

Shtimi i mëtejmë i ndjenjave antishqiptare ndërlidhet me pretendimet në politikën e jashtme të Principatës së Serbisë, të përvijuara në “Naçertanien” (1844) e Ilija Garashaninit (1812-1874), që kanë të bëjnë me rajonin e Kosovës, të Maqedonisë perëndimore dhe të Shqipërisë veriore, të banuara me popullsi shqiptare apo kryesisht me popullsi shqiptare. Autorët serbë i paraqesin shqiptarët si dhunues dhe si uzurpues, duke i potencuar “krimet e tyre ndaj serbëve gjatë periudhës osmane”. Popullsinë shqiptare në Sanxhakun e Pazarit të Ri (më vonë: Novi Pazar), në Kosovë dhe në Maqedoni ata e paraqesin si një lumë vërshues që ka dalë nga shtrati i vet, të cilin Serbia do ta kthejë në kufijtë e “Shqipërisë së vërtetë” (prave Arbanije).      

               Albanofobia në kohën e Mbretërisë së Serbisë – Akademiku serb Jovan Cvijiq mbronte qëndrimin e daljes së Mbretërisë së Serbisë në det nëpër territorin e Shqipërisë, që ndodhej nën sundimin e Perandorisë Osmane.

            Në fillim të shekullit XX, albanofobia në serbi filloi të shtrihet me të madhe. Ajo ishte e ndërlidhur ngushtësisht me politikën e jashtme të Mbretërisë së Serbisë që synonte daljen në detin Adriatik, d.m.th. nëpërmjet viseve shqiptare, në portin e Durrësit. Në atë kohë, “argumente” për daljen e Serbisë në det nëpër Shqipëri paraqitnin shumë politikanë dhe intelektualë serbë. Gjeografi i njohur serbomadh Jovan Cvijiq mbronte të drejtën e Serbisë ndaj Shqipërisë veriore, përkundër faktit se në ato vise s’kishte serbë fare. Ai thotë:

           “Për shkak të pavarësisë ekonomike të vet, Serbia patjetër të ketë dalje në detin Adriatik dhe në një pjesë të bregdetit shqiptar: qoftë me marrje territoresh, qoftë duke fituar në atë rajon të drejta ekonomike dhe të drejta qarkullimi. Këtu kemi të bëjmë me marrjen e një rajoni që në pikëpamje etnografike vërtet është e huaj, por ky rajon medoemos të merret për shkak të interesave ekonomikë tejet të rëndësishëm, pikërisht për shkak të nevojës jetësore”.

Shqiptarët e Kosovës dhe të veriut të Shqipërisë Cvijiqi i përshkruan si përzierje, serbë të shqiptarizuar, përkatësisht serbë të kamufluar, të cilët vetëm me mimikri i imitojnë shqiptarët e vërtetë. Me këtë, ai e ka relativizuar përparësinë etnike të shqiptarëve dhe i ka mbështetur pretendimet e shtetit serb për rajonet e tyre. Në periudhën e viteve 1906-1918 ai krijoi një seri hartash me të cilat i arsyetonte pretendimet serbe në rritje ndaj rajoneve jugore. Hartat etnografike të Cvijiqit, këtij antishqiptari të përbetuar, të botuara në vitet 1906, 1909 dhe 1913 dallohen ndër vete dhe i kanë përcjellë nevojat e politikës së jashtme të shtetit serb. Në hartën e viti 1909, në krahasim me atë të botuar në vitin 1906, dukshëm është pakësuar prania e shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore. Në hartën e viti 1913, prania e shqiptarëve është reduktuar në mënyrë dramatike, madje edhe në Shqipërinë veriore.      

            Propaganda serbe i ka dehumanizuar shqiptarët në mënyrë të vazhdueshme. I ka paraqitur si të paaftë për ta qeverisur veten. I ka paraqitur si element i egër të cilin duhet çrrënjosur.

Në përhapjen e paragjykimeve ndaj shqiptarëve printe kryetari i atëhershëm i qeverisë serbe Dr. Vlladan Gjorgjeviqi (1844-1930). Në librin e tij Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha(Arnauti i Velike sile, Beograd, 1913), ky i konsideron shqiptarët racë inferiore. Shqiptarët i paraqet si “njerëz të egër të cilët nuk kanë histori, lëkurëkuq evropianë që flenë nëpër dru me bishtat të lidhur për degë”. I propozon Evropës që mos ta humbë rastin “për t’i ndarë këta njerëz të padisiplinuar midis Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi”.

Qeveria e Mbretërisë së Serbisë mbronte pikëpamjen se shqiptarët “nuk janë kurrfarë populli; ata janë fise të ndara dhe në gjak midis tyre, pa gjuhë, pa alfabet dhe pa fe të përbashkët”. Ideologët dhe politikanët serbomëdhenj konsideronin se “vetëm me ndikime kolonizuese, përkatësisht duke i përfshirë shqiptarët dhe territoret e tyre në shtetin serb, do të bëhej e mundur përfshirja e tyre në jetën e qytetëruar”. Shtypi serb përhapte stereotipa për shqiptarët si për “njerëz të egër, të paaftë për jetë shtetërore të pavarur”. Shumë dijetarë serbë, para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, tentonin ta dëshmojnë paaftësinë e shqiptarëve për ta krijuar shtetin e vet, duke thënë se “fiset shqiptare nuk kanë nevojë për shtet, as kanë zotësi të konstituohen në komb, ndaj atyre u nevojitet tutori”.

Socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq (1881-1914), në librin e vet “Serbia dhe Shqipëria” (Srbija i Arbanija, 1914), pikëpamjen e këtillë të politikanëve serbë e sulmon në mënyrë kritike:                         

 “Balkanicus-i (Stojan Protiqi – Xh. Z.) dhe Dr. Vlladani (Vlladan Gjorgjeviqi – Xh. Z.) kanë shkruar nga një libër me synimin e qartë për ta dërmuar të mjerin popull shqiptar dhe për ta dëshmuar paaftësinë e tij për jetë të kulturuar dhe kombëtare. Për të dëshmuar se ky popull si racë nuk ka kuptim për jetë të kulturuar dhe të pavarur, këta dy, çdo gjë primitive te ky popull, e paraqesin jo si shprehje e shkallës historike në të cilën ndodhet ai dhe nëpër të cilën kanë kaluar të gjithë popujt e tjerë, por si shprehje e papërshtatshmërisë racore të tij për një zhvillim kulturor në përgjithësi… Pasioni i Balkanicus-it (Stojan Protiqit – Xh. Z.) në nënçmimin e popullit shqiptar si racë shkon deri aty saqë rolin historik të Skënderbeut ia vesh prejardhjes së tij nga Voisava e cila paskësh qenë gjoja serbe”.

Shënim: Stojan Protiqi (1857-1923) ka qenë një prej themeluesve të Partisë Radikale Serbe; është përpjekur për krijimin e Serbisë së Madhe. Është i pari kryeministër i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Historiani britanik Noel Malcolm (1956- ) u referohet kujtimeve të skulptorit kroat Ivan Meshtroviq (Vërpole, Kroaci, 1883 – South Bend, Indiana, ShBA, 1962) sipas të cilit Protiqi, si ministër në qeverinë serbe, në vitin 1917 kinse paska propozuar që problemi i myslimanëve të Bosnjës “të zgjidhet” me anë të një programi të kryqëzimit apo të kthimit në fenë e krishterë si dhe duke kryer masakër. Në kujtimet e veta Meshtroviqi e citon Protiqin: “Pasi ushtria jonë ta kalojë Drinin, do t’u japë turqve një afat prej 24 apo 48 orësh që të kthehen në gjirin e fesë të të parave të tyre. Ai që do ta refuzojë një gjë të tillë, do të masakrohet asisoj siç kemi bërë dikur në Serbi”.             

*   *   *

Në vigjilje të Luftës së Parë Ballkanike, mbreti i Mbretërisë së SKS, Petar I Karagjorgjeviq (1844-1921), më 1912 ka nxjerrë një komunikatë në të cilën thotë se ushtria e tij do t’u sjellë “liri, vëllazëri dhe barazi jo vetëm serbëve por edhe shqiptarëve”. Pas kësaj, ushtria serbe është nisur për ta pushtuar Shqipërinë, duke kryer ndaj popullsisë shqiptare krime të rënda.

Dimitrije Tucoviqi thotë se shtypi shovinist në Serbi “muaj dhe vite të tëra ka përhapur për popullin shqiptar mendime tendencioze, duke mbjellë te populli serb urrejtje ndaj ‘arnautëve të egër’ dhe duke i fshehur si gjarpri këmbët, mizoritë që i ka kryer ndaj tyre ushtria serbe”.

Pas pushtimit të Kosovës nga Mbretëria e Serbisë, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera jashtë Shqipërisë, u ballafaquan me politikën e serbizimit të dhunshëm. U ndalua përdorimi i gjuhës shqipe, u ndërmor kolonizimi i trojeve shqiptare dhe pastrimi etnik i tyre.

*   *   *

            Shqiptarët nën Mbretërinë e Jugosllavisë; Serbizimi, kolonizimi i Kosovës dhe dëbimi i shqiptarëve – Gjatë periudhës së Mbretërisë së Jugosllavisë, diskriminimi i shqiptarëve ka qenë politikë zyrtare e shtetit. Qeveria e Beogradit me masa të ndryshme u përpoq ta ndryshojë strukturën etnike të Kosovës. Mijëra familje shqiptare u deportuan me dhunë për në Turqi. Njëherazi, qeveria e Beogradit zbatoi një program të gjerë të kolonizimit të Kosovës, duke sjellë aty serbë dhe malazezë, sidomos ish-ushtarë ose pjesëtarë të aradheve çetnike.       

            Akademikudhe politikani serb Vasa Çubrilloviq, propozoi dëbimin masiv të shqiptarëve. Vendbanimet e shqiptarëve i përshkruan në mënyrë të figurshme si “pykë e ngulur thellë në tokat tona”. Në vitin 1937 shkroi një memorandum për qeverinë e Millan Stojadinoviqit (Çaçak, Serbi, 1888 – Buenos-Aires, 1961) me të cilin propozon që “problemi shqiptar” të zgjidhet me pastrimin etnik total të Kosovës prej shqiptarëve. Çubrilloviqi  thotë: “Është detyrë imperative e shtetit që të mos lejojë që tokën e tij me rëndësi strategjike ta mbajë në dorë një element i huaj që për ne është armiqësor”. Ai e kritikon kolonizimin serb joefektiv të deritashëm të Kosovës dhe propozon metoda më efektive të dëbimit fizik të popullsisë shqiptare. Ky gjakpirës thotë se “gabimi themelor i faktorëve përgjegjës për zgjidhjen e problemeve etnike ka qenë fakti se në Ballkanin e trazuar dhe të përgjakshëm, kanë tentuar të zbatojnë metoda perëndimore”.Në vend të kësaj, ai thotë se problemi duhet zgjidhur në mënyrë ballkanike: “Është e pamundur që arnautët të luftohen vetëm me kolonizim të shkallëshkallshëm. E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e pushtetit të një shteti të organizuar, ku ne gjithmonë kemi qenë përmbi ta”.

            Çubrilloviqi niset nga pikëpamja se e vetmja mënyrë efikase e zgjidhjes së “çështjes shqiptare” është “shpërngulja masive e arnautëve”. Për ta realizuar dëbimin masiv të shqiptarëve, ai propozon një sërë mjetesh trysnie. Së pari, të krijohet psikoza. Për këtë duhet gjetur agjitatorë të cilët do të agjitojnë për shpërnguljen. Po ashtu, “duhet bërë për vete klerin shqiptar si dhe njerëzit me ndikim, qoftë me para, qoftë me kanosje”. Mjet tjetër është trysnia e aparatit shtetëror i cili, “për ta bërë sa më të vështirë jetesën e arnautëve te ne, duhet t’i shfrytëzojë deri në skajshmëri ligjet”. Për këtë qëllim, Çubrilloviqi i propozon qeverisë së Mbretërisë së Jugosllavisë: “gjoba, arrestime, zbatim të pamëshirshëm të të gjitha dispozitave policore, ndëshkim të kontrabandës, ndëshkim për prerjen e pyjeve, për lëshimin e qenve, angazhim në punë angarie dhe çfarëdo mjeti tjetër që mund t’i shkojë ndër mend një policie praktike”. Krahas trysnive policore, Çubrilloviqi propozon edhe presione ekonomike: “mosnjohje të tapive të vjetra, pezullim të punës në kadastër, mbledhje të pamëshirshme të tatimeve dhe të të gjitha borxheve publike dhe private, marrja e kullotave shtetërore, e kullotave komunale, suprimimi i koncesioneve, i lejeve të punës për kafenetë, për tregtitë, për zanatet, konfiskimi i lejeve monopoliste, dëbimi nga shërbimi apo puna shtetërore, private dhe vetadministruese”, etj. Propozon edhe masa sanitare, si: “zbatim të dhunshëm të të gjitha dispozitave nëpër shtëpi, prishje të mureve dhe të rrethojave të larta përreth shtëpive, zbatim rigoroz të masave veterinere me të cilat do të parandalohej nxjerrja e bagëtisë në tregje”, etj. Dr. Çubrilloviqi propozon edhe trysni fetare në formë “të prishjes së varrezave, ndalimit të poligamisë dhe zbatimit rigoroz të ligjit që vajzat detyrimisht të ndjekin shkollën”.

Përpos trysnisë shtetërore, Çubrilloviqi propozon edhe forma të tjera presioni dhe thotë: “Edhe nisma private mund të bëjë shumë. Kolonëve duhet t’u jepet armë dhe në Kosovë të fillojë aksioni i çetnikëve. Midis malazezëve dhe shqiptarëve duhet të shkaktohen dhe të inskenohen konflikte dhe rebelim lokal të cilat, me mjete sa më efektive, do të shuheshin në gjak”.

Përpos mjeteve të sipërthëna të trysnisë mbi popullatën, Çubrilloviqi propozon edhe një mjet tjetër: “djegien e fshehtë të fshatrave dhe të lagjeve të arnautëve nëpër qytete; këtë formë trysnie Serbia e ka përdorur në mënyrë tejet praktike, pas vitit 1878”.

*   *   *

Shkrimtari serb Ivo Andriq (Travnik, BH, 1892 – Beograd, 1975) ka qenë ambasador i Mbretërisë së Jugosllavisë në Gjermaninë naziste. Në janar të vitit 1939, me kërkesë të kryeministrit Millan Stojadinoviq hartoi një projekt për ndarjen e Shqipërisë midis Jugosllavisë dhe Italisë. Sipas këtij projekti, Serbia do të duhej ta merrte Shqipërinë veriore dhe portin e Durrësit. Elaborati i Andriqit mban datën 30.I.1939. U hartua si “doracak përkujtues” për çështjen shqiptare për përdorim të brendshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në projektin e Andriqit thuhet:        

            “Me ndarjen e Shqipërisë do të eliminohej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila, në rrethana atë reja, do të asimilohej më lehtë. Eventualisht, neve do të na shtoheshin edhe 200.000 – 300.000 shqiptarë, por shumica e tyre janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë kurrë s’kanë qenë të mira. Çështja e dëbimit të shqiptarëve myslimanë për në Turqi po ashtu do të realizohej në rrethana të reja, për arsye se nuk do të kishte kurrfarë rezistence të fortë që të parandalohet një gjë e tillë”.

              Në të njëjtën kohë me projektin e Andriqit, më 3 shkurt të viti 1939 u shfaq edhe një projekt për pushtimin dhe për ndarjen e Shqipërisë. Edhe ky memorandum iu dorëzua qeverisë  së Mbretërisë së Jugosllavisë të kryeministrit Millan Stojadinoviq. Autor i këtij projekti ka qenë zyrtari i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme Ivan Vukotiq. Sipas tij, Jugosllavia dhe Italia do ta ndanin Shqipërinë nëpër vijën Strugë-Librazhd-Elbasan-Durrës. Me këtë, Serbia do të fitonte mbi 300 km të bregdetit shqiptar të Adriatikut. Në fund të referatit të vet, Vukotiqi thotë: “Më mirë të kemi një dritare italiane në Ballkan sesa një shtëpi shqiptare”.

*   *   *

Urrejtja serbe ndaj shqiptarëve gjatë Luftës II Botërore – Gjatë periudhës së luftës, urrejtja midis serbëve dhe shqiptarëve arrin kulmin. Në raportin e Komandës së Korpusit II të Çetnikëve dërguar komandantit të ushtrisë çetnike, gjeneral Dragolub (Drazha) Mihajlloviqit (1893-1946), çetnikët deklarojnë: “Do të luftojmë kundër turqve (boshnjakëve – Xh. Z.) dhe shqiptarëve deri në shfarosjen e tyre. Urrejtja ndaj shqiptarëve dhe turqve i tërheq madje edhe ithtarët e komunizmit”.

 Shumë çetnikë, pas amnistisë në gusht të vitit 1944, iu bashkuan njësive partizane, duke ruajtur ndaj shqiptarëve qëndrimin armiqësor.        

            Menjëherë pas çlirimit të Beogradit, më 3 nëntor 1944 Çubrilloviqi ua paraqiti pushtetarëve komunistë projektin e vet të ri me titullin “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”. Këtë herë ai propozon shpërnguljen apo dëbimin nga Jugosllavia të të gjitha pakicave josllave. Kreut ushtarak dhe shtetëror më të lartë, Çubrilloviqi i propozon ekspatriimin (çatdhesimin) e miliona njerëzve. Sipas tij, kjo do ta kishte zgjidhur problemin e pakicave në Jugosllavi. Ai thotë se “Jugosllavia Federative Demokratike mund të ketë paqe dhe prosperitet vetëm kur të bëhet etnikisht e pastër dhe po qe se me zgjidhjen e çështjes së pakicave, njëherë e përgjithmonë i eliminon shkaqet e fërkimeve midis vetes dhe shteteve fqinje”. Çubrilloviqi thotë se “grupet minoritare në Jugosllavi siç janë gjermanët, hungarezët, shqiptarët, italianët, rumunët vetë kanë hequr dorë nga të drejtat e tyre qytetare, duke dalë haptas me qëndrim armiqësor ndaj shtetit në të cilin jetojnë. Për këtë arsye, ata duhet të dëbohen nga shteti ynë, ngase një gjë të tillë edhe e kanë merituar”              

        “Me rastin e zgjidhjes së problemit të pakicave, ne duhet me çdo kusht ta pushtojmë etnikisht Baçkën dhe Kosovën e Metohinë, duke flakur me këtë rast nga vendi ynë qindra mijë hungarezë dhe arnautë”.  

            Çubrilloviqi thotë: “Këto luftëra janë çasti më i përshtatshëm për zgjidhjen e këtyre problemeve. Për ta zgjidhur këtë çështje në kohë paqeje, nevojiten dekada dhe shekuj, ndërsa në kohë luftërash, çështja zgjidhet brenda ca muajve apo brenda ca vitesh”. Prandaj ai propozon: “Ushtria, qysh gjatë operacioneve luftarake, t’i pastrojë këto vise nga pakicat kombëtare, me plan dhe në mënyrë të pamëshirshme. Pas kësaj, në këto rajone do të vendosej elementi kombëtar yni”.

            Sipas Çubrilloviqit, aleatët, me t’u bindur se pakicat janë fajtorë për miliona viktima jugosllavë gjatë Luftës II Botërore, do të pajtoheshin me këtë aksion.

Po qe se shpërngulja apo dëbimi i plotë nuk realizohet me sukses, Çubrilloviqi para shikon masa plotësuese, siç janë: “suprimimi i të gjitha të drejtave, çelja e kampeve të grumbullimit, konfiskimi i pasurive të tyre, shpartallimi i inteligjencies dhe i klasave të larta”.

Çubrilloviqi është i vetëdijshëm se për këtë projekt nevojiten mjete financiare dhe njerëz të besueshëm, por edhe organizim në shkallë institucionale. Për këtë arsye, ai propozon edhe themelimin e një ministrie të posaçme apo të paktën të një komisariati pranë Ministrisë së Bujqësisë.

Shënim: Në vitin 1987, në 90-vjetorin e lindjes, Vasa Çubrilloviqi u dekorua nga Kryesia e RSFJ-së me shpërblimin “7 Korriku”. Në cilësinë e Kryetarit të Kryesisë së RSFJ-së, shpërblimin e nënshkroi Sinan Hasani (Pozharan, Kosovë, 1922 – Beograd, 2010).                

*   *   *

            Albanofobia në Jugosllavinë komuniste – Pas rezolutës së Informbirosë të viti 1948, shqiptarët në Jugosllavi u trajtuan si element armiqësor dhe si spiunë të Shqipërisë së Enver Hoxhës (1908-1985). Qëndrim brutal ndaj shqiptarëve ka pasur sidomos Aleksandar Rankoviqi (1909-1983), i cili ishte shef i Drejtorisë Shtetërore të Sigurisë (Uprava državne bezbednosti – UDB-a).    

Pas demonstratave të shqiptarëve në Kosovë në vitin 1981, në Serbi fillon një propagandë e organizuar për gjoja gjenocidin ndaj serbëve në Kosovë. Fabrikohen raporte për përdhunimin e serbeve, për shpërnguljen e serbëve etj. Shpërnguljen e serbëve nga Kosova, nacionalistët serbë e paraqesin si pasojë trysnie. Këtë e shfrytëzojnë si dëshmi se shqiptarët, serbëve që janë në shtetin e vet, u shkaktojnë padrejtësi të madhe. Kah mesi i viteve 1980, diskursi i urrejtjes në mediumet serbe, përqendrohet ndaj shqiptarëve. Kah mesi i viteve 1980, pranë emrit shqiptar përdoren fjalët: “gjenocid”, “zullum”, “grabitje”, “përdhunim”. Përmendja e shqiptarëve edhe në diskursin privat mori një konotacion negativ.

            Shënim: Duhet shtuar se asnjë serb i kohës së lartpërmendur nuk është shpërngulur nga Kosova për shkak të ndonjë trysnie të kryer prej shqiptarëve. Ka pasur ndonjë serb që ka shkuar nga Kosova për t’u vendosur në Beograd apo në Vojvodinë, pra aty ku standardi jetesës ka qenë më i  lartë. E shfrytëzuar nga Serbia që nga viti 1912 e këndej, Kosova kishte mbetur rajoni më i pazhvilluar i Jugosllavisë. Si e tillë, kishte serbë që në një Kosovë të ngecur, nuk shihnin perspektivë, ndaj shkonin atje ku pandehnin se është më mirë.                    

*   *   *

Në vitin 1985 u botua vepra “Libër për Kosovën” (Knjiga o Kosovu). Autor i këtij libri është historiani serb Dimitrije Bogadanoviq (1930-1986). Teza themelore e këtij libri është “Shqiptarët zbatojnë ndaj serbëve gjenocid të planifikuar”. Në libër flitet për të kaluarën dhe për gjendjen politike në Kosovë. Libri ka një qëndrim tejet kritik ndaj politikës zyrtare të Jugosllavisë që nga fundi i viteve 1960. Në të vërtetë, autori akuzon autoritet e Kosovës – të mbizotëruar prej shqiptarëve – “për separatizëm shqiptaromadh dhe për politikën e ndjekur në dëm të popullatës serbe, e cila si pasojë po shpërngulet në Serbinë qendrore”. Libri vjen pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Konflikti serbo-shqiptar pas këtyre demonstratave, ka qenë çështje politike kryesore në Jugosllavinë e asaj kohe. Libri i këtij pseudohistoriani është konsideruar si një prej veprave të para që i ka formuluar tezat “për pozitën e pabarabartë të serbëve në Jugosllavinë e atëhershme”. Tezat e tilla do të përpunohen në mënyrë më të hollësishme një vit pas botimit të librit të Bogdanoviqit. Ka autorë që thonë se libri i Bogdanoviqit, për shkak të stereotipave antishqiptare, qenkësh bërë objekt kritike.

Në vitin 1986 u botua anonim “Memorandumi” i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Ky memorandum, demonstratat e Kosovës të vitit 1981 i quan “agresion neofashist”.

Pseudoakademikët serbomëdhenj, autorë të Memorandumit famëkeq, thonë: “Ndaj popullsisë serbe në Kosovë zbatohet gjenocid fizik, politik, juridik dhe kulturor”. Në këtë farë memorandumi, shqiptarët paraqiten si “zjarrvënës apo intrigantë, vrasës, përdhunues dhe nekrofilë”. Pas disa viteve, një komision ekspertësh i Kombeve të Bashkuara, këtë memorandum e vlerësoi si mjet i përhapjes së ndjenjave antishqiptare”.                     

            Shënim: Demonstratat e viti 1981 në Kosovë janë një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar. Ndërkaq, sa u përket autorëve serbomëdhenj që thonë se pas vitit 1966, ndaj serbëve në Kosovë qenkësh bërë padrejtësi, trysni deri në gjenocid, kjo s’është veçse gënjeshtër e kulluar. Është pjesë e propagandës gebelsiane serbomadhe. Më 13 korrik 1966, Josip Broz Tito, në një plenum të mbajtur në ishullin Brioni, e shkarkoi nga të gjitha detyrat antishqiptarin e përbetuar Aleksandar Rankoviqin. Serbomëdhenjtë kanë dashur që rankoviqizmi të sundojë në Kosovë, me metodat çubrilloviqiane, deri në pafundësi. Serbët, barazinë e të tjerëve, e konsiderojnë pabarazi për veten.

*   *   *

            Në vitet ’80 të shekullit XX, mediumet shtetërore, e sidomos Radiotelevizioni i Serbisë, qëllimisht përhapnin dezinformata apo informata të rrejshme për gjoja dëmet ndaj serbëve në Kosovë, duke përfshirë edhe përdhunimet e serbeve. Për të përhapur pasqyrë negative për shqiptarët, këto farë mediume nuk reshtën së zhvilluari fushatë antishqiptare.     

            Albanofobia në periudhën bashkëkohore – Prej viteve ’90 të qindvjeçarit XX, në saje të propagandës së regjimit të S. Millosheviqit (1941-2006), shqiptarët bëhen “armiq” më të mëdhenj të serbëve. Për përhapjen e ndjenjave antishqiptare, ka dhënë një kontribut të madh edhe Kisha Ortodokse – fashiste – Serbe. Kjo farë kishe, shqiptarët i quan, jo “albanci”, por “shiptari” (šiptari). Kur shkruajnë për shqiptarët, autorët kishtarë kryesisht i theksojnë anët e këqija të tyre, duke i përshkruar si përdhunues dhe keqbërës.

            Gjatë viteve 1998 dhe 1999, pushtetarët serbë zbatuan fushatën e pastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova, të njohur si operacioni “Patkua”.        

            Në aktakuzënkundër udhëheqësve serbë për krime lufte në Kosovë, thuhet: “Policët, ushtarët dhe eprorët ushtarakë, vazhdimisht i kanë fyer shqiptarët, i kanë ofenduar si racë, i kanë nënçmuar, kanë përdorur masa fizike dhe forma të tjera të përbuzjes, të bazuara në përkatësinë racore, fetare dhe politike të tyre”.    

            Profesoresha e historisë në Fakultetin Filozofik të Beogradit Olivera Millosavleviq (1951-2015)thotë: “Intelektualët bashkëkohorë serbë për shqiptarët shkruajnë kryesisht në kuadër të stereotipave për urrejtjen ‘e lindur’ të tyre ndaj serbëve, që qenkësh produkt ‘i vetive’, ‘i primitivizmit’ dhe ‘i hajdutërisë’ së tyre”.    

*   *   *

            Shkrimtari dhe akademiku serb, kryetar i RFJ-së në vitet 1992-1993, Dobrica Qosiq (1921-2014) është konsideruar pater patrieae. Nuk figuron si një prej hartuesve të Memorandumit të ASShA-së të viti 1986. Megjithëkëtë, ai është ati shpirtëror i këtij projekti. Ka të kryer shkollë të mesme bujqësore si dhe kurs për komisar në Shkollën politike “Gjuro Gjakoviq”. Në vitin 1966 iu kundërvu shkarkimit të Aleksandar Rankoviqit nga Titoja. Pushtetit të Titos iu kundërvu kah fundi i majit të vitit 1968, kur në seancën e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë deklaroi: “Ndaj serbëve në Kosovë ushtrohet terror dhe dhunë. Këtë e bëjnë shqiptarët që marrin pjesë në pushtetin e Kosovës”. Pohimet e tij u dënuan prej Komitetit Qendror. Ai u largua vetë nga LKJ-ja dhe hiqej si disident kundër Titos.         

Sidomos pas Kushtetutës së vitit 1974 të RSFJ-së, ky dhe akademikët e tjerë serbë filluan të vajtojnë “për fatin e rëndë të serbëve në Jugosllavi”. Qosiqi tha: “Atë që serbët e fitojnë me luftë, e humbin në paqe”.

Për shqiptarët Qosiqi ka thënë: “Kjo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit barbar tribal, e merr për aleat Amerikën dhe Bashkimin Evropian në luftë kundër popullit më demokratik, më të qytetëruar, më të arsimuar të Ballkanit – popullit serb”.        

*   *   *

            Pas hulumtimit të kryer “Pasqyrë e raportimit për Kosovën në mediumet e  Serbisë”, Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut deklaron: “Për gjendjen në Kosovë, mediumet e shkruara raportojnë njëanshëm dhe në mënyrë jo të plotë. Me diskursin e urrejtjes,  paragjykimet ndaj shqiptarëve, edhe ashtu të mëdha, i forcojnë akoma më shumë”  

            Sipas hulumtimit të Strategjik marketing të viti 2009 për diskriminimin dhe distancën sociale në Serbi, shqiptarët, në krahasim me grupet e tjera etnike, në mënyrë konsekuente ndodhen në fund të listës.

            Në Serbi, gjeneratorë të urrejtjes ndaj shqiptarëve janë edhe shoqata të ndryshme të skajshme apo ekstremiste si dhe grupet e tifozëve. Urrejtje e skajshme ndaj shqiptarëve manifestohet haptas nëpër tribunat e stadiumeve të futbollit si dhe në tubimet e organizatave profashiste, siç është Lëvizja Atdhetare Fytyra / Nderi (Otaçastveni pokret Obraz) që dalin me parullat: “Vra, ther që shqiptari të mos ekzistojë”, “Serbia serbëve, shqiptarëve sëpata”, “Vraje shqiptarin”, “Vraje kroatin që shqiptari të mos ketë vëlla” (Ubij Hrvata da Šiptar nema brata).          

*   *    *

                Kah fundi i viteve ’80 të qindvjeçarit XX e më pas, rrugës së serbomëdhenjve të sipërthënë ecën Sllobodan Millosheviqi dhe Voisllav Shesheli.Rrugën e tyre po e ndjek me përpikëri pinjolli i tyre Aleksandar Vuçiqi. Politika destruktive e tyre është mbështetur fuqimisht nga Vlladimir Putini dhe Sergej Llavrovi. Ka bar për marrëzinë serbe – veçimi apo izolimi i plotë nga bota perëndimore. Edhe ashtu, Beogradi i ka sytë kah vendet e BRIKS-it.

———————

SNOBIZMI

Nga Xhelal Zejneli, Shkup – gusht 2023 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura