Pashtriku.org, 03. 11. 2012 – (Në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë) – Gjatë vitit 1929, Hugo A. Bernatzik, etnolog dhe hulumtues nga Austria, i pajisur me një tendë kampimi, me një barkë dhe me një aparat fotografik Ikon, për disa muaj me radhë, i ra trup e tërthor Shqipërisë së asaj kohe, duke udhëtuar herë me qerre të drunjta të tërhequra nga buaj a qe, e herë me kuaj samari, varësisht nga terrenet nëpër të cilin kishte kaluar, ndërkaq një viti më pas, e boton librin: „Albanien: Das Land der Schkipetaren“, Vienë (1930), libër ai i ribotuar edhe dy herë të tjera gjatë të të njëjtit vit, prandaj, tashmë në rrethanat kur gjendemi në prag të kremtimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, jo rastësisht, e pashë të udhës për t`iu rikthyer realitetit të ekzistencës së shtetit shqiptar mbështetur në hulumtimet dhe përshkrimet e Bernatzikut kushtuar Shqipërisë së vitit 1929-të.
Hugo A. Bernatzik, etnolog dhe hulumtues nga Austria.
…………………………………………….
Një popull me karakteristika të theksuara burrërore
Në librin „Shqipëria: Vendi i Shiqptarëve“, pos përshkrimit të rethanave në të cilat gjendej Shqipëria dhe banorët e saj, janë të botuara edhe edhe 93 fotografi, pamja e të cilave na rikthen në realitetin e një vendi Ballkanik, të sapo dalë, si nga kthetrat e okupimit pesëshekullor osman, ashtu edhe nga përpjekjet dhe përjargiet e më vonshme të fqinjëve të ritit ortodoks: serbë, malazezë e grekë, qoftë për t`i okupuar dhe përvetësuar territoret shqiptare, qoftë për ta zhbërë kombin shqiptar si të tillë, popuj ata, të cilët, në sajë të përkrahjes së Fuqive të Mëdha evropiane të atyre kohëve, arritën t`i okupojnë e përvetësojnë më tepër se gjysmën e territoreve shqipëtare në të cilat jetonin po ashtu më shumë se gjysma e shqiptarëve në tërësi.
Në hyrjen e librit, në mbështetje të argumenteve shkencore të kohës së tij, Bernatzik shkruan për shqiptarët dhe prejardhjen e tyre, për gjuhën, për historinë, për traditën, për luftërat dhe përpjekjet për t`u çliruar dhe për t`u mvetësuar etj., në mbështetje të argumenteve shkencore të kohës së tij, argumente ato, të cilat, as sot e gjithë ditën nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim të dukshëm. Krahas kësaj ai thekson se banorët e asaj bote të harruar bregore (Shqipërisë) janë pasardhësit e pa përzier të ilirëve të stërvjetër indo-gjermanë, pasardhës ata, që u ndikuan edhe nga rrymat kulturore, si të periudhës së vonë romake, ashtu edhe nga depërtimet sllave, e në veçanti nga ato të Perandorisë osmane, për të vënë në pah se, ndonëse është vështirë të flitet për një pastërti gjaku të papërzier, është i pa diskutueshëm fakti se ata në vargamalet e bjeshkëve të tyre fortifikata, e krijuan dhe e ruajtën një kulturë të veçantë – kulturën shqiptare, brenda së cilës frymon një grimcë antikiteti, një grimcë mesjete, e, paksa orient, por, mbi të gjitha, në të cilën reflektohet shumë e shumë shqiptarizëm.
Vepra: „Albanien: Das Land der Schkipetaren“ – „Shqipëria: Vendi i Shiqptarëve“.
……………………………………………..
Bernatzik për herë të parë e kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1914-të, në kohën dhe në rrethanat, kur Fuqitë e Mëdha e kishin dërguar Princ Vidin për t`i vënë bazat e shtetit shqiptar, ndërkaq për së dyti, kishte shkuar në Shqipëri në cilësi të oficerit të Armatës së Austrisë, në periudhën e Luftës së Parë Botërore, kur veriun e Shqipërisë e kishte okupuar Austria, ndërsa pjesët tjera shtetet e Antantës.
Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri në cilësi të oficerit, i kishte ripërtrirë miqësitë e krijuara si fëmijë në periudhën e Revolucionit xhonturk në Kosntatinopojë, me bijtë e oficerëve shqiptarë, të cilët kishin shërbyer në Gardën e truprojeve të Sulltanit të fundit turk – Abdyl Hamitit, gardë ajo e përbërë kryesisht prej oficerëve shqiptarë, e, të cilët, pas krijimit të Shtetit të pavarur shqiptar – Mbretërisë së më vonshme, ishin kthyer në atdheun e tyre.
Ai e përmend faktin se gjatë qëndrimit në Shqipëri kishte kaluar shumë ditë më shokët e fëmijërisë, dhe, shton se, që nga ajo kohë, nuk e kishte lënë të qetë dëshira për ta vizituar sërish Shqipërinë, deri sa përfundimAisht në vitin 1929-të, i pajisur me një tendë fushimi, me nje barkë të lehtë lundruese dhe me aparat fotografik Ikon, arrin në Shqipëri për ta njohur me themel, siç e thotë, atë vend të veçantë dhe banorët e tij të guximshëm. Ai konstaton se Shqiptarët janë një popull me karakteristika të theksuara burrërore, të guzimshëm, të ndershëm, mikpritës, një popull, i cili, i dha Perandorisë osmane gjatë shekujve, oficerët ndër më të mirët, i dha burrashtetas të njohur, nëpunës, ndërmarres etj.
Shqipëria e vitit 1929-të, në pjesët agrare të saj udhëheqej nga bejlerët-çifligarë, ndërsa në ato kodrinore – malore nga krerët e fiseve dhe nga kodet zakonore tradicionale, pra, siç del nga analizat e Bernatzikut, Shqipëria e asaj kohe me një sistem juridik gjysmë anadollak gjysmë evropian, me stafe nëpunësish dhe me pushtetarë të korruptuar, me një arsimim të sapo filluar, fitohet përshtypja se akoma nuk kishte arritur të shkëputej tërësisht nga sistemi çifligaro – feudal. Ai thekson se e tërë sipërfaqja tokësore në pjesën agrarë të Shqipërisë, ishte në pronësi të disa bejlerëve çifligarë, tokë ajo, të cilën ua jipnin me qira bujqve të varfër, në cilësi të çifçinjve. Në vazhdim ai, flet për nevojën e reformave ekonomike, e, në atë atë kuptim, edhe për shpronësimin e bejlerëve dhe për dhënien në pronësi të sipërfaqeve tokësore të të gjithë atyre që e punonin tokën për të vënë theks në faktin se Shqipëria e asaj kohe thuaja shumicën e prodhimeve ushqimore i importonte nga Italia. Mbi të gjitha ai ve në dukje se në Shqipërinë e asaj kohe bënte kërdinë sëmundja e malarjes anë e kënd vendit, sepse kënetat e shumta nuk ishin përtharë, ndërkaq në Veriun e vendit krahas malarjes, rreth gjysma e meshkujve të vdekur gjatë nje viti, ishin viktima të gjakmarrjes, asaj plage të pa sheruar, për fat të keq, as sot e gjithë ditën edhe në Shqipërinë e ditëve tona. Ai ve në pah se tradita e gjakmarrjes nuk ishte e mundur të evitohej as me ligjet e aplikuara e as me dënimet e dhëna. Në vazhdim ai flet për tolerancën fetare. Katolikët, të krishterët ortodoksë dhe muslimanët banojnë e jetojnë në paqe së bashkut, e madje shpeshherë në të njëjtin fshat. Viktima të acarimeve mes religjioneve nuk ekzistojnë në Shqipëri, e madje për shqiptarët mospajtimet për shkakt të besimeve janë të pa pranueshme. Në një fshat të vogël malor të quajtur Shen – gjon e pashë një kishë që vizitohej prej qindra njerëzish. Vendi para Kapellës me një platformë të gurtë ishte i përmbushur me njerëz të të gjitha besimeve. Mesha mbahej mbi një gur nën qiellin e hapur.
H. A. Bernatzik, para tendës së tij – gjatë vitit 1929.
……………………………………………………….
Shqipëria udhëhiqej nga „një mbret operetash“
Zhvillimet e mëvonshme në Shqipëri, ishin të lidhura ngusht me Ahmet Zogun, veprimet e të cilit, sipas Bernatzikut, më se njëherë e bënë të qartë se ai më shumë kishte prirje prej intriguesi se sa aftësi prej politikani. Ai thekson se Ahmet Zogu, i lindur si trashëgimtar pronash të vogla tokësore, gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore e arrin gradën e oficerit të Legjionit Austriako-shqiptar, por, ndodh që, në bazë të dyshimit të bazuar se Zogu fshehtas kishte bashkëpunuar me armikun, Austria përfundimisht e kishte internuar. Ndërkaq, në vitin 1923 përmes ndihmës së të atit të të fejuares së tij nga Elbasani, i cili ishte një pronar i madh tokash dhe kishte ndikim, Ahmet Zogu emërohet kryeministër, por, më 1924 detyrohet të ikën nga Shqipëria për të gjetur strehim në Beograd, dhe, pasi që i kishte premtuar Qeverisë serbe pjesë nga territori i shtetit shqiptar, si dhe koncesione të tjera politike dhe ekonomike, Qeveria serbe i kishte dhënë mbështetje ushtarake për ta sulmuar Shqipërinë. Në atë mënyrë, Ahmet Zogu, më 24 dhjetor 1925, së bashkut me trupat serbe, të udhëhequra nga oficeret bellogardistë, të cilët pas kapitullimit të Rusisë, kishin mërguar në Jugosllavi, depërton në Shqipëri dhe e rrëzon qeverinë e Fan Nolit, i cili detyrohet të emigrojë në SHBA.
Pas sukseseve të arritura së bashkut me focat serbe, Ahmet Zogu më 31janar 1925 zgjedhet kryetar i Parlamentit shqiptar në Tiranë, kurse më 1 shtator të vitit 1928 shpallet Mbret i Shqipërisë. Dhe një prej veprimeve të para, që kishte bërë në cilësi të mbretit, thotë Bernatzik, ishte çfejesa me të bijën e beut-pronar tokash nga Elbasani, të atij që e kishte përkrahur për të bërë karierë politike. Pastaj thekson se çfejesa sipas traditës shqiptare paraqet ofendim, i cili mund të shpaguhet vetëm me gjakmarrje, ndërkaq, në atë kontekst përmend faktin se pikërisht ai i ofenduari, i ati i ish të fejuarës së Ahmet Zogut, kishte qenë i detyruar të qëndronte i mbyllur në shtëpinë e tij, i mbrojtur nga truprojat, nga se edhe ai mund të pësonte siç kishin kishin pësuar kundërshtarët politike të Zogut: Luigj Gurakuqi, në rrugët e Barit të Italisë, Hasan Prishtina, në Selanik etj., të vrarë nga vrasësit me porosi të Ahmet Zogut.
Në vazhdim Bernatzik thekson se Ahmet Zogut kishte nevojë për para, për shumë para për t` i arritur qëllimet e tij politike. Ashtu sikundër që i kishte premtuar Jugosllavisë shumë koncesione ekonomike e edhe pjesë të territorit, sapo e kishte arritur qëllimin për t`u bërë mbret, ai ishte orientuar në drejtim të Italisë. Në bazë të kontratave të bëra, si të vitit 1927, e, edhe më vonë, Zogu kishte marrë borxh mbi 50 milionë franga të arit nga Italia, sasi ajo që ishte rritur edhe më shumë, duke e bërë Shqipërinë të nënshtruar dhe të varur nga Italia, varësi ajo joshëse, e cila, pos qëllimeve të tjera, në njëfarë mënyre e nxit Italinë për ta okupuar Shqipërinë në vitin 1939-të.
Shqiptarët e përzënë nga Kosova
Shqipëria është i vetmi shtet në të cilin pjesë e madhe e popullsisë shqiptare që jetonte nën okupimin serb në Kosovë, ishte e detyruar të zhvendosej në Shqipëri thekson Bernatzik. Pastaj e përmend të dhënën se shumë shqiptarë nga Kosova, forcat serbo-malezeze i kishin përzënë gjatë dhe pas okupimit të Kosovës (1913). Bernatzik ve në dukje se shqiptarët e Kosovës e ruanin traditën dhe zakonet e tyre në Kosovë, dhe gjallëronin si në një ishull të rrethuar dhe të kërcënuar ditë për ditë nga shumica sllave, por kur ato këcënime ishin shëndrruar në likuidime masive ata detyrohen të shpërngulën në Shqipëri. Në vazhdim ai thekson se në territorin e Kosovës jetojnë ( në atë kohë) mbi 800 mijë shqiptarë, të cilët okupatorët sllavë i konsideronin si “turq”. Ai përmend faktin e asaj kohe se pos Kosovës, në Italinë jugore ekzistonin 120 mijë shqiptarë, në Greqi mbi 200 mijë shqiptarë, në SHBA rreth 50 mijë shqiptarë, në Rumani rreth 100 mijë shqiptarë dhe në Turqi mes 60 deri në 80 mijë shqiptarë. Përkundër këtyre konstatimeve, Bernatzik duket se nuk kishte pasur njohuri edhe për faktin se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve nga Kosova që në atë kohë strehoheshin në Shqipëri, ishin nga familjet e kaçakëve, të përzëna pas rënies së territorit të “Junikut neutral” për eleminimin e të cilit krahas serbëve herë pas herë kishin vepruar edhe xhandarrët e Zogut.
Shqiptarja nga Kosova duke tjerrë me furkën e saj dhe,
njëherit, duke përkundur foshnjën.
…………………………………………
Mikëpritja shqiptare e mbron të huajin në Shqipëri
Lidhur me pasigurinë e të huajve në Shqipëri, Bernatzik ve në dukje se në Evropë ekzistonin botëkuptime të gabuara, nga se në asnjë vend tjetër në Ballkan, vizitori i huaj nuk ndjehej më i sigurt se sa në Shqipëri. Mikëpritja shqiptare e ndihmon dhe e mbron të huajin në të gjitha rrethanat që ndodhet kudo në Shqipëri. Unë personalisht, thotë ai, muaj të tërë qëndrova larg vendbanimeve, pra, bëra një jetë kampimi (fushimi), e madje nuk pranova as ndihmën e ofruar nga policia dhe, askush nuk më pëngoj në vetminë time, pos legjitimimit që ma bënë policët shqiptarë herë pas herë. Por, në terrene malore herë – herë qarkullonin të ikurit nga gjakmarrja, por ata nuk zgjasin dorën në asnjë rrethanë ndaj pronave të huaja. Ata jetojnë sipas traditave të vendit nën përkrahjen e të njohureve të tyre. Për vendasit, përkundrazi siguria personale nuk përkon me atë të të huajve që shkojnë në Shqipëri. 4
Rreth jetës në fshatrat veriore përmend përdorimin e llampava me vajguri, por edhe përdorimin e drurit të pishës për të bërë dritë, pastaj flet për llojet e ushqimit të përditshëm, kryesisht prej prodhimeve qumështore, prej mishit etj., për bukën e misrit, si edhe për pijet dhe kafën e zezë turke. Bernatzik në veprën e tij rëndësi të posaçme u kishte kushtuar edhe llojeve të zogjëve¬ – shpendëve që jetonin në kënetat e shumta në Shqipëri, e në veçanti disa llojeve të rralla të pelikanëve.
Në përfundim, ia vlen të theksohet ky libër i botuar dhe i ribotuar disa herë të tjera 82 vite më parë, është një dëshmi e shkëlqyer si për mënyrën e jetës së shqiptarëve në Shqipërinë e asaj kohe, ashtu edhe për nismat e veprimit dhe të vënies së institucioneve të Shtetit shqiptar në fukksion të qytetarëve të tij.
Bernatzik në një përshëndetje lamtumirëse, pos tjerash, shkruante: Nëse ia kam aritur ta them të vërteten për Shqipërinë, besoj se ky do të jetë kundërshpërblimi për përpjekjet që bëra. E, pra, një kundërshpërblim dhe një kënaqësi të vërtetë ma ofroi mundësia e udhëtimit trup e tërthor nëpër këtë vend të pashkelur për të kaluar net të tëra buzë shkëmbinjve dhe kënëtave, për t`i shikuar majat e bjeshkëve, për t`i kundruar e përgjuar kafshët e këtij vendi dhe për të bashkëjetuar (për një kohë) me njerëzit e mirëfilltë të këtij vendi. Dhe, kur ngelen pas meje muret karstike të Durrësit dhe shikimi i im u zhyt në sipërfaqen e detit, e shpreha përshëndetjen time të ngrohtë dhe falenderuese me një ndjenjë dhimbjeje e përmallimi. Gjurmë të atij falenderimi të fundmë bartin edhe fotot dhe rreshtat e këtij libri.