PROF.DR.SHEVQET CANHASI: BAJRAM DAKLANI (1873 – 3 SHKURT 1923)

Baden-Baden (Gjermani), 27 mars 2019: Kur puna jonë më në fund po del në dritën e botimit, e ndjejmë për detyrim nderi të falënderojmë z. Prof. Thoma Kacori, dhe babain e tij për ndihmesën e pakursyer që na ka dhënë. Ne Thomain e gjetëm drejtues i lektoratit të gjuhës shqipe në Universitetin e Sofjes. Pas një kohe të gjatë në SHBA, babë e bir kishin vendosur të banonin në Bullgari. Në një bukurshkrim për lakmi, plaku i urtë i ruante përkthimet e shumë veprave të Shekspirit. Me përvojën e madhe në punë kërkimesh, ndihma që na kanë dhënë më 1976 në sigurimin e dokumenteve bullgare dhe përkthimin në shqip të tyre, ishte njëmend e pakursyer dhe e denjë për mirënjohje. Ajo përfshinte Lëvizjen çlirimtare të shqiptarëve në harkun kohor 1908-1912.
Një falënderim të veçantë na takon t’u shprehim recensorëve: z. Prof. dr. Hajredin Isufi, banues në Durrës, e z. Prof. dr. Shukri Rrahimi, banues në Shkup, për ndihmesën e pakursyer që kanë dhënë në shqyrtimin kritik e të hollësishëm të dorëshkrimit të monografisë, të vërejtjeve qëllimmira që kanë dhënë dhe për vlerësimin e lartë që i kanë bërë këtij punimi shkencor. Falënderojmë edhe zz. dr. Shkelzen e Korab Zajmi, që na ndihmuan me fototekën familjare të tyre, z. Gazmend Mula që përpunoi skicat dhe hartat e veprimeve luftarake të kryengritësve shqiptarë, z. Remzi Dobruna, zz. Shkelzen Gjini e Arben Rugova, zz. Afrim Deda e Kujtim Fejza, zz. Diamant e Ardian Skender Xharavina dhe të ndjerin Sahit Isuf Mula me të gjithë miqtë e dashamirët, që na janë gjendur e na kanë mbështetur në përgatitjen për botim të këtij punimi shkencor.
A u t o r i
Botim i Revistes: DRITA nga Treleborg Suedi *2017

***
Këtë studim monografik për Bajram Daklanin, njërin nga heronjtë e fazës së fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në mungesë të shtatores së merituar a të qendrës përkujtimore familjare, ua kushtojmë: Nënë Baftishahes, vëllezërve të Bajramit: Eminit, Mustafës, Beqirit, Mehmetit dhe motrave të tyre, Esmasë e Zelihasë. Ky monument shkencor le t’u shërbejë si ngushëllim edhe trashëgimtarëve të tjerë të familjes Daklani, sidomos nipit Rasim Ibrahim Junikut, filateristit të pasionuar e drejtuesit të Postës së Kuksit, për shënimet e nxjerrura në biblioteka nga veprat letrare dhe burimet arkivore, së toku me ato gojore, vjelur prej bashkëkohësve për dajën e tij, Bajram Daklanin.
***
Recensioni i Prof. dr. Hajredin Isufit e i Prof. dr. Shukri Rahimit për studimin Flakadani i lirisë, BAJRAM DAKLANI (1873-3 shkurt 1923).
Studimi monografik i Prof. dr. Shevqet Canhasit për Bajram Daklanin është i pari që i kushtohet përjashtimisht veprës së kësaj figure të rendit parësor të epokës historike, megjithëse jo aq të njohur në dije dhe në shënime, siç ka ndodhur edhe me personalitete të tjera.
Në periudha të mëhershme, studime të tilla kishin karakter kryesisht biografik e, brenda tre-katër kapitujsh, duhej të hapej e të mbyllej gjithçka. Personaliteti i Bajram Daklanit në studimin e Prof. dr. Shevqet Canhasit është vështruar brenda një kohe që ndryshonte me shpejtësi të mahnitshme, me kontekste historike, me larmi të pabesueshme, brenda ekuacionesh thuajse krejtësisht të panjohura, me një galeri personazhesh, që as në botimet enciklopedike nuk mund t’i gjesh, sejcili me fytyrën dhe individualitetin e vet.
Mendimet dhe veprimet e Bajram Daklanit lidhen me nisma, zhvillime, ngjarje personale e historike, fare pak të studiuara në shkencën historiografike shqiptare. Autorit i është dashur kohë e mund për vite të tëra të mbledhë fakte për këtë monografi: prej librash e botimesh, prej artikujsh e kujtimesh, prej burimesh serbe, bullgare, austriake e osmane, prej arkivash të ndryshme e prej shtypit të kohës.
Monografia e Prof. dr. Shevqet Canhasit i është kushtuar figurës së Bajram Daklanit, veprimtar parësor i çështjes shqiptare, mbrojtës i të drejtave të kombit të vet nga lakmia e shteteve fqinje shoviniste. Njeri me mendje iluministe, që la gjurmë historike në zgjidhje problemesh nga më të rëndësishmet, ai u bë protagonist i Lëvizjes kombëtare dhe personalitet i shquar në të. Vepra e Prof. dr. Shevqet Canhasit na kujton kështu se ende nuk ekziston një tekst i historisë politike të shtetit shqiptar dhe të burrështetasve të saj.
Autori i monografisë, me një përkushtim të heshtur, ka mundur të rikthejë me dinjitet në dritën e kërkimit shkencor një personalitet, që ka shkruar me veprim historinë e jetës së vet. Portreti i Bajram Daklanit në këtë monografi del me vështrime shumëkëndshe, me burime të shumëfarshme, me argumente të bashkërenduara, sipas një logjike historiografike të shëndetshme, duke mos e nxjerrë protagonistin jashtë kohës dhe duke mos e ndarë kohën prej jetës së tij. Bajram Daklani që gjejmë në këtë monografi i bën nder kombit tonë.
Libri i Prof. dr. Shevqet S. Canhasit Flakadani i Lirisë, BAJRAM DAKLANI është një freski në botën e lexuesve shqiptarë, që na vjen pas botimit të veprave shkencore të këtij autori produktiv “HAXHI ZEKË BYBERI (1832-1902) në Lëvizjen kombëtare shqiptare” (Prishtinë 2004) dhe “Pishtari i arsimit e i demokracisë NIMAN FERIZI (1883- 6 korrik 1937)”, Gjakovë 2015.
Në këtë studim trajtohet jeta dhe veprimtaria e Bajram Daklanit, që luftoi me pushkë e me pendë për çlirimin e Shqipërisë dhe bashkimin kombëtar të krahinave të saj, për shtetkrijimin dhe përparimin e gjithanshëm të saj. Libri, na bën të mundur të njihemi me një personalitet të shquar në rrjedhën e ngjarjeve shumë të rëndësishme e me peshë kombëtare, ndodhur në harkun kohor 1893-1923. Si i këtillë, libri është një studim me interes të veçantë, sepse deri më tash, ky personalitet i shquar thuajse ishte lënë pas dore në historiografinë tonë.
Veprimtaria kryengritëse e Daklanit pjesërisht është përfshirë te Prof. dr. Ramiz Abdyli në studimin dyvëllimësh të tij “Lëvizja Kombëtare Shqiptare 19081910, Libri 1, e 1911-1912, Libri 2, për çka i takon një meritë e veçantë, se ky është më i miri dhe më i ploti në historiografinë tonë për LKSh në Jug, në Veri e në Lindje. Prof. dr. Shevqet Canhasi në studimin e tij të durimshëm shumëvjeçar ka përmbushur në prerje të shkurtëra periudhën e mëhershme me kryengritjet shqiptare kundër Tanzimatit, Kryengritjen e “Mulla Zekës” 1893-1902, kur u vranë prej agjentësh të huaj Sahit Mula e Haxhi Zeka.
Studimi vijon me bëmat 30-vjeçare të Flakadanit të Lirisë, Bajram Daklanit, për shkollën shqipe, pjesëmarrjen në Lëvizjen e vendosjes së Kushtetutës e në Revolucionin xhonturk, më 1908, dhe në vargun e kryengritjeve kundërosmane 1910-1912, që kulmuan me Kryengritjen e Madhe, thuajse të Përgjithshme. Vijon me ngritjen e Flamurit Kombëtar në Shkup, më 12 gusht 1912 nga Bajram Daklani dhe më 28 Nëntor 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, për të vijuar me luftërat pushtuese ballkanike, mbrojtjen e Qeverisë së princ Wied-it, Luftën e Parë Botërore, me luftën për vendosjen e demokracisë, pjesëmarrjen në Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, në Kongresin e Lushnjës e deri te luftërat e tij për çlirim e bashkim kombëtar të viseve etnike, lënë prej Fuqive të Mëdha jashtë kufinjve të shtetit shqiptar.
Autori i kësaj trajtese shkencore, Prof. dr. Shevqet Sahit Canhasi, përkrye kërkimit këmbëngulës, prej vitit 1976 e tutje, ka përfshirë një hark të gjerë kohor, që nga prejardhja e familjes së Daklanëve, gjyshi i tij Osmani e deri në vrasjen e Bajram Daklanit me pabesi, në natën e 3 shkurtit 1923, në Kullën e Dobroshëve në Rogovë të Hasit.
Mesazhi i këtij libri është i qartë: Bajram Daklani, që në krye të “Çetës së Lirisë” hyri i pari në Shkup, që shkoi në bodrumet e kalasë e i liroi të gjithë të burgosurit politikë, që ngriti Flamurin kombëtar shqiptar, në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, duhet të zërë vendin e merituar në historiografinë shqiptare. Edhe në Kongresin e Trieshtës Bajram Daklani shkoi me veshjen kombëtare dhe para intelektualëve më të lartë e atdhetarëve shqiptarë, të mbledhur aty, kërkoi bashkimësinë shpitërore, tokësore e kombëtare, duke shpaluar e valëvitur Flamurin e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut.
Studimi shkencor i Prof. dr. Shevqet S. Canhasit për Bajram Daklanin, prijësin e çetës së parë shqiptare të quajtur “Çeta e Lirisë”, është punë me vlera e rëndësi të veçantë, që kaherë i mungonte historiografisë sonë. Në këtë studim, Daklani del si një flakadan shkëlqyes, që çau errësirën qindravjeçare osmane dhe u dogj për shkollën shqipe e arsimin tonë kombëtar.
Bajram Daklanin, personalitetin e luftëtarit të lirisë me veçoritë individuale që e shquajnë, autori nuk e ka trajtuar në kuadrin jetëshkrimor por, përmes dinamikës së ngjarjeve. Ndihmëtarin e shkollës shqipe me alfabet latin dhe qëndrestarin e përkushtuar të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, rojtarin e Kongresit të Lushnjës dhe luftëtarin e demokracisë, ai na e paraqet me gjallëri. Të gjitha ngjarjet, personalitetet dhe sukseset e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” janë të lidhura pashkëputshmërisht me emrin e Bajram Daklanit. Falë veprimtarisë këmbëngulëse të atdhetarëve: Bajram Curri, hoxha Kadri Prishtina, Bedri Pejani, Niman Ferizi, Beshir Vokshi, Bajram Daklani, Aqif pashë Elbasani etj., Komiteti arrijti t’i paraprinte ngjarjes monumentale që, në historinë e tonë, njihet me emrin Kongresi i Lushnjes. Me organizimin dhe mbajtjen e këtij kongresi, shqiptarët dëshmuan para botës së qytetëruar e Fuqive të Mëdha, nënshkruese të Traktatit të fshehtë të Londrës për zhbërjen dhe copëtimin e Shqipërisë, se janë të aftë për shtetndërtim dhe morën në duart e tyre fatin e vendit dhe të popullit të vet.
Në shtjellimin e mëtutjershëm të autorit, para syve të lexuesit personaliteti i Daklanit ngritet në dy vija paralele: luftëtari i guximshëm i demokratizimit të jetës shoqërore e politike në Shqipërinë e rilindur dhe kryengritësi i panënshtrueshëm ndaj padrejtësisë historike që iu bë kombit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha. Në këtë monografi ngjarjet e njëmendësisë së kaluar kanë gjetur pasqyrimin shkencor të tyre nëpërmjet të përpjekjeve të parreshtura të Bajram Daklanit për çlirimin dhe bashkimin me atdheun amë të krahinave tona nën pushtimin e huaj: të Çamërisë në Jug, të Makedhonisë Shqiptare në Lindje e të Kosovës në Veri-Lindje.
Metodologjia e punimit është mbështetur në paraqitjen analitike dhe në shqyrtimin kritik të burimeve historike të dorës së parë. Autori ka gërshetuar me sukses përimtimin e brendshëm të ngjarjeve me atë të ndodhjeve të jashtme, duke futur në përdorim të dhënat e arkivave publike e private, ato të diplomacisë së Fuqive të Mëdha e të monarkive të vogla ballkanike, si dhe burimet memoariale nga kronikë të kohës. Faktet arkivorediplomatike ai i ka ballafaquar me studimet e autorëve tanë e të huaj të kësaj periudhe historike, si dhe me kujtimet e shumë nga protagonistët e ngjarjeve apo me analistët dhe vrojtuesit kritikë të tyre. Përimtimi i autorit është ndërdisiplinar e shumëdimensional, me rëndësi kombëtare, rajonale ballkanike dhe ndërkombëtare.
Përmes veprimtarisë këmbëngulëse atdhetare e rolit të veçantë të personalitetit të Bajram Daklanit në historinë e Shqipërisë dhe të asaj ballkanike, Prof. dr. Shevqet S. Canhasi bën shpjegimin e drejtë, shkencor, të lëvizjeve të brendshme shoqërore e politike ndër shqiptarë, si dhe ndërthurrjen e interesave dhe të veprimeve kundërshqiptare të faktorit të jashtëm, të qeverive evropiane që, me vendime të padrejta, cytën e ndihmuan qarqet monarkiste ballkanike, të coptonin e shprishnin etninë shqiptare dhe të cungonin trungun tokësor të saj në gadishullin e Ballkanit.
Në këtë kuadër, autori vë në pah faktin se faktor përcaktues për fatin dhe shtetformimin shqiptarëve, u bë jo vetëm lufta e pandërprerë çlirimtare e tyre kundër shkelësve të huaj, por edhe konsensuesi imponues i
Fuqive të Mëdha, si qendra vendimmarrëse ndërkombëtare. Nëpërmjet të paraqitjes së fakteve, përimtimit të tyre në ngjarjet kryesore të periudhës historike në shqyrtim, autori përpiqet të bëjë përgjithësimin teorik të tyre në formën e sintezës historike. Profesor Canhasi pasqyron me vërtetësi historike përpjekjet e pandërprera të Serbisë nga Veriu e të Greqisë nga Jugu, për ta shtyrë në anarki të vazhdueshme Shqipërinë; trathtinë e madhe të feudalit Esat pashë Toptani, që vrau me të pabesë Hasan AliRiza pashën, mbrojtësin e shkëlqyer të Shkodrës, duke ua dorëzuar atë malazezëve; rolin destruktiv, rrënimtar të Aliotit, konsullit italian në Durrës, gjatë rebelimit të Haxhi Qamil Fejzos për rrëximin e qeverisë së Princ Wiedit dhe zhbërjen e Shqipërisë; rolin prapavajtës të shumë bejlerëve shqiptarë në sabotimin e mbrojtjes së Durrësit, kryeqytetit të Shqipërisë nën Princ Wiedin, si dhe qëndresën heroike të kosovarëve e të shqiptarëve të tjerë në këtë mbrojtje nën udhëheqjen e Boletinëve, të Currëve, të Daklanëve, të Mulësve, të shkodranëve, të prijësve mirditorë etj.
Paraqitja e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në prag të shtetformimit është bërë me lidhjen logjike dhe paraqitjen me vërtetësi shkencore të ngjarjeve. Të tëra këto janë dhënë me një gjuhë të qartë e me terma shkencore të sakta, gjë që këtë studim e bën tërheqës për lexuesin dhe shënon një ndihmesë të veçantë, duke plotësuar kështu një zbrazti të madhe në historiografinë shqiptare.
Librin e bëjnë shumë tërheqës fotografitë e panjohura, hartat dhe skicat e luftimeve kryengritëse në të katër vilajetet shqiptare, që nga Kosova, Shkodra, Manastiri e Janina me Çamërinë. Kjo monografi për Bajram Daklanin na vjen në kohën e duhur, kur edhe një krahinë e rëndësishsme e atdheut tonë, Kosova e sotme, pas përpjekjesh të mëdha e luftërash të pandërprera, më në fund, e fitoi pavarësinë dhe u njoh ndërkombëtarisht nga afër njëqind e pesëdhjetë shtete të botës.
Autori na jep dëshmi të qëndrueshme se për idenë e çlirimit e të bashkimit kombëtar, për këtë pavarësi, Bajram Daklani bashkoi atdhetarët më të guximshëm dhe luftoi ditë e natë, me pushkë e me pendë. Mbushullimi i të dhënave që janë pasqyruar në këtë monografi i jep mundësi opinionit tonë e të huaj të zbulojë vërtetësinë e njëmendësisë historike të ndodhur në këtë krahinë martire të Shqipërisë së Epërme.
Krahas njoftimeve për ndodhitë e rëndësishme historike dhe pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara shqiptare në to, studimi i prof. Canhasit parashtron e denuncon veprimet e dhunshme të administratës së urryer osmane e të pashallarëve vrastarë: Shemsi, Xhavit dhe Turgut pasha, mëtimet rrëmbimtare dhe pushtimin serbomadh e malazezomadh të Kosovës me viset rreth saj, të Makedhonisë shqiptare e të Çamërisë së martirizuar nën grekët.
Në monografi është pasqyruar me vërtetësi pesha e rëndë e shfrytëzimit dhe e shtypjes që pushtuesit osmanë me ata sllavojugorë i bënin vegjëlisë qytetare e fshatare, rebelimi kundër tyre i Bajram Currit, i Sahit Mulës e i Bajram Daklanit me shokë. Dhe Daklani luftoi jo i vetëm, si individ i rebeluar e personalitet, por vetë i pesti vëlla me nënë Baftishanë e motrat Esmanë e Zelihanë. Madje, në këtë luftë, ai arriti të bashkojë shokët, miqtë dhe dashamirësit e tij nga radhët e gjëra të atdhetarëve shqiptarë, organizuar nëpër çeta të lirisë.

Ajo që trondit më së shumti është fakti se në një hark të shkurtër kohor, i binë të vrarë njërin pas tjetrit, Bajramin bashkë me të gjithë vëllezërit. I binë të vrarë në vig, për t’u vënë në altarin e lirisë së atdheut e të kombit shqiptar. Me porosinë e vetë Bajramit, ata i bartnin sipas traditës së hershme shqiptare, pa vaje e kuje, thjeshtë, siç i bartnin dikur heronjtë e tejlashtësisë dardano-iliriane.
Nga faktet, që parashtron Prof. dr. Shevqet S. Canhasi, del se Daklani dha ndihmesën e tij të veçantë jo vetëm në luftën e armatosur për çlirim e bashkim kombëtar, por edhe në hapjen e shkollave shqipe e të institucioneve kulturore, me përhapjen e librit dhe të broshurave shqipe, veçanërisht në ruajtjen e nxënësve dhe të kuadrit arsimor shqiptar. Përmes krijimit dhe udhëheqjes së çetave të lirisë, stërvitjes e drejtimit të “Gardës së Gjakovës”, të rojtarëve të dritës, si quheshin simbolikisht nga populli, ai u vuri themelet forcave të rendit dhe të ushtrisë së ardhme kombëtare. Sipas autorit të monografisë, Daklani ka merita të veçanta edhe në thyerjen e bllokadave politiko-diplomatike të jashtme pas luftërave ballkanike e Luftës së Parë Botërore. Ai e dha këtë ndihmesë kur Shqipëria, e posanjohur si shtet më vete, po ballafaqohej me një sërë problemesh tejet të vështira të brendshme e të jashtme. Ai u përpoq për shtetndërtimin e Shqipërisë së shkallmuar nga luftërat e pandërprera çlirimtare, për shkollën me frymë të pastër kombëtare dhe krijimin e kuadrove që do ta udhëhiqnin Shtetin Shqiptar të pritshëm në të ardhmen, duke u bërë rojtar i përkushtuar i tij me fjalë e me armë në dorë.
Autori i studimit vë në pah se, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, sidomos në vitet e njëzeta të shekullit të kaluar, gjendja e krijuar përpara kombit shqiptar shtronte dy detyra themeltare: ruajtjen e pavarësisë dhe të tërësisë tokësore të shtetit të posakrijuar shqiptar. Ekzistenca e shtetit dhe qenia kombëtare shqiptare po kërcënohej në vazhdimësi nga imperializmi i Fuqive të Mëdha dhe cytja që këto po u bënin qarqeve shoviniste të monarkive të vogla ortodokse ballkanike në veri e në jug. Si të mos mjaftonin këto, në horizontin e zymtë të Shqipërisë u shfaq edhe krimbi i trathtisë së madhe: feudali Esad pashë Toptani, që u vu në shërbim të këtyre palëve.
Krahas luftës në këta ballë, Bajram Daklani po bënte përpjekje të mëdha që, në Shqipërinë e krijuar e të njohur nga Fuqitë e Mëdha, të vendosej një rend demokratik e përparimtar. Sipas Daklanit e në mbështetje të dëshmive të bashkëluftëtarëve të tij, ky rend duhej të bëhej strumbullar i bashkimësisë shpirtërore e fizike kombëtare. Vetëm një Shqipëri e tillë, me demokraci të mirëfilltë, do të bëhej organizëm i qëndrueshëm shtetëror dhe qendër tërheqëse për Çamërinë, Makedhoninë Shqiptare e Kosovën me viset e tjera etnike rreth e rrotull, mbetur jashtë saj.
Nëpërmjet studimit të Prof. Canhasit, pasqyrimit të të dhënave të reja, të panjohura më parë prej historiografisë shqiptare, ne fitojmë një pasqyrë të plotë e të qartë për luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër pushtuesve shekullorë e qarqeve reaksionare të Fuqive të Mëdha e të monarkive të vogla ballkanike. Këto janë dhënë në gërshetim me jetën dhe veprimtarinë e Bajram Daklanit dhe të mbarë familjes së tij.
Përmes argumenteve të qëndrueshme, jepet jo vetëm kristalizimi i dy forcave kryesore politike në vend: i parisë feudale bejlero-pashallare e i vegjëlisë qytetare e fshatare, por edhe përplasjet me armë ndërmjet tyre. Në Shqipërinë e njohur ndërkombëtarisht, si edhe në viset e mëdha shqiptare që u lanë jashtë saj, për të forcuar favoritët e Fuqive të Mëdha në veri e në jug të vendit, forcat feudale, bejlero-pashallare, si forca të reaksionit, po thurrnin komplote kundërkombëtare për sigurimin e privilegjeve klasore dhe politiko-ekonomike të tyre. Kundër tyre ngrit Bajram Daklani dhe forcat demokratike e përparimtare të borgjezisë e të inteligjencisë së re shqiptare.
Këto forca të reja shoqërore, qysh gjatë pushtimit osman, gjetën mbështetjen e pakursyer të vegjëlisë qytetare e fshatare. Këto vepruan dendurisht dhe energjikisht që edhe në Shqipërinë e re të vendosej një pushtet demokratiko-borgjez e një rend përparimtar i tipit evropian. Vetëm një pushtet i tillë do të hapte perspektivat e përparimit të papenguar e të gjithanshëm të vendit e të popullit shqiptar, si dhe ato të çlirimit dhe të bashkimit të krahinave të mëdha, lënë nën pushtimin e huaj.
Në këtë studim është dhënë me qartësi situata tejet e ndërlikuar politiko-diplomatike e atëhershme dhe roli veprues i Bajram Daklanit në to. Përplasja e këtyre dy forcave kundërshtare, që u bë gjithnjë e më e ashpër dhe në vazhdimësi, është paraqitur me gjithë ngritjet dhe rëniet e saj. Këto përplasje çuan edhe në ngjarje të rëndësishme e me peshë kombëtare, siç ishte themelimi i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (1918), Kongresi i Lushnjës, Lufta çlirimtare e Vlorës (1920) dhe Revolucioni demokratiko-borgjez i qershorit 1924. Në të gjitha këto ngjarje, me përjashtim të kësaj të fundit, pjesëmarrja vepruese dhe ndihmesa e Bajram Daklanit ka peshën e saj të veçantë. Në dokumentet e kohës, emrin e tij e ndeshim përkrah personaliteteve më të shquara që vepruan në ngjarjet më të rëndësishme dhe i dhanë vulën të ardhmes së kombit e të atdheut shqiptar.
Autori përpiqet të na sqarojë se kjo fazë e zhvillimit kulturo-historik të kombit shqiptar kishte burra të mëdhenj e heronj idealistë, që sot, mjerisht, i mungojnë vendit tonë. Në vijim të parashtrimit, Prof. dr. Shevqet Sahit Canhasi, argumenton se, pas fitimit të Pavarësisë së Shqipërisë, dy gjëra e shqetësonin veçanërisht Bajram Daklanin: Çështja e sigurimit të kufinjve shtetërorë të Shqipërisë nga lakmitë e qarqeve monarkiste ortodokse fqinje dhe ajo e ndërtimit të demokracisë së mirëfilltë për fuqizimin dhe shtrirjen e përshkallëzuar të Shqipërisë në kufinjtë etnikë. Bajram Daklani gjithë jetën e tij u përpoq që këto çështje e probleme t’i zgjidhte si duhet. Ai luftoi për hapjen e Shkollën e parë shqipe në Gjakovë, më 1915, për të vazhduar në qytete e fshatra të tjera të Kosovës. Ai ishte ideator i organizimit të “Gardës së Gjakovës”, për t’i mbrojtur mësuesit e nxënësit në rast sulmi nga ana e armiqve, sllavë a të tjerë. Daklani qysh në rininë e tij është pikërisht një nga personalitetet qendrore të forcave kundër pushtuesve osmanë e mëtuesve serbomalazezë. Autori i studimit, dëshmon se Daklani, me zell të pandërprerë e si një qëndrestar i paluhatshëm, u rreshtua drejt në krahun e vegjëlisë qytetare e malësore-fshatare për 30 vjet me radhë. Ai u ngrit si njëri nga udhëheqësit politikë e ushtarakë më energjikë e më veprues, që gjithnjë gjendej atje, ku e kërkonin më së shumti fatet e kombit e të atdheut shqiptar. Me pasionin e qëndrestarit kombëtar, ai veproi me vendosmëri e besnikëri deri në vdekjen tragjike, vrarë trathtisht, më 3 shkurt 1923, pa i mbushur 50 vjet.
Autori i studimit na thotë se në drejtimin e çetave të lirisë, si prijës i talentuar ushtarak e luftëtar i vendosur kundër pushtuesve osmanë, Bajram Daklani u dallua kurdoherë për të mirë në mbrojtjen e vegjëlisë qytetare e fshatare, kundër shtypjes e shfrytëzimit të saj nga shtresa feudale-çifligare. Si një luftëtar e tribun, i dalur nga gjiri i popullit, ai tërhoqi pas vetes jo vetëm urrejtjen e pushtuesve e të Fuqive të Mëdha, që i përkrahnin ata, por edhe atë të bejlero-pashallarëve vendës, të mbështetur fuqimisht nga pushteti osman dhe pushtuesit sllavoortodoks që turreshin për t’i zëvendësuar ata.
Duke dhënë përmbledhtas ‘Programin e Lëvizjes Kombëtare’ dhe përcaktimin politiko-shoqëror të tij, Daklani u thoshte luftëtarëve të çetave të lirisë: “Shqipëria duhet të shpëtojë jo vetëm nga osmanllia, por edhe nga feudalët vendës, ushujzat shqiptare, që për qindëra vjet i janë ngjitur për trupi e ia thithin gjakun popullit tonë të shumëvuajtur”! Ky ishte shkaku që osmanët, si edhe pashallarët e bejlerët ta urrenin aq shumë e ta luftonin në çdo hap, duke e paraqitur në popull si “komitë mali”, “cub” e “plaçkitës rrugësh”. Po këtë cilësim i bëjnë atij edhe vëzhguesit e jashtëm, përfaqësuesit diplomatikë e ushtarakë të huaj, që nuk donin çlirimin e shqiptarëve nga zgjedha e huaj, por zëvendësimin e saj me një zgjedhë të re, akoma më të rëndë, sllavo-ortodokse.
Sipas studiuesit, veprimtaria luftarake-çlirimtare dhe politike e Bajram Daklanit u përket tri periudhave: I) lufta kundër pushtuesve të urryer osmanë e lakmitarëve serbomalazezë dhe për krijimin e shtetit të lirë shqiptar; II) përpjekjet shtetformuese e shtetndërtuese me krijimin e demokracisë së mirëfillt në shoqërinë shqiptare dhe III) lufta kundër pushtuesve serbomëdhenj e për Shqipërinë etnike, lënë nën Mbretërinë SKS – Jugosllave nga Fuqitë e Mëdha, ngadhënjyese në Luftën e Parë Botërore, sipas vendimit të padrejtë që mori Konferenca e Versajës.
Duke përmbyllur monografinë, Prof. Canhasi vë në pah se ruajtja e tërësisë tokësore, ngritja kulturo-arsimore dhe ndërtimi i demokracisë vazhdojnë të jenë tri çështjet kyçe, për të cilat kurrë s’pat pushuar së vepruari Daklani. Ndër vlerat e këtij studimi të Prof. dr. Shevqet S. Canhasit duhet përveçuar kujdesin e tij që ngjarjet dhe personalitetet të shoqërohen me fotografi të rralla e të panjohura, me skica, ilustrime e dokumente me rëndësi. Paraqitja është bërë me vërtetësi shkencore, me terma të përcaktuara mirë e me gjuhën standarde, të saktë e të rrjedhshme, me një stil që të rrëmben e përvetësohet lehtë.
Durrës – Shkup, 2016
Prof. Dr. Hajredin Isufi
Prof. Dr. Shukri Rahimi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura