Prishtinë, 5 prill 2019: Siç bëjnë të njohur mediat e shkruara dhe elektronike, në fillim të këtij Prilli (a ishte “aprililili”, apo “serioze”), në Tiranë qenka mbajtur një Konferencë e quajtur “Balkans Leadership Conference”, në të cilën ish-kryetari i Qeverisë së Kosovës, Bajram Kosumi, paska ngritur idenë, me shkrim, për formimin e “Konfederatës moderne” të katër shteteve më të vogla të Ballkanit: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mali Zi, të cilën Bajrami e quan “një bashkësi e fuqishme” në Ballkan, së cilës nuk do të guxojë t’ia mësyjë asnjë shtet i Ballkanit apo jasht tij! Sipas asaj që ka shkruar Kosumi në “referatin” e paraqitur në atë Konferencë, ai mendon që në Konfederatën “e tij” të unifikojë e krijojë: politikën e jashtme dhe diplomacinë; tregun e përbashkët (union doganor); ushtrinë e përbashkët, nën ombrellën e NATO-s.
– Bajram Kosumi –
Ideja për formimin e një federate ose konfederate ballkanike është e vjetër, më se njëqint vjet, dhe janë ngritur inisiativa, janë mbajtur konferenca të shumta, janë hartuar, e herë-herë miratuar e nënshrkuar marrëveshje, programe, statute, por kurrë nuk kanë funksionuar. Ideja më e mirë, më e arsyeshme dhe më e sinqertë për formimin e një konfederate ballkanike ishte ajo e Dimitrije Tucoviqit, e ngritur në vitin 1909, por natyrisht ajo ide e tij social-demokrate nuk gjeti përkrahje. Ka pasur pastaj edhe shumë ide e inisiativa tjera për konfederatë të shteteve të Ballkanit, nga personalitete e organizata të ndryshme: Georgi Dimitrov e Luben Karavellov (bullgarë), Internacionalja e Tretë, etj. Inisiativat dhe përpjekjet për marrëveshje e pakte të shumanshme, për afrimin në forma të ndryshme e për formimin e nje unioni, federate apo konfederate të shteteve të Ballkanit, herë të të gjithave, e herë vetëm të disave sosh, kurrë nuk kanë pushuar, qoftë gjatë paqes apo gjatë luftërave apo në prag të luftërave. Janë mbajtur shumë konferenca në Athinë (1930), Ankara (1931), Bukuresht (1932), Selanik (1933) për formimin e “Unionit Ballkanik” për unfikimin e: statusit të qytetarëve dhe kompanive; unifikimin e të drejtës pozitive; unifikimin e librave shkollore; tregun e lirë dhe unionin doganor; mësimin e gjuhëve të Ballkanit; unifikimin e të drejtave sociale në punë; ekstradimin e kryesve të veprave penale; caktimin e prioritetit për ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhurave dhe bashkëpunimin në të gjitha llojet e komunikacionit dhe transportit,- por të gjitha ato ide dhe inisiativa kanë dështuar. U krijua Antanta Ballkanike (në Athinë, 1934) midis Jugosllavisë, Greqisë, Rumanisë e Turqisë, dhe nuk funksionoi.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore u krijua Unioni midis Jugollavisë e Greqisë (në Londër, 1942),dhe dështoi. Ishte projekti komunist i Kominternit, për Konfederatën Ballkanike: Jugosllavi, Shqipëri, Bullgari, Rumani), por dështoi. U hartuan dhe miratuan 8 projekte të Paktit të Antantës së Dytë midis Jugosllavisë, Greqisë e Turqisë (në Ankara 1953 -1955), dhe dështuan. Të gjitha idetë enthusiaste dhe inisiativat e deritashme, qofshin ato “fisnike” apo me hile, për formimin e një federate apo konfederate ballkanike, kanë dështuar. E kishte këtë ide, për një federatë apo konfederatë ballkanike edhe baca Adem Demaçi, po ajo ide i vdiq para se të vdiste vetë. Para nja gjashtë vejtëve, doli me një ide të tillë, për konfederatë ballkanike, midis: Malit të Zi, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës,Maqedonisë e Shqipërisë, edhe ministri i jashtëm i Malit të Zi, por s’doli gjë prej asaj ideje, sepse real-politika e shteteve të Ballkanit, të cilat janë “si brinat në thes”, nuk e gëlltitë asnjë formë të bashkimit apo të bashkëpunimit të sinqertë midis këtyre shteteve.
E tillë do të mbetet edhe ideja e Bajram Kosumit, qyshdo që ta ketë menduar konfederatën e tij, të modelit: zvicëran, amerikan apo rus!
Shetet e Ballkanit i kanë caktuar vetes synimin të krijojnë njëfarë asociacioni në Bashkimin Evropian, por siç po shihen gjasat, deri sa t’i vie radha të fundit për t’u pranua në BE, edhe BE-ja do të “shkapërderdhet”!